21/12/2024

Tregimi për Shkup e Shkodër

0
Blerim-Latifi

Nga Prof. Blerim Latifi

“I ka dalë zani n’Shkup e Shkodër”. “Kemi llafue për Shkup e Shkodër”.

Çfarë na thonë këto dy shprehje të vjetra popullore shqiptare?

Një gjë fare të qartë: Shkupi në lindje dhe Shkodra në Perëndim, përbënin dy qendrat kryesore rreth të cilave etnosi shqiptar gjatë shekujve ka organizuar ekzistencën e tij, perceptimin e hapësirës identitare dhe marrëdhëniet e tij me botën. Ka një teori që thotë se vetë emri “shqiptar” ka dalë nga forma “shkuptar”. Edhe emri Shkodër u ka rezistuar të gjitha përpjekjeve për ta sllavizuar e greqizuar.

Shkupi u humb në vitin 1912. Shkodra shpëtoi për pak nga i njëjti fat. Pasi u humb, Shkupi iu nënshtrua tjetërsimit identitar, tjetërsim i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite. Fatkeqësisht vetë shqiptarët atje, me fanatizmin e tyre fetar, janë bërë pjesëmarrës aktivë të këtij tjetërsimi. Varri dardan, që u zbulua para disa ditësh në Shkup, dhe entuziastët e këtij zbulimi, janë krejt të pafuqishëm përballë këtij vetëtjetërsimi. Të vdekurit nuk mund t’i ndalin mbrapshtitë e të gjallëve.

Shkodra, ndërkaq, duke mos u humbur, i shpëtoi tjetërsimit identitar, por duke vuajtur për 45 vite injorimin komunist, ka mbetur prapa ritmit të kohës. Sot gjendjen e saj ma së miri mund ta përshkruajmë me fjalët e Pashko Vasës : Nji zonjë e randë e rrxueme përdhe.

Në njifarë mënyre tregimi mbi fatin e këtyre dy qyteteve ásht tregimi mbi vetë fatin e shqiptarëve në histori. Siç do ta quanin edhe vetë të moçmit:  Tregimi për Shkup e Shkodër.

____________

Tek këta shitësit ambulantë të librit shpesh gjen libra të rrallë dhe shumë të vlefshëm, që zakonisht nuk i gjen nëpër librari. Një të tillë e gjeta rastësisht para ca ditësh:  Fjalorth i ri- Fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnis. Autori: Dom Nikollë Gazulli. Viti i botimit : Tiranë 1941.

Nikollë Gazulli ka qenë një nga leksikografët dhe etnologët më të shquar shqiptarë të gjysmës së parë të Shekullit XX. Kur komunistët e morën Veriun, ai doli në mal, por pas një viti u vra në pabesi prej tyre, pasi u zbulua shpella ku strehohej. Çfarë tragjedie shqiptare: në vend se të vihej në krye të ndonjë institucioni shkencor, ai jetonte shpellave, i ndjekur nga partizanët analfabetë që sapo kishin marrë pushtetin.

Fjalori i Gazullit përmban një thesar të vërtetë me fjalë të rralla të gegnishtes, fjalë të cilat regjimi komunist ua hoqi të drejtën e të qenit pjesë e fjalorëve të shqipes.

Derisa e shfletoja ndjeja një kënaqësi të madhe kur hasja ndonjë fjalë të rrallë të njohur, të cilën sot në Kosovë vetëm tek e folmja e më të vjetërve mund ta dëgjosh. Qesha me zë kur e gjeta edhe fjalën Gërrnaç dhe shpjegimin që i jepte Gazulli. Qe shpjegimi: Gërrnaç-i (M.M.) s.m.-a t: 1. Legen bakri. 2. Ênë të prishme, të thyeme, thermakë ênësh; germ. Bruchstücke, it. rrotame.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok