10/03/2025

TOMË GJOKAJ, NJERIU QË THEU MITIN JUGOSLLAV TË PËRKRAHJES NË SHBA NË VITET 1989-1991 ME LOBIMIN SHQIPTARO-AMERIKAN

0
Buzhala-Tome-Gjokaj

(Mësues, atdhetar e veprimtar, ai u vra nga shërbimet antishqiptare më 10 janar 1991 në SHBA)

Nga Prend BUZHALA

Sot,  më 7 Mars, Ditën e Shkollës Shqipe,  u mbajt një Akademi Përkujtimore kushtuar Mësuesit, Veprimtarit dhe Atdhetarit Tomë Gjokaj (1943-10 janar 1991), i vrarë nga shërbimet antishqiptare. Kjo veprimtari u zhvillua në sallën “Teki Dërvishi” të Bibliotekës së Qytetit “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, në organizim nga Forumi i Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” të Klinës dhe personelit të kësaj biblioteke, si dhe të afërmve të familjes nga Malësia e Madhe, SHBA dhe Shkodra. Boletni” Drenoc Klinë, ku punoi Toma.

Morën pjesë Shoqata e Veteranëve të Arsimit “7 Marsi”, Gjakovë. Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko”- Klinë, shkrimtarë e studiues nga Prishtina si Nazmi Rrahmani e Anton Nikë Berisha, pastaj publicistë  e studiues Shkodra, Mali i Zi, diaspora shqiptaro-amerikane, ish kolegë e nxënës të Tomës etj.

Nën tingujt homazhues të flautës së një muzikanti të ri, Dielli Ballata, manifestimin e drejtoi krijuesi e  drejtori i kësaj Biblioteke Engjëll Berisha. Patën paraqitje: Pal Canaj (Forumi i Intelektualëve “Luigj Gurakuqi”, Klinë), Anton Nikë Berisha, kurse me kumtesa: Gjergj Camaj, Veteran i arsimit Tuz, Rexhep Dedushaj, veteran i arsimit (Prishtinë), Elinda Dibra, ligjëruese në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, Marash Dedvukaj, publicist Potgoricë, Familjari, Zef Gjokaj, vëllai, veteran i arsimit, si dhe Mikel Gojani e Prend Buzhala. Një poezi përkushtimore e lexoi poeti Agim Desku.

U nda një MIRËNJOHJE postmortum  për Tomë Gjokajn nga DKA e Klinës dhe SHFMU “Isa Boletini” Denoc (Klinë), që u dorëzua nga Nikollë Gojani.

1.

E veçanta e këtij manifestimi është se po kujtohej në Kosovë për herë të parë një figurë që i dha shumë Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj. Po shpalosej figura e një njeriu, kur njerëzit mund ta shtrojnë pyetjen: kush ishin ata njerëz që në SHBA arritën jo vetëm të krijojnë një lob shqiptaro-amerikan, por edhe ta sfidojnë të përkëdhelurën e Evropës, ish-Jugoslalvinë, që kishte ndikim të fuqishëm diplomatik në SHBA më shumë se çdo shtet tjetër i Bllaknait? Ja njëri ndër ta: Tomë Gjokaj, i cili ishte i përfshirë në rrethin më të ngushtë të bashkëpunëtorëve të presidentit Xhorxh Bush dhe të vinte kontakte me senatorë e kongresmenë.

Pjesëmarrës i demonstratave në Kosovë të vitit 1968, si student, mësues në Drenoc të Klinës, ku zhvilloi, përpos procesit mësimor ai u mor edhe veprimtari atdhetare. Dhe, së këndejmi, për shkak të kësaj veprimtarie, iu iku arrestimeve dhe emigroi në Itali e mandej në SHBA.

Edhe tubimi i sotëm, me anë të kësaj akademie përkujtimore, i kushtohet Mësuesit, Veprimtarit e Atdhetarit Tomë Kolë Gjokaj, i lindur më 21 shkurt  1947në në Muzheçk të Trieshit të Malësisë, në vitin 1947, ku i mori edhe mësimet e para, kurse Shkollën Normale e kreu në Gjakovë, ndërsa studimet universitare i ndoqi në Universitetin e Prishtinës. Ai kishte zhvilluar një veprimtari arsimore në Drenoc e gjithandej nëpër Dukagjin, por ai ishte edhe pjesëtar i lëvizjeve të kohës, që nga pjesëmarrësi në demonstrata studentore të vitit 1968 për Kosovën republikë.

Tomë Gjokaj, një figurë kaq e shquar e arsimit dhe patriotizmit shqiptar, me kontribute kaq të shquara në arsimin dhe me angazhime në lëvizjet atdhetare dhe në mbështetje të çështjes shqiptare në SHBA dhe ende kaq pak e njohur ndër ne! Ne e dimë rolin e madh e vendimtar të SHBA për çlirimin e Kosovës, për liri në, zhvillimin e pavarësinë e Kosovës, por ende nuk janë zbardhë ato shtysat dhe levat që e kanë vënë në lëvizje këtë kontribut, ndërkohë që heronjtë e heshtur të kohëve të vështira, ende qëndrojnë nën hije. I formuar si karakter në një familje me tradita shqiptare e atdhetare, i cili mori mësime nga i ati, një figurë po ashtu e shquar e arsimit, bëri një jetë të përkushtuar për të shkruar faqe të ndritura në historinë e arsimit dhe atdhetarizmit shqiptar, deri te kontributet edhe në politikën amerikane në mbështetje të çështjes shqiptare, veçanërisht për lirinë e Kosovës.  Së këndejmi, nuk janë të paktë ata që e kanë njohur Tomën a që kanë bashkëpunuar me të, siç i kemi jo pak veta sot të pranishëm këtu: familjarë e veprimtarë, miq e njerëz të arsimit e jetës publike.

2.

Atributet dhe Kontributet Institucionale që i mori ai në SHBA, theksojnë përkushtimin dhe vlerësimet që Toma mori nga shteti amerikan për angazhimin e tij. Atributet institucionale, si ftesat speciale në ngjarje të mëdha si inaugurimi i presidentëve amerikanë, dekoratat e dhëna nga presidentë të ndryshëm, dhe angazhimi i tij me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, tregojnë se Toma ishte  figurë e respektuar dhe e nderuar në SHBA. Ai përdori aftësitë e tij diplomatike dhe intelektuale për ta prezantuar çështjen shqiptare, duke e bërë atë një përfaqësues të denjë të kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Ai kishte besim se populli shqiptar se të arrinte lirinë dhe demokracinë duke ndërtuar mbi vuajtjet dhe traditat e tij shekullore. Kjo vepër dhe këto parime, ai i mbante gjithmonë në mendje dhe ia përcillte ato të tjerëve. Joseph DioGuardi, një kongresmen me origjinë shqiptare, bëri paraqitjen e tij të parë publike në një aktivitet të madh festiv, si pjesë e “Darkës së Kryengritjes së Malësisë së Madhe”. Ky moment shënoi një ngjarje të rëndësishme për shqiptarët, pasi DioGuardi ishte një nga mbështetësit kryesorë të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Tomë Gjokaj, një veprimtar i njohur i diasporës, e ftoi DioGuardin në skenë dhe bëri një apel për mbështetje të kandidaturës së tij për Kongresin Amerikan, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së një shqiptari të tillë në pozita të larta politike.

3.

Refreni aq i njohur:

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

i poezisë së Nolit “Jepni për nënën”, na vinte pikërisht në ato çaste, kur Shqipëria dikur dhe Kosova më vonë, ishin të plagosura rëndë historikisht. Vinte si thirrje për një mobilizim për të vepruar, si mesazh shprese, mbështetjeje dhe force. Ishte një premtim madhor historik, se ndihma është në rrugë e sipër, se djemtë në Amerikë nuk e kanë harruar atdheun e tyre, se ata janë një forcë e fuqishme, e gatshme të ndihmojë me pasuri, me armë dhe me përkushtim patriotik, diplomatik e politik.; se Shqipëria dhe Kosova e trojet tjera etnike, kanë në Amerikë bij të përkushtuar; se këta bij janë një premtim madhor historik për ndihmë, por ja në edhe simbol i lidhjes shpirtërore midis atdheut dhe mërgatës shqiptare. Dhe roli i këtyre bijve, ku ndër ta u dallua Tomë Gjoka, ishte vendimtar, ishin shpresa e madhe e kombit, si me financime, diplomaci, lobime, e veprimtari tjera.

Angazhimi i DioGuardit dhe veprimtarëve të tjerë vazhdoi edhe pas disa viteve. Në vitin 1989, një delegacion i shquar shqiptarësh u takua me zëvendëspresidentin George Bush në Shtëpinë e Bardhë, ku ata i kërkuan SHBA-ve të ndërmarrin veprime më të forta kundër agresionit serb në Kosovë. Po ashtu, në vitin 1990, DioGuardi dhe senatorë të tjerë vizituan Kosovën, duke shprehur mbështetje për popullin shqiptar, ndërkohë që regjimet serbe, e pranonin këtë ndërhyrje.

4.

Ndikimi i SHBA-së për të vendosur “Vijat e Kuqe” ndaj Serbisë nga poresdientpt amerikanë që më 1992, ishte rezultat i punës dhe angazhimit të Lobit Shqiptar në SHBA, ku Tomë Gjokaj kishte një rol të rëndësishëm. Tomë Gjokaj ishte i përfshirë në organizata të rëndësishme amerikane dhe kishte marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme, siç ishin takimet me presidentin Ronald Reagan dhe mbështetja për fushatat politike të presidentëve amerikanë. Gjokaj, si anëtar i disa organizatave dhe komisioneve të rëndësishme, luajti një rol të madh në sensibilizimin e administratës amerikane për çështjen e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi. Ai ishte një ndër të parët që ndihmoi në organizimin e dëshmive në Kongresin Amerikan dhe angazhimin për të ekspozuar dhunën serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Po ashtu, Gjokaj luajti një rol aktiv në organizimin e vizitave të kongresistëve amerikanë në Kosovë dhe promovimin e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Gjokaj, së bashku me veprimtarë të tjerë shqiptarë, ka organizuar takime me zyrtarë të lartë amerikanë dhe ka mbështetur rezoluta të rëndësishme në Kongresin Amerikan për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi. Angazhimi i tij i shtrirë në fusha të ndryshme, si mbështetje për kandidatët politikë dhe lobim në nivele të larta, ndihmoi në vënien e çështjes shqiptare në vëmendjen e SHBA-ve.

Theksohet po ashtu se Tomë Gjokaj kishte lidhje e miqësi me presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, që ishte jo vetëm një miqësi e ngushtë, por edhe përkushtim i vetë  Gjokajt ndaj çështjes shqiptare.

5.

Në vitin 1990, shumë fëmijë shqiptarë në Kosovë u helmuar me gazra toksike nga qeveria jugosllave. Ky ishte një akt i rëndë, që kishte ndikim të thellë në popullatën e pafajshme dhe më së shumti preku nxënësit dhe foshnjat në entet parashkollore.

Tomë Gjokaj reagoi publikisht në një aktivitet të madh në New York në prill të vitit 1990, gjatë festës së Kryengritjes së Malësisë, duke e denoncuar këtë akt të tmerrshëm. Ai dërgoi një letër të hapur presidentit të SHBA-së, George H. W. Bush, ku theksoi pabesueshmërinë e pretendimit të qeverisë serbe që fëmijët shqiptarë po “aktrojnë” dhe se asnjë fëmijë serb nuk ishte prekur nga ky helmim. Ky reagim, që kishte si synim sensibilizimin e administratës amerikane për këtë krim, është një shembull i angazhimit të diasporës shqiptare për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe për të kërkuar ndërhyrjen e Perëndimit ndaj regjimëve agresive si ai i Milosheviçit.

Kishte,, pra, një rëndës të fuqishme lobi shqiptar në SHBA, i përbërë nga personalitete të tilla si Tomë Gjokaj, Gjekë Gjonlekaj, dhe shumë të tjerë, të cilët bënë përpjekje të mëdha për ta sensibilizuar opinionin amerikan dhe administratën e SHBA-së për situatën e Kosovës.

6.

Vrasja tagjitke e Tomës, më 10 janar 1991,  është një ngjarje që e tronditi thellësisht komunitetin shqiptar në SHBA dhe më gjerë. Ajo nuk ishte vetëm një humbje për familjen, por një humbje për të gjithë kombin shqiptar. Ndodhi në kulmin e angazhimeve të tij për çështjen e Kosovës.

Ky akt dhune u interpretua nga mediat dhe shumë njerëz si  hakmarrje e shërbimit sekret serb për aktivitetet e tij, atdhetarizmit dhe për përpjekjeve të tij për ta sensibilizuar botën për dhunën që po ushtrohej ndaj shqiptarëve. Vrasja e tij shkaktoi tronditje të thellë në komunitetin shqiptar në SHBA dhe në gjithë diasporën shqiptare. Megjithatë, pas vdekjes, veprat dhe angazhimi i tij nuk u harruan. Historia e tij u shndërrua në një kushtrim për vazhdimin e luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës, një angazhim që ai e kishte filluar dhe e kishte dedikuar jetën e tij.

Edhe sot vëllai i Tomës, Zefi, dha një dëshmi që ndriçon faktet e vrasjes enigmatike: mediat e Beogradit e kishin dhënë lajmin e vrasjes ende pa ditur familja se ai është vrarë!

Ish-Jugosllavisë, sigurisht., i ka shkaktuar kokëdhembje e telashe të pariparueshme angazhimi Tomës në rrethin më të gushtë të presidencës amerikane, së këndejmi edhe s’kanë mundur t’ia falin këtë angazhim, përpos që ndërmerrnin vrasje veprimtarësh shqiptarë.

Ceremonia e Varrimit deh homazhet, të udhëhequra nga figura të shquara të komunitetit shqiptar dhe amerikan, tregon se sa i nderuar ishte ai për veprat dhe kontributet e tij. Fjalimet e njerëzve të respektuar, si  kongresmenë, intelektualë dhe figura të njohura nga mërgata shqiptare, lavdërojnë jetën dhe punën e tij, duke e vlerësuar si një lider dhe atdhetar të madh. Një theks i veçantë është dhënë për mënyrën e lartë të edukimit dhe komunikimit të Tomës, që ishte gjithmonë në shërbim të popullit dhe i angazhuar për çështjen shqiptare.

Pasojat e humbjes së kësaj figure me ndikimin, u ndien jo vetëm në jetën e të afërmve, por edhe në të gjithë komunitetin shqiptar dhe kombit shqiptar. Toma është një hero i vërtetë i kombit shqiptar. Ai e kaloi jetën e tij për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve, pa u kursyer asgjë nga vetja, duke u angazhuar për arsim, për çështjen e Kosovës dhe për solidaritetin bendashqiptar. Ai kishte arritur të bëhej biznesmen i suksesshëm, ishte i njohur për humanizmin e tij dhe përkushtimin që tregoi për çështjen kombëtare, duke mbështetur jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ashtu si shumë heronj të tjerë, ai la pas një trashëgimi veprimtarie të pashlyer, e cila mbetet një shembull i guximit dhe sakrificës për lirinë dhe unitetin kombëtar.

Në fund, po shtojmë se për Tomën, megjithatë, kanë shkruar jo pak autorë, ashtu sikundër që për të janë thurë rapsodi folklorike, kurse disa poetë kanë shkruar edhe poeti përkushtimore për të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok