TRE PEDAGOGË LETËRSIE
NGA NDUE DEDAJ
Ata ishin tre pedagogë Letërsie që nuk rrojnë më, por që kujtesa jonë i risjell si në një film plot dritë, nga jeta studentore universitare e viteve ’80 në Shkodër. Tre profile njerëzore dhe individualitete akademike të ndryshme, profesorë të zotët, të ditur, të qeshur, që ne studentët na trajtonin si miq.
Neki Lezha ishte dhe kritik letrar i njohur në shkallë vendi, shef i Katedrës së Letërsisë, me pamje aristokrati, që i shkonte kapelja republike, të cilën nuk e hiqte asnjëherë. Kishte një humor të këndshëm, ironik dhe dashamirës. Ishte i batudës. Mua më quante “poet disident” dhe kjo më jepte shumë kënaqësi, edhe pse nuk isha poet, jo më dhe disident. E ndiente dhe ma shprehte trysninë e Tiranës letrare mbi provincën, kur e pyesja për qarqet letrare të kryeqytetit, çka është dhe sot. E pata udhëheqës të Diplomës dhe firma e tij më bën nder.
Selami Tabaku ishte njeri me shpirt poeti, sa hynte në auditor për të mbajtur leksionin e radhës, ashtu buzagaz, na thoshte “hapni dritarët, të hyjë drita, jeta”. E donim dhe na donte. Ishte njeri babaxhan. Kur unë kryeja praktikën pedagogjike në shkollën 8 – vjeçare të Bukmirës (Mirditë), pati ardhur në shtëpinë time në Qafë – Vorrës ku bujti një natë. Na jepte letërsinë e huaj, por dhe folklorin. Ne që e kemi njohur nga afër shpirtin lirik të profesorit, i ndiejmë dhe ato “bulëzimet” genetike në poezinë e së bijës, Entela Tabaku, poete e mirënjohur.
Hasan Lekaj, rrezatonte në portretin e tij të fisëm dituri, rini dhe çiltërsi. Ishte njohës i mirë i letërsisë, shpesh nga letërsia e huaj na ofronte dhe përkthime të lira që i kishte bërë vetë. Pati botuar në revistën “Nëntori” një studim rreth prozës së Skënder Drinit që u mirëprit. Drejtonte rrethin letrar të studentëve dhe kjo na bënte dhe më të afërt. Mbas 90-ës takoheshim shpesh në Shkodër, pasi ai tashmë kishte krijuar shtëpinë botuese “Camaj – Pipa”, që kishte dhe librarinë e saj në rrugën muzeale të qytetit.
Tre profesorë të ndritur që lanë emër në Shkodër dhe universitetin e saj, ku patën qenë pedagogë edhe Kol Ashta, Vehbi Bala, Fadil Podgorica, Fadil Kraja, Fatmir Agalliu e të tjerë emra të shquar të letërsisë dhe albanologjisë. Profesor Bala, që asokohe ishte pedagog në UT, qe ftuar për një javë leksionesh në Universitetin e Shkodrës, ashtu siç pati ardhur për biseda letrare dhe Sterjo Spasse.
Të paharruar, profesorët tanë shkodranë!