19/05/2024

Thirrja e famshme e Dantonit me tingëllim mjaft aktual për Dardaninë

0

(Duhet guxim, guxim dhe përsëri guxim, dhe Dardania do të shpëtojë)

Nga Eshref Ymeri

Para pak ditësh, në Portalin e njohur”Voal” të datës 14 korrik 2023, ishte botuar një informaciom mjaft interesant, me titull “(Video) Kongresmeni Republikan Keith Self akuzon Departamentin e Shtetit për ndërhyrje në zgjedhjet në veri të Kosovës”, kurse një ditë më vonë, më 15 korrik, ishte botuar një tjetër informacion, jo më pak interesant, me titull: “Bugajski: Donika Gërvalla ka të drejtë – Lajçaku dhe Eskobari dështuan, përderisa nuk ka njohje reciproke Kosovë-Serbi”.

Këto dy informacione më nxitën të kthehem në vitin 2020, në mandatin e parë të Kryeministrit Albin Kurti. Asokohe u njoha me një reagim të një Profesori të shquar amerikan, të botuar në faqen e internetit “Zëri” të datës 19 mars 2020. Aty thuhej :

“Eksperti i njohur amerikan për Çështjen e Ballkanit, Daniel Server, ka thënë se Grenelli dhe Trampi nuk janë e gjithë Amerika. Madje ai ka thënë se tashmë Grenelli ka kaluar tërësisht në anën e Serbisë”.

“Trampi dhe Grenelli nuk janë e gjithë Amerika. Edhe unë jam Amerika. Unë jam më miqësor. Madje në këtë kohë kur Grenelli ka kaluar tërësisht në anën e Serbisë”, – ka thënë Server gjatë një interviste në emisionin “Jeta” në Kosovë.

Kjo deklaratë e analistit dhe e ekspertit amerikan për Çështjen e Ballkanit, Daniel Server, Profesor i Universitetit “John Hopkins”, më bëri të sjell ndër mend dy fakte mjaft befasuese për ne shqiptarët.

Pasi u njoha me këtë informacion, i nisa menjëherë Kryeministrit Albin Kurti letrën në vijim:

I nderuar Zoti Kryeministër,

Ju kërkoj ndjesë që po Ju drejtohem me këtë letër, por një brengë që po më bluan përbrenda s’po më lë të qetë prej disa kohësh. Vendosa t’Jua shpreh Juve këtë brengë, sepse në personalitetin Tuaj gjej Intelektualin e Shquar Shqiptar, me brumosje të shkëqyer nacionaliste dhe me dinjitet të lartë kombëtar.

Ja si është puna:

Mua personalisht më vjen shumë keq për pozitën tepër të vështirë, në të cilën diplomacia amerikane Ju ka vënë Juve, si Kryeministër. Informacioni i mëposhtëm më ka revoltuar që asokohe kur është bërë publik:

“Shtetet e Bashkuara janë kundër masave për reciprocitet, të premtuara nga Kryeministri Albin Kurti në vend të taksës 100 për qind ndaj Serbisë. Zëdhënësi i të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, i tha Radios Evropa e Lirë (RFE/RL) se Kosova duhet ta heqë taksën edhe pa reciprocitet. RFE/RL citon Dick Custinin, zëdhënës i ambasadori Richard Grenell:

“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë taksën, por ta heqë plotësisht atë”” (Citohet sipas: “Grenell kundër Kurtit, taksa të hiqet pa reciprocitet ndaj Serbisë”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 10 shkurt 2020).

Habitem, ore Zoti Kryeministër. Ky Grenelli, i dërguari i Presidentit amerikan në Ballkan, me detyrë ambasador në Gjermani, është ambasador amerikan apo është ambasador rus? Se gjuha që ai përdor me Kryeministrin e Kosovës të kujton gjuhën e një ambasadori të Kremlinit. Nuk e kuptoj dot këtë diplomacinë amerikane ndaj Kosovës: një herë i  drejtohej Kosovës me gjuhën e Xhon Boltonit, armikut të pavarësisë së Kosovës, pastaj me gjuhën e Palmerit, dhëndrit të Serbisë, tani me gjuhën e Grenellit, sikur të ishte ambasador rus. Kam përshtypjen se në diplomacinë amerikane, që kur ka ardhur Trampi në pushtet, ka ndryshuar qëndrimi ndaj Kosovës. Sepse në paragrafët që citova më sipër dëshmohet açik se diplomacia amerikane e Trampit është rreshtuar tërësisht në anën e Serbisë, çka, në këndvështrimin tim, mund të konsiderohet si një ndjesë e politikës së jashtme amerikane në ditët tona për bombardimin e Serbisë në pranverën e vitit 1999, bombardim që shmangu shfarosjen dhe spastrimin tërësor etnik të Kosovës.

Përshtypja ime argumentohet me citimet e mëposhtme. Ju me siguri që jeni në dijeni të dy informacioneve në vijim, megjithatë unë dëshiroj t’jua risjell në kujtesë, sepse me përmbajtjen e tyre shpjegohet qartë qëndrimi proserb dhe antikosovar i Presidentit Tramp.

Një fakt, Zoti Kryeministër, më ka mbetur në kujtesë që prej zgjedhjeve presidenciale të 08 nëntorit 2016: në mbrëmjen e vonë të asaj dite, deputetët rusë ishin mbledhur në sallën e parlamentit dhe po prisnin me ankth rezultatin e zgjedhjeve. Dhe nga Moska vinte ky informacion i një dite më pas:

“Deputetët e Dumës Shtetërore, gjatë mbledhjes plenare, lajmin për fitoren e Donald Trampit në zgjedhjet për president e pritën me duartrokitje. Për këtë njofton “Interfaks”(Citohet sipas: “Në Dumën Shtetërore duartrokitën për fitoren e Trampit”. Faqja e internetit “Novosti”. 09 nëntor 2016).

Ky informacion i asokohshëm më pati ngjallur dyshime për ngazëllimin e deputetëve rusë me rastin e zgjedhjes së Trampit President.

Diplomacia amerikane, pas zgjedhjes së Trampit President i Shteteve të Bashkuara, është rreshtuar kundër Kosovës. Kjo për arsye se Trampi, publikisht, ka mbajtur qëndrim antikosovar para se të zgjidhej President. Që asokohe ai ka pasë deklaruar:

“Për mua personalisht, bombardimi i serbëve,… ka qenë një turp i vërtetë. Klintonët, ndërkohë, këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Unë kërkoj ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në luftë kundër terrorizmit islamik neve na duhen aleatë me përvojë lufte kundër kësaj të keqeje dhe në Evropë të tillë janë rusët dhe serbët. Në qoftë se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë do të ndryshojë kursi i politikës së jashme, i cili deri tani ka qenë shpesh herë i gabuar” (Citohet sipas: “Trampi i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Marrë nga faqja e internetit stihiya.org”. 25 dhjetor 2015).

Tani, Zoti Kryeministër, jam në ankth për qeverinë  Tuaj. Druaj shumë se Isa Mustafa, si përfaqësues i gardës së vjetër, si ish-komunist i kohës së titizmit, i cili po përgjon si dhelpra në ferrë për t’u zgjedhur president, do ta sabotojë, siç po e saboton konkretisht, qeverinë Tuaj. Dhe ka shumë mundësi që ky sabotim të bëhet me investimin e fuqishëm të kriminelit Vuçiç, të Ramës dhe të Thaçit.

Mendoj, zoti Kryeministër, se aleanca juaj e fortë me Zonjën Vjosa Osmani dhe me përkrahësit e saj në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të arrijë ta mposhtë aleancën antikosovare të Vuçiçit me Thaçin, me Ramën dhe me Mustafën.

Me respekt dhe mirënjohje të thellë për atdhetarizmin tuaj shembullor.

Eshref Ymeri

Kleveland, Ohajo

20 mars 2020

Por edhe tani, pasi kanë kalur më shumë se tre vjet, po vihet re se Departamenti i Shtetit po mban të njëjtin qëndrim, antikosovar, proserbian, ndaj Republikës së Kosovës. Një qëndrim i tillë, sa i çuditshëm, aq edhe befasues, del shumë mirë në pah në informacionin e parë të Portalit “Voal”, të cituar në fillim të këtij shënimi. Aty jepet debati i Kongresmenit Republikan Keith Self me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Douglas Jones, debat ky, i zhvilluar në një Seancë Dëgjimore. Nga ai debat sqarohet më së miri qëndrimi proserbian i Departamentit të Shtetit, një qëndrim tërësisht kundër Republikës së Dardanisë, pikërisht si gjatë mandatit të ish-Presidentit Tramp.

Departamenti i Shtetit kërkon të bëhen zgjedhje të tjera në Veriun e Kosovës, meqenëse pjesëmrrja ishte e ulët, për shkak të bojkotimit të serbëve. Kongresmeni Self i kundërvihet ashpër përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit:

“Kjo ndodh gjithë kohën në SHBA. Ne kemi zgjedhje lokale ku votojnë veç 10% e qytetarëve, dhe ne nuk e kundërshtojmë këtë realitet me argumentin e daljes së ulët të zgjedhësve”.

Nga debati rezulton se Departamenti i Shtetit kërkon të bëjë kurban Dardaninë për të plotësuar tekat e Serbisë. Dhe arsyen e këtij kurbani, kongresmeni i nderuar Self e zbulon fare qartë:

“Problemi i vërtetë që shoh unë është që Departamenti i Shtetit po tenton të largojë Serbinë nga orbita ruse. Ju po ndërhyni në zgjedhje që kanë qenë të rregullta, po u mbivendoseni njerëzve që janë zgjedhur sipas rregullave, e po tentoni të impononi veten në një problematikë mijëvjeçare dhe ju po kundërshtoni zgjedhje të ekzekutuara më së miri. Ju nuk do ta nxirrni Serbinë jashtë orbitës ruse. SHBA e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe Departamenti i Shtetit duhet të fokusohet në funksionimin e shtetit të së drejtës”.

Për sa i përket shënimit të dashamirësit të kombit shqiptar, Janush Bugajskit, për dështimin e misionit të Eskobarit dhe të Lajçakujt në dialogun Kosovë-Serbi – mosrealizimin e njohjes reciproke – duhet theksuar se këta, të dy, kanë mbrojur dhe vazhdojnë të mbrojnë vetëm pretendimet shoviniste të Serbisë për copëtimin e Republikës së Dardanisë. Do të kishte qenë shumë mirë sikur Kryeministri Albin Kurti, që në fillim, të mos pranonte të ulej në tryezë bisedimesh me përfaqësues nga dy vende aspak dashamirëse të Republikës së Dardanisë, si Lajçaku dhe Borelli, të cilëve u është bashkuar edhe Eskobari, që të tre kopje të Grenellit në këmbënguljen për krijimin e një shteti serb brenda territorit të saj.

Në këto kushte, kur Departamenti i Shtetit, me Blinkenin në krye, mikun shumë të afërt të Sorosit, si edhe Evropa e Brukselit, janë rreshtuar në krah të Serbisë, kundër Republikës së Dardanisë, Katërshja e Nderuar Udhëheqëse – Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, Ministrja e Jashtme, burrëresha Donika Gërvalla, dhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, duhet të mbështeten fuqimisht dhe të gjejnë frymëzim te Populli Shqiptar i Dardanisë, ta shpërfillin Ramën e tradhtisë, si edhe të kenë si busull orientimi politik Thirrjen me domethënie të thellë të Dantonit (Georges Jacques Danton  1759-1794), revolucionarit francez, njërit nga etërit e Republikës së parë franceze:

“il faut du courage, du courage et du courage encore, et la France sera sauvée” (duhet guxim, guxim dhe përsëri guxim, dhe Franca do të shpëtojë).

Kaliforni, 21 korrik 2023

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok