18/12/2024

Trump apo Biden? Kush është më i dobishëm për Kosovën?!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Të shtunën në mbrëmje iu bë atentat ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Hodha një koment për këtë ngjarje dhe pati diskutime të tilla se në raport me Kosovën Trump është më i rrezikshëm sesa Biden. Mesazhi i fshehtë ishte se “unë nuk do të duhet ta marr në mbrojtje as për shkak të aktit që u krye kundër tij”! Prej atij momenti më ngacmon mendimi dilematik dhe jam në kërkim të përgjigjes se kush është më i rrezikshëm, apo më i dobishëm për Kosovën, Joe Biden, pra demokratët, apo Donald Trump, pra republikanët!

Eshtë shumë e vështirë të bësh një kalkulim perfekt si në ligjet e matematikës, fizikës apo të kimisë. Sepse ligjet e njerëzimit nuk janë numra, nuk provohen në epruveta, nuk janë as figura gjeometrike. Ato janë ligje që tregojnë filozofinë e jetës bazuar nga principe themelore të normave, rendit dhe sjelljes shoqërore. Por nisur nga praktika dhe ato që kanë ndodhur deri më sot, nuk është e pamundur të mos krijosh një ide se çfarë sjellin demokratët apo republikanët në raportet e tyre me Kosovën. Kosova ka miq të shkëlqyer në të dy krahët. Clinton urdhëroi bombardimet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës, por ishte republikani Bob Doll shtytësi kryesor i atyre bombardimeve. Ndërkohë që republikani tjetër, George W. Bush shpalli pavarësinë e Kosovës në Tiranë më 10 qershor 2007.

Që në fillim do të duhet të them se në mendimin tim të dy palët bashkohen në atë çfarë duan dhe çfarë përfaqësojnë në raportet e tyre me shtetin më të ri në Europë. Të jem i sinqertë, sjelljet e Barak Obamës ndaj Kosovës dhe përpjekjet e tij për ta revokuar de facto pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, më bëjnë të mendoj se ndoshta bombardimet e NATO-s ishin produkt i pozitës së veçantë të presidentit Clinton. Pra ndodhën në një moment kur ai kishte nevojë për një aksion ushtarak në Kosovë e kundër Serbisë. Sepse nuk e shpjegoj dot tërheqjen e Barak Obamës kur e detyroi Kosovën të hyjë në bisedime me Serbinë. Për çfarë? U tha për zgjidhjen e çeshtjeve teknike, kur dihej se konflikti midis dy vendeve nuk ishte e nuk është teknik. Idiotët e besuan lehtësisht kurthin që u ngrit asokohe.

Ndërkohë, nëse kemi parasysh përpjekjet e Ramës, Thaçit e të tjerë, që së bashku me Vuçiq ta ndajnë Kosovën përmes formulës së korrigjimit të kufijve, si dhe takimet për këtë, shihnim se pas seancave të atyre takimeve qëndronte Alex Sorosi, njësoj siç qëndroi pas samiteve tri-palëshe të iniciativës së Ballkanit të Hapur. Por çfarë ndodhi me administratën Trump? Atë që disa demokratë deshën e ndoshta duan ta bëjnë gradualisht e pa rënë në sy, Trump deshi ta bënte tak-fap në qershorin e vitit 2020, kur Hashim Thaçi u nis për ta nënshkruar marrëveshjen e ndryshimit të kufijve në Uashington. Trump ishte i padurueshëm, praktik dhe jo demagog.

Rrethanat e Trump në raportet e tij me Kosovën i rëndoi ambasadori Richard Grennell, i cili u vu plotësisht në anën e Serbisë, sa i përket përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Megjithatë administrata Trump e solli një njohje shumë të rëndësishme për Kosovën, atë të Izraelit. Kurse Obama pengoi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke e urdhëruar Poloninë të votonte kundër. Pengoi njohet e reja për Kosovën.

Madje as administrata Biden në katër vite nuk deshi t’i sillte Kosovës ndonjë njohje të re. Diplomatët e kësaj administrate u shprehën hapur kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Unë këtë e shoh si shprehje të presionit ndaj liderëve në Kosovë për lëshime ndaj Serbisë.

Kalkulimi se njëri president është më i dobishëm sesa tjetri për Kosovën, për mua është jo vetëm i vështirë, por i pavend. Po ashtu ndonjë kalkulim që vjen me idenë ose dëshirën krahasuese se njëri është më i rrezikshëm se tjetri. Për mua dobishmëria ose padobishmëria është e duhet të jetë termi i duhur për krahasim. Por jo rrezikshmëria. Kjo sepse rrezikshmëria, nëse vjen, e ka burimin te liderët politikë të Kosovës. Nëse ata bien dakord që ta zhbëjnë shtetin e Kosovës, kjo ndodh brenda 24 orëve. Nëse janë të vendosur ta mbrojnë shtetësinë e Kosovës, kjo shtetësi do të rrojë gjithmonë. Nuk janë Donald Trump, as Joe Biden, të gatshëm të hedhin firmë për fatin e Kosovës. Aq më tepër kur janë presidentët amerikanë që e sollën dhe e njohën atë. Ata thjesht bëjnë presion. Nëse ky presion shkon, atëherë mund të ndodh ajo për të cilën ne frikësohemi. Nëse jo, atëherë asgjë e keqe nuk vjen. SHBA, me njërin ose tjetrin president, nuk bëjnë zgjidhje, e cila çon në konflikt në Kosovë e në rajon!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok