23/12/2024

TRIPTIK PAS-ZGJEDHOR

0
Ndue-Dedaj

Parlamenti i vjetër, si leku i vjetër

Nga Ndue Dedaj

Kanë përfunduar zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021 dhe kanë dalë deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që vazhdon të mblidhet dhe t’i marrë vendimet i vjetri!? Nuk mund ta kuptosh këtë çudi, sado që të thonë se ka procedura për t’u mbledhur ky i riu. Gjen vetëm një ngushëllim, që i vjetri me të riun ndër ne mbijeton prej një gjysmë shekulli a më shumë. A nuk vazhdojmë dhe sot të themi: “Me lekë të vjetra, apo të reja po flet? Kështu që parlamenti i vjetër nuk do të dalë nga “qarkullimi” dhe për do kohë, ashtu si leku i vjetër. Apo, ky parlamenti që nuk po di të na hiqet qafe, nuk është më i “shënuari” në historinë njëshkullore të parlamentarizmit shqiptar! Ata që ishin të mandatuar dolën nga dera, këta të tjerët hynë nga dritarja!…

Por nuk ishte faji i tyre, politika shqiptare ende është parapolitikë, kështu që çdo gjë mund të ndodhë në provincën e saj. Ia thotë mendja kryetarit të partisë kryesore të opozitës se duhen djegur mandatet, o burra t’iu vëmë “flakën” pa u menduar dy herë, paçka se të del vija në fund të arës për vete. Aq më tepër që përballë ke një kundërshtar politik, që jo vetëm nuk shkon në zgjedhje të parakohshme (me ikjen e opozitës, realisht kishte rënë Kuvendi!), por aty për aty, më këmbë e më dorë, sajon një parlament kukull, që e përdor e sterpërdor për të “kalkuluar” një ligj elektoral që të nxjerr patjetër fitues ty që e bën.

Problemi sot është të mos vazhdojë më tej komedia e shëmtuar parlamentare, me betejën numër dy për shkarkimin e Presidentit, pavarësisht qendrimit të diskutueshëm të kreut të shtetit gjatë fushatës, pasi shqiptarët, keq e mirë, kanë votuar të tjerë përfaqësues, dhe, nëse duhej, le ta merrnin ata këtë nismë.

Hyrja në BE, si (mos)ardhja e Godosë

Duke nisur nga 9 Maji, po organizohen gjithandej nëpër Shqipëri “Javët e Europës”, në Tamarë, Tropojë, Mirditë, Has etj., me ambasadorë, autobusë festivë, tubime publike, mesazhe për të rinjtë etj. dhe mirë që e prekim dhe kështu Europën, demokracinë dhe qytetërimin e saj bashkëkohor. Në Europë nuk ka pushuar prania e shqiptarëve, qysh nga rilindasit europianë me origjinë shqiptare e deri te mijërat e emigrantëve sot, që janë bërë pjesë e vlertë e kontinentit. “Europa është donatori më i madh i Shqipërisë”, deklaroi Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, zoti Soreca, duke shpresuar që të mbahet shpejt konferenca ndërqeveritare, e cila konfirmon nisjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit në BE. Ashtu qoftë! Megjithatë, a po shkojmë në Europë? A po vjen Europa te ne? Apo mos-hyrja në BE është si “ardhja” e Godosë?… Nuk është fjala për ta paragjykuar procesin e antarësimit, por ka aq vite që flitet për hyrjen në BE, plotësimin e kushteve nga Shqipëria, si me thënë, bërjen e “detyrave të shtëpisë”, e prapë bijtë e shqipes shkollarë se shkollarë para zyrtarëve të Europës së Bashkuar.

Politikanët e lartë, ekspertët e gjeopolitikës, analistë të ndryshëm mund të kenë shpjegime për këtë mos-hapje dyersh të institucionit më të rëndësishëm europian, por ne si qytetarë të këtij vendi nuk dimë ndonjë argument të pakapërcyeshëm, pse jo sot e jo nesër, jo pas një viti e jo pas tre vitesh? Nuk mendojmë se duhet pritur që t’i rregullojmë të gjitha mangësitë tona, që të na shtrohet qilimi i mirëseardhjes për në BE. Duke na përfshirë Europa në bashkësinë e saj politike, me siguri që liderët tanë shtetërorë do të silleshin ndryshe nga sot, ku më së shumëti shfaqen autoritarë dhe autokratë. Ky mbase do të ishte dhe “nderi” më i madh që do të na bëhej si shqiptarë, pasi më në fund do të çliroheshim nga lidershipi komandues i tipit lindor, që i njeh vetes tagrin të caktojë detyra si për pozitën, ashtu dhe për opozitën.

Ndokush, ç’besues se Europa do të na pranojë dhe kësaj here, sjell ndërmend vargjet fshikulluese të Fishtës, shqiptuar këtu e një shekull më parë, që të tjerë i marrin si folklorizëm. Dikush thotë se Europa nuk do të zgjërohet, pasi po “ngushtohet” për vete (dalja e Anglisë nga BE), në mos do të shpërbëhet krejt. Sido që t’i ketë punët e brendshme Europa, neve na duket se po rrëshqasim drejt Lindjes, pa dëshirën tonë, duke e ditur që i kemi rrënjët dhe shpirtin në Europë. Kësaj s’i t’i themi? Por dhe faktit që katër shqiptarë, udhëheqës të Kosovës, mbahen në kryeburgun e Europës, në Hagë, kur më e pakta mund të gjykoheshin të lirë!…

Historia si ekuivok

Dimë gjithë lidhësat e gjuhës shqipe përmendësh, por ngatërrohemi te disa vlera fondamentale të kombit, si alfabeti i saj, himni kombëtar, data e çlirimit, gjer për “vendlindjen” krahinore apo “dajat” e Skënderbeut etj. Kush nuk u vu të shkruajë (lexo: shkarravisë) histori në këtë tranzicion, që edhe pse vetë ngjan pa histori, ka prodhuar “histori” me bollëk. Mbase dhe ngaqë historianët e mirëfilltë kanë ngecur në “llucën” e ideologjisë, pro dhe kundër. Do apo nuk do, edhe partitë politike kanë ushtruar ndikimin e vet mbi kundrimin e historisë, ndaj ka pështjellim, kakofoni, shkaktuar nga emocionet politike. Të majtët zakonisht nuk flasin për figurat historike të së djathtës (me ndonjë përjashtim, siç ishte rasti i Mit’hat Frashërit), të djathtët nuk iu qasen figurave që vijnë nga e majta, dhe kur ata janë si Sejfulla Malëshova etj.

Krejt pa kuptim dhe pa kurrëfarë nevoje, çdo 5 Maj, përgojohet Qemal Stafa, a thua se anfifashizmi i tij nuk qe i mjaftueshëm për kujtesën historike të idealistit 22-vjeçar, të ndikuar nga idetë progresiste të Shilerit, që e vrau Lufta dhe nuk po e le të qetë paqja!? Askush nuk tha pse ra emri i tij nga stadiumi dhe nuk u mbart te “Air Albenia Stadium”, mbase se atë emër e kishte një shkollë e një rrugë në kryeqytet dhe teprime s’ka pse të ketë.

Por ky është veçse një episod nga historia i debatuar “ashpër” kohët e fundit, atëherë si do të jemi besimplotë se libri i ri i historisë së shqiptarëve, ndërmarrë si projekt nga Akademia e Shkencave, do të jetë i gjithëpranuar? Grupi hartues mund të jetë i duhuri, me profesionistë, ama ajo që bie në sy është se në radhët e tyre nuk ka historianë të huaj, që për çështje të “nxehta” mund të ishin më të ftohtë!? Dhe në monizëm, nuk janë ndaluar dijetarët e huaj të vijnë e të kumtojnë këtu, mjafton të përmendim konferencën për 500-vjetorin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, më 1968, në Tiranë, ku ka pasur dhe studiues austriakë, italianë, francezë etj.

Por dhe një gjë, historitë “zyrtare” jo gjithnjë i kanë rezistuar kohës sa tekstet e historisë, shkruar nga autorë të veçantë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok