15/11/2024

Trekëndëshi që zbulon tradhtinë ndaj Kosovës

0

Nga Enver Bytyçi

Ditët e fundit kemi tri realitete në raportet me Kosovën. Nëse i vendosim këto tri realitete në brinjët e një trekëndëshi, atëherë do duhej të ndiqnim këtë rend:

Në këndin e parë vendosim projekt-rezolutën që opozita shqiptare ka paraqitur në kryesinë e parlamentit, për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Kjo projekt-rezolutë pret të diskutohet në një nga seancat e parlamentit për t’u miratuar ose jo. Por kryeministri dhe një nga zërat e tij në Partinë Socialiste, Ermonela Felaj, bënë me dije se ajo nuk do të votohet, pra se do të përmbyset. Njësoj si rezoluta për masakrën e Srebrenicës!

Zonja Felaj vendosi diçka tjetër ne brinjën e dytë të këtij trekëndëshit: – Open Balkan! Pra, në vijim të Rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë e përballë tij ajo vendos Ballkanin i Hapur! Sipas saj ky asociacion nuk na lejon të dënojmë krimet gjenocidale të Serbisë në Kosovë! Shkurt, të vërtetën e Kosovës edhe kësaj radhe do ta mbulojë bashkëpunimi i ngushtë midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit! Deputetja e PS-së, zonja Felaj, duhet falënderuar për sinqeritetin e saj! Sepse në fakt kjo është arsyeja pse qeveria shqiptare është kundër dënimit të çdo gjenocidi serb në Kosovë, BH e gjetkë në Ballkan!

Në brinjën e tretë të trekëndëshit u var, ndoshta pa dëshirën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, betimi që bëri me 31 maj presidenti serb, Vuçiq, kur përdori formulën e nacionalistëve serbë të Milosheviçit e Çubrilloviçit për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Serbisë, përfshirë „Kosovën dhe Metohinë“! Kështu plotësohet mozaiku i gjithë asaj që ndodh rreth Kosovës.

Pra Vuçiq kërkon që të ruajë sovranitetin e Serbisë në Kosovë. Madje betohet për këtë! Po si do ta bëjë? Me luftë? Askush nuk e beson këtë. Atëherë i mbetet ta realizojë këtë sovranitet të humbur përmes Open Balkan. Presidenti i Serbisë ka deklaruar gjithashtu se në vendet ku drejtojnë miqtë e tij nuk do të ketë rezultat për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë dhe në Kosovë. Ai është i bindur në këtë deklaratë.

Por opozita e re e shqiptarëve në Shqipëri pasi paraqiti rezolutën e njohjes së gjenocidit serb në Srebrenisë, ka depozituar në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë një rezolutë tjetër për të dënuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Në këtë rezolutë janë shënuar një e për një të gjitha krimet gjenocidale që regjimi i Milosheviçit ka kryer kundër shqiptarëve. Qëllimi i opozitës është që deri më 12 qershor, ditën e çlirimit të Kosovës nga pushtimi dhe sundimi i Serbisë, kjo rezolutë të kalojë në parlamentin shqiptar.

Por ku qëndron në këto dy qasje Edi Rama? Qartësisht e saktësisht ai qëndron pro-Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq. Ai vijon ta mbrojë Open Balkan-in edhe pse Vucciq betohet se nuk do të lejojë shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq presidenti i Serbisë pranon që ka investuar që Shqipëria dhe vendet e tjera të mos njohin gjenocidin serb në luftërat që Beogradi shkaktoi gjatë viteve 1990. Dhe Edi Rama pranon de facto këtë të vërtetë kur kundërshton miratimin në parlament të rezolutës së opozitës për dënimin e gjenocidit të Serbisë së Milosheviçit dhe Vuçiqit në Kosovë!

Ky qëndrim I kryeministrit të Shqipërisë ndaj rezolutës së lartpërmendur dhe mungesa e reagimeve të tij për betimin e presidentit të Serbisë, si dhe mbrojtja vetëmohuese që ai i bën Open Balkan-it e rrjeshton atë përkrah Serbisë kundër Kosovës! Ky qëndrim e bën Edi Ramën, mazhorancën e tij në parlamentin e Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare subjekt anti-human. Dhe një subjekt që rreshtohet në krah të kriminelëve serbë, duke mos pranuar ndëshkimin e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, në një farë mënyrë bëhet subjekt kriminal.

Por ky qëndrim ka edhe dimensionin kombëtar. Shqiptarët mund të përcaktojnë qëndrimin e tyre bazuar në kodin moral të tyre kur bëhet fjalë për sjelljen, qëndrimet dhe përkrahjen që Edi Rama i bën Aleksandër Vuçiq dhe projektit të tij serb të Ballkanit të Hapur! Refuzimi për ta votuar rezolutën e opozitës shqiptare për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë nuk mund të justifikohet me asgjë. Edhe nëse Serbia do t’i shpallte luftë Shqipërisë pse ajo do miratonte një rezolutë të tillë, kjo rezolutë do të duhej të kalonte në parlamentin shqiptar! Asgjë, asgjë nuk mund ta pengojë këtë rezolutë. Aq më pak Open Balkan, ky projekt serb që shkatërron shtetësinë e Kosovës dhe projekton prezencën ruse në rajonin tonë!

Nëse vërtet Edi Rama do ta bllokojë këtë rezolutë, atëherë shqiptarët do të duhet që kryeministrin e Shqipërisë ta trajtojnë njësoj si edhe Aleksandër Vuçiq-in! Kosova, njësoj siç bllokon presidentin e Serbisë për të hyrë në territorin e saj, po ashtu duhet të vendosë të njëjtin standard për kryeministrin e Shqipërisë! Sa kohë që Rama trajtohet ndryshe nga Vuçiq, ai do të vazhdojë të bashkëpunojë me Beogradin kundër Kosovës e madje edhe kundër Shqipërisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok