05/12/2025

Tempulli i shpirtit hyjnor dhe atij shqiptar është “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë

0
Zoja-Keshillit-Mire

(Reflektim në kuadër të festës së Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Në zemrën e Dardanisë, atje ku dheu flet gjuhën e përjetësisë edhe në gjuhën shqipe dhe fryma e shekujve nuk është venitur kurrë, u shkrua një histori lapidare që nuk është thjesht kronikë ndërtimi, por testament shpirti. Klinës, qytetit të përvuajtur dhe të dashur, i mungonte një zemër që rrihte për Hyjin – një vend i shenjtë i llojit të Pjetër Shkëmbit, ku tingulli i kambanës të përzihej me lutjet e shpirtit hyjnor. Në çdo mëngjes, si rrezet e para të diellit që përkëdhelin gurët e lashtë, shpirtërat e banorëve të saj ngriheshin kah qielli me një lutje që përsëritej me shekuj: “O Zot, ndërtoje banesën Tënde edhe ndër ne!”

Kjo nuk ishte një kërkesë për mure, për dritare apo kulme – ishte një thirrje që dilte nga zemra e një kombi që ka ditur të ruajë besimin e Krishtit përmbi 2000 vite më radhë, edhe kur kruspat e dhimbjes ia kanë këputur gjunjët. Kishte ardhur koha që edhe Klinës t’i falej një dritare qiellore, një kishë që do të ishte jo vetëm streha e sakramenteve, por edhe stolia më e çmuar e shpirtit katolik shqiptar në këto anë të Lugut të Drinit-Dukagjinit. Dhe Zoti, që gjithmonë vepron në heshtje, por me një përpikëri hyjnore, zgjodhi një njeri që s’e kishte pushtuar lavdia e botës, por që e kishte pushtuar drita e Zotit – don Fran Sopin, një nga pinjojt e martirëve të Karadakut, pra, edhe vet ky meshtar i kompletuar vjen si dëshmi e gjallë e atij frymëzimi, duke bartur në vete lavdinë e martirëve dhe fuqinë për ta jetuar me përkushtim binomin e shenjtë të fesë dhe kombit.

Ai, nuk erdhi si arkitekt i zakonshëm, por si një Moisi i epokës moderne, që jo me shkop, por me fjalën, me lutjen dhe me qëndresën, i tregoi grigjës së Tij udhën drejt tokës së premtuar – Kishës që do të lartësohej mbi dhembje e mbi gërmadha.

Më 1 janar të vitit 1993 – një ditë që do të mbetet si një yll i shndritshëm në qiellin e kujtesës, don Frani ynë, i dërgoi Ipeshkvisë së Shkup-Prizrenit një letër që nuk ishte letër, por një psalm i shkruar me pendën e zemrës dhe shpirtit të tij. Me dokumentin zyrtar nr. 1/93, ai kërkonte jo leje për ndërtim, por bekim për ta mbjellë një dritë të re në arën e Zotit. Ai kërkonte ta ndërtonte Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”, një emër që kumbon thellë në vetëdijen historike të kombit tonë – sepse kjo Zojë, kjo Nënë Hyjnore siq njihet edhe si Zoja e Shkodrës, ka qenë gjithmonë strehë, këshilltare dhe udhërrëfyese e shqiptarëve në kohë mjegulle e furtune në kohën e otomanizmit… Por, rruga drejt dritës kalon përherë përmes errësirës. Pushteti okupues jugosllav e serbian i asaj kohe nuk kishte vesh për të dëgjuar zërin e besimit, as sy për të parë nevojën e shpirtit. Heshtja e tij ishte e rëndë, si një gur mbi kokën dhe fytin e popullit që kërkonte të lutej. Me vite të tëra, kërkesa mbeti pezull – si një kandil që digjet, por nuk i lejohet të ndriçojë. Dhe kur, më 6 qershor 1996, më në fund filluan punimet, dorë e errët e armikut u shfaq me tërbim. Themelet u ndalën në mes të rrugës, sikur një këngë të ndërpritej në kulmin e saj. Gurët e parë, të hedhur me dashuri e përkushtim, u shpërndanë nga dhuna si eshtra shenjtorësh, ndërsa sytë e fëmijëve u njomën me lot që nuk ishin të frikës, por të shpresës së shtypur.

Por shpirti shqiptar është si rrënja e lisit: sa më shumë e godet stuhia, aq më thellë ngul këmbë në tokë. Lufta për jetë a vdekje e viteve ’98-’99 u shndërrua në pagëzim për tokën e Kosovës. Dhe kur agimi i lirisë çeli mbi Klinë, erdhi dhe drita për Kishën e saj.

Më 30 gusht 1999, me vendim të Administratës së UNMIK-ut, u nënshkrua leja e ndërtimit – dhe ajo që dikur ishte një ëndërr, tani u bë një thirrje: “Ngrihuni, o bij të Zotit, se shtëpia e Tij po ndërtohet ndër ju!” E gjithë Klinës iu zgjua zemra si një zog që ndjen pranverën. Nuk kishte buxhete shtetërore, as kompani të mëdha ndërtimi – por kishte diçka më të fortë: një popull që dinte të falë, të ndërtojë dhe të besojë. Gur pas guri, lutje pas lutjeje, u ngrit një kishë që ishte më shumë se një ndërtesë – ishte një himn i gurtë, një poemë që ngrihej drejt qiellit, një çati për shpresën.

Ndihma erdhi nga të katër anët – nga mërgimtarët që nuk e harruan vendlindjen, nga të moshuarit që falnin pensionin e tyre për një tullë më shumë, nga fëmijët që sillnin lule, dhe nga gratë që sillnin bukë për punëtorët. Secili dha nga vetja, dhe Zoti i bekoi me gjithçka.

Kur më në fund u përfundua ndërtimi, Kisha “Zoja e Këshillit të Mirë” u bë si një zemër që rreh në qendër të qytetit, duke i ftuar të gjithë në një përqafim hyjnor. Aty kremtoheshin meshët, pagëzimet, kungimet e para, martesat dhe shpresat. Aty fjala e Zotit merrte trup në gjuhën shqipe, dhe Krishti zbarkonte në çdo tryezë altari si bukë e përbashkët.

Në këtë histori të bekuar, nuk mund të harrohet njeriu që i dha shpirt gjithë kësaj vepre, don Fran Sopi. Ai, ishte bariu që nuk iku kur erdhi rreziku, profeti që nuk u lodh nga pritja, njeriu që e deshi Klinën jo me fjalë, por me gjak, me lot dhe me djersë. Për 26 vjet, ai mbajti mbi supe famullinë e Klinës dhe Dobërdolit si një arkë të shenjtë, duke u bërë për shumëkënd si një Krisht i vogël, që u gjunjëzua për të ngritur të tjerët.

Më 14 tetor 2007, me dekret të ipeshkvit Dodë Gjergji, don Fran Sopi, u transferua si famullitar në Kishën “Shën Katarina” në Pejë. Por fryma e tij, lutja e tij, lotët e tij dhe buzëqeshja e tij – mbetën përherë në muret e kësaj kishe. Dhe sot, shumëkush nuk e quan më thjesht “Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë”, por “Kisha e Don Fran Sopit” – si për të thënë se nuk është vetëm vend i Zotit, por edhe vend i kujtesës së shenjtë të një njeriu të Zotit.

Ky tempull qëndron sot si një monument i pavdekshëm i besimit, një altar i lavdisë së Zotit dhe një stacion i përjetësisë për popullin shqiptar të Klinës. Është një dritare nga toka në qiell, një udhëkryq ku takohen historia, shpirti dhe kombi.

Klinë, më 25 prill 2025

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok