22/12/2024

Thyerja shpirtërore e atdhetarëve!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Babai im i ndjerë (Halil Zeqa) gjatë viteve të ’90-ta më thoshte: “Do të vie koha kur do të vijnë njerëz të rinjë që s’kanë bërë gjë për vendin, kurse juve që sot po veproni dhe rrezikoni jetën, do t’iu mbulojë pluhuri i harresës”. Dhe vërtetë ndodhi ajo që e kishte parashikuar prindi im tre dekada më parë.

Pse kemi arsye të ndjehemi krenar?

Ne veprimtarët e viteve të ’90-ta kemi arsye të ndjehemi krenar për faktin qe çdo gjë që e kemi bërë, e kemi bërë me shpirtë e zemër për atdheun tonë, pa llogaritur në asgjë dhe në asnjë përfitim material.

Kemi vepruar pa rreshtur ditë e natë, kemi ecur në këmbë ditën dhe natën nga fshati në fshat, nga rajoni në rajon, pa e ditur se a do t’na zbardhë agimi, por nuk jemi dorëzuar për asnjë çast edhe përkundër dhunës sistematike të regjimit pushtues serbosllav.

Kemi arsye të ndjehemi krenarë që i kemi shërbyer lëvizjes paqesore, përkatësisht Lidhjes Demokratike të Kosovës nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës me resistencën aktive paqësore, përmes së cilës i tregonim çdo ditë pushtuesit se ky vend dhe kjo tokë është e jona dhe e jona do të mbetet për jetë e mot.

Kemi arsye të ndjehemi krenar që i kemi shërbyer vendit tonë përgjatë viteve të krenarisë kombëtare, qoftë në aktivitet të përditshme si anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, qoftë edhe si pjesë aktive e rezistencës paqesore.

Unë personalisht ndjehem krenar që për disa vite rresht i kam shërbyer edhe arsimit shqip nën logon e Republikës së Kosovës, duke e dhënë maksimumin nga vetja ime për edukimin e gjeneratave të reja në frymën e pastër kombëtare.

Pse tani ndjehemi të zhgënjyer

Për fatin tonë të keq, gjatë periudhës së luftës çlirimtare u realizua faza e parë e parashikimeve të prindit tim, kurse pas lufte u realizuan në plotni të gjitha ato që i kishte parashikuar mendjendrituri, babai im, Halil Zeqa. Dhe sa herë që fillojë së shkruari diçka, më bien ndërmend fjalët profetike të tij.

Edhe përkundër zhgënjimit të madh që përjetuam dhe po përjetojmë çdo ditë ne shtetin e lirë dhe të pavarur, ne veprimtarët e viteve të ’90-ta nuk dorëzohemi lehtë. Edhe pse tani shumica prej nesh jemi në moshë, nuk ndalemi së vepruari për të mirën e atdheut tonë.

Por edhe zhgënjimet i kemi aq të mëdha, saqë, jo një shkrim autorial, por do të jetë i pamjaftueshëm një libër për t’i përfshirë të gjitha pakënaqësitë tona ndër vite dhe dekada.

Përveqse nuk e kemi shtetin ashtu siq e kishim projektuar, e për të cilin kemi punuar dhe sakrifikuar deri në vetflijim, sot nuk i kemi as tri shkronjat e arta LDK siq na i la amanet lideri historik Ibrahim Rugova.

Pra, sot ka ndryshuar gjithçka dhe çdo gjë!

Ne që nuk ishim të mirë për pushtuesin e asaj kohe, nuk jemi të mirë as për pushtetarët e sotëm.

Por e keqja më e madhe është, se ne që ishim gardianët dhe veprimtarët më besnik të filozofisë politike rugoviane, sot nuk jemi të mirë as për grupet e interesit të LDK-në post-rugoviane!

Megjithatë, edhe pse me ndjenja të përziera, duhet të ndjehemi krenar që nuk jemi as me pushtetarët aktualë dhe as me këta që po hedhin valle në “Rrugën e Re” mbi hirin e LDK-së Rugoviane.

Sikurse që nuk ka “Lidhje të Re” dhe as “Rrugë të Re”, nuk ka as “Guxo” për elektoratin rugovian, por ka LDK Rugoviane dhe pikë!

LDK-ja Rugoviane është historia dhe gurthemeli i Kosovës, është ADN-ja e politikbërjes së shqiptarëve të Kosovës!

Andaj, ju që e merrni guximin të thirreni në emrin e tri shkronjave të arta “LDK”, keni kujdes mos i harroni dhe mos i injoroni themeltarët dhe veprimtarët, të cilët në kohët më të vështira mbi supet e tyre barten barrën e aktiviteteve të LDK-së rugoviane!

Kot i nderoni të vdekurit, kur i harroni të gjallët!

Nëse vazhdoni me këtë avaz do t’ju dënojë historia për rrënimin në themel të filozofisë politike rugoviane!

Kësaj radhe e preferoj ta përfundojë shkrimin me betimin personal; “Përjetësisht mbështetës i filozofisë politike rugoviane dhe ushtar besnik i atdheut tim”.

Zoti ju bekoftë vëllëzër dhe motra të vizionit rugovian!

Zoti ju bekoftë shqiptarë kudo që jeni në trojet etnike dhe diasporë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok