21/12/2024

Terror psikologjik mediatik për të pranuar fatalisht ndarjen e Kosovës!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Ne qarqet mediatike, sidomos në Serbi, por edhe në Shqipëri, Kosovë e qytetet shqiptare të Maqedonisë së Veriut e gjetkë, ka nis të elaborohet narrativa, sipas së cilës „Me ardhjen e Donald Trump kërcënohet sovraniteti dhe shtetësia e Kosovës“! Çfarë do të bëjë Presidenti Trump me Kosovën? Cili do të jetë qëndrimi i tij? Çfarë zgjidhje do t’i jape? A do të bëjë lëshime ndaj Serbisë?! Plot nga këto pyetje shtrohen prej kohës së para dhe sidomos pas zgjedhjes së zotit Trump si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Asnjëri nuk kujtohet se Kosova e Ballkani nuk janë qendra e botës dhe e vëmendjes së presidentit të SHBA.

Disa janë të shqetësuar, sepse gjatë administrates së pare të Trump pati një mbështetje për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve midis të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë. Asnjë “terrorist” propagande nuk përmend faktin se ishin vetë dy (tre) liderët e vendeve në konflikt që e propozuan këtë opsion. Ndërkaq marrëveshja e 4 shtatorit 2020 në zyrën ovale midis tij dhe dy liderëve respektivë, Abdullah Hotit dhe Aleksandër Vuçiq, ishte jashtë skemës së ndarjes së Kosovës, sidoqë me një menaxhim të Trepçes dhe Ujmanit të dyshimtë. Ndërkohë që njohja e vetme prej gati 7-8 vitesh, ajo e Izraelit, për shtetin e Kosovës ishte një lloj mesazhi se “Kosova do të ekzistojë si shtet”! Ndryshe nga Obama dhe Biden, ish-presidenti Trump i asaj kohe siguroi një njohje të rëndësishme.

Një grup “analistësh”, “opinionistësh” dhe demagogësh kanë rifilluar të përdorin një lloj agresioni psikologjik në popullatën shqiptare me narrativën se “”patriotët” dështuan me kundërshtitë e tyre për ndarjen e Kosovës! Trump do ta ndajë atë dhe kësisoj do t’i japë fund konfliktit në Ballkanin Perendimor”! Për këta agresorë propagandistikë rëndësi ka paqja me Serbinë, ndërkohë që kufijtë dhe territoret janë krejt të parëndësishme! Kjo ide fixe është ngjizur që në vitin 1941, kur thuhej se “Pa Jugosllavinë dhe shokun Tito, Shqipëria nuk do të ekzistonte”! Në fakt është një qëndrim pro – pushtetit dhe jo pro – shtetit, si i tillë edhe pro-serb dhe jo pro-shqiptar! Kategoria e këtyre taborreve agresive mediatike jo vetëm kanë marrë detyrë të bëjnë agresion kundër mendimit ndryshe sa i përket epilogut të dialogut, por edhe duan “kupën e fitores”! Për ta nuk është fitore shtetësia e Kosovës në kufijtë ekzistues, përkundrazi ata konsiderojnë fitore të provojnë se “ishin parashikues të aftë”!

Gara për të provuar se “unë kisha të drejtë”, provokon qëndrime që shkojnë në interes të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Sepse ndarja e Kosovës prodhon zhbërjen e shtetit të saj. Kosova mbetet pa Ujmanin dhe Trepçën, dy arterie të ngrurta e të lengshme pa të cilat nuk jeton dot shteti i Kosovës dhe popullsia e saj gati dy milionëshe. Mirëpo shanset janë thuajse zero që provokuesit e psikologjisë së shqiptarëve me synimin që ata t’I nënshtrohen fatit, të mund të arrijnë paralizën tonë kombëtare. Metodat e terrorit psikologjik të tilla, çfarë përmendëm më lart, janë shumë agresive e të dëmshme për shëndetin mendor të një populli e të një kombi. Ato synojnë ta zhveshin individin shqiptar nga “e drejta e vet mbi territorin” dhe t’i nënshtrohet fatit të vendimmarrjes së të mëdhenjve. Njësoj si në vitin 1878, 1913, 1919 qpo në vitin 1945 në Jaltë. Pikërisht këtë bën media pro-serbe, e manipuluar prej Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramës në favor të ndarjes së Kosovës.

Mjerisht për ta, ndryshimi i kufijve, pra ndarja e Kosovës, nuk do të ndodhë. Nuk do të ndodhë, sepse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentja Vjosa Osmani kanë vendosur të mos firmosin asnjë dokument, marrëveshje apo dakordësi që cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Kundërshtarët e tyre nuk do të guxojnë ta bëjnë këtë, nëse do vinin në pushtet më 9 shkurt 2025, çka është krejt e pamundur! Nuk do të ndodh për arsyen kryesore, se Donald Trump duket se nuk ka ndërmend të përdorë territoret e t’i ndryshojë ato në Ballkanin Perendimor, sigurisht i bindur se ky lloj operacioni shkakton konflikte dhe nuk mbyll plagë.

Kjo duket gjithashtu nga emërimet e fundit të presidentit të ri amerikan. U tha se Grennell do të jetë sekretar shteti, por në këtë pozicion u përzgjodh një personalitet tjetër anti-soros e kundër perversitetit, Marco Rubio. Duke pranuar faktin se ishte fondacioni Soros në Beograd që hartoi projektin për ndarjen e Kosovës, atëherë automatikisht kjo e bën të pamundur këtë opsion. Donald Trump emëroi një person serioz, që nuk luan me kufij, si këshilltar të Sigurisë Kombëtare dhe njëkohësisht  drejtor të CIA-s, John Ratcliffe, një mik i dëshmuar i Kosovës dhe i shqiptarëve. Këta tre personalitete, bëjnë projektet politike për krizat dhe konfliktet në botë. Asnjë prej këtyre nuk përkrah ndarjen e Kosovës. Ata që ëndërrojnë ndarjen e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së Madhe, qofshin këta serbë apo shqiptarë pro-serbë, kanë filluar tashmë të zhgënjehen.

Ndërkohë zhvillimet e ardhshme në zgjidhjen e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës do të favorizojnë njohjen e plotë të shtetësisë së Kosovës. E di se dikush këtë që po them do ta quajë optimizëm të pabazuar. Por pritet që presidenti Trump çeshtjen e Kosovës nuk do ta zgjidhë më me liderët e Serbisë e të Kosovës. Pakti për Kosovën do të ndodhë në kuadër të zgjidhjes për Ukrainën. Kam bindjen se Vladimir Putin e filloi luftën kundër Ukrainës për Krimenë, pra që ta detyrojë SHBA-në dhe BE-në të pranojnë legjitimitetin e aneksimit të saj. Ndryshe kjo luftë nuk do të kufizohej në lindje të Ukrainës dhe Putin nuk do të kishte toleruar sulmet ukrainase ndaj objektivave brenda territorit rus. Dhe dihen tashmë deklarimet e Putin e Lavrov për paralelizmin midis Krimesë dhe Kosovës, të cilin mund ta lexojmë si formulë të dhënies fund të luftës.

Ka edhe shumë arsye të tjera pse euforikët për sukses në ndarjen e Kosovës nuk do të lumturohen për atë që predikojnë. Por besoj se këto që përmenda më lart, mjaftojnë për të thënë se administrata Trump edhe për Kosovën, sipas të gjitha gjasave, do të jetë më produktive dhe pozitive për Kosovën, sesa administrata Biden e shumë më tepër sesa administrata e Barak Obamës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok