22/12/2024

TENDA E BARDHË E SHKRIMTARËVE OSE LETËRSIA DHE LUFTA

0
u6_Prend-Buzhala

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nga Prend BUZHALA

A duhet ta kemi edhe ne DITËN MEMORIALE PËR SHKRIMTARË?

Sa e sa krijues i kemi që kanë qenë të burgosur apo të përndjekur.

Sa e sa të tjerë të pushkatuar nga regjimet komuniste ose nga regjimet pushtuese.

Sa të tjerë na i mori lufta e fundit.

Sa e sa janë që u ishte ndaluar publikimi e botimi, që u janë konfiskuar e djegur shkrimet e bibliotekat…

Ku është memoriali i përbashkët shkrimtarëve të mëdhenj?

Ku është memoriali i përbashkët i shkrimtarëve të martirizuar, të pushkatuar, të burgosur, të ndaluar e të dëbuar?

Në SHBA shënohet Dita e Përkujtimeve e Shkrimtarëve në një tendë të bardhë në The Mall in Washington, D.C. afër Memorialit të Veteranëve të Vinetnamit. Tenda hap derën e saj, dhe i thërret veteranët e luftës të rrëfejnë ngjarjet…

1.

Edhe ne duhet ta kemi jo vetëm një memorial të përbashkët, por edhe një ditë nderimi për ta, për vetveten, për letrat tona.

Sa e sa shkrimtarë ishin mu në vorbullat e luftës, ndonjëri ndër ta edhe vetë luftëtar.

Ishin në shtjellat e dhimbjes së të dëbuarve, që flinin nëpër pellgjet e shiut e të baltës…

Tubimet e shkrimtarëve mund të zhvillohen nëpër shumë ambiente: nëpër Qendra Evokuese, nëpër universitete e kolegje, nëpër ambiente shkollore, qofshin ato edhe ambiente të objekteve fetare, nëpër librari dhe nëpër biblioteka.

Pse jo, edhe ne ta kemi Tendën tonë të Bardhë, Tendë e Paqes, ku, nga veteranët e luftës rrëfehen ngjarje e përjetime, ose lexohen pjesë ditari a kujtimesh.

Poetët lexojnë poezi e krijime.

Qoftë edhe nëpër sheshe apo nëpër rrugë…

Një komb ishte i prekur nga lufta.

Një komb është i plagosur nga kjo luftë e nga shtypjet e së kaluarës.

Tendat ishin shtëpitë tona të luftës. Ishin shtëpitë tona të shpëtimit.

Në kohë paqeje sa e sa herë jemi ndeshur në tenda të grevistëve të urisë, apo të grevistëve protestues.

Në tendën e sotme të bardhë, secili qytetar e ka rrëfimin e vet të luftës; e ka përjetimin e vet, të vërtetën e vet.

Një tendë në kohë paqeje përfaqson kërkesa esenciale, përfaqëson argumente.

Kështu përhapen ligjërimet për të vërtetën. E vërteta përmes muzikës dhe poezisë, përmes këngës dhe një drame, leximit të një letre apo rrëfimit të një historie.

Lexohen krijime për të vërtetën, për librin, për autorë të ndaluar e të përndjekur.

Përgjithësisht për të vërtetën e qenies sonë nacionale.

E vërteta edukon një komb.

E vërteta në art fisnikëron.

2.

A ka mundur krijuesi letrar t’i mbyllë sytë përballë absolutizmit skllavërues, si nuk i mbylli Ezopi i moçëm? Ovidin e kishin syrgjynosur dhunshëm për shkak të vargjeve të tij, kurse perandori romak, Oktavian Augusti, e kishte kërcënuar me vdekje Virgjilin, nëse nuk e shkruante një ep për shkëlqimin perandorak. Në shekullin që lamë pas, Mandelshtam e Babel, i lanë eshtrat e tyre nëpër llogoret e Sibirisë, Lorkën e kishin pushkatuar, Cvetajeva u detyrua të vetëvarej; Brehtit të dëbuar nga Atdheu, ia digjnin librat nëpër manifestimet naziste. , që nga Ezopi e këndej, krijuesi letrar është konsideruar si kryengritës i përhershëm, si opozitar i lindur karshi shoqërisë.

3.

Nga ana tjetër, janë qindra krijues shqiptarë që i provuan mbi kurrizin e tyre përndjekjet, burgosjet, privimet, libërdjegiet, pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër, vetëm për shkak të qëndrimit të tyre në anën e atdhesisë, identitetit të rrezikuar shqiptar, humanizmit, demokracisë, ideve largpamëse e vizioneve emancipuese, ashtu sikundër iu ka ndodhur dhjetra humanistëve arbërorë, si Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Leonik Tomeut, Martin Segonit, apo autorëve të Letërsisë së Vjetër Shqipe, si Buzukut, Dhimitër Frangut, Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Lekë Matrangës, Pal Engëllit e engjëllorëve të tjerë, Lukë Bogdanit etj etj, të cilët i përndoqi okupatori turk, i detyroi ta braktisin atdheun apo edhe të vriten nga po ky okupator, më mizori që ka njohur historia e këtij populli në këto anë. Okupatori turk i gjeti arbërorët me universitete e shkolla të larta të frymës humaniste evropiane.

Kështu iu ka ndodhur edhe qindra krijuesve të tjerë shqiptarë që nga vitet njëzet e këndej të shekullit që e lamë pas, të cilët nuk i kanë mbyllur sytë para realiteteve të reja, prandaj e kanë pësuar atë fat, qoftë nga diktatura e Zogut, qoftë nga ajo e regjimit totalitar komunist për pesë dekada rresht. E mandej na vijnë librat e burgut në letërsinë shqipe, tek na shkon mendja te diktaturat e përgjakshme, si në Shqipëri, si në Kosovë: nga njëra anë gjenden të dënuarit, të mallkuarit, të ndarët nga familja e shoqëria, të poshtëruarit; na shkojnë ndër mend skenat e pushkatimit, prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgu, njerëz që s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në të të sëmurë, apo që vdiqën nga torturat a plumbi.

4.

Shkrimtarët përgjithësisht kanë qenë në konflikt me kohën.

Shkrimtarët e mirëfilltë janë të plagosurit e përhershëm të kohës.

Të Plagosurit e Mëdhenj.

Ata kërkojnë Fjalën e Përshtatshme për ta paraqitur Poemën e Mjerimit. Poemën e Luftës e të Paqes.

Kërkojnë Fajlën e Thellë.

Kërkojnë Fjalën Lartësuese …

(Prend Buzhala, 2 maj 2019)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok