20/03/2025

Trinomi i mjeshtërve të mëdhenj malësorë

0

Tre breza instrumentistësh virtuozë  në lahutë, fyell e zumare brenda të njëjtës familje

Nga Gjekë Gjonaj

Janë të rralla  familjez malësore shqiptare  të  së njëjtës fushë krijimtarie , sikurse  është familja e Zef Tomë Hasurit Dedivanaj nga Trieshi (Malësi e Madhe) , e cila i  kanë dhënë  shumë  folklorit shqiptar. Vëllezërit  e njohur  të skenave kombëtare dhe  ndërkombëtare – Fran, Nikollë dhe Nosh  Zefi  u lindën  dhe u rritën në një familje të njohur jo vetëm për trimëri në mbrojtjen e tokave shqiptare, por edhe  për dashurinë e madhe  të  trashëgimisë popullore dhe interpretimit   të  pasurisë kulturore-folklorike  të shqiptarëve.

Trashëgim nga  familja

Babai i tyre, Zef Toma ( 1882-1975),   i njohur si instrumentist  e këngëtar i shkëlqyer në fshat e krahinë dhe si vajtor  ( britmëtar)  i dalluar,  ishte ai që i pari  u mëkoi  fëmijëve të vet  dashurinë për krijimtarinë popullore, respektivisht për  lahutën, fyellin dhe zumaret.  Dhe ashtu , si pa kuptuar fare, dashuria për këto tri instrumente  muzikore  burimore, u bë pjesë e pasioneve të vegjëlisë, sidomos  në mjedisin baritor të vendlindjes. Aq u mishëruan me këto vegla  të lashta muzikore,    saqë  nuk njohën plakjen as  largimin  nga  magjia e melodive  të tingujve dhe ritmeve  të derdhur nga  këto instrumente. Madje këtë mjeshtri  të luajtjes   në instrumente muzikore  e përcollën  te  pasardhësit e tyre, duke u bërë kështu brezi i tretë i  instrumentistëve brenda një familjeje , i cili zotëroi në mënyrë të përsosur artin e vet.

Shkëlqimi në festivale  folklorike mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare

Vëllezërit  Dedivanaj kanë  ndërtuar një karrierë të pasur dhe shumëdimensionale si instrumentistë virtuozë  në lahutë, fyell dhe zumare në skena të ndryshme  brenda dhe jashtë shtetit,  në festivale , në logje, dasma, gëzime familjare, festa,  ahengje  e tubime të tjera popullore në Malësi  afro  një gjysmë shekulli. Ata janë rritur  me tingëllimën e veçantë të kopesë  së deleve, me tingujt e instrumenteve tradicionale popullore dhe natyrshëm, çdo njëra  prej tyre hyri në gjakun tyre, në shoqërinë e përjetshme të  freskisë nga  flladi i bjeshkëve të larta të majës së Kazhenikut të Trieshit, të cilat   në shtëpinë – kullë të  tyre,  hynë brenda shpirtit të tyre , duke bërë që ata  të harrojnë  gjithçka. U futën thellë brenda tingullit, muzikës, legjendës. Duke ndierë çdo frymëmarrje, u bënë  pjesë e këtyre  veglave autoktone  muzikore.  U pëlqente lahuta,  fyelli e zumarja sepse në këto instrumente, siç  thoshin ata,  gërshetohen të gjitha zërat e natës. Kështu  ata  gjithë jetën   jetuan me artin, që është  qielli, ajri, toka, malet, deti e gjithçka tjetër,  i cili mbart egoizëm, rivalitet midis grupeve, por në anën tjetër ka edhe forcën madhore.

Laureatë  të Festivalit  të Opatisë  në Kroaci

Meloditë e këtyre  mjeshtërve   të shquar të instrumenteve popullore muzikore frymore   kanë qenë shumë të preferuara për dëgjuesit ( publikun)  shqiptarë, por edhe joshqiptarë. Dueti trieshian,  Fran Zefi dhe Nikollë Zefi Dedivanaj ,   ka prekur majat, përtej të cilave  pothuaj nuk mund të shkojë ekzekutimi me pasion i tyre,  në Festivalin  e Opatisë  në Kroaci në vitin 1951 ( më i njohuri i asaj kohe në ish- Jugosllavi). Këta dy artistë trieshianë  në duet, të veshur   me kostume tradicionale shqiptare (një pasuri me vlera kombëtare e ndërkombëtare),   që përfaqësuan shqiptarët  e Malit të Zi,   me interpretimin e tyre virtuoz  dhe tejet origjinal në fyell  u vlerësuan ( shpërblyen)  nga juria e festivalit me vendin  e parë. Zëri i fyejve   të këtyre  bilbilave shqiptarë  nga ky festival   kaloi kufijtë e ish-Jugosllavisë dhe arriti  në disa qytete evropiane, madje edhe në Londër, ku   gjendet    dhe ruhet  incizimi i interpretimit  të tyre  me fyell. Për suksesin e tyre në skenën e artit muzikor – folklorik  shkruan disa  gazeta  shqiptare dhe të huaja të kohës.   Kush do ta mendonte që artistët trieshianë  do të  mahnitin   shqiptarët dhe popujt e tjerë  në  këtë festival? Interpretimet e tyre  me fyell dhe zumare      janë shoqëruar  me këngë dhe valle shqiptare, por ai shpesh  ka ekzekutuar improvizime të lira në dasma, festa e ahengje familjare.

Ah, ju lumtë !

Vëllezërit Dedivanaj, që kanë bërë emër  në ekzekutimin  në fyell dhe zumare,  për mendimin tim përbëjnë trinomin e mjeshtërve të mëdhenj trieshianë, malësorë-shqiptarë të interpretimit me këto instrumente muzikore të thjeshta në dukje, por magjepse me melodi. Kudo janë paraqitur  në skenë  apo  jashtë saj   mallëngjyen  publikun artdashës.  Këta mjeshtër    të shquar të instrumenteve popullore muzikore morën  shumë   lëvdata ( fjalë të mira) , si : “  Ju lumtë!”, “ Mrekullueshëm”, “ Shumë bukur” , “ Na kënaqët shpirtin”, “ Na kujtuat  jetën baritore”, “ Jeni legjendë e gjallë e fyellit” etj.

Të përjetshëm  përmes instrumenteve frymore

Trieshianët i quajnë tre mbretër, tre kryemjeshtër, tre interpretues tejet  virtuozë dhe të pasionuar. Të tre këta interpretues   kanë krijuar origjinalitetin e interpretimit autonom. Dy vëllezërit Hasuraj- Frani dhe Nikolla  kanë vdekur. Vëllai i parë Frani  është ndarë nga jeta në vitin 1998, në moshën 79-vjeçare.  Vëllai i dytë Nikolla   ka kaluar në amshim pesë vite më vonë, në vitin 2003, në moshën 82 – vjeçare. Vëllai i tretë Noshi, që ka luajtur  për mrekulli   në fyell dhe në  zumare  të punuara nga  vetë ai është  86 vjeç dhe dallohet  për vitalitetin e tij në këtë moshë të thyer.    Ai  sot është ndër të paktët, mos i vetmi, interpretues i  zumares  në Malësi të Madhe.

Pjesëtarët e familjes Hasuraj me tradita muzikore  kanë lanë gjurmë të pashlyera në fushën e muzikës  popullore shqiptare përmes instrumenteve  frymore. Emri i tyre do të mbetet  përjetësisht  në listën  e instrumentistëve  të shquar të kombit tonë. ( Koha javore)

Fran Zef Tomë Hasuri  ( 1919-1998)

 

Nikollë Zef Tomë Hasuri ( 1921-2003)

 

Nosh Zef Tomë Hasuri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok