30/12/2024

Thirrje ndërgjegjës së veteranit mashtrues!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Vjedhja dhe mashtrimi janë dy dukuri të ndërlidhura njëra më tjetrën. Pa qenë mashtrues nuk mund të bëhesh hajn dhe anasjelltas. Vjedhja dhe mashtrimi janë dukuritë më të shëmtuara në Kosovën e pasluftës, të cilat për fatin e keq të vendit tonë po vazhdojnë edhe në ditët e sotme!

Hajnia dhe mashtrimi rrënjet i kanë tek politika

Rrushi e sheh rrushin e piqet, e thotë një fjalë e urtë popullore. Një pjesë e qytetarëve të pandërgjegjshëm apo me vetëdije të ulët, duke parë dhe dëgjuar për pasurimin e paligjshëm të një pjese të politikanëve të pasluftës, filluan të mendojnë edhe ata për përfitime të sojit të tillë!

Në fillet e pasluftës, abuzimet e para filluan me ndihmat humanitare. Përderisa ata (politikanët) që ishin të “presa” u bënë përfituesit më të mëdhenjë të ndihmave humanitare, qytetarët e papërgjegjshëm gjetën forma të tjera të përfitimit.

Shkaku se në Kosovën “multietnike” të parët që përfitonin ndihma humanitare ishin pakicat minoritare, “patriotët” shqiptarë si mundësi përfitimi e gjetën konvertimin në minoritar, në çergash, boshnjak, turk dhe ashkali për të përfituar asistencë sociale në kohën e UNMIK-ut.

Përderisa politikanët dhe zyrtarët që ndodheshin tek “presa” i ushqenin qentë e tyre me kaçikë të pulave, “minoritarët” e rinjë i ushqenin familjet e tyre me lëmoshën nga shteti “multietnik”.

Pas 17 shkurtit 2008 ndryshoi forma e abuzimit me shtetin

Pas shpalljes së pavarësisë ndryshoi rrënjësisht forma e mashtrimit dhe hanjisë. Pas kalimit të fazës së ndihmave humanitare me konsolidimin e institucioneve të shtetit fillojë një etapë e re e abuzimit me shtetin.

Si gjithnjë të parët që abuzuan me shtetin ishin bartësit e institucioneve shtetërore, me punësimin e familjarëve dhe militantëve partiak nëpër institucione, borde dhe agjencione, kompani publike dhe private.

Nxjerrja e një gjysëm ligji për kategoritë e dalura nga lufta ishte mundësi e artë përfitimi në emër të luftës çlirimtare. Futja në një thes e pseudoveteranëve me veteranët e vërtetë të luftës çlirimtare i ka dëmtuar rëndë imazhin e vlerave të luftës.

Përderisa përllogaritjet preliminare të ish krerëve të UÇK-së, të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që e kishin monitoruar luftën çlirimtare flitnin për më pak e jo më shumë se 13 luftëtarë nën uniformën e ushtrisë çlirimtare dhe jo vetëm, paradoksalisht numri i tyre u ngrit deri në 60 mijë!

Fryerja e listave të veteranëve për motive korruptive dhe elektorale

Dihet mirëfilli se fryerja e listave të veteranëve është bërë për motive të ndryshme, filluar nga ato të interesave personale e deri tek ato elektorale të partive të caktuara politike!

I takon Kuvendit të Kosovës, përkatësisht të zgjedhurëve të popullit që ta nxjerrin një projektligj të veçantë për kategoritë e dalura nga lufta, për verifikim të thellë të listave të veteranëve nëpër të gjitha zonat e luftës, përmes komandatëve të ish Shtabeve të UÇK-së për nxjerrjen e numrit real të ish ushtarëve të uniformuar dhe atyre pjesëmarrës të drejtëpërdrejtë në luftën çlirimtare, për shkak se jo të gjithë çlirimtarët ishin të uniformuar.

Përveq komandantëve të Zonave Operative, përgjegjësinë për zbardhjen e listave të veteranëve i bartin edhe ushtarët që ishin në vijat e frontit, të cilët e kanë obligim kombëtar identifikimin e secilit bashkëluftëtar, e jo të mbetet kjo Veteranomani e krijuar nga komisionet e papërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme.

Më mirë sesa ushtarët e vërtetë të UÇK-së, askush tjetër nuk mund t’i ç’fryejë listat e veteranëve, filluar nga strukturat udhëheqëse e deri tek ushtari i fundit në pikë!

Thirrje kombëtare pseudo-veteranëve

Edhe pse nuk e kam të drejtën të thirrem në emrin e gjithë popullit shqiptarë, në emrin tim personal ju bëjë thirrje kombëtare dhe njerëzore të gjithë atyre që nuk e ndjejnë veten veteranë të vërtetë të UÇK-së, le t’i dorëzojnë vullnetarisht çertifikatat e veteranit në shenjë respekti për gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, në shenjë respekti për invalidët dhe veteranët e vërtetë të luftës çlirimtare.

Tërheqja e vullnetshme nga listat e veteranëve e përfituesve pseudo-veteran, përveqse akt i lartë kombëtar, është nder dhe dinjitet njerëzor i cili do të mirëpritet nga të gjithë, e në veçanti nga familjet e dëshmorëve.

Nuk është etike dhe as njerëzore, e ligjshme dhe as humane barazimi i dezertorëve të luftës me luftëtarët, nuk është i ndershëm barazimi i atyre më buzëkuq të nuseve në fytyrë dhe kokë të mbuluar që ikën nga lufta me ata që qëndruan tërë kohën nën flakët e luftës.

Është fyes dhe i paskrupullt barazimi i tradhëtarëve (bashkëpunëtorëve të Serbisë) me atdhetarët dhe idealistët e lirisë së atdheut me të njëjtin statut të veteranit të UÇK-së!

Kuvendi i Kosovës duhet të caktojë një afat kohorë prej 3 muajsh për tërheqje vullnetare nga listat të veteranëve mashtrues, pa asnjë konseguencë ligjore, në të kundërtën ata që nuk tërhiqen brenda afatit të përcaktuar ligjor, qofshin ata veteranë mashtues apo abuzues me listat e veteranëve duhet të përballen me ligjin, përkatësisht me kthimin në mënyrë retroaktive të pensioneve apo beneficioneve që i kanë marrë ndër vite në emër të veteranit të UÇK-së!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok