TRIPTIK MBI “RADARËT” E POLITIKËS
Nga Ndue Dedaj
Mos u bëfsh për lajm!…
Mos u bëfsh për lajm, në këtë kohë, ka kuptimin mos “foltë” SPAK-u për ty, se lajm tjetër në këtë vend nuk ka. Bie fjala, ndonjë dorëheqje e shumëpritur e qeverisë. Vetëm po të shporri SPAK-u nga karriga e pushtetit. Sytë e të gjithëve janë atje dhe SPAK-u e di këtë.
Por SPAK, tek e fundit, është dhe ai nesh, nga dosjet e tij rrjedhin informacione për opinionin publik, sigurisht nga ato që nuk e dëmtojnë hetimin. Ja, ato mesazhet telefonike të personave të përfshirë në afera. “Bukë e djath” për mediat e gjithnurshme, përderisa ne nuk kemi arritur të kemi gazetari investigative që zbulon “Uotergejtin” tonë, siç bënë në Amerikë gazetarët e “Uashington Post”…
Kur nuk vendos “Byroja”!…
Partia në pushtet nuk qeveris as formalisht, pasi forumet e saj nuk pyeten për asgjë, nuk janë as në rolin këshillues të vendimarrësit të vetëm, që është kreu i qeverisë. Pavarësisht frymës së “kolegjialitetit”, që është një veçori politike e të majtës, tjetër përgjegjësi do të kishte në qeverisje nëse do të dëgjoheshin forumet partiake. Të gjithë e kemi vënë re se sa pedant tregohet “mësuesi kujdestar” me “klasën” e tij, ku nuk pipëtinë askush përveç tij, në Kryesinë e PS-së, Komitetin Drejtues, Grupin Parlamentar, Këshillin e Ministrave e deri në kongres. I shkrep atij në krye “Timoni”, “Tepsia” apo “Kazani”, të gjithë “ok” në kor. I shkrep më vonë “Besa”, po ashtu kori çon peshë patronazhistët. Me siguri që anëtarët e forumeve partiake dhe qeverisë nuk ndjehen mirë, skanadal pas skandali, por nuk kanë se çfarë i bëjnë njëshit të tyre. Kështu ngjet kur pushteti fund e krye është një piramidë, që ka vetëm bazën dhe një majë që nuk mbështetet askund…
Kosova po, por me personalitete!…
Ka qenë një ide e lavdërueshme ajo e Kryeministrit për të përfshirë në qeverisjen e pas 1913-ës personalitete nga Kosova, e nënvizojmë, personalitete. Jo çdo ekspert teknik i zoti mund të mbajë mbi shpatulla peshën e një portofoli ministror. Me tre titullarë të lartë të ardhur prej Dardanisë tonë, qeverisja e Tiranës nuk shkëlqeu. As një “faj” nuk kishte një djalosh as tridhjetëvjeçar, ndonëse i mirëshkolluar, që të drejtonte me efikasitet një “makinëri të rëndë”, siç është ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme, për më tepër duke zëvendësuar një ministër të sukseshëm. Për ministren e Arsimit të së njëjtës periudhë mund të thuhet se tjetër është të jesh eksperte e aftë arsimi për strategjitë dhe programet shkollore europiane tjetër të jesh titullare në realitetin e vrazhdët shqiptar, kur po vetëmbylleshin dita-ditës shkollat e Dukagjinit e Kurveleshit nga braktisja e banorëve. Por, përballë të pamundurës, ata u larguan me dinjitet, përmes dorëheqjes. Ndryshe ndodhi me drejtuesen e lartë të Shërbimit Informativ Shtetëror, që nuk mundi t’i fikte “radarët” e shtetit për të shpëtuar veten.
25 shtator 2026
