22/12/2024

Tetë Dëshmorët nga Dushkaja

0
Ushtria-Clirimtare-Kosoves

QERSHORI, KORRIKU, GUSHTI (1998 – 1999)

DHE TETË DËSHMORËT NGA DUSHKAJA…

NGA MR. SKËNDER R. HOXHA

Kujtesë e një historie, tash e njëzet e një e njëzet e dy vjet më parë (III)

…Është kjo krahina etnografike e Dushkajës, e cila ka shtrirje administrative në komunën e Gjakovës dhe në atë të Deçanit. Është kjo Dushkaja ku herët e vonë gjetën mikpritje e mbështetje burrat e kombit shqiptar: Azem Bejta, Bajram Curri, Nue Përlleshi, Isë Boletini e shumë e shumë të tjerë… Është kjo Dushkaja që përjetoi masakra në të cilat u martirizuan shumë burra, por edhe gra e fëmijë, dushkajas e mysafirë, dhe vetëm pse ishin shqiptarë, e Dushkaja gjithmonë armiqve u tha: JO!, KJO ËSHTË TOKË SHQIPARE DHE NE JEMI SHQIPTARË! … Është kjo Dushkaja e burrave të hershëm të saj, burra këta të pushkës e të kuvendit… Është kjo Dushkaja e qelulave të para UÇK-së. Është kjo Dushkaja e shumë dëshmorëve dhe martirëve të cilët dhanë shumë në luftën e lavdishme të UÇK-së, më në fund edhe jetën, për lirinë e Kosovës. Është kjo Dushkaja e orëve të para të UÇK-së. Në përvjetorët e qershorit, korrikut dhe gushtit të viteve  1998, 1999, të këtyre viteve të egëra, përkujtojmë rënien e luftëtarëve të Dushkajës, përkujtojmë sakrificën,dhembjen dhe krenarinë për ta… Ata janë 8 kryepersonazhet e këtij përkujtimori, të dhënat për të cilët, sipas datave të rënies në Altarin e Lirisë, gjatë ayre dy verave të tmerrshme, po i paraqesim në vijim:

  1. SELIM QERIM SALIHU (11.3.1963.-2.6.1999)

Selim Salihi lindi më 12 mars 1963 në fshatin Gërgoc, komuna e Gjakovës. Si familje ishin të përndjekur nga regjimi serb. Qerim e Xufe Salihu kishin nëntë fëmijë: gjashtë djem dhe tri vajza. Selimi ishte më i madhi në mesin e tyre. Shkollën fillore e kreu në Zhabël, ndërsa atë të mesme në Cërmjan. Në vitin 1981 u punësua si teknik i bujqësisë në Kooperativën Bujqësore në Bec, ku pas dhjetë vjetësh, me hyrjen e masave të dhunshme, e largojnë nga puna. Ishte i martuar dhe la pas vetes tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë. Dëshmori Selim Salihu në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua më 28 nëntor 1997 në Jabllanicë të Dushkajës. Kishte për detyrë masovizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dha kontribut në formimin e Shtabit lokal të UÇK-së në fshatin Gërgoc me komandant Fadil Nimanajn. Dëshmori ishte komandant pike në Sukë të Cërmjanit. Mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në mes të forcave ushtarake e policore serbe dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Sukë të Cërmjanit, në Rakovinë, në Kralan, në Jabllanicë etj. Përveç fushëbetejave, ku tregoi përkushtim të jashtëzakonshëm, Selim Salihu  ishte furnizues i shkëlqyer. Disa herë shkoi në Shqipëri dhe solli armatime nga më të ndryshmet. Me lëshuarjen e pozicioneve dhe dorëzimin e armëve nga ana e fshatit, Selim Salihu nuk u pajtua me këtë, andaj bashkë me Xheladin Salihun, u inkuadruan në Shtabin e Jabllanicës, duke u sistemuar në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”, me komandant Maliq Ndrecajn. U sistemua në kompaninë e Gërgocit dhe u emërua komandant togu. Mori pjesë në luftime dhe ishte mjeshtër i vendosjes së minave antitankë, ku disa herë iu shkaktoi dëme të konsiderueshme forcave serbe, në teknikë dhe në njerëz. Duhet përmendur aksionin diversant në maj të vitit 1999, ku përplot një minibus me paramilitarë serbë u hodhë në ajër, duke mbetur të vrarë 13 serbë. Mirëpo, më 2 qershor të vitit 1999, vjen dita e lavdisë së tij. Selim Salihu niset me Latif Shalën dhe me Jahë Bushatin të vendosin një minë kundërtankiste në vendin e quajtur Troje të Gërgocit, ku ndodheshin forcat serbe, me ç’rast bie vetë po ashtu në një minë që serbët e kishin vendosur më parë.

  1. XHELADIN AZEM SALIHU (21.7.1964.-14.6.1999)

Xheladin Salihu lindi më 21 korrik 1964 në fshatin Gërgoc, komuna e Gjakovës. Për kërkim armësh familja e dëshmorit shpeshherë u keqtrajtua nga policia serbe. Babai Azemi nga regjimi serb u dënua me dhjetë vjet burg. Prindërit Azem dhe Nepe Salihu kishin tetë fëmijë: pesë djem dhe tri vajza. Shkollën fillore e kreu në Zhabël, ndërsa atë të mesme në Cërmjan. Në jetën civile merrej me bujqësi. Ishte i martuar dhe la pas vetes katër fëmijë: tri vajza dhe një djalë. Dëshmori kontaktoi shpeshherë me pjesëtarët e UÇK-së në Jabllanicë. Në radhët e saj u inkuadrua më 28 nëntor 1997 në Jabllanicë, ku mori detyra të veçanta. Dha kontribut në formimin e shtabit lokal të UÇK-së në Gërgoc. Më 10 prill 1998 në Gërgoc u formua shtabi i UÇK-së, komandant i së cilës u zgjodh Fadil Nimani, i njohur me nofkën “Tigri”. Dëshmori Xheladin Salihu bëri roje në fshat, e sidomos në Pikën Suka e Cërmjanit, ku mori pjesë edhe në mbrojtjen e saj nga forcat serbe. Po ky luftëtar mori pjesë edhe në sulmin që iu bë punktit të policisë në Rakovinë, në korrik të vitit 1998, duke iu shkaktuar dëme forcave serbe. Në shtabin e fshatit shërbeu deri në shtator të vitit 1998, kur u dorëzuan armët nga bashkëfshatarët. Ky, bashkë me kushëririn Selim Salihu, tani dëshmorë që të dy, nuk u pajtuan me një qëndrim të tillë. U drejtuan kah Jabllanica dhe komandanti Ramush Haradinaj që ndodhej aty. U risistemuan në radhët e UÇK-së ku dhanë kontribut të çmuar, në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”, me komandant Maliq Ndrecajn. Mori pjesë në betejat që u zhvilluan kundër forcave serbe në Sukë të Cërmjanit, Gërgoc, Bardhaniq, Zhebël. Kudo tregoi gatishmëri, trimëri, guxim për t’u përballuar me forcat e armikut. Xheladin Salihu u dallua si ushtar në togun e Arif Shalës. Dhe, kur pritej fundi i luftës dhe triumfi i UÇK-së ndaj forcave serbe, më 14 qershor 1999, duke bërë çminimin e terrenit ku serbët kishin lënë gjurmët e tyre të egra, në fshatin e lindjes, në Gërgoc, ra në një minë, ku pas plagëve, vdiq në spitalin ushtarak në Maznik.

  1. XHEVDET SYLË PLAVA (1.1.1959.-28.7.1998)

Xhevdet Plava lindi më 1 janar 1959 në fshatin Cërmjan, komuna e Gjakovës. Babai i dëshmorit në vitin 1956 u keqtrajtua nga policia në stacionin policor të fshatit me pretekst të kërkimit të armëve. Prindërit Sylë dhe Fanë Plava kishin katër fëmijë: tre djem dhe një vajzë. Dëshmori shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Pejë. Studimet i vazhdoi me korrospondencë në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë. Nuk ka lënë rast pa marrë pjesë në demonstratat e viteve tetëdhjetë-nëntëdhjetë. Ishte i martuar dhe la pas vetes shtatë fëmijë: katër djem dhe tri vajza. Ishte i punësuar në Kombinatin Bujqësor “Ereniku” si teknik bujqësor, reparti në Cërmjan, në vitet 1984-1990. Me hyrjen e masave të dhunshme serbe në këtë kombinat, e largojnë nga puna. Detyrohet të shkojë në Gjermani. Me daljen në skenë të UÇK-së, Xhevdet Plava u sistemua në radhët e saj, pikërisht më 20 prill 1998, në Shtabin Lokal të UÇK-së në Cërmjan, me komandant Ali Hasin. Xhevdeti i njohur me emrin e luftës “Komandant Xhabiri” ishte komandant pike. Kishte nën komandë 40 ushtarë. Pika ndodhej në aksion rrugor Gjakovë-Klinë, përkatësisht në fshatin Rakovinë. Meqë kishte lidhje familjare me fshatin Jabllanicë, Xhevdeti ishte i armatosur. Ka qenë disa herë për furnizim në Shqipëri. Edhe në maj të vitit 1998 u nis për armatim. Deri në Smolicë shkoi me traktor, e pastaj vazhdoi në këmbë. Armatimin që e solli e shpërndau në Cërmjan. Edhe në qershor dhe në korrik e bëri të njëjtën rrugë për të njëjtin qëllim. Herën e fundit ishte me Fehmi Shalën, tash dëshmor dhe me Brahim Shalën. Duke u kthyer nga Shqipëria, në Jasiq, diku te Rrasa e Zogut, bie në pritë të forcave serbe, më 19 korrik 1998, ku pas një përleshje të ashpër, bijnë në fushë të nderit shtatë dëshmorë. Bashkëluftëtarët nuk patën mundësi t’i tërheqin trupat e tyre. Forcat serbe i morën këta dëshmorë dhe i varrosën në Kodër të Çabratit, afër Gjakovës. Ndërsa, Xhevdet Plava me një numër luftëtarësh tërhiqet përsëri për në Shqipëri. Mirëpo, më 27 korrik 1998 fillon marshimi për në Kosovë. Përsëri në Jasiq bijnë në pritë të forcave armike serbe me ç’rast bie heroikisht në fushë të nderit dëshmori Xhevdet Plava me gjashtë luftëtarë të tjerë. Edhe këta dëshmorë forcat serbe i varrosën në Çabrat. Xhevdet Plava u identifikua në Varrezat e Gjakovës dhe është rivarrosur me nderime ushtarake në vendlindje, në Cërmjan.

  1. JETON IDRIZ HOXHA (5.12.1973.-2.8.1998)

Jeton Hoxha lindi më 5 dhjetor 1973 në fshatin Cërmjan, komuna e Gjakovës. Familja e dëshmorit asnjëherë nuk u pajtua me regjimin serb në Kosovë, regjim ky nga i cili shpeshherë edhe u keqtrajtua. Idriz dhe Zoje Hoxha kishin katër fëmijë: dy djem dhe dy vajza. Si fëmija i parë në familje, Jeton Hoxha, shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Gjakovë. Si nxënës i shkollës së mesme mori pjesë ne revolta e protesta të ndryshme kundër regjimit serb në Kosovë. Konflikti i përhershëm i kësaj familjeje me policinë serbe, bën që Jeton Hoxha të ndryejë në vete një mllef të madh kundër regjimit. Dhe, këtë mllef i erdhi koha ta nxjerrë nga fundi i shpirtit, me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u ngrit pikërisht ndaj këtij regjimi gjakatar. Dëshmori Jeton Hoxha radhitet në radhët e UÇK-së më 3 qershor të vitit 1998, i sistemuar si ushtar në Njësinë e Cërmjanit. Në fillim bënte roje në fshat. Armë nuk posedonin të gjithë. Të rinjtë e Cërmjanit filluan në mënyra të ndryshme të armatosen. Kur filloi lufta në Sukë të Cërmjanit, vëllai i dëshmorit, Artani, ishte vullnetar në mesin e njëzet luftëtarëve të fshatit Cërmjan, duke iu kundërvënë forcave të njësiteve policore dhe ushtarake serbe. Në fund të majit, Artani bashkë me dy djem të axhallarëve, ia mësyu Shqipërisë për t’u furnizuar me armë. Rruga ishte e mundimshme, me rreziqe, por jo e pakalueshme, sidomos për të rinjtë që ideal kishin lirinë në trojet e veta. Nga ky kthim, Artani posedonte një pushkomitraloz. Jeton Hoxhën tash e gjejmë në Pikën e Parë në Cërmjan në krye me eprorin Ali Hasin. Më 24 qershor organizojnë një aksion në postbllokun e Kramavikut, ku merr pjesë edhe Jetoni. Për dy muaj rresht të rinjtë e Cërmjanit ngritën istikamet në fshat. Më 2 gusht 1998 Cërmjanin e sulmojnë mbi 100 tanke serbe. Në ballë u kundërvihen mbi 500 djem të Rashkocit, Kodralisë, Cërmjanit, Kodrës së Meqes, Kodrës së Balajve, Kodrës së Kidajve. Fillon një sulm i furishëm. Në brendi kishin depërtuar diversantë serbë. Duke u tërhequr nga Pika e Parë vritet dëshmori Jeton Hoxha, duke mbrojtur vendlindjen, atdheun. Trupi i tij pushon i qetë në varrezat e fshatit.

  1. AZE ZEKË BRAHIMAJ (1921.-3.8.1998)

Luftërat e shqiptarëve për liri, sidomos në këta dy shekujt e fundit, qoftë nën sundimin shekullor osman, qoftë nën regjimin serbosllav, përkrah trimave dhe luftëtarëve për liri, nuk i munguan as trimëreshat dhe luftëtaret, që populli ynë nxori nga gjiri i vet, duke lënë famën pas vetes dhe njëherësh duke tmerruar edhe armikun me guximin dhe heroizmin e tyre. Të kujtojmë Norën e Kelmendit, Tringë Smajlin e Kajë Selmanin, Bikë Alijen e Shotë Galicën, Xheve Lladrovcin, e shumë heroina të tjera që mahnitën kombin e për të cilat edhe u shkruan vjersha e tregime, poema e novela, drama e romane, e sidomos u përjetësuan në këngë dhe folklor të rapsodëve më të njohur shqiptarë.

Edhe lufta e fundit me serbin nxori në shesh një heroinë, një trimëreshë, e cila pos që flijoi veten për lirinë e Kosovës, la pas vetes djem dhe nipa, që në luftë me serbin për lirinë e Kosovës, ia rritën namin kudo ndër shqiptarë. E kjo është Azë Brahimaj, e lindur më 1921 në fshatin Grabanicë, komuna e Klinës, përkatësisht e martuar në fshatin Jabllanicë të Dushkajës, komuna e Gjakovës, me Shaban Arif Brahimajn. Nëna Azë, apo Lokemadhja e Dushkajës, siç e quajnë zakonisht, kishte gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. Dy djemtë e mëdhenj, Arifi e Selmani, tash e dy dekada punojnë në Zvicër, ku edhe dhanë kontribut të çmuar në çështjen kombëtare, sidomos në mërgim, duke mbajtur lidhjet gjithnjë me njerëzit e tyre në Kosovë. Ndërsa, dy djemtë e vegjël, Nazmiu dhe Lahiu, ishin direkt në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, pjesëmarrës në shumë aksione guerile në Dushkajë dhe Rrafsh të Dukagjinit si dhe luftëtarë të vijës së parë të frontit në dhjetëra beteja të zhvilluara nga Dukagjini deri në Drenicë.

Duhet përmendur këtu edhe një të dhënë tjetër, se vajza e madhe e Azë dhe Shaban Brahimajt, Ruka, e martuar për Hilmi Haradinajn në Gllogjan, është nëna e heronjve të parë të lirisë së Kosovës, të cilët luftuan deri në frymën e fundit pikërisht që Kosovën ta shohin të çliruar nga regjimi shekullor serb, e këta janë Luan dhe Shkëlzen Haradinaj, përkatësisht është nëna e dy trimave legjendarë që Lufta e Kosovës nxori nga gjiri i vet, trimave që luftuan derisa Kosova u çlirua nga barbarët shekullorë, e këta janë gjeneralët Ramush dhe Daut Haradinaj. Pra, Lokemadhja e Dushkajës është gjyshja e këtyre katër petritave që lindi dhe rriti Kosova përkatësisht Rrafshi i Dukagjinit.

Po cili është roli i Azë Brahimajt në UÇK-në, forcën që ngriti peshë dhe alarmoi opinionin botëror për gjenocidin që u ushtrua në Kosovë nga regjimi më i egër i Evropës në këta shekuj që lamë pas? Në radhët e UÇK-së u radhit qysh në vitin 1996. Që në fillim të celulave të para të UÇK-së në Dukagjin, nënës Azë iu desh të presë dhe strehojë bijtë më të shquar të Kosovës, qofshin ata që dhanë jetën për lirinë e saj, qofshin ata që luftës ia dolën në krye të gjallë. Nëpër duart e saj, nëpër sofrën e saj, kaluan dëshmorët e kombit Zahir Pajaziti e Mujë Krasniqi, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Ilaz Kodra e Ilir Konushevci, Xhevë e Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e Xhelal Hajda e shumë të tjerë; apo luftëtarët që përfunduan luftën, si: Rexhep e Sylejman Selimi, Ramush e Daut Haradinaj, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Sahit dhe Musë Jashari e shumë e shumë luftëtarë të tjerë, të cilët nëna Azë i përcolli në rrugë për në Shqipëri dhe anasjelltas. Por, roli i saj më i rëndësishëm në veprimtarinë e saj patriotike ishte  se, shpesh kishte shkuar në vende të tjera jashtë Jabllanicës për të kontaktuar me grupet, për të mbajtur lidhjet ndërmjet tyre, si p.sh. grupi i Jabllanicës dhe ai i Gllogjanit. Kur nuk kishte mundësi të lëvizjes së luftëtarëve, nëna Azë ishte ajo që i mbante lidhjet ndërmjet tyre. Ose, kur kryheshin sulme ndaj forcave serbe, ajo më vonë kalonte atypari për të konstatuar dëmet e bëra. Ishte personi i vetëm që furnizonte luftëtarët e lartpërmendur, kur qëndronin me ditë e javë në shtëpinë e saj, me gjërat e nevojshme nga qyteti, si me ushqim, veshmbathje, pjesë për vetura etj. Më 2 gusht 1998, në ofensivën e egër që forcat serbe ndërmorën në Jabllanicë, ajo nuk pranoi të largohet nga shtëpia, por vazhdoi të përgatit ushqim për bijtë e saj. Ndërsa, më 3 gusht, u vra nga forcat serbe në oborr të shtëpisë, bashkë me nënën e saj 100 vjeçare, duke zbrazur dy bombat që muaj me radhë i ruajti për këtë moment, duke rënë në fushë të nderit, ashtu si luftëtarët e lirisë.

  1. KOLË GJON LLESHI (15.3.1967.-7.8.1998)

Familja e dëshmorit Kolë Lleshi nga Vraniqi, komuna e Gjakovës, në periudhën 50-vjeçare të regjimit serbosllav gjithmonë është shquar si familje patriotike, me gjithë represionin e vazhdueshëm që ka bërë regjimi kriminal serb ndaj kësaj familjeje, e cila përherë ishte e përndjekur, e persekutuar, e keqtrajtuar dhe në të gjitha etapat e aksioneve të këtij regjimi të egër dhe barbar, kjo familje ka qenë në shënjestër ndër të parët. Dëshmori Kolë Lleshi lindi më 15 mars 1967 në Vraniq. Prindërit e tij, Gjon dhe Prene Lleshi kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Kola ishte vëllai i tretë, pra më i riu, përkatësisht fëmija i pestë me radhë. Shkollën fillore e kreu në Doblibare, të mesmen në Gjakovë, ndërsa studimet universitare u detyrua t’i ndërprejë në vitin 1988 për shkaqe subjektive. Kola ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes një vajzë. Meqë ishte i përndjekur nga policia serbe vazhdimisht, në vitin 1990 ka migruar në Gjermani. Mirëpo, kushtrimi për lirinë e atdheut nuk e la të qetë shpirtin luftarak të Kolë Lleshit, andaj në fillim të vitit 1998 u kthye në vendlindje, ku menjëherë iu bashkangjit radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dita e 10 prillit 1998 ishte ditë e shenjtë për dëshmorin Kolë Lleshi, sepse në këtë ditë veshi uniformën, vendosi emblemën e UÇK-së në kapelë dhe në krah, dhe u gjend përkrah njësive të fshatit Vraniq, në mbrojtje të nderit të saj. Si pjesëtar i UÇK-së dhe si luftëtar, Kolë Lleshi mori pjesë në disa operacione ushtarake të UÇK-së kundër forcave dhe pozicioneve serbe. Duhet përmendur betejën në Vraniq, ku më 7 gusht 1998, bie heroikisht në mbrojtje të vendlindjes, ashtu siç ra edhe shtatëdhjetë e dyvjeçari dhe kushëriri i tij, Mark Lleshi, duke mbrojtur pragun dhe nderin e kombit.

  1. MARK TUNË LLESHI (24.3.1926.-7.8.1998)

Dëshmori më i vjetër në Zonën Operative të Dukagjinit, i cili ra në fushë të nderit, aty ku bijnë vetëm trimat, në moshën 72-vjeçare, është Mark Lleshi nga Vraniqi, komuna e Gjakovës. Gjatë pesëdhjetë vjetëve të regjimit serbokomunist, familja Lleshi e Vraniqit është trajtuar si familje nacionaliste dhe përherë ka qenë nën përcjellje të organeve të sigurimit shtetëror. Në vitin 1956, në kohën kur sistemin e sigurimit në Gjakovë e udhëhiqte inspektori gjakpirës Mirk Iliqi, Mark Lleshi është keqtrajtuar dhe rrahur për vdekje pikërisht nga ky inspektor. Marku, i biri i Tunës dhe i Tones, ka një vëlla dhe dy motra. Ndërsa, vetë i kishte 11 fëmijë: gjashtë djem dhe pesë vajza. Ka të kryer vetëm katër klasë të shkollës fillore në fshatin Vraniq dhe tërë jetën ka jetuar dhe punuar si bujk në pronën e tij. Edhe pse në moshë, dëshmori Mark Lleshi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është radhitur më 10 prill 1998, si ushtar në fshatin e lindjes, në Vraniq. Këtu ka bërë rezistencë ndaj njësive serbe, me armë në dorë deri më 7 gusht të vitit 1998, kur bie dëshmor. Ishte kjo një ofensivë që forcat serbe kishin ndërmarrë kundër fshatit Vraniq, e më konkretisht, kundër familjes Lleshi, e cila luftës ia fali katër dëshmorë. Po në ditën e rënies së Mark Lleshit, bie dëshmor edhe Kolë Lleshi, çka flet për qëndresën e kësaj familjeje që i bëri regjimit, policisë dhe ushtrisë serbomadhe. Vdekja heroike e Mark Lleshit ngriti moralin ndër pjesëtarë të UÇK-së, meqë në mbrojtje të pragut të shtëpisë, përkatësisht të atdheut, bie për liri edhe një plak, një plak i ri, me zemër të madhe, duke nderuar veten dhe kombin.

  1. ARTAN ISA HASANAJ (2.6.1976.-11.8.1998)

Artan Hasanaj lindi më 2 qershor 1976 në fshatin Rakoc, komuna e Deçanit. Rrjedh nga familja e njohur patriotike e Zhel Hasanit të Rakocit. Në kohën e kralevinës kjo familje nuk shikohej me sy të mirë nga pushteti. Në vitin 1936 në pasurinë e Zhel Hasanit u vendosën rreth dhjetë familje serbomalazeze. Është kjo koha kur Kosova kolonizohej me të madhe me serbë e malazezë. Në vitin 1941 Zhel Hasani i ndoqi policinë prej Rakocit deri në Ratishë. Më vonë kjo familje dha kontribut në largimin e kolonëve nga toka e vet dhe Kryçi i Rakocit, që në numër ishin të shumtë, rreth 70 familje. Gjatë viteve 1943-1945 Zhel Hasani u pozicionua në anën e forcave kombëtare në luftë kundër regjimit serbokomunist. Shtëpia e tij ishte bazë e ushtarëve të Demë Ali Pozharit, me ç’rast në vitin 1947 u dënua, së bashku me Demë Nezirin (Haradinaj) me një vit burgim, të cilin e mbajti në Gjakovë. Edhe në aksionin e armëve e keqtrajtuan këtë familje. Djalin e Zhelit, Qazimin, për dhjetë ditë rresht e mbajtën në stacionin e policisë në Cërmjan. Edhe babai i dëshmorit, Isa, në vitin 1981 dhe 1984 u dënua nga regjimi serb me burg, një herë një vit, e herën tjetër pesë vjet. Pas lirimit nga burgu, emigruan me familje në Zvicër. Shkaktar ishin përndjekjet nga regjimi si dhe zhvendosja e fshatit meqë aty u përmbytën fshatrat Rakoc e Radoniq, për ngritjen e liqenit artificial. Në Zvicër iu dha azili politik. Andaj, nga babë Isa dhe nënë Xhevahirja, kishin lindur, rritur dhe edukuar shtatë fëmijë: katër djem e tri vajza. Artan Hasanaj shkollën fillore e kreu në Gramaçel, ndërsa shkollën e mesme në Irzniq të cilën u detyrua ta ndërprejë për shkak të emigrimit në Zvicër. Lufta në Kosovë nuk e linte të qetë. Më 1998 vendos të vijë në Kosovë. Më 17 prill arrin në Durrës. Në bazën e Golemit e pret Ilir Konushevci. Artani ishte bashkë me Arben Krasniqin. Me vete kishin sjellë një picgauer, dhuratë për UÇK-në nga Brahim Haxhia i Koronicës, Iliri gëzohet. Për shkaqe sigurie disa kohë nuk mund të hyjë në Kosovë. Vetëm në muajin korrik i plotësohet dëshira. Artan Hasanaj u sistemua në Njësinë e autoblindave në Shtabin e Dukagjinit, si komandant skuadre. Mori pjesë në luftimet kundër forcave serbe në betejat e Gllogjanit, Gramaçelit, Baballoqit, Rastovicës, Prejlepit, Carrabregut, Junikut, Vokshit. Njësitë e UÇK-së për tri ditë me radhë u përballën me forca të mëdha serbe, në vijën e luftimeve Bitesh-Dobridje-Gramaçel, ku forcat serbe bombardonin pozicionet e UÇK-së pandërpre. Luftimet e UÇK-së ishin heroike. Armikut i shkaktuan 37 veta të vrarë, shumë të plagosur dhe dëme në armatim. Dhe, më 11 gusht 1998, në Gllgjan, bie në fushë të nderit edhe dëshmori Artan Hasanaj, për të mos vdekur kurrë, por për t’u lartësuar në altarin e lirisë. Trupi i tij pushon në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.

BURIMI: Hasan Hasani, “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Zona e Tretë, Pejë, 2002.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok