22/12/2024

TIMO MËRKURI DI SI T’I VENDOSË GURËT NË MOZAIKUN SHUMËNGJYRËSH TË BALADAVE TONA

0
Timo-Merkuri-Balada

Nga Dr. Bardhyl Maliqi

Është fakt që në mozaikun e baladave tona ka gurë që mungojnë, mbase prej reshjeve të historisë, prej lakmisë së të tjerëve apo xhelozisë së njeri-tjetrit. Mirëpo tani që sapo kam përfunduar leximin e librit,ose  më saktë sprovës studimore “Balada e Murimit dhe marrëdhëniet me baladat e vendeve fqinje”, them me bindje se Timo Mërkuri di si t’i vendosë të  munguarit gurë me ngjyra në mozaikun e baladave tona.Dhe këtë e pohoj jo vetëm për këtë baladë, por edhe për baladën “Kostandini e Doruntina”, që e gjejmë gjithashtu në shumë variante dhe me shumë emra.

Timo Mërkuri ka një qasje të natyrshme ndaj miteve, baladave dhe legjendave, por edhe ndaj këngës isopolifonike në përgjithësi. Kjo është arseja pse ai është nga lëvruesit më aktivë në ditët e sotme të këtij zhanri letrar, por edhe muzikor e bukurtingëllues. Timoja bën atë punë që duhet ta kishin bërë me kohë institucionet e larta akademike, institutet e shkencave dhe fakultetet e gjuhës e letërsisë së universiteteve tona. Doktorantët edhe kur kanë marrë tituj dhe grada në këtë fushë, kanë qenë sipërfaqësorë. Dhe ne e dimë mirë se një fushë e lëruar cekët nuk arrin ta mbajë farën e beriqetit, atë e merr rrëpira e parë e reshjeve pasmbjelljes. Për mua puna studimore e Timo Mërkurit  në Himarë dhe Sarandë, Petrit Rukës në Tepelenë e Tiranë, Olimbi Velajt në Vlorë e Durrës,, Hekuran HalilitKonispol e Sarandë apo Odise Kotes në Gjirokastërme folklorin e jugut të Shqipërisë duhet vlerësuar së paku me gradën shkencore Doktor i Shkencave, me të cilën është vlerësuar vetëm Olimbia. Ç’rëndësi ka fakulteti i kryer, nota mesatare, gjuha e huaj, provimet etj. kur ti zoti graduat je ushtarak pa ushtri, apo gjeneral i ushtrisë së vdekur?!

Një vështrim enumerativ mbi problemet që shtrohen për zgjidhje në këtë sprovë studimore të Timos, të bind se ai ka gjetur jovetëm këndvështrimin e duhur mbi këtë temë, por dhe çelësat e hyrjes në botën e ballafaqimit të baladave tona të murimit në kala, ura apo kisha me baladat e tjera ballkanike, veçanërisht atyre veriorë dhe jugorë, që kanë mbirë brigjeve të lumenjve, në pragjet e pushtimeve apo nevojës së pagëzimeve? Timua me të drejtë pohon se dendësia e ekzistencës së saj në Ballkan në disa versione dhe sidomos ekzistenca e elementëve paganë në ‘to, u jep popujve të gadishullit ilirik të drejtë në pretendimin e autorësisë së kësaj balade.Ndër popujt ballkanas, populli ynë ka dendësinë më të madhe të versioneve të baladës, ndonëse ka hapësirën më të vogël gjeografike, por të gjitha ato realisht gjallojnë brenda territoreve etnike të shqiptarëve.

Balada e murimit si dhe baladat e tjera e tjera tonat si tërësikanë një unitet strukturor solid dhe të lakmueshëm, duke u mbështetur krejtësisht në elementë autentike të shqiptarëdhe konkretisht mbështetet, si besa, vëllezërit ndërtues, te vëllai dhe nusja e vogël, te pozicioni  i gruas ndaj burrit, pa ndërhyrjen e zotave, zanave apo zogjve si tek vendet fqinje.Motërzimet tona kanë një qasje të madhe me ritet mortore,zakonet shumëshekullore dhe drejtën kanunore të popullit shqiptar. Dhe më e rëndësishmja, të gjitha variantet vendosen në një kohë më të hershme se variantet e popujve të tjera ballkanas, duke përcaktuar ditëlindjen e baladës një epokë më të hershme të zhvillimit shoqëror si paganizmi dhe fundi i periudhës së matriarkatit dhe fillimit të patriakatit.

Fakti që varianti sllav i baladës i njohur me titullin “Zidanje Skadra” është prezantimi i parë në Evropë më 1815 i kësaj balade nuk do të thotë se balada u përket grabitqarëve, ashtu si dhe fakti që Georgios Megas në studimin e tij të 335 varianteve greke të Murimit në Urën e Artës konkludon se “miti ka origjinë epirote” do të thotë se Vuk Karaxhiçin nuk jemi ne që e kundërshtojmë, por vetë e vërteta.Këtoe kanë nxitur Timon të analizojëfaktet që sanksionojnë pozicionin tipologjik dhe kohën e ngjizjes  të variantit shqiptar të kësaj balade.

Timua pohon se ne jemi të vetëdijshëm që kjo baladë e ngarkuar me simbole e rite pagane është bijë e një kohe të hershme dhe nuk ka lindur si një vepër e artistike, por shumë më tepër se kaq. Ajo mbartëte dhe përcillte një mesazh të popullit që e krijoi dhe kohës që e lindi për kohërat  dhe popujt që e pritën dhe e “morën, duke  e bërë të tyren”. Cili ishte ky mesazh i madh? Besa e mbajtur dhe burrëria e vëllait të vogël, heroizmi dhe qëndresa e nuses së vogël, lartësimi dhe rezistenca e kalasë mbi rrënjët e lidhura në themele gjaku.

Është e saktë se tre vëllezërit shqiptarë që ndërtojnë kalanë, urën, apo kishën janë një element thelbësor në të gjitha variantet shqiptare, ndërkohë që në variantin serb me ndërtimin e Shkodrës merren mbreti dhe dy princat, vëllezër të tij dhe një ushtri ndërtuesish. Po kështu, te varianti grek ndërtimi i urës së Artës kryhet nga kryemjeshtri dhe një grup i madh muratorësh e punëtorësh, duke dëshmuar kështu një organizim shoqëror më të lartë se te variantet shqiptare, gjë që pohon se ndërtimi i tre vëllezërve shqiptarë është një ndërtim më i hershëm në kohë. Pohohet  se çfarë është Besadhe pse kjo fjalëështë vetëm në gjuhën shqipe dhe gjallon edhe tek baladat e tjera shqiptare si arkitra p.sh. te “Kostandini e Doruntina” për arsye se “besa” është dukuri e përveçme, vetëm shqiptare, me premisat e një kushtetute më vete të sanksionuara më pas nëpër kanunet tona si ai i Skënderbeut, i Lekë Dukagjinit, i Himarës apo i Zhulatit.

Murimi ishte flijim i gruas së re,pasi vetëm ajo e kishte transferimin e aftësisë jetëdhënëse të saj te një send apo trup i ngurtë, mendim i krijuar nga fakti i dhënies jetë foshnjave në bark të nënës. Ideja sllave e murosjes së dy binjakëve është thjesht një letrarizëm pa shprehësi komunikatave. Stoja dhe Stojani nuk i shtojnë vlerat baladës, por i heqin thelbin asaj dhe bashkë me të autorësinë dhe identitetin.Në folkloristikën shqiptare “balada e murimit në Kështjellën e Rozafës” ndrin si ylli polar në yllësinë e baladave. Ajo që tërheq vëmëndjen është fakti se këtë baladë, gati me të njëjtin subjekt, por me emrin “Zidanje Skadra” (Ndërtimi i Shkodrës) e kanë edhe serbët të marrë nga lahutarët dygjuhësh dhe të trajtuar,shëtitur dhe shitur nëpër botë nga Vuk Karaxhiçi si baladë serbe.

Nga studimi del se ngjarjet e përshkruara në baladë nuk datojnë në fillim të shekullit XIV dhe s’kanë lidhje me mbretin Vukashin Mrnjavčević. Realisht kjo është e pamundur, pasi në këtë shekull, në Ballkan dhe në gjithë Evropën ishte ndërprerë riti i murimeve. Në shekullin e XIV në Shqipëri dhe në Serbi ishte instaluar institucioni i krishterimit i cili kontrollonte gjithë jetën shoqërore dhe shtetërore. Në parim krishterimi si fe praktikon ritualin e shenjtërimit (spërkatjes) me ujë të bekuar të themeleve. Është “devijim” nga normat e krishtera edhe fakti që në variantin serb, subjektin e vë në lëvizje zana e malit, “vila”, hyjni e besimit politeist, sepse gjallimi i kësaj hyjnie të epokës pagane në shek. XIV është një blasfemi për krishterimin dhe ai s’mund ta linte pa ndëshkuar. Vendosja e emrit të mbretit Vukashin Mrnjavčević, që pronat i ka pasur në Maqedoninë e Veriut është një synim i drejtpërdrejtë, që të fshihet hershmëria dhe shqiptarësia e baladës.

Timua ka përdorur një bibliografi të lakmueshme dhe 174 referenca në mbështje të esesë së tij studimore të mirëargumentuar përmes dokumentacionit dhe pasurisë së autorëve referues pro apo kundër, shqiptarë apo të huaj, si: Georgios Megas, Johann Georg Von Hahn, Historiani i Bizantit Prokopi, H. Ewlter, Prosper Merime, La Martin, Profesori çek, Dvornik, Vuk Stefanoviç Karaxhiçi, Jovan Tomic etj.  P. Çakalli, Odise Kote, Fatmir Minguli, Shaban Sinani, Anton Nikë Berisha, Tajar Zavalani, Kasëm Taipi. Marin Barlwti, Ismail Kadare, Qemal Haxhihasani, Olimbi Velaj, Ismaol Kadare, Thimi Mitko, Fatos Mero Rrapaj, Denush Shala, Petrit Ruka etj.  Referimet nga përmbledhje këngësh popullore të trvave të jugut apo veriut në shqip dhe gjuhë të huaja, botime të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe Instituteve të saj, të Institutit Alabologjik të Prishtinës etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok