21/12/2024

Trëndafila Maji për gratë, nënat dhe edukatoret nga Motrat Qiriazi, New York

0
Zylo-Grate-Qiriazi1

Nga Keze Kozeta Zylo

Organizata e mirënjohur “Motrat Qiriazi” organizoi mbrëmje gala në festën e nënës në Amerikë.

Në sallën e vallëzimit “Ballroom” në Vista Penthouse dhe Sky Lounge me një pamje të magjishme nga dritaret e qelqta dukej Manhattani kryeqendra e botës, ndërsa brenda ndrinin vajzat, nënat, motrat dhe gratë me bashkëshortët e tyre të cilët kishin ardhur për të festuar së bashku këtë ditë speciale.

Në hyrje të mirëprisnin me plot dashuri presidentja e Organizatës “Motrat Qiriazi” znj. Isidoros Tsamblakos dhe gjithë Bordi dhe anëtarë si Alda Mosko, Ariana Elezaj, Eva Burnazi, Zenie Sina, etj.

Nën tingujt e Jazz performance të intepretuara mjeshtërisht nga Arenc Leka, violinë e Faton Macula Kitar, salla bëhej dhe më e bukur dhe natyrshëm sillte hare e gëzim në zemrat e të pranishmëve.

Aktivitetin e moderoi zonjusha simpatike Zhuljeta Buja.

Presidentja e Organizatës “Motrat Qiriazi” znj. Isidoros Tsamblakos e hapi aktivitetin duke përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit dhe iu uroi atyre një mbrëmje të gëzueshme dhe të bukur në ditën e shenjtë të nënave.

Zonja Tsamblakos bashkë me zonjën Alda Mosko dhe bordin ndau çmimet me një ceremoni të bukur dhe shumë festive.

Me çmimin: Gruaja e vitit u vlerësua Kozeta Zylo, edukatore e vitit zonjusha Jonela Hasani dhe nëna e vitit znj.Pertefe Leka.

Zonjat Leka dhe Hasani shprehën mirënjohjen e pakufishme për vlerësimin dhe natyrshëm çmimi bëhet frymëzim për dëgjuesit dhe brezat. E nderuar të ishja në krah të tyre.

Në shkollat tona shqipe “Alba Life” në të gjithë Nju Jorkun Motrat “Qiriazi” janë histori frymëzuese ndaj dhe ata e këndojnë me krenari Këngen e Alfabetit Shqip, të shkruar prej Sevasti Qiriazit si: Armiqëtë o shqipëtarë/ Po përpiqenë/ Shkronjat turçe dhe greqishte/ Të na apënë/ Le t’i mbajnë ata per vetëhe/ Kemi tonatë.

Kënga e nënës në shqip ishte tejet emocionuese, dikujt i rridhnin pikëza loti, interpretuar në violinë dhe shoqëruar nga Arenc Leka. Nëna është perëndeshë, nëna është hyjni ndaj dhe i këndohet:   Nënë, emër i dashur për mua/ Më je e shtrenjtë, të të dua/ Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi.

Një çmim special, proklamatë mirënjohjeje u dha për zonjat Kozeta Zylo, Pertefe Leka dhe Jonela Hasani nga Ligjvënësi i Westchester County z.David Tubiolo.  Më duhet të shtoj se z.Tubiolo është një mik i madh i shqiptarëve dhe merr pjesë aktivisht në evente më të rëndësishme të organizuara nga Diaspora.

Një buqetë me trëndafila Maji iu dhurua dhe Konsulles së Republikës së Shqipërisë në New York zonjës Najada Sojli si shenjë mirënjohjeje në përkushtim të punës dhe devotshmërisë së saj me profesionalizëm në sherbime konsullore për publikun.

Me shumë emocion u mirëprit vlerësimi dhe mirënjohja e dhënë nga zonja Alda Mosko në emër të Motrave “Qiriazi” e cila nuk i mbajti dot lotët kur foli për punën vullnetare të të ndjerit Ylli Luka si një bamirës në komunitet me zemrën e tij të madhe.  Djali i tij në emër të nënës së tij Agathia Luka e cila ka një kontribut të madh në organizatën “Motrat Qiriazi” e pranoi me përulje vlerësimin për të Atin e shtrenjtë  dhe ndihej krenar për pasurinë shpirtërore që la tek brezat.  Ky vlerësim u mirëprit me duartroikitje si dhe me dhimbje nga të gjithë ne që e kishim mik dhe e çmonim per ndihmën e tij te pakursyer në komunitet dhe kudo.  Natyrisht Ai na bekonte nga lart si një Yll i qiellit ku ka zënë vend.

Një mirënjohje speciale iu dha mediave si TV “Alba Life”, TV “Kultura Shqiptare”, Arbërie Hetemi fotografe dhe Afërdita Palokaj editore e AAWO Newsletter.

Pak biografi për gratë që u nderuan për vitin 2022

Kozeta Zylo gruaja e vitit 2022

Shquhet ndër veprimtaret më aktive në Komunitetin Shqiptaro-Amerikan.  Ajo është  shkrimtare e mirënjohur në Diasporë  e cila ka publikuar tetë libra dhe së fundi librin për fëmijë.

Znj. Zylo është një gazetare e shquar e Diasporës, artikujt e saj janë të publikuara në gazetat “Illyria”,  “Dielli” , NY, “VOAL” Zvicër, Rumani, Shqipëri etj.  Libri “Diaspora si krah shqiponje” u pranua në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Washington DC.  Ajo ka realizuar qindra intervista që nga njerëzit më të famshëm e deri tek ai më i thjeshti.  Znj.Zylo është shpallur gruaja dhe mësuesja e vitit në Diasporë nga organizata të njohura.

Zonja Zylo është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në të gjitha lagjet e New York-ut dhe në Online.

Jonela Hasani edukatore e vitit

Jonela Hasani është edukatore dhe këshilltare në Departamentin e Arsimit të Nju Jorkut për 17 vitet e fundit.

Jonela Hasani punon si Këshilltare Shkollore dhe Sekretare Administrative Ekzekutive në Departamentin e Arsimit të Nju Jorkut.

Arsimi dhe pozicioni i saj në Departamentin e Arsimit të qytetit të Nju Jorkut ka lejuar që përvoja e saj të punojë ngushtë me popullsinë e shkollave të mesme dhe studentët në rrezik.

Znj. Hasani posedon njohuri të shumta në lidhje me vlerën e kapacitetit të marrëdhënies, besimit dhe besueshmërisë. Znj. Hasani ka frymëzuar shumë studentë që të bëhen shumë të suksesshëm në jetën e tyre. Në shkollën e saj znj. Hasani ka krijuar një program “Girls Club and South Asian Girls Club” me mision dhe vizion për Vetë-Zbulimin dhe Fuqizimin e Gruas.

Pertefe Leka nëna e vitit, 2022

Pertefe Leka është mësuese, shkrimtare, studiuese, nënë dhe gjyshe e devotshme.

Në moshën 80-vjeçare ajo vazhdon të shkruajë artikuj dhe libra bazuar në kërkime të thella mbi jetën dhe veprën e nxënësve të historisë dhe letërsisë shqiptare.

Pertefe Leka ka lindur dhe është rritur në Shkodër. Ajo punoi si mësuese në Vrakë atje ku ka lënë gjurmët e mësuesisë shkrimtari i Kombit Migjeni.

Zonja Leka është një kontribuese e denjë në studimet, shkrimet letrare dhe historike në gazetën e mirënjohur “Illyria” dhe më gjerë nëmediet e tjera.

Ajo ka sjellë pranë lexuesve me fakte të pamohueshme figurat e ndritura të historisë, shumë prej tyre të lënë në harresënga komunizmi.

Në nderim të kontributit të saj, të punës si dhe të penes zonja Pertefe Leka është bërë frymëzim dhe ndaj u vlerësua me çmimin “Nëna e Vitit 2022” nga organizata shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”.

1 Maj, 2022

Queens, New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok