15/11/2024

TRI ROMANE TË NASI LERËS QË BËJNË NJË BOTË TËRËSORE DHE TË LARTËSUAR POETIKE

0

“Ana Zh” (2004), “Të gjallë dhe të vdekur” (2013) dhe “Kishim një ëndërr” (2016)

“Tipari përcaktues i prirjes letrare mund të jetë që ata që e kanë, e përjetojnë ushtrimin e kësaj mjeshtërie si shpërblimin më të mirë, si diçka që qëndron shumë më lart se çdo gjë që mund të përfitojnë nga frytet e punës së tyre. Kjo është e vetmja gjë për të cilën jam i sigurt, ndër të shumtat pasiguri që kam, në lidhje me profesionin letrar: në thellësi të vet një shkrimtar e ndien se të shkruarit është gjëja më e mirë që i ka ndodhur apo mund t’i ndodhë ndonjëherë në jetë, sepse për të, të shkruarit është mënyra më e mirë e të jetuarit, pavarësisht nga përftimet shoqërore, politike apo financiare që mund të sigurojë prej tij”. – Mario Vargas Llosa

Nga Anton Nikë Berisha

Romane që përligjin vlera poetike të rrafshit të lartë

Romanet e Nasi Lerës “Ana Zh” (2004), “Të gjallë dhe të vdekur” (2013) dhe “Kishim një ëndërr” (2016) përligjin në mënyrë të mirëfilltë mendimin e nobelistit peruan, të sjellë në krye të këtij punimi se “[…] në thellësi të vet një shkrimtar e ndien se të shkruarit është gjëja më e mirë që i ka ndodhur apo mund t’i ndodhë ndonjëherë në jetë, sepse për të, të shkruarit është mënyra më e mirë e të jetuarit”.

Këto tri krijesa letrare dëshmojnë një rrafsh të lartësuar të vlerave poetike, përkatësisht bukurinë e të shprehurit përmes gjuhës, përmes fjalës; jo vetëm për kulmin e artit romanesk të këtij shkrimtari tonë të rëndësishëm, po dhe pjekurinë dhe artin e madh të romanit tonë në përgjithësi. Përkundër faktit se secili prej këtyre romaneve ngërthen vlera poetike të veçanta, ata përligjin një botë poetike të tërësishme, një sistem të shprehur sa të pasur aq dhe të mëvetësishëm. Me këto romane Nasi Lera dëshmohet shkrimtar i denjë i kohës së vet. Me artin e tij e përjetëson atë në përbërësit e saj më të rëndësishëm; gjurmon në thellësinë e dukurive e të botës së njerëzve; vrojton dhe zbulon të veçantat dhe të fshehtat; të mirat dhe ligësitë, pësimet dhe tragjikat; zhgënjimin, trishtimin, përbuzjen; shprishjen shpirtërore dhe vetëdijen e trazuar, shpesh edhe të fjetur. Me mënyrën e qasjes dhe të shqiptimit poetik të botës e të dukurive të saj, me artin e rrafshit të lartë që i cilëson romanet e përmendur, Nasi Lera shënon një kohë; përligj tundimet e mëdha të frymëmarrjes në të tashmen tonë dhe, përmes artit, i drejtohet të sotmes e të nesërmes. Romanet e tij nuk janë kritikë e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, e zhveshur dhe e mbushur me retorikë, po vëzhgime, ndriçime thellësore dhe ballafaqime të realitetit të qenësishme pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri, ku kujdesi më i madh i kushtohet ndërtimit të tekstit, të cilin e përfton me përkushtim, duke i dhënë formën e duhur. Si i tillë ai ka të gjitha cilësitë për të bërë një ndikim estetik të shumëfishtë e të ndjeshëm në marrësin.

Romani Ana Zh është një rrëfim i menduar mirëfilli dhe i qenësishëm; shtresor dhe shumëkuptimor; sa i ngrohtë aq dhe i çiltër; shpesh tronditës, sidomos kur veprimi dhe frymëmarrja jetësore e personazheve përshkohet nga hija e vdekjes; rrëfim i degëzuar, mbresëlënës dhe me fuqi ndikimi në marrësin pa marrë parasysh moshën. Romani Të gjallë dhe të vdekur shqipton një botë të ndërliqshme të njeriut tonë e të gjallimit të tij, që shtrihet në gjerësi dhe në thellësi, qoftë si të shprehur poetik, qoftë si shumësi dukurish që vështrohen dhe rrëfehen; tekst që shpreh ballafaqimin me veten, me botën e brendshme të autorit dhe me botën e brendshme të tjetrit, ku gjallojnë të fshehtat më të mëdha, që nuk mund të njihen asnjëherë në skajshmërinë e tyre; një shtegtim poetik nëpër fatkeqësinë e njeriut tonë nëpër kohë; shprishjen, pësimet dhe dramat e ndryshme, sidomos ato shpirtërore, që kanë ngjarë dhe janë përsëritur, pa mësuar, të thuash, asnjëherë për të keqen që i kanë shkaktuar dhe i shkaktojnë botës sonë. Edhe romani Kishim një ëndërr është një mozaik poetik i shtjelluar dhe i stisur me mjeshtëri, një sistem i të shprehurit burimor dhe i larmishëm, vështruar nga kënde të caktuara, ku, pos të tjerash, dëshmohen pësimet e njeriut tonë dhe vetëdija e fjetur dhe shtresimet e tragjikes që e cilësuan dhe e cilësojnë rrjedhën e jetës së tij.

Në këto tri romane Nasi Lera dëshmon se nuk është shkrimtar imitues dhe kopjues i realitetit që e shpreh në vepër, po realitetin e përfton përmes strukturës gjuhësore, përmes tekstit poetik, një rrëfimi të konceptuar me dije e përkushtim, kuptimisht shumësor dhe poetikisht lartësor.

Bazë e këtyre romaneve të Nasi Lerës është sa e veçanta aq dhe e përgjithshmja e botës dhe e veprimeve të personazheve; një udhëtim midis jetës dhe vdekjes, ndërmarrje në gjallimin konkret; lëkundjet dhe mëdyshjet herë – herë të skajshme me çka përligjet aftësia krijuese e autorit të gërmojë në botën e njerëzve e të veçantive të tyre, qoftë si qenie mendore të mëvetësishme, qoftë si fryt i rrethanave të jetës dhe i marrëdhënieve shoqërore përkatëse.

Përbërës të rëndësishëm të botës poetike që vështrohet në romanet “Ana Zh”, “Të gjallë dhe të vdekur” dhe “Kishim një ëndërr”, janë shiu dhe mjegulla, heshtja dhe terri. Këto janë dukuri të jashtme që ndërlidhen dhe shpalosin (zbulojnë) të fshehta e botës së brendshme dhe asaj të jashtme.

Pra, për përftimin e këtyre tri romaneve autori niset nga jeta konkrete, nga përditshmëria, por tekstin e tij e pleks (e ngjiz) me botën e tij të brendshme, që dëshmohet me vëzhgime që shprehin mendësinë dhe shpirtin e tij, ku shqiptohen gjendje dhe përftohen pamje të pazakonshme poetike, që e bëjnë tekstin e tij sa të veçantë aq dhe të pasur; përdor simbolika e shprehje metaforike të ndryshme e të shumta; zbritet në thellësi te të parëndomtës që përfillet si e rëndomtë dhe si e tillë bëhet e besueshme. Të gjitha këto u japin jetë dhe shpirt teksteve të tri romaneve.

Shkrimtari gjatë jetës e shkruan në vijimësi një vepër të vetme

Thuhet me të drejtë se në qenësi shkrimtari i mirëfilltë gjatë gjithë jetës së vet e shkruar një vepër të vetme, e cila mund të degëzohet dhe ndryshojë nga titujt, nga llojet, nga ndarjet në krerë, në pjesë ose në vëllime dhe të shkruar në kohë të ndryshme, ndonjëherë edhe me ndërmjetëse të madhe. Është e njohur se poeti gjerman, Goethe, e pati filluar veprën “Fausti” në moshën 18 vjeçare dhe nuk e pati mbaruar as në moshën 84 vjeç. Edhe De Rada ynë, veprën madhore “Skanderbeku i pafaan” (në pesë libra), e nisi më1837 dhe e mbaroi më 1883, dëshmi e pasurimit mendor dhe krijues.

Duke na bërë të ditur për mënyrën se si i kishte shkrirë dhe pëlqyer (harmonizuar) “të shtimet plot gjallëri dhe me efekt” dhe “ëmbël” pjesët (ose librat) e shkruara në periudha të ndryshme në veprën e vet, që shpreh “dashurinë e shpirtit tim”, proces që kërkonte aftësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për t’i dhënë veprës një tërësi (rrumbullakësim) dhe një përmbyllje sa më të përfillshme, ashtu çfarë mendonte se i përgjigjej më së miri plotnisë, bukurisë dhe artit të veprës, De Rada shkruan: “Sidoqoftë, çdo shpirt poetik dhe krijues e di se në këso farë veprash me fuqi vullneti të gjatë, të shtimet plot gjallëri dhe me efekt, të lindura më parë, i jepen mandej mendjes për t’i renditur në dritën që nga njëra, duke u harmonizuar ëmbël, reflekto tek tjetra (nënvizimi im). Kurrënjëherë arti krijues nuk e ndjek mirë punën e menduar më parë e të hollë të mendjes, ose s’i bindet”.

Pra, nëpërmjet dukurive të botës, të veprimit të personazheve e të botës së tyre, si thotë De Rada. – harmonizimit të ëmbël, që shprehet nga njëra tek tjetra pjesë, del në pah dhe zbulohet qenësia dhe ndërliqësia e botës dhe e fatit të njeriut: “Arti përpiqet të nxjerrë në pah dhe në mënyrë sa më të plotë aspekte të botës, në mënyrë që secili, si përmes një velloje të hollë, të lexojë kuptimin që kanë gjërat dhe që filozofia e kërkon”.

Tërësinë e një vepre letrare të krijuar nga shkrimtari gjatë jetës së vet e përcakton para së gjithash mënyra e shqiptimit të asaj që bëhet objekt vëzhgimi poetik; gjuha që përdor, përkatësisht sistemi i të shprehurit poetik; formësimi, mënyra e ndërtimit të tekstit e të shumësisë së mendimeve që dalin nga struktura e tij. Me fjalë të tjera, stili që e përdor shkrimtari për t’i shprehur dukuritë, për t’i shpalosur qenësitë e marrëdhënieve shoqërore, ndikimin e tyre në botëkuptimin dhe në shpirtin e individit; përftimi i tablove poetike që ngërthejnë një shumësi simbolesh e metaforash; ballafaqimi, kundërvënia dhe kundërshtimi i dy botëve: asaj konkrete dhe asaj përfytyruese; i botës subjektive të personazheve përballë mjedisit ku jeton dhe vepron; me kundërthëniet dhe pësimet që ngjasin në dy rrafshet: individual dhe kolektiv. Këtu hyn edhe veçantia e tekstit që të vërë një komunikim sa më gjallërik e më thellësor me marrësin.

Ata shkrimtarë që në veprat e tyre ia kanë dalë t’i harmonizojnë, t’i ngjizin e t’i përmbushin këta përbërës dhe këto tipare të qenësishme të veprës letrare si krijesë poetike, i sigurojnë vetit vendin në kopshtin e artit të pavdekshëm, siç e theksonte me plot arsye nobelisti peruan, Maria V. Llosa “[…] midis prirjes për t’i ikur botës dhe jetës reale dhe për t’u hedhur në botën e përfytyrimeve dhe ushtrimit konkret të letërsisë, shtrihet një humnerë që shumica e qenieve njerëzore nuk arrijnë ta kapërcejnë dot kurrë. Ata që e kapërcejnë këtë humnerë dhe që, përmes fjalës së shkruar, bëhen krijues botësh, janë shkrimtarë, pra, ajo pakicë që ka mundur t’i përforcojë prirjet apo tendencat në saje të ushtrimit të vullnetit, të cilin Sartre e quante zgjedhje”.

Këto veçanti na mundësojnë që shpesh, sa të fillojmë të lexojmë një tekst letrar, edhe kur mund t’i mungojë emri i autorit, të dimë se i kujt është.

Lexuesi i vëmendshëm dhe njohës i veprave letrare të Nasi Lerës (kuptohet vetvetiu edhe njohës i letërsisë dhe i veprave të letërsive të tjera), kur t’i lexojë tri romanet e përmendura, nuk e ka vështirë që të përcaktojë autorin e tyre, edhe sikur në libra të mungonte emri i tij.

Pasuri dhe veçanti e të shprehurit poetik – e bukura stisur përmes fjalës

Përbërësi që përligj vlerën kryesore të romaneve të Nasi Lerës “Ana Zh”, “Të gjallë dhe të vdekur” dhe “Kishim një ëndërr” dhe njëherit përcakton njësimin dhe tërësinë e tyre poetike është sistemi i pasur dhe i mëvetësishëm i të shprehurit me të cilin është ndërtuar teksti i tyre. Shkrimtari ynë synim parësor ka përftimin e një teksti sa më poetik, prandaj i kushton vëmendjen dhe kujdesin më të madh gjuhës poetike, e cila i jep tekstit atë cilësi e atë përmasë që nuk e kanë tekstet e llojeve të tjera: jo ngushtimin dhe thjeshtësimin e kuptimeve të tekstit, po kuptime sa më të shumta, degëzimin sa më të madh në mënyrë që të zgjojë edhe më shumë interesimin e marrësit dhe njëherit të ndikojë estetikisht në të. Nasi Lera e di se të tregosh bukur domethënë të largohesh nga e vërteta konkrete; është i vetëdijshëm se asnjë lloj tematike, dukuri ose ngjarje, sado e rëndësishme dhe interesante të jetë, nuk e bën artin e romanit, po mënyra se si thuhet një mendim ose shprehet një dukuri, si krijohet e bukura që, siç thoshte De Rada:“[…] kur fjala është një pasqyrë e pastër e shpirtit qytetar dhe të sinqertë në të mirë të drejtësisë, kjo fjalë mbushet me aq bukuri, saqë me të nuk mund të krahasohet asnjëfarë bisede tjetër rreth problemeve njerëzore. Fjala e veprave artistike e mbron drejtësinë në botë dhe vetë frymën e saj, ashtu siç e mbrojti me ligjëratën e tij të bukur, magjepsëse dhe fitimtare përmbi çdo force kundërshtare Demosteni, të cilin ajo e bëri mbret të oratorisë. E kundërta ndodh me fjalën e atyre veprave artistike, personazhet e të cilave nuk e mishërojnë këtë frymë drejtësie dhe prandaj nuk tërheqin as vëmendjen tonë”.

Së këndejmi, vetëm teksti dhe shumësia e kumteve që dalin prej tij janë në gjendje ta përligjin magjinë dhe misterin e fjalës poetike dhe paanësinë e ndikimit të saj estetik (Pol Elyar thotë:  “Poezia është gjuha që këndon”.) Poeti italian, E. Montale, duke bërë fjalë për poezinë lirike, shkruante: “[…] Për sa më përket mua, nuk do të dija ta përcaktoja (definoja) këtë gjë të rrallë (feniks arab), këtë çudi, këtë objekt përcaktueshmërisht tejet konkret, ose të pandjeshëm për arsye se është i bërë nga fjalët, këtë bashkëjetesë të çuditshme të muzikës dhe të metafizikës, të arsyes e të paarsyes, të ëndrrës e të përgjimit”.

Pikërisht shtjellimi i fjalëve në fjali, përkatësisht hartimi i tekstit, herë – herë afrimi i kuptimeve të tyre, herë – herë ballafaqimi ose kundërvënia e skajshme, veçimi i nuancave, i tingëllimave që secilën fjalë dhe secilën fjali dhe secilin tekst si tërësi, e bëjnë sa të mëvetësishëm aq dhe të papërsëritshëm si vlerë dhe si mundësi komunikimi dhe ndikimi.

Tekstit poetik i këtyre romaneve ka mundësuar që autori të ndërtojë një realitet që ekziston vetëm në tekstin e veprës përkatëse dhe si i tillë bëhet për shumëçka më i vlefshëm dhe më i pasur sesa realiteti konkret. Pikërisht përmes gjuhës poetike dhe të shprehurit të menduar është krijuar e bukura, e cila siç thoshte Tomas Man “[…] rivendos paqen në mes të natyrës sonë tokësore dhe asaj shpirtërore, hedh një urë ideali në jetë”. Pra, mu të shprehurit e veçantë dhe të pasur poetik i ka mundësuar Nasi Lerës të gërmojë në brendësinë e dukurive e të personazheve, të depërtojë në thellësinë e gjërave, t’i afrojë e t’i njësojë përmes rrëfimit, qoftë kur janë të botës konkrete, qoftë të botës së përfytyruar, imagjinative. Prozatori i shquar, Grasia Markez, thoshte se rrëfimi i tij është një trillim, po mënyra si e shpreh ai një dukuri lë përshtypje tek lexuesi si ngjarje e vërtetë, si e vërtetë e mundshme. Për këtë arsye realiteti që krijohet përmes tekstit poetik është realitet subjektiv, pjellë e shpirtit dhe e mendjes së shkrimtarit dhe mund të vihet komunikim me të vetëm nëse i qasemi si realitet subjektiv për arsye se brenda tij dukuritë gjallojnë në mënyrë krejtësisht tjetër përballë asaj që ndodh në përditshmëri: edhe koha është subjektive dhe e pakufi: e kaluara, e tanishmja dhe e ardhmja mund të njësohen në një tërësi, siç ngjet edhe në ëndërr, ku gjërat ndodhin në kohë e hapësirë të pakufishme. Duke bërë fjalë për rëndësinë e kërkimeve të shkrimtarit për të gjetur mënyrën e duhur dhe të shprehë botën dhe të gjejë stilin përkatës, Makezi tregon çka i kishte ndodhur ndërsa e shkruante romanin Njëqind vjet vetmi: “[…] unë nuk zotëroja kode letrare, stilistike të mjaftueshme që rrëfimi im të jetë i besueshëm. Atëherë e lashë (romanin Njëqind vjet vetmi të porsafilluar – v. ime) dhe shkrova katër libra. Vështirësia ime kryesore ishte të gjeja tonalitetin e duhur dhe stilin narrativ, që lexuesi t’i besonte rrëfimit tim“. Kjo veçanti del dhe nga mendimi i Stefan Cvajgut në studimin për Tolstojn: “[…] s’ka asgjë më të madhërishme se sa përpjekja që, edhe të paarritshmes t’i japësh nerv krijues, ndërsa të pashmangshmes, vërtetësinë e vet“.

Për të dëshmuar artin e madh të këtyre romane të Nasi Lerës dhe për të konkretizuar tërësinë që krijohet përmes sistemit të të shprehurit poetik, të stilit të njësuar në to, po sjell disa shembuj.

Nga romani “Ana Zh”:

Më dukej sikur herë pas here gufonte gjak nga plaga që i hapej vazhdimisht natës.

Ndoshta përshtypjen e plagës e krijonte mjegulla e dendur që kishte rënë përjashta dhe vërtitej e shqetësuar mbi qytet.

Ana ecte me vështrimin nga dritaret e mbyllura të shtëpive. Në sytë e saj mëngjesi i lëkundte perdet e dhimbjes.

Ana nuk ia ndante sytë detit. Në cepat e tyre ishte strukur nata e Pireut.

Buzët e lyera lehtë sa nuk i pëlcitnin dhe vështrimin e kishte si të mbështjellë me mjegull.

Isha i lumtur që ajo po qante nga nata athinase dhe jo nga diçka tjetër, si ishte sëmundja e saj. Do t’i njihja po t’i përkisnin ata lot sëmundjes. Lotët e Anës ishin pjesa më e bukur e asaj nate.

Emri i Delfit po më shtinte një vetmi të ftohtë dhe ndjesinë e një dite të humbur pa filluar ende.

[…] e përfytyrova kancerin si një qenie e lashtë që nuk kishte vdekur.

Sytë (e Anës) shihnin shkretëtirën me një lakmi që më rrëqethi.

Dhe bëmë dashuri nën palmë, ndërsa shega e mbetur pa u këputur në majën e degës së hollë, rrëzoi dhe kokrrat e fundit nga zjarri që i digjej përbrenda.

Era fuste në dhomë së bashku me perden e hollë prej tyli edhe heshtjen e asaj që kishte ndodhur.

Nga romani “Të gjallë dhe të vdekur”:

Ai kishte menduar se vetëm deti mund të ishte i kaltër dhe në fillim iu duk sikur atë ngjyrë ua dha maleve dhimbja e tij për babanë.

Të vetmen gjë që burri nuk arrinte ta fshihte ishte lodhja e syve të tij të plakur.

Nga goja e hapur e çative dilte grahma e shurdhër e vdekjes.

Mëngjesi përshkënditi puplat e gushës së femrës si të kishte marrë flakë.

Mësuesi i muzikës ia zbërtheu këmishën Siborës dhe gjinjtë e saj zbardhen si dëborë nën diellin e marsit. Mbi ta u përkthyen rrezet e diellit dhe mësuesi i muzikës ngurroi ta zhyste kokën mes tyre, si të kishte frikë mos çante lëkurën e hollë dhe të lëmuar të gjinjve prej nga buronte gjithë ajo bardhësi.

Vrasja e Siborës nuk mund të kishte dekor më të shëmtuar.

Këtu të gjithë jemi aq kureshtar, sa kureshtja jonë e ndryshon dhe drejtimin e erës.

Dhe pëllumbat ktheheshin nga arat duke mbartur në fluturimin e tyre muzgun që do të binte…

Këtu nuk ka vajtim më prekës se kjo heshtje.

Varret e vjetra, nuk të ngjallnin atë ndjenjë trishtimi që të ngjallnin varret e reja, sidomos lulet artificiale që, të dala boje dhe të spërkatura me baltë nga shiu, dukeshin sikur zhvlerësonin jetën së bashku me vdekjen.

Më të riut i kishte pëlqyer gjithmonë heshtja e kishave të vjetra, e cila kullonte nga gurët dhe tullat e ngrëna nga koha.

Drita e qirinjve luante në sytë e tij një valle të kobshme.

Djali u trondit kur i pa dhe sytë i mbetën të thithat e errëta, të drejtë si dy fruta të vogla, të panjohura, që nuk kuptohej kush do t’i piqte, dielli apo hija.

Kurse trupi i saj i bardhë përpëlitej si një psherëtimë.

Aranit Gusmari fliste i zemëruar, si të kishte përpara një njeri që e kundërshtonte me heshtjen e tij.

Uji ishte i kthjellët, zhurma e tij ishte si një psherëtimë e ndrydhur, që kishte brenda sa dimrin e fundit, aq edhe ardhjen e pranverës.

Shkoni dhe u thoni njerëzve që të mos kujtohen për të vdekurit vetëm kur ua prishin varrin, – përsëriti burri dhe u kthye nga dritarja dhe u mbyll brenda heshtjes së parë, si brenda një arkivoli të tejdukshëm.

“Do të vdisja dhe nuk do të dija se edhe fjalët janë po aq të mishta sa edhe…”, kishte thënë ajo e lodhur dhe e lëshuar e gjitha mbi shtratin e madh, ku drita e hënës, që hynte e druajtur nga dritarja, përthyes mbi barkun e saj të bardhë e të butë, si mbi një pellg të dehur nga loja e yjeve mbi sipërfaqen e tij.

Tedi u step nga sytë e saj të mëdhenj dhe shiu që pikonte nga maja e flokëve dukej sikur kishte shtrydhur vështrimin e habitur të atyre syve.

Fërfërima e saj ishte si psherëtima e dehur e vetë natës, gjoksin e bardhë të së cilës e shqetësonte qumështi i rrezeve të hënës.

Fytyra që pa turbull ishte fytyra e Llikos, e cila u shtrembërua si në një pasqyrë të valëzuar uji.

Dhe s’di se si, pavetëdijshëm, krahasova dy ulërima që sapo kisha dëgjuar dhe s’di pse ulërima e ariut ishte shumë prekëse, sikur nuk e kishte lëshuar vetëm ariu, por edhe shiu i imtë, edhe muzgu, edhe heshtja e pyllit.

Mes degëve, qielli i copëzuar ishte i ngrirë, i largët. Heshtja shtrihej mes hapësirave midis drurëve. Ajo ishte heshtja më e bukur që kishte ndjerë Tedi. Në atë heshtje kishte ngecur dhe nata e kaluar.

Pranvera lëkundej mes fijeve të hollë të merimangave dhe në këngën e vetmuar të një zogu, që më shumë se sa për zogjtë e tjerë, i këndonte vetmisë së tij.

Nga romani “Kishim një ëndërr”:

Nuk ishte një mëngjes i zakonshëm për mua, siç ishte për Timin ngritja dhe ulja e qepenit, zhurma e të cilit dëgjohej çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje dhe më dukej gjithmonë sikur dikush kërciste shtyllën kurrizore të natës, kur ishte natë, dhe shkriftonte eshtrat e mëngjesit kur ishte mëngjes.

Arkivolet i kishin mbështetur pas murit dhe mua m’u duk sikur po çlodheshin para së të nisnin marshimin e tyre drejt errësirave, të vetëdijshëm për flijimin.

[…] u ngjitën, në të dy anët e derës, dy postera me ngjyra me portretin e një vajze të re, me flokët që i dridheshin mbi supet e zhveshura si një shelg lotues në vjeshtë, kur gjethet zverdhen dhe lëkunden nën erë.

Në vend të tij, brenda kraharorit, filloi të lëvizte si një merimangë e hirtë mërzia.

Një afsh i beftë, që u shfaq nga kërthiza, erdhi dhe me përfshiu gjoksin, sikur në të të ishin mbështetur lehtë dhe me kujdes buzët e fryra dhe përvëluese të kohës.

Kisha filluar të trembesha nga mendimet që më shfaqeshin papritmas, si lakuriq të errësirave të mërzisë sime.

Ato, duke emituar burrat e tyre të fuqishëm apo dashnorët, kishin zhdukur brenda vetes femrën dhe kishin hyrë në muzgun e ankthshëm dhe të zymtë të celuliteve.

Ishte hera e parë që dridhesha si e dehur me veten.

Prania ime aty ishte e domosdoshme për t’i zbuluar vetes prirje të reja, që kishin qëndruar të përgjumura brenda meje.

Sekonda fatale kishte ngrirë në fytyrën e saj si një shtresë e hollë akulli e, po të fliste, do të thërrmohej si shtresa e hollë e saj.

Ato çaste dashuria jonë më dukej e pashpjegueshme: ne nuk e kuptuam si lindi, dinim vetëm se kishte lindur një ditë shtatori, e pazhurshme, si rënia e gjetheve në një natë pa erë.

Zëri i saj më erdhi i mbytur, si të ishte ngatërruar në shpellën e errët të kraharorit tim.

Fytyra e saj kishte një bukuri të pabesueshme, që nuk do të përsëritej kurrë më, të paprekshme, si të ishte shkrirë me fëshfërimën e hapave të natës.

Ishim vetëm ne të dy: drejtori i bankës BesAlb dhe unë. Ishte dhe nata e errët, e panjohur, e lagësht, e ftohtë dhe Balada e Shopenit, si një plagë e thellë në zemrën e natës.

Më pëlqeu mosha që rrezatoi veshja. Ishte veshja që linte pas psherëtima lakmuese, brenda të cilave gëlonte përfytyrimi më i guximshëm dhe më i paturpshëm.

Shiu hyri mes nesh si një kujtim i plagosur nga koha.

Dhe gjithë fajin e kishin trupi i saj, që kishte kapur kulmin e fundit të pjekurisë përvëluese, dhe sytë që dinin të rrëshqisnin si dy nepërka që zgjatin kokën e tyre të bukur ku fshehin edhe helmin e pamëshirshëm.

Nuk pyesja dot për të. Më dukej sikur të gjithë do të nënqeshnin me natën që kishte mbetur në cepat e syve të saj.

Lëviza ngadalë drejt vejushës së bukur, duke mbartur brenda kraharorit klithmën e një vjeshte të largët, që vërtitej tashmë e verbër në kërkim të çlirimit të saj.

Edhe vetëm këta shembuj (të tillë mund të silleshim edhe dhjetëra e dhjetëra të tjerët) do të mjaftonin për të thënë se këto romane ngërthejnë vlera të mëdha poetike dhe bëjnë një ndikim estetik të ndjeshëm në marrësin. Në këtë rrjedhë më duhet të përmend një fakt: po të mos i kisha shënuar titujt e romaneve nga i kam nxjerrë pjesët përkatëse, askush nuk do të mund të thoshte se nuk janë marrë nga i njëjti roman.

Romane mendimesh të thella e të qenësishme

Edhe një përbërës tjetër i njëson këto tri romane të Nasi Lerës (edhe romanet e tjera si dhe prozën tregimtare të tij): përmes tekstit poetik shprehen mendime të rëndësishme që lidhen me botën dhe me njeriun tonë, me rrjedhën jetësore, me pësimet dhe tragjikat që e përcollën atë në një të kaluar të afërt ose në kohën tonë. Ato s’kanë për qëllim të shprehin ndonjë koncept filozofik, pra nuk synojnë të dëshmojnë doktrinë filozofike, po mendime që e plotësojnë dhe e pasurojnë të shprehurit poetik të tekstit dhe të mendimeve që dalin prej tij. Derisa në filozofi mendimi gjakon të përcaktojë dukurinë, qëllimin, ta qartësojë dhe ta përkufizojë atë, në tekstin e romaneve të Nasi Lerës, gjakohet të përligjet shumësia e kuptimeve të tekstit; degëzimin e tij sa më të madh. Dihet se teksti që synon vetëm një kuptim ai i përket një fushe tjetër e jo artit të fjalës, letërsisë.

Kur thellohemi në botën poetike dhe në mënyrën se si thuhen – shprehen gjërat në këto tri romane të Nasi Lerës, çfarë forme u jep ai, vetvetiu bindesh se në hartimin e këtyre autori do ta ketë pasur parasysh mendimin e shkrimtarit të njohur gjerman, Tomas Manit: “Mendim dhe përsëri mendim, pa të edhe shprehjet e shkëlqyera nuk vlejnë për asgjë”.

Nasi Lera jo vetëm që përmes tekstit të përftuar thotë diçka të rëndësishme, po atë e thotë bukur, e thotë në atë mënyrë sa ai mendim pastaj shumëfishohet në mendjen e lexuesit, që teksti i thjeshtë filozofik nuk e bën. Këtë dukuri e kushtëzon, para së gjithash, gjuha poetike, mënyra e të thënit, të shprehurit bukur, që është shpirti i çdo teksti letrar poetik, që ndërlidhet pandërmjetësisht me ndikimin, para së gjithash, estetik.

Mendime të rëndësishme në tekstin e romaneve të përmendura të Nasi Lerës i ndeshim jo vetëm kur autori synon të thotë diçka rreth personazhit përballë shoqërisë, fatit e fatkeqësisë së tij, pësimeve e vuajtjeve, po dhe gjatë përshkrimit dhe krahasimit të ngjarjeve, të dukurive e të veçantive të individëve, gjatë përsiatjeve, gjatë dialogut ose ballafaqimit të tyre, qofshin edhe kur janë krejtësisht të ndryshme ose kur janë në një marrëdhënie kundërshtie e kundërvënie.

Konkretizimi i gjerë i kësaj dukurie në këto romane do të më shmangte nga qëllimi kryesor i punimit. Megjithatë, po sjell pak shembuj për të përligjur atë që thashë më lart.

Nga “Ana Zh”: Delfi është vendi ku e vërteta mbështillet me mjegull, sepse vetëm ashtu ajo është e vërtetë; Çdo gjë e përkryer, është një gënjeshtër, Sëmundja e shtynte drejt mashtrimit të vetvetes; Përpiquni që ajo (koha) të mbetet gjithmonë koha juaj; Fytyra kishte atë përtëritje që të jep vetëm të bërit dashuri me natyrën; Njeriu e ka brenda vetes tragjedinë e mjerë të së pamundurës; Në shkretëtirë ajo ka fytyrën e saj të vërtetë; Ne e kemi çnatyrizuar vdekjen; Sa pak gjë kërkon njeriu dhe sa fatkeq është në atë kërkim; Ajo vinte nga zbulimi që i kishte bërë vetes.

Nga “Të gjallë dhe të vdekur”: E shihte veten krejt ndryshe nga ç’ishte; Në atë vend ishte e gjallë vetëm heshtja; Kur nuk ke frikë, nuk je kurrë i vetmuar; Nuk i besohet heshtjes së thellë të natës; Koha i bën njerëzit; Jetojmë në një kohë që nuk njohim veten e jo më tjetrin; Fëmija (është) një kujtesë e gjallë; I gjalli mund të jetë i qetë vetëm kur të jenë të qetë të vdekurit; Jeta s’është asgjë tjetër, pos një pohim i kuptuar me shumë vonesë; Gjëja më e vështirë: të mbrosh jetën e të vdekurve; Dëshira e vërtetë është memece; Ne të gjithë e shohim kohën me vonesë; Hakmarrje të verbër mund të ketë vetëm njeriu.

Nga “Kishim një ëndërr”: Jeta është e keqe, jo vdekja; Jeta ime e vërtetë do të niste pas vdekjes së saj; Si i largohemi vetes kur na kap frika nga frika nga e vërteta jonë; Ëndrrat lindin për të na zhgënjyer; Heshtja është më besnike se zëri; Deri më tani kam takuar njerëz që shpresa u ka vdekur e para; Vdekja është përjetësi; Heshtja është shprehja më e mirë e dhimbjes; Fjalët kanë kufij, dëshpërimi jo; S’ka brez më fatkeq se brezi të cilit i vdesin ëndrrat; Vuajtja është forca më e madhe që ka njeriu në vete; Kënaqësia nuk qëndron tek e vërteta që ti di, por tek e vërteta e shërbyer (e marrë) si e vërtetë; Të vdekurit janë të barabartë, të gjallët jo; Të gjitha fundet janë njësoj.

Bota e brendshme e njeriut dhe jeta përballë vdekjes

Në romanet “Ana Zh”, “Të gjallë dhe të vdekur” dhe “Kishim një ëndërr” Nasi Lera i qaset dhe e shqipton botën dhe jetën e njeriut tonë nga rrafshe dhe këndvështrime të ndryshme. Për autorin tonë s’ka dukuri që nuk mund të bëhet objekt vështrimi poetik. Edhe nga ato gjëra që në vështrim të parë të duken të parëndësishme dhe të rastit, përmes tekstit letrar poetik, mund të nxirren kuptime të mëdha, të thuhen gjërat bukur, dhe të krijohet e bukura. Megjithatë, duhet thënë se në romanet e përmendura autori përqendrohet sidomos në botën e brendshme të personazheve; gërmon dhe i shqipton të veçantat dhe të fshehtat e saj meqenëse ajo është e pafund dhe e pakufi; për të dhe brenda saj mund të thuhen e të zbulohen gjëra të mëvetësishme që më parë ose nuk janë vështruar aspak ose nuk janë vështruar në atë mënyrë ose në atë ndërliqësi.

Pikërisht vështrimi i kësaj bote dhe shpalosja e të veçantive të saj, i ka mundësuar autori t’i shprehë më bindshëm dhe më thellë dukuritë shoqërore, ta shtrijë e ta pasurojë mënyrën e shqiptimit të botës poetike. Autori zgjedh sidomos ngjarje dhe çaste dramatike që lidhen me personazhet, me pësimet dhe me tragjiken e tyre; vetminë, dyshimet dhe kundërthëniet që ngjasin brenda tyre ose në mjedisin kur ata jetojnë e veprojnë. Në mënyrë të veçantë Lera i vështron veprimet e personazheve në përballjen dramatike me jetën dhe vdekjen.

Kështu, në romanin “Ana Zh” gjurmohet dhe shpaloset drama e Anës dhe e Pirros. Të dy (secili në mënyrën e vet) gjakojnë të ngadhënjejnë mbi të ligën që e ka goditur Anën. E vetëdijshme për sëmundjen e saj të pashërueshme, ajo bën çmos që të mos ia bartë Pirros shqetësimin dhe dhembjen që ndien. Mirëpo, sa më shumë që ajo përpiqet t’ia dalë këtij qëllimi, aq më tepër Pirroja e ndjen dhe zhytet në shqetësimin  dhe dhimbjen e saj. Në fund, Ana dhe Pirroja nuk ngadhënjejnë përballë vdekjes, po ngadhënjen përpjekja e tyre. Pra, rrëfimi në një mënyrë ose tjetër bëhet zëvendësimi i jetës dhe i asaj që nuk mund të përmbushet në jetën e përditshme.

Në romanin “Të gjallë dhe të vdekur” rrëfehet për dramën dhe kundërthënien e brezave, gjë që përligjet sidomos përmes vizionit dhe veprimit të gjyshit, Aranit Gusmarit, dhe nipit, Tedit. Kjo shpaloset sidomos tek tragjika e zhvarrimit të eshtrave të të vdekurve për të shtuar numrin e ushtarëve grekë të vrarë në Luftën Italo– Greke (varret si ekzistencë, si kujtesë). Aktet e tilla të zhvarrimit të eshtrave dëshmojnë shprishjen e skajshme shpirtërore dhe një zhbërje të vetëdijes të disa njerëzve që nuk zgjedhin mjete për t’ia arritur qëllimit që të pasurohen ose që të zënë ndonjë pozitë. Në ballafaqimin e brezave Lera ka ndriçuar një varg dukurish të mjedisit shoqëror, të tëhuajsimit, të vetmisë dhe të frikës, të mëdyshjeve dhe të heshtjes. Përmes asaj që u ndodh dhe përjetojnë gjyshi dhe nipi, shprehet një jetë e rëndë dhe e përmbysur; në udhëtimin (midis jetës dhe vdekjes) ndodhin një varg të papritura dhe tragjika: “Jetojmë në një kohë që nuk njohin veten e jo më tjetrin” ose “Botë e lodhur nga vetvetja”. Rrënimi shpirtëror ka kushtëzuar që të vdekurit të kenë vdekje të dytë dhe se gjëja më e vështirë del që të mbrohet “jeta” e të vdekurve.

Edhe në romanin “Kishim një ëndërr”, Nasi Lera e shqipton një botë përshkuar nga dramat dhe fatkeqësitë. Edhe në të kemi të bëjmë me të vdekur; me shërbimet funerale, me varrmihës dhe të varrosur (që dëshmohet dhe mekanizmi i mafies së varrimit). Pra, pësimi dhe tragjika e personazheve shprehet në përballjen e tyre me jetën me vdekjen (vdekja edhe si çast sublim), me çka dëshmohet se ky roman është një vazhdimësi e romaneve “Ana Zh” dhe “Të gjallë dhe të vdekur”.

Veçantia e jetës së personazheve të këtyre romaneve del edhe nga ajo që thotë Asti: kishte kryer studimet për regjisor, po ishte i detyruar të bënte nëpunësin e bankës (kredifshirës). Personazhet si Tim Finerali, Fedra, Ledi B (edhe vetë Asti), kishte kohë që luanin në veprimet e përditshme vazhdimisht teatër me veten dhe me të tjerët. Koha e tillë ishte kohë e ligë dhe e përmbysur, ku ka pak ngrohtësi njerëzore. Ndërsa Asti mendon për dramat e Çehovit dhe të Beketit, që mendonte t’i vinte në skenë, i bëhet se të dy i luante në dekorin e dhimbshëm të vendit të tij. Kjo e bën të mendojë se sikur deri atëherë kishte jetuar në një botë të pa qenë.

Jetën dhe rrethanat në të cilat jetojnë personazhet shprehen ndoshta më së miri përmes mendimit të Astit se ëndrra që të bëhet regjisor dhe t’i vërë në skenë dhe veprat dramatike më të shquara, ishte një gjë qesharake dhe cinike. Nëse do t’ia dilte kësaj, do ta vinte në skenë dramën për njerëzit pa kujtesë nga se ata ishin shprishur shpirtërisht nga se dhe jeta vetë ishte shndërruar në tragjedi komedi. Gjithë kjo ndodhte edhe për mungesë të dashurisë midis njerëzve; ta duash dhe ta nderosh tjetrin domethënë ta nderosh veten. Thuhet se jeta pa dashuri është një gjë e zbrazët. Për këtë arsye personazhet e romanit gjejnë ngushëllim vetëm kur e harrojnë jetën ose në çastet kur janë me femra ose me meshkuj të bukur ose futen në shtrat me ta (to).

Udhëtimi si jetë dhe si mundësi njohjeje

Në këto tri romane, siç u tha dhe më parë, Nasi Lera e shqipton jetën sidomos në rrjedhën dramatike dhe tragjike. Për personazhet e këtyre krijesave poetike “Jeta e vërtetë (është) si heshtja e errët e natës”, për arsye se brenda saj ndodhin gjëra të pështira dhe të papritura; ishte kohë që i kishte bërë njerëzit shpirtërisht të shprishur ose ata e kishin bërë atë të tillë, të përmbysur e të pavlerë. Regjisori i ri që s’kishte vënë në skenë asnjë pjesë teatrale, thotë: “Teksa po mendoja për dhunimin e kohës, më pushtoi keqardhja e zakonshme për njeriun. Ai m’u duk një qenie e mjerë, që ishte mësuar të bindej, të flinte një orë më parë, të zgjohej një orë para, të lindte një orë para dhe të vdiste një orë para dhe, kur të vinte vjeshta, të kthehej gjashtëdhjetë minuta pas”.

Për t’i zbutur sadopak pësimet dhe vuajtjet, për t’iu shmangur dhunës së jetës së tillë, personazhet ndërmarrin veprime të ndryshme. Dy nga këto zënë kryet e vendit: udhëtimi dhe ëndërrimi i jetës që synojnë dhe e mendojnë ta bënin. Të dyja këto bëhen si kundërvënie e realitetit përkatës; gjakohet një jetë tjetër në krahasim me atë konkrete, e cila, mjerisht, nuk i përmbush  as për afër kërkesat e tyre jetësore dhe shpirtërore.

Në këto romane udhëtimi është një dukuri e shpeshtë dhe ngërthen një shumësi kuptimesh. Së pari ai bëhet për t’iu shmangur monotonisë së përditshmërisë në qytete ose në qendra, po edhe për ta kuptuar jetën, veten dhe tjetrin. Po ashtu bëhet edhe për qëllime njohëse; thuhet se udhëtimet janë shkollë e madhe, pa orë mësimi dhe pa mësues konkret.

Ana Zh dhe Pirroja vihen në udhëtim për të ngadhënjyer mbi sëmundjen vdekjeprurëse, për të ngadhënjyer mbi dhimbjet dhe vuajtjet; për të harruar atë që po ndodhte (keqësimi i shëndetit të Anës Zh dhe vdekja) dhe atë që mendojnë se mund të ndodhë. Harresa (harrimi) në raste të këtilla është ilaçi më i mirë.

Edhe gjyshi, Aranit Gusmari, dhe nipi, Ted Gusmari, nisen në udhëtim për disa qëllime, po gjatë shtegtimit konkret, qëllimi zgjerohet më tepër sesa mund ta kishte menduar në fillim gjyshi: ta shpjerë nipin gjurmëve të trashëguara dhe ta pasurojë me përvojë jetësore. Pikërisht në udhëtim dalin në shesh ndryshimet e pikëpamjeve të brezave: aftësia, këmbëngulësia, kureshtja, shkathtësia, largpamësia, përvoja, projektimi i së ardhmes. Udhëtimi për Nipin bëhet më shumë se një shkollë; gjatë udhëtimit ai njihet jo vetëm me gjëra të reja, po para së gjithash e njeh anën e errët të jetës, gjë që e bën të vetëdijshëm për rëndësinë e jetës e të njeriut, po aq e zhgënjen me fatkeqësitë dhe tragjiken që e përshkon çdo veprim. Në mënyrë të veçantë për dyzimin e njeriut (“Frida që ka qenë e jo Frida që është”), për shëmtitë që ai i bën tjetrit, dëshmi e së keqes që ka brenda dhe nuk e frenon. Në udhëtim Tedi mëson edhe faktin se bota është e lodhur nga vetvetja dhe se “Jetojmë në një kohë që nuk njohim veten e jo më tjetrin”.

Po ashtu në romanin “Kishim një ëndërr” kuptimi i udhëtimit degëzohet: bëhet për të harruar, për t’iu shmangur pësimeve dhe vuajtjeve. Ndonjëherë “udhëtim” ngjet brenda vetes. Asti, personazhi kryesor, udhëton vijimisht nga ajo që përjeton drejt asaj që synon të ishte e të bënte; herë del jashtë vetes, herë ngujohet brenda saj. “Udhëtimet” që bën në detyrën e kredifshirësit, e zhytin në kundërthëniet dhe tragjiken e jetës; në lumin e vuajtjeve dhe të pësimeve të njerëzve, që i vëren dhe i përjeton vetë: “Çfarë ëndërruam të bëhemi e çfarë u bëmë!” Meqenëse është regjisor me profesion, po që nuk mund ta ushtrojë (arti në shoqëri të karakterit të tillë thuajse s’ka rëndësi dhe nuk ekziston), ai përjeton dramën më të madhe të mundshme: bashkë me personazhet e gjallë, që i takon në “vatje-ardhjet” e tij. Ai bindet se e vërteta ekziston vetëm në mjegull.

Edhe personazhet e tjerë të këtij romani bëjnë udhëtime: “udhëtojnë” nga gëzimi në zhgënjim, nga një pësim në tjetrin. Pikërisht në këtë lëvizje, në këtë shtegtim, ata e kuptojnë dhe e njohin më mirë veten dhe tjetrit, bëhen pjesë e teatrit që nuk luhet në skenë të vënë nga një regjisor, po në skenën e jetës e të kohës së pamëshirshme. Nga kjo rrjedh se jeta është një shumësi paradoksesh që asnjëherë nuk kuptohet në tërësinë e saj.

Dukuria që po ashtu dëshmon për tërësinë shprehëse poetike të romaneve “Ana Zh”, “Të gjallë dhe të vdekur” dhe “Kishim një ëndërr” është ëndrra, ëndërrimi i personazheve. Në to nuk e kemi atë që thoshte Tomas Man për Shilerin, prirjen fëmijërore për të jashtëzakonshmen, për imagjinativën, po projektimin e asaj që gjakohet nga secili: jetën e qetë, të lirë e të mirëfilltë. Në një mënyrë ose tjetër, kjo thuhet dhe në romanin “Kishim një ëndërr”: Ëndrrat lindin për të na zhgënjyer. Sido që t’i marrim, ëndrrat janë të nevojshme në kohën e tilla, të vrarë në sy, siç do të thoshte poeti.

Autori vepron në këtë mënyrë për arsye se kur personazhet jepen pas ëndrrave, vënë një drejtpeshim mes përditshmërisë dhe asaj që duhej e mund të ishte. Ëndrra është përjetim i asaj që synohet; brenda saj përmbushet çdo gjakim dhe çdo dëshirë. Kur mungojnë ëndrrat, atëherë jeta, pa i ardhur fundi i njëmendtë, ka vdekur: “S’ka brez më fatkeq se brezi të cilit i vdesin ëndrrat”.

Ëndrra i shërben shkrimtarit tonë edhe për të ndërtuar një realitet tjetër nga ai konkret; për t’i dhënë jetë përfytyrimit, për të ngadhënjyer mbi dëshpërimin, marrëzinë, heshtjen, vetminë, mbi kotësinë dhe frikën përballë vdekjes. Në këto raste edhe të shprehurit poetik merr përmasa të tjera dhe synimin e autorit që vepra e tij të jetë sa më poetike përmbushet natyrshëm dhe në mënyrë më të plotë: në hartimin e tekstit poetik autori nuk u përmbahet rregullave dhe ligjësive të jetës konkrete, po i jep jetë imagjinatës krijuese dhe artit.

Nasi Lera e zbaton një mënyrë të këtillë të shqiptimit dhe të njësimit të botëve të ndryshme, për t’i vërejtur dukuritë më thellësisht dhe për të depërtuar dhe për ta njohur më mirë botën tonë dhe botën e brendshme të njerëzve tanë, për të ndriçuar sa më mirëfilli pësimet dhe tragjiken e të pamundurës, që e cilëson jetën e njeriut. Vepron në këtë mënyrë për ta zgjuar vetëdijen e për të zvogëluar ose për ta zhbërë shkretëtirën shpirtërore. Parim i shkrimtarëve të mëdhenj.

Prishtinë, maj 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok