27/12/2024
Albert-Vataj

Nga Albert Vataj

Ti, ti je reale?!

Mundesh të jesh e mundshme në mundim dhe sfilitje, në ëndje dhe dalldi, në hir dhe hyjnim, apo vetëm trill torturues i imagjinatës, poetike deri në hyjnim dhe prozaike deri në metamorfozë?!

Je çfarë unë dua, e lartësuar në solemnitetin e dëshirimeve dhe adhurimeve, apo çfarë ti mundesh të jesh, në zakonshmërinë e qenies?!

Je ajo pjesë e vetvetes sime që del dhe hyn përmes trokitjeve të shpejtuara të zemrës dhe frymëmarrjes së ndaluar, ai ceremonialitet ëndjeje që shpërfaqë gjithë spektaklin e ngjyrave dhe kungon aromat e dehjeve harrimtare, apo përtej ku fjala ime mbërrin dhe ëndrrat e mia fluturojnë?!

Ti je bekim dhe mallkim në botën që shenjtëron djallin, je aty ku gjithçka bëhet ëndërrtare dhe zhbëhet në një prekje, je dritë që gjithçkasheh dhe terratis që ngulet thellë në kurmin natës, apo zgjedh të jesh çfarë ti je dhe unë nuk mundem ta rroku me mendim dhe përjetim?!

Ti je gjithçka, ajo që dua deri në vetmohim, po, dhe ajo që urrej për vdekje, je vetvetja e shprehshme përmes çdo forme dhe gjendjeje të lëngët dhe tejdukshme, ku unë shihem me ty dhe me veten në një pamshmëri që i druhem, apo, po kështu don të jesh?

Ti grua, zgjedh ti se çfarë don të jesh, realitet apo imagjinatë, ajo brinja e shkulur në Eden dhe që më ngulet në padurimin tim për të të zotëruar deri në azgjesim?!

Gjithsesi, ti je grua, ajo që i ka mëkuar jetës qenien dhe magjinë e epshit, ajo që jep kuptim gjithçkaje prej zëfilljes deri në harrim.

Grua ti je ajo që qielli ka shkruar në çdo qeliz tënden dhe e lexon në çdo gjendje të frytshme që i jep trajtë ekzistencës.

Ti që shëmbëllen çdo bukuri dhe vetë hiret e jetës i mëkon me gjirin dhe mishin tënd… ti ëndje e çdo dëshire dhe epje e çdo dashurie, ti e përulura e çdo adhurimi dhe kreshta e çdo kapërthimi besimi, ti… jep çfarë i merr mrekullimi krijimit, jep jetën tënde në çdo thërrmijë që vetë Zoti gjen një shkas krijimi si mundësi e shtytjes tej caqet e pafundësisë.

Ti grua, shpengimi i çdo frymëzimi dhe epshi i çdo afshi që prek me hukam drite e duhmë shpërthimi çdo çast që kërkon prehjen dhe prekjen tende.

Ti, e hirshmja dhe hyjshmja grua, ti që shemb muret e territ dhe ngre altare në çdo frymëmarrje e prekje buze që platit në çdo plagë, je e bukur, je vetë shëmbëllimi i atij përkushtimi shpërblyes që meriton përkushtim dhe mirënjohje.

Nuk ka tjetër bukuri, veç teje, bukuri e cila shkëlqe prej fjalëve ledhatuese, rritet në sytë adhurues dhe ëndjen tonë të harlisura ndër përfytyrime e magjepsje. Qëndisur përplot pasion me vargje, melodi, ngjyra dhe legjenda, për të mbetur rrezatuese dhe më i mahnitmi krijim që ka endur dëshira e një zjarri dritues. Për të mbetur përgjithmonë një miklim i natyrës, një përkujdesje delikate që i jepet solemnisht dëshirave dhe pasioneve.

Çdo bukurie përthyhet në kristalin e hireve të tua.

Çdo ëndje, qëndisma yjesh i blaton bukurisë tënde.

Çdo dritë derdhet mbi ty si mbi një dëshirim joshës.

Çdo ëndërr, krahë i jep fluturimit në qiellin e kësaj dalldie që merr shkas prej dehjes që mëkon ti.

Ti shpreh në gjithçka atë çfarë të mrekullon.

Ti je një bukuri, së cilës çdo gjunjëzim e lartëson, çdo zjarr e bën të shkëlqejë si një diell.

Ti je, vetanake në të drejtën për të qenë një dhuratë, për të qenë gjithçka që të shenjtëron, bij, grua, nënë.

Të je më e larta dëshirë dhe më e ethshmja dhimbje, së cilës i jepem, si vullnetit dhe përulësisë së besimit.

Përulem Zot para Teje dhe vullnetit Tënd krijues dhe atij përkushtimi shpërblyes që meriton veç mirënjohje!

Amen!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok