14/10/2024

Trari i Kalimashit dhe kufijtë e ndarjes me Kosovën janë në trurin e Edi Ramës!

0

Nga Enver Bytyçi

Lexova reagimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ndaj Vjosa Osmanit dhe qëndrimeve të saj gjatë vizitës së fundit në Tiranë. Reagim pa lidhje, siç thonë kosovarët. Reagim vulgar, pa kurrëfarë kuptimi dhe arsyetimi. Nëse dikush në një kohë të largët do t’i lexojë pohimet e zotit Rama kundër presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, do të vendosë duart në kokë dhe do të thotë: “Çfarë domethënie kanë këto fjali belbake, sepse nuk po kuptoj se për çfarë bëhet fjalë”?!

Kjo do të thotë se kryeministri me kartelë i Shqipërisë përfundimisht ka rrëshqitur. Jo me ski! Jo me saje! As me ndonjë mjet tjetër! I ka rrëshqitur truri. Prandaj duhet me urgjencë ta rikthejmë në spitalin që i shëron sëmundjet trunore! A mundet dikush të përceptojë çfarë presupozon kryeministri Rama me nocioni  zerim të problermeve me fqinjët?! Ta copëtojë Kosovën dhe t’i falë territoret shqiptare Serbisë?! Me këtë formulë dëshiron ai t’i zerojë problemet me Serbinë fqinjë, nëse ajo konsiderohet fqinja jonë?!

Zerim i problemeve me fqinjët nuk do të thotë ta shesësh dinjitetin, integritetin dhe territorin te armiqtë ose, po e zbus, te ish-armiqtë e vendit tënd! Të zerosh problemet me fqinjët nuk do të thotë ta rehabilitosh zëdhënësin dhe ministrin e Informacionit të Milosheviçit për krimet që ata kanë bërë kundër vëllezërve tu në Kosovë. Rama e konsideron Kosovën në fjalën e tij të djeshme si vend fqinjë. Po nocioni “zero probleme me fqinjët” nuk do të thotë të zerosh konfliktin me Serbinë e të ushqesh konfliktin me Kosovën?! Nëse Kosovën e konsideron fqinjë, pse nuk e trajton të paktën në të njëjtën mënyrë si edhe Serbinë, por e nxit Beogradin ta shqyejë gjahun e vet, Kosovë?!

Shengeni ballkanik nëse do ishte mjet i pajtimit dhe ganaci e së ardhmes, duhej të shoqërohej me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Prandaj ne themi se shengeni ballkanik është instrument i daljes së Serbisë në Detin Adriatik. Atë që qeveria e demokratëve ia premtoi Kosovës (Portin), Edi Rama ia ka premtuar Serbisë! Kjo është e vërteta. Për këtë çeshtje ish-ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Dmitreviç Sazanov, shkruan: “Qëllimi për ne është sigurimi i plotë i pavarësisë ekonomike të shtetit serb. Përsa i përket mjeteve për arritjen e saj, atëherë të tilla mund të jenë ose zotërimi i pjesshëm i bregdetit, ose bashkimi heëkurudhor me këtë ose atë port të Adriatikut… Lëshimi ndaj Serbisë në problemin për marrjen e portit në bregdetin e Shqipërisë, do t’i lehtësonte miqve të saj mundësinë e zmadhimit territorial të saj në drejtimin e jugut ose respektivisht zvoglimin në favor të saj, të territorit të ardhshëm shqiptar”, shkruan Sazanov!

Meqenëse zoti Rama foli për nacionalizëm e patriotizëm floklorik të Vjosës, Albinit, Haradinajt, më lejohet që në ballafaqim me ato që thoshte para më shumë se 100 vitesh ministri rus Sazanov, t’i them se kur je për t’I dhënë Serbisë porte, mundësi pa fund, territore e gjithçka që dëshiron ajo, atëherë nuk quhesh nacionalist ose patriot shqiptar, por quhesh nacionalist dhe patriot i flaktë serb!  Zoti Rama e kupton se bën pjesë në radhën e nacionalistëve dhe patriotëve vulgarë serbë! Që nacionalizmi serb, edhe i Edi Ramës, është vulgar, kjo është provuar në luftrat e shumta dhe masakrat serbe kundër popujve tjerë, përfsirë dhe shqiptarët e Kosovës!

Por Rama nuk ndalet këtu! Ai foli edhe për atë që ai e quan “Thika e nacional-folklorizmit vulgar”! Historia e afërt ka dëshmuar se thika e nacional-folklorizmit serb ka shkaktuar qindra mijë viktima në Ballkan. Këtë lloj folklorizmi dëshiron ta rehabilitojë Edi Rama kur akuzon liderët shqiptarë të Kosovës apo të Shqipërisë për nacionalizëm e patriotizëm vulgae! Ndërkaq ai synon që të shfaqet si i “kuruar”, “maturuar”e i “moderuar” në përpjekjet e tij për ndarjen e Kosovës, me qëllim që territorin e saj t’ia dhurojë Serbisë! Përpjekjet e Vjosës, Albinit, Ramushit, Metës, Berishës, madje dhe Hotit, për t’u mbrojtur prej Ramës, Hashimit, Batonit dhe prej Serbisë ai i quan përpjekje vulgare!

Rama riktheu pas tetë vitesh logon e “zero problemeve me fqinjët”! Po projekti i tij serbomadh jo vetëm krijoi probleme me fqinjët, por gati sa nuk i vu flakën Kosovës dhe gjithë rajonit! Në fakt kur kryeministri i Shqipërisë flet për “zero probleme me fqinjët”, ka parasysh zero probleme me Serbinë, por jo me fqinjët! Dhe në emër të kësaj intrige ai gati sa nuk ia nguli thikën Kosovës, dhe arriti deri diku ta izolojë atë. Pastaj e akuzoi për “vetëizolim” dhe për “nacionalizëm vulgar”, duke i dhënë sërishmi municion mikut e vëllaut të tij, Aleksandër Vuçiç, që nesër në tryezat ndërkombëtare presidenti serb të citojë kryeministrin e Shqipërisë, për të akuzuar autoritetet e Kosovës?! Ndaj më rezulton se reagimi i Edi Ramës ditën e enjte kundër Vjosa Osmanit ishte i porositur nga Beogradi. Ndoshta i shkruar keq në Beograd, sepse edhe artikulimi nuk m’u të jetë si ai i Edi Ramës!

Dhe në fund dy fjalë për traun: Trau është vënë në territorin e Shqipërisë. Këtu Rama thotë të vërtetën. Por ai tra është vënë aty për të penalizuar shqiptarët e Kosovës, sepse janë ata që kanë nevojë ta përdorin masivisht atë rrugë, e cila dikur kishte emrin “Rruga e Kombit”! Prandaj autoritetet e Kosovës kanë njëmijë herë të drejtë ta akuzojnë kryeministrin e Shqipërisë për akte urrejtjeje ndaj tyre, ndërkohë që “paratë e patriotizmit turistik” ai ua pëlqen! Madje nuk ka turp dhe u thotë shqiptarëve të Kosovës se “qenka patriotizëm të paguash për një rrugë e cila është ndërtuar me taksat e shqiptarëve”. Ndërsa atij I lejohet të sillet si mizor politik kundër Kosovës!  Në fakt trari ekziston në kokën e kokëministrit shqiptar! Eshtë trari i ndarjes dhe përçarjes së shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok