18/11/2024

Ti shpirt je e flakun ndijimit

0

Foto: Francesco Hayez, Puthja, 1859, Galeria e Arteve Brera, Milano. Imazhi i domenit publik (detaj)

(E punume me dëshirim)

Nga Albert Vataj

Më mungoi fjala me ardh te ti, e zemra me e nguc e përpush pulsin tand t’teptisun n’hoka dëshrimtare. Buza nuk i çau t’tana shegat e stinës së gjakosuna t’perëndimeve, ku don me lind nji ag n’synin e dritun zjarmshëm, thell n’ty e fundmë n’mue. Njatje ku pahena nëpër epje t’përmallshme e prajmë zoritjeve t’lume, ku hana t’epshme lagin gjinjt e hepuem.

Prekjet m’u këputën tue u rrxu me gjethen e mbrame, prej pemës s’shkyeme degësh e erës krahkputun t’njatij turri qi m’fërgëllon lodërtare n’krejt epjet, n’tana andjet, ku prushena e përpushena.

Tue dasht përngut me ardh, ikjes tande i’u vunë përmbas si duhma e barit trupave qi lahen me vesë e epsh, pa mujt me t’mbrri. Ngut e nguc përmbas t’u vuna me dehjet e kundërmimit tand prej luleje qi druhet me çil ditëve pa diell.

Mbete nji andërr e thyeme, n’gërmadhën e gjanave t’shtrenjta, ku pikllimi jem nepet ligësht. Ti, arsye fryme e mishi. Ti andje, andrrash mëkue gjoksesh t’hepuem.

Zemra, tue dasht me rrah për ty, n’mue, po gjimon kijametshëm, pa mujt me shpëthye n’mijëra grimca shkëlqimtare.

Shtërzen krahnori, kur kaplohet dhimbet e s’mundet, as me piskat, se don me tamëlcue e n’lumnim me shndrit n’ma t’dritshmin yll.

N’qiellin tem notojnë retë e bardha t’njatij kurmi qi friget teje e shpalimit si petalet, njasaj epje mishi qi luloi n’borën e parë e mrekulloi n’tana stinët, ku shpirti vjen me krahë fluturash e shkon mbi nji shkulm aromash e drithërimash.

Çili bash njaty thellsit e amështa t’amlave andje t’tuja, kah kreshtat i nepen qiellit e njaja epje, ku m’përngjason n’tana dalldisjet e deshirimshme, harrimtare nepet.

N’gjoks m’i shkokrroi petalet, tafti i frymës qi mu fik pa mujt me i hukat zjarmet, sall njiherë, tue shpresue se ka me gjallnue.

Dimnat jan t’mrazt gjithherë n’prehnin ku kullotin hana t’pikllueme, e ti strukesh n’prehën t’njasaj ninulle qi mbeti me ty me mëkimin e nanës.

Njaq t’itht jesin edhe prekjet pahiri, qi tue pikue, si hej mbesin, njashtu pikllueshëm n’kujtesën që m’shetit nëpër shtat si cirk e beft uji t’nji kroni t’shterrun.

Aniqysh, mujtëm me lulue n’andje si n’andrra, e me u deh me aromën e yjeve, kah qielli i natës na lyp kapun dorëpërdore, tue mylmye me lagshtin e amshtit t’natës, kreshtat e buzëve, ku tue i prek, u puthën e u shuejtëm.

E njashtu nan qiellin e llamburitun me yje, e trupat e ndezun n’epsh, përpjekena tue ysht zjarm prushin kurmeve.

Na ditëm me u dasht, siç veç dashnia din me kën dashni. Mujtem me ndigjue zemrat n’pulsin e ma t’epërmeve dëshira, por veç mungimi na mbeti n’duer, n’gishtat qi zgjaten n’ajrin e largsisë, pa mujt me u përpjek dikund n’nji shpërthim.

I flasim njani-tjetrit me fjalë t’ngjyme n’zjarmin e trandjeve të t’shpirtit e teptisjeje të trupit.

Flakën qi tue dasht me na kall, na djeg, e n’shndrrim na ysht n’krahët e dritës, e mbi flatra t’ngjyrshme na përkund rrezeve.

Ndigjohena nëpër frymën qi s’na len me u ngop, pa mujt me u pa as n’përfytyrime njaq kjart e sa pasioni muj me lan.

Ndijmë njaq fort, sa s’mujm me besue se kem mbet me jetue zjarmshëm epshin, e mungimit qi nderet kah pamjen e shkund dënesja, i druhena si djalli temjanit.

Kjajm e qeshim, tue i’u drasht çdo syni qi shndrin shkreptimshëm e zjarrin i ven çdo puthje qi kafshon tinzash tehun e buzës që djeg e përcllon. Asht prej eteri ky cak ku pahena e andja na përpin si etja e zhuritun rrebeshjen e motit.

Ti m’deshte me tan njat forcë pranie trup e shpirt, qi zemra mruen rrokaqiejt e tana dëshirave, e mue m’shpërtheu si diell anda jote e mylmyeme në nektarin e krejt luleve, e hares së tokës qi i bukuroi adhurimi dhe epjet e dehën.

Un’ s’dita e s’mujta me vërshue n’llavën e njatij vullkani qi gufoi n’ty, tue mësy krejtkah prush e zjarm ndezi buza jote e kalli epja e njatij kurmi.

Na… kena n’mes jehonën e thellë të njatij mungimi qi na fshikullon fajshëm, ikjeve qi na grryejnë e na dhembin njaq thellë sa veç ndijimi mundet me kafshue.

Zemrat qi rrahin e gjimojnë n’gjokset e njani-tjetrit, mirë do t’kishte me ken, me mujt me përtri n’çastin e njasaj yjësie qi pret t’i nepet pafundsisë.

Caqe i kena vu qiellit e buzëve e shtrenjta jeme e dalun prej legjendave dhe përfytyrimit, për me ken ç’ka ti je, ç’ka ti mundesh, n’pragje t’ngujue prekjeve e përplasejsh t’potershme t’kurmeve.

Veç fjala ka mbetun e lirë në tankyt zgjim të dëshirimit me jetue andrrën. Fjala qi shndërrohet n’tançka gjegjet me na ngucat ndjenjat, e me na teptis mendjen, njat qi na shterri t’tana zjarmet qi duem me u djeg. Fjalë shpirti e fërgëllim kopulimesh, e tançka qi don dëshirushëm me ju ofru këtij blatimi qi shenjtnohet në krejt kanunet e shpirtit e zjarmit.

Drue se tash duhet me u murue n’tehun e njasaj jehone qi m’ther thellë, thirrje eteri qi pret e përcjell andjet tona, andrrat qi lindin e desin netëve ku pahena e ndahena, ku ndijm e ndrijmë n’emën t’hyjnis qi i nep kuptim çdo gjaje qi na ban me dashunu, kjoft edhe nëpër andrra, përplot me dëshirim e andje.

Ti zemër e thyeme e zemrës teme, ndoshta u dashka me vuejt tue u dasht bashkë, te ken për njani-tjetrin ç’ka izëm i nalt asht urdhnesë. Ndoshta njashtu e ndijmë ma fort n’njani-tjetrin, njat za e zjarm qi na dalldis, njat buzë e prush qi na kërdis, njat tretje kurmesh n’nji pëshpërimë.

Zemër qi m’bane me t’dasht tue u drasht, se t’due ma pak se ti m’don mue… n’se m’pranon me t’dasht si t’due, pash hatrin e Zotit e t’amëltin e shpirtit, m’len me ndij si m’dhemb. Pranoje epjen teme, siç mundesh me pranue kafshimin e njasaj dhimbe qi t’dhemb tue drasht, njaq fort me t’dasht.

Gjithqysh na duhena bash fort, n’andje e n’andrrime, n’epje e n’kopulime, n’dehje e n’dalldije, n’qiell bash njajt si n’tokë, n’re si n’vetëtima… duhena si tue pru nji njësi të re matjeje të dashnis, në universin e trupave qi duan, zemrave qi ndijnë, e buzëve qi plasin n’çdo pulitje, si n’zemrën teme dhe n’tanen me adhurim e gjëmim, tash e gjithherë…

Amen!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok