15/11/2024

TETORI I GJEÇOVIT KREMTOHET NË ZYM TË HASIT

0

NË EDICIONIN E 52-TË ME RADHË

Tetori është muaji i bollëkut vjeshtor, por tetori në zym qe 52 vite kumbon me manifestime e ngjarje të shumta e që ndërlidhen me  TAKIMET E GJEÇOVIT

Nga Prend BUZHALA

1.

Në një ditë të bukur tetori, sot në Zym të Hasit u zhvilluan TAKIMET E GJEÇOVIT, të 52- me radhë. Është manifestimi më jetëgjatë i rregullt kulturor në Kosovë. Krahas takimeve, Zymi këto ditë zhvilloi edhe dy festivale tjera tradicionale: Festivalin e Bukës (dje) dhe Festivalin e rakisë (sot, festë tradicionale e pjekjes së Ditëve të Rakisë, prodhues të kësaj pijeje nga anët e Dukagjinit dhe Hasit). Ndërkaq, në ambientet e amfiteatrit, të mbushura me pjesëmarrës të ardhur nga anembanë trojet etnike, merrnin pjesë edhe përfaqësues qeveritarë e komunalë, shkrimtarë, njerëz të kulturës,  të klerit të të gjitha religjioneve etj. Si rëndom, edhe kësaj radhe pati plot klinas që ia kishin mësyrë Zymit. Kësaj radhe, krijues si Idriz Berisha, Mikel Gojani, Fazli Ferati etj.

Tradicionalisht, ambientet e amfiteatrit përshkohen edhe me ekspozita. Kësaj radhe, ishin dy ekspozita: njëra me foto nga rolet e Katarina Josipit në Teatrin e Kosovës në Prishtinë (një kumtesë kushtuar Katit e lexoi krijuesi letrar Engjëll I. Berisha), dhe tjetra: vizatime portretesh të figurave nacionale, e nxënësit Mateo David Prekaplaj (nxënës në Bosnje e Hercegovinë). Ishte 100-vjetori i lindjes së aktores së parë shqiptare, Katarina Josipit. manifestimet sivjet iu kushtuan edhe 110-vjetorit të ngritjes së  Flamurit të Zymit më 1913 nga At Pashk Prela, si mbështetje e Qeverisë së Vlorës pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (kumtesën kushtuar Flamurit të Zymit nëpër vite, e lexoi Pashtrik Braha). Janë, ndër të tjera, disa figura që identifikohen me këto TAKIME, siç janë organizatorët Frrok Kristaj, At Ndue Kajtazi, Lajde Kajtazi Kolgjeraj, Arbnora Kolegjeraj, etj.

Edhe sivjet u zbuluan dy pllaka: e para kushtuar ngritjes së Flamurit në Zym (e zbuloi kryetari Shaqir Totraj e deputeti Anton Çuni, ku u mboll edhe  Druri i Flamurit) dhe pllaka kushtuar Mikel Gegë Berishës në shtëpinë e të cilit qe ruajtur Flamuri kombëtar (për shkak të përndjekjes  së vazhdueshme nga regjimet pushtuese serbe) e këtë pllakë e zbuloi kryetari i komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj.

2.

Edhe sivjet Takimet i hapi At Ndue Kajtazi, që sublimoi  me pak fjalë karakterin nacional të këtyre takimeve në shquarjen e identitetit kombëtar. Mandej përshëndetën kryetari i Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj, pastaj përfaqësues të Ministrisë së Kulturës e të Presidencës, si dhe ipeshkvi Imzot Dodë Gergji. Përshëndeti edhe kryetari i Shoqatës mbarëkombëtare “VATRA JONË” Selami Toska.

Kësaj radhe kisha nderin të jem edhe kryetar i komisionit të shpalljes së disa Çmimeve plaketa “PENA E SHTJEFËN GJEÇOVIT”, që iu nda tri personalitete nga At Ndue Kajtazi: Z. GJON GJEVELEKAJT (Francë), kompozitor me renome ndërkombëtare për kontribut të çmushëm shumëvjeçar dhënë organizimit të manifestimit, Z. Dr. ARBEN HAJDARAJT (arkeolog, Prishtinë) për gërmime arkeologjike në arealin arkeologjik në Ulpianë në zbulimin e kishës më të vjetër në botë dhe Z. ASQERI LLANAJ (Vlorë) për kontribut që i ka dhënë afrisë së Zymit me Qytetin e Flamurit Kombëtar- Vlorën dhe i cili nga Vlora solli edhe një Mirpnjohje të gdhendur në kristal për Frrok Kristajn. Plaketë e tillë iu dha psot mortum edhe Krist Dulajt për kontributin e madh në Takimet e Gjeçovit. Ndërsa çmim mori edhe Nebi Omanollaj për kultivimin e rakisë.

3.

Në orën tradicionale letrare poezitë e tyre i lexuan poetë nga trojet etnike shqiptare si Ramadan Mehmeti (Prishtinë), Zejnepe Rexhepi (Tetovë), Sadije Aliti (Tetovë), Hamëz Halabaku (diasporë), Farida Zmijani Ramadani (Shkodër), Mirvete Lekaj (Prizren) Mikel Gojani e Prend  Buzhala (Klinë) etj.

Me pika muzikore, valle shqiptare, u paraqitën edhe kësaj ardhe të rinjtë e SHKA “Katarina Josipi” të Zymit. Këngë folklorike kushtuar Hasit kënduan Besim Muhadri e Bajram Gigollaj.

Pas Programit artistik, tribunave, ekspozitave etj. të pranishmit shijuan pijet e Ditëve të rakisë, si dhe ushqimet tradicionale shqiptare të mikpritjes zymjane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok