23/12/2024
Dedaj-Alpe1

NGA NDUE DEDAJ

Stina e verës mbase nuk përjetohet askund më bukur se në Tropojë. Duhet të jetë thirrja e Alpeve aq mahnitëse. Pyet njeriu veten, si ndodh të jenë të bukura kreshtat e larta alpine, edhe kur ato janë të zhveshura nga bimësia dhe presin borën për t’u hijeshuar? Tjetër është për to drita e mëngjesit, tjetër e mesditës dhe tjetër ajo e muzgut. Kur je këtu dielli nuk perëndon mbi Adriatik, por sikur bjen të flerë në ndonjë “sy të kaltër” bjeshke diku kah Jezerca.

Mbasi kemi përshkuar Gjakovën, kemi lënë mbrapa Qafë Morinën dhe fshati i parë që na pret është Kasaj, që së fundi është bërë me rrugën e re të asfaltuar. “Duket si një fshat zviceran”, thotë njëri nga bashkudhëtarët tanë. Ecim drejt qytetit “Bajram Curri” dhe teksa vështron shtëpitë që nxjerrin tym, me plot makina të vogla te porta dhe njerëz që hyjnë dhe dalin të krijohet për një çast ideja se në Tropojë nuk ka ndodhur braktisja e maleve. Kjo ngaqë njerëzit janë kthyer për ta kaluar verën mes freskisë.

Pimë një kafe në qytetin e heroit të Dragobisë dhe marrim udhën për një vizitë të shpejtë deri në Lekbibaj, pasi fundjava i përket Valbonës. Është një lloj “rikornicioni” paraprak për të shkuar në ditët që vijnë drejt Curraj – Epër. Është krahina e njohur e Nikaj – Merturit. Ndërsa i bëjmë fotografi peizazhit malor karakteristik, me shtëpitë alpine nëpër shpate malesh dhe përrenjtë që befas i përpinë liqeni i Komanit, sipër shohim të ngrihën retë e tymit, pasi po digjet pylli. Nuk na zë syri ndonjë zjarrfikëse që po nxiton për atje!? Ai zjarr do të lërë plagën e tij në një mjedis që po bëhet përherë e më i kërkuar nga turistët…

Thirrja e Alpeve është në radhë të parë për t’i mbrojtur ato nga zjarret, sharra, betoni, HEC-et dhe çdo loj vrastari tjetër i tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok