26/04/2024

“Kjo parti është një parti terroriste e krijuar nga serbët…”

0

Nga Ndue Ukaj

Petro Marko, shkrimtar i shkëlqyeshëm e idealist, duke u “rrëfyer para historisë”, në librin autobiografik, “Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)”, kështu e përshkruan Partinë Komuniste të Shqipërisë:

“Të them të drejtën, unë çdo gjë të rinisë dhe të jetës sime ia kam kushtuar idealeve të komunizmit, ndaj edhe u bëra anëtar i partisë spanjolle, franceze dhe italiane.

Po pse nuk u bëra këtu anëtar i partisë? Këtë e kam thënë: se në Berat, në tetor të vitit 1944, kur u ktheva me dyqind vullnetarë shqiptarë, Sejfulla Malëshova më porositi: Kjo parti është një parti terroriste e krijuar nga serbët, prandaj ti mos e hap gojën për asgjë që shikon, të paktën për një vit. Fjalët e Sejfulla Malëshovës, njërit nga njerëzit më të shquar të demokracisë sonë, që vuajti gjithë jetën dhe që u varros me karron e plehrave në Fier, qenë për mua shpëtim.”

Shqiptarët, ndonëse të lirë dhe pa pranga robërie, nuk po arrijnë të lumturohen. Ata, për çdo ditë e më shumë përpara botës shfaqen të përçarë dhe të trullosur.

Shqiptarët për ditë e më shumë duken më të dërmuar dhe më me pak shpresa, më të topitur dhe pa ideale të mëdha, prandaj, duke i lexuar shenjat e kohës, dhe duke marrë mësim nga e kaluara, ata duhet të pyesin: a jemi çliruar vërtet nga ky kurth historik, për të cilin na flet Petro Marko?

A i dëgjojmë zërat e mençur e të drejtë si të Sejfulla Malëshovës?

Apo shurdhohemi dhe këqyrim punët vetjake?

Rrëfimet autentike të Petro Markos, një idealisti të madh, përforcohen nga rrëfimet e At Zef Pllumit, i cili në kujtimet e tij thoshte se politika shqiptare atëbotë bëhej në Beograd.

Kambana të tilla alarmi – si ato të Sejfulla Malëshovës – po dëgjojmë përditë. Veç forma ka ndërru.

Po i dëgjojmë e po i shohim të realizuara në fotografi, po i përjetojmë në revoltën shpirtërore të shqiptarëve që në dekadën e tretë të mileniumit të ri, ikjen e kanë kryemotiv.

Shqiptarët në fillimet e komunizmit nuk iu besuan atyre që tregonin për lidhjet e Partisë Komuniste të Shqipërisë me Beogradin, por u dalldisen pas pushtetit. Pasojat i vuajtën gjatë dhe prej atij makthi, populli shqiptar nuk është liruar as sot. Në fakt, ato pasoja i vuajnë të gjithë shqiptarët, sepse, siç thotë Petro Marko, Kosova atëbotë u shit, e bashkë me të, krejt interesat e shqiptarëve.

Sot, ne kemi një grimë liri dhe mund të kukurisim sa të duam: të shajmë Amerikën e të tregojmë muskuj, të lavdrojmë idetë proletare e të flasim kundër imperializmit. Askush nuk na shkon për llafologji, por punët nuk i kemi kurrkund, vetëm megalomaninë e kemi në qiell.

Kambanat po bien edhe në këto ditë të nxehta shkurti dhe ne duhet t’i hapin sytë, t’i lexojmë shenjat e kohës dhe t’i dëgjojmë me vëmendje të shtuar këshillat e miqve.

T’i hapim sytë e veshët.

Sepse, pa perëndimin, nuk ka as liri, as mirëqenie, as sovranitet e as dinjitet.

Po, pa miqtë perëndimorë, jam fort i bindur se për ne hapën portat e ferrit.

E një ditë do të vjen fundi dhe do të detyrohemi të rrëfehemi para historisë, siç bëri Petro Marko, rrëfimet e të cilit janë tronditëse, por edhe tejet të dobishme e udhërrëfyese për kohën tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok