15/11/2024

TROKITJE NË ENIGMAT E JETËS

0

(Refleksion për librin poetik “Kohë e mjegullnajave” të Bedri Tahirit, Lena, Prishtinë, 2021)

Nga Xhevahir CIRONGU

Po të udhëtosh drejt atij “mali” krijues të autorit Bedri Tahiri, padyshim lexuesi do gjejë diçka të re, por edhe takohet me kohën që jeton shkrimtari së bashku me lexuesit e tij.

Pikërisht, është kjo arsyeja që vjen ashtu si një re qiellore e ngarkuar me ato bulëza shiu krijuese, e cila vrapon të rrok ndjenjat e poetit për të hedhur vargjet e poezive në këtë libër të titulluar  “ Kohë e mjegullnajave”.

Në gjithë gamën e botimeve të këtij shkrimtari e poeti, lexuesi zbulon atë botë të fshehur pas skutave të shpirtit, enigmat e jetës, të cilat kërkojnë zgjidhje. Kjo e ka ngutur poetin Bedri Tahiri, që të ulet këmbëkryq mbi sofrën e shpirtit të trazuar të vetë autorit, por edhe të mbarë shoqërisë njerëzore, për të trokitur në enigmat e jetës sonë.

Kështu, duke iu referuar vargjeve të poezive të këtij vëllimi poetik, vërejmë atë thirrje të brendshme të autorit për të “kapur” ligësitë që i ka shkaktuar virusi vdekjeprurës njerëzimit në mbarë botën. Kjo ndjenjë shpirtërore me plot pasthirrma, ka ndikuar te autori për të na shkruar një vëllim të shkurtër me poezi, por sigurisht mesazhet e gamës krijuese që sjell në librin aq domethënës qysh në titullin e tij metaforik e sugjestiv “Kohë e mjegullnajave”, na ngacmon memorien tonë si lexues e si qenie njerëzore për të reflektuar mbi këtë gjëmë fatkeqe të njerëzimit.

Ai e thotë bukur te poezia me titullin “E vërteta”, ku hedh hapin e vargut drejt kërkimit udhëtar për të zbuluar enigmat e kësaj katastrofe që ka kapur njerëzimin. Dhe vazhdon duke ecur më tutje me poezinë “Karantina”, e cila shkund atë ndjesi aq tronditëse që ka mbërthyer si me darë shpirtrat e njerëzve në mbarë globin tonë.

Përjetimet tronditëse kanë ndikuar edhe te vetë poeti. Pra, janë këto përjetime të cilat kanë ndikuar që poezitë e këtij vëllimi përshkruajnë fatdhimbjet e mbarë njerëzve të gjallë apo fatkeq, të cilët nuk i rezistuan dot virusit vdekjeprurës.

Poeti Bedri Tahiri, na dikton me anën e vargjeve të poezive atë “ilaç” shërues të shpirtit tonë, e na bën thirrje për ta mposhtur me vetëpërmbajtje e kurajë plot besim për jetën tonë!

Janë vargjet kuptimplote të cilat e thonë bindshëm këtë gjë te poezia me titull “Borë në pranverë”. Poeti vjen si një uragan shpresëmadh me mesazhet që na përcjell te ky libër i shkurtër e përmbajtjesor, sepse jeta është dhe duhet vlerësuar drejt, me atë vështrim këmbënguljeje për të mposhtur të keqen që na rrethon, sot e nesër, për t’i thënë “ndal” së keqes, në rastin e virusit të këtij fillimshekulli të 2021.

Poeti e shpreh bukur këtë te poezia me titullin “Mjegullnajë”  nga ku ka marrë edhe titullin libri.  Dhe, ja si e shpreh në vargje poeti Bedri Tahiri te kjo poezi:

…Por, sot, disi krejt më ndryshe

Gjithë bota në një katandisje

Mbyllje, izolim, në karantinë

Rrimë në ethe, pa shijuar lirinë…

Por, drita e shpresës nuk mungon…

Kjo thirrje vjen si drita e diellit, si drita e yjeve të qiellit e na jep shpresa jete për të nesërmen e njerëzimit, sepse jeta duhet jetuar, e këtë dëshirojmë ne të gjithë për ta jetuar atë të lire!

Autorit i urojmë suksese, dhe dashamirësve të poezisë, lexueshmëri të këndshme së bashku me librin  “Kohë e mjegullnajave “.

Durrës, shtator 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok