18/11/2024

Nga Edison Ypi

Nëmërçka, Puka, Mirdita, Krraba, Myzeqeja, Mallakastra, janë disa nga Gratë e Mia. Njëra më e bukur se tjetra. Por asnjëra si Tomorrica, që është më e magjishmja e të tërave.

Nuk kam asnjë kundërshtim që hiret rrënqethëse të Tomorricës time, t’i eksplorojë çdo i interesuar.

Për me e kqyr si duhet thellësinë e Tomorricës, Zoti e ka gdhendur si një Teatër kolosal me skenë dhe sallë kilometrike, skena më e madhe se salla.

Skena gjigande në lindje, luginëza, përrenj që rrjedhin teposhtë, fshatra me shtëpi që duken si koshere.

Salla, apo platea, faqa lindore e Tomorrit.

Lumi në mes.

Tomorrica perëndimore mund të përdoret si ballkon për të kqyrur Tomorricën lindore përballë, ku, secili spektator mund të ulet rradha kaq, karrikia aq, përkatësisht; rradha ndonjë gardh a përrua, karrikja një gur a një ledh për tu ulur.

Po, por vetëm spektatorë, sado të përkushtuar, është pak. Tomorrica meriton më tepër. Tomorrica e ka për ofendim mos ta eksplorosh jashtë-e-brenda. Për tu eksploruar sa më thellë e sa më bukur, Tomorrica nazelie del dhe cullak. Ta shfrytëzojë kush të dojë këtë Fat. Nuk jam xheloz.

Që Tomorricës hiret t’i njihen botërisht:

Para Tomorricës frymëndalëse të thirren njerëz të shquar nga të gjitha fushat. Të afërt e të largët. Të rinj e të të vjetër. Të gjallë e të vdekur:

Naimi, Fishta, Lasgushi, atyre su lypset ftesë për asnjë vend në Shqipëri. Ata këtu kanë qënë dhe këtu do jenë. Mjaft të kujdesen që në Tomorricë të mos vinë fort të llangosur me baltë varri.

Nëse Hudhri do arrijë ta bindi Hyun të vijë në Tomorricë, Abas Aliu do e falenderojë, dhe me këtë rast do i nguli ndonjë kunj për llumin letrar te Ex Libris.

Poetët e tjerë të vdekur, Homer, Dante, Shekspir, Pushkin, Lermontov, Gëte, Hajne, Bodler, do nderohen me shetitje peripatike me nga një kanaçe birre në dorë rrethuar secili me nga katër e nga pesë dishepuj. Jo nga kta legenat që vendosin tre pika shurre pas çdo fjalie. As nga ata që mbahen për Poetë sepse kanë qënë në burg. Vetëm dishepuj seriozë.

Ekspertat e rendit ardhur nga vende me përvojat e duhura, do japin ndihmesën e tyre për turistat që humbin rrugën nga mahnitja, ose çmenden nga ekzaltimi nëpër pyje dhe gërxhe të thella. Ekspertat në fjalë do shohin më nga afër edhe çështjen e heremitëve të shpellave dhe atyre që para se të vetshpallen shenjtorë, bëjnë sikur heqin dorë vullnetarisht nga e ngrëna dhe e pira.

Orkestrat më të mëdha të botës, James Last, Frank Pourcel, Ray Conniff, e të tjera do luajnë muzikat më të bukura prej të cilave do shquhen “Orange Blossom”, “Flight of the Bumblebee”, “Pusi që lahet vet”, dhe ca të tjera.

Këngëtarët më në zë, kryesisht të vdekur, gjithashtu nuk do rrinë pa ardhur në Tomorricë.

Do ngrihet nga varri Voce Zela. Do këndojë atë që i mbeti peng sa qe’ gjallë, kryeveprën muzikore siciliane dhe arbëreshe “Cu Ti Lu Dissi” me një bosht rrëfimi tepër të thjeshtë, një thashethem konspirativ katundi: Kush të tha ty, që unë s’të dua më ?

Orkestrat, këngëtarët, kompozitorët, megjithse do e shkrijnë talentin e tyre duke zbrazur secili kremën e krijimtarisë vë vet, s’do ment se nuk do mund të konkurrojnë këngën e zogjve, shushurimën e gjetheve, pëshpërimën e përrenjve, lehjen e qenve, simfoninë e zilkave, koncertet e këmborëve. Kaq gjë e din ata.

Kur një nga të ftuarit e Nderit, Paganini, të luajë “Caprice no 5” do ndalin frymën të gjitha gjallesat aty rrotull dhe më tej. Do heshti gjithçka.  Kujt do i vijë kolla, teshtima, pordha, do e mbajë. Atyre që po hanin, lugët do u mbeten pezull në gjysëm lartësie nga pilafi te goja. Përrenjtë do ndalin rrjedhën. Uji i ujvarave do mbetet varur mbi shkëmbinj si çarçaf i nderë në tel që e valavit era.

Kur t’i luten Giacomo Lauri-Volpit të ngrihet nga varri për të kënduar në Tomorricë “Peshkatarët e Perlave”, do lëvizi në varr me përtesë. Ama kur të vijë e ta shohi me sytë e vet perrinë Tomorricë, do bindet menjëherë që ngritja nga varri ja vlejti. Zëri në kup të qiellit. Era do ndali së fryri. Retë do davariten. Qielli do çfaqet. Baballarët e teqeve do ngrihen nga froni do përkulen në shenjë nderimi.

Historianët e ardhur në Tomorricë do bëjnë hulumtime shterruese për të qartësuar disa gjëra. Nëpër cilat shtigje erdhi greku ? Sa foshnja hodhi në lumë ? Sa grave u nguli bajonetën në bark ? Sa burrave u preu kokën me thikë ? Çfarë ndodhi në majë të Ostrovicës ? Ku u bë lufta me frëngun ? Si luftoi austriaku ? Pse u sëmur rusi ? Pse u tërhoq sërbi ? Sa u paguan spiunat ? Ku ndodhen “Gardhi i Beqarit”, “Ledhi i Labit”, “Pusi i Pashait”, “Çuka e Çupës”, “Loti i Nuses” ?

Do jetë në nderin e ekonomistave ardhur enkas në Tomorricë të përcaktojnë cila ishte prodhimtaria e staneve dhe baxhave ? Si e shtypnin rrushin ? Ku e zjenin rakinë ? Ku i shisnin bulmetrat ? A i vilnin kombullat ?

Regjizorët më të famshëm që do kenë fatin dhe kënaqësinë të eksplorojnë perrinë Tomorricë, do jenë dy: Peter Weis dhe Giuseppe Tornatore. Të tjerëve ska pse u mbetet qefi.

National Geographic do dërgojë ekspertat më të merituar për ta pavdekësuar Tomorricën në foto dhe video të cilësisë së lartë.

Sociologët nga mbarë bota do qartësojnë një herë e mirë: Sipas cilave kritere i kanë marrë e i kanë dhënë çupat tomorricarët ? Si lidheshin ilakatë ? Kush bëhej sebep ? Si e kalonin kohën beqarët dhe beqareshat ? Ç’bëhej me të shquarit e katundit, me budallain e katundit, hajdutin e katundit, spiunin e katundit ? A po u prin shëndeti ?

Psikologët do sqarojnë deri më një, në cilat vende çfaqen shenjtorët nëpër ëndërra ? Ku janë livadhet ku natën lodrojnë xhindet, varret nga dalin vampirët, kthesat ku zënë pusi’ komitët dhe gjaksit që vrasin hasmin, makar shtigjet ku vidheshin karvanët, qafat e maleve nga kalonin dasmorët, lëndinat ku thereshin krushqit, koriet ku çlodhen udhëtarët ? Sa të përhapura ishin divorcet dhe incestet ? Ku janë puset e shenjta pranë të cilëve s’të kafshon gjarpëri, s’të prek hasmi, ja marrin një sy gjumë udhëtarët e lodhur ?

Mjekët e thirrur enkas do shqyrtojnë me imtësi metodat dhe mjetet e kurimit të sëmundjeve që përdor mjeksia popullore e këtyre anëve, shkakun e sëmundjeve, rrezikun e epidemive etj.

Zonjën Tomorricën askush nga mysafirët e lartë nuk do e preki me dorë, nuk do e shkeli me këmbë, nuk do ja përdhosi me prezencë luginëzat e saja, përrenjtë, shtëpitë, oborret, puset, kopështiet, ngastrat e mbjella, bimësinë, ujët që rrjedh përposhtë, dritën, hijet, ngjyrat, ylberet, agoninë e përgjakur të diellit në perëndim.

Kush do i bishtnojë rregullave, do theret, do ripet, do piqet në hell lart në Teqe’, te furrat e kurbanëve.

Që Bota të mos mbetet në duart e budallenjve, aventurierëve, edepsëzave, por të forcohet dhe zbukurohet nga njerëz njerëz të ndjeshëm dhe të ndershëm që Botën e njohin dhe e duan, Tomorrica ime duhet pavdekësuar sa më shpejt. Sidomos tashmë që fundi i botës është bërë si bujqësia në vaktit “çështje e ditës”, apo si revolucioni proletar që pritet të shpërthejë nga çasti në çast, tashmë kur gishti i budallait i është afruar butonit dhe pritet ta shtypi nga çasti në çast, dhe Tomorrica ime të iki për dhjam qeni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok