22/12/2024

Tek kultura, arti, sporti dhe tradita, duhet të nisë unifikimi i kombit

0
Llesh-Ndoj

NGA LLESH NDOJ – Shkrimtar

Duke marrë shkas nga ndeshja e futbollit mes ekipit përfaqësueses së Shqipërisë dhe asaj të Republikës Çeke, përveçse një event i bukur sportiv, ishte edhe një manifestim i bukur kombëtar. Që nga stadiumi i mbushur plot, veshur me ngjyrat kuq e zi, ku tifogrupet nga zonat etnike shqiptare të Kosovës e Maqedonisë së Veriut ishin ndër më aktivet, tek rrugët e kryeqytetit që gjallëruan para e pas ndeshjes, të cilët festuan deri në agim, deri tek prania e politikanëve më të lartë shqipfolës në stadium etj. Mbi të gjitha do të veçoja ekipin, vërtetë një skuadër që meriton të quhet kombëtare, pasi përfaqëson vërtetë kombin tonë, jo thjesht se ka mbledhur talentët më me shpirt shqiptari (jo vetëm futbollistik!) nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe për funksionalitetin e saj, për shpirtin e garës, për entuziazmin e dashurinë e shfaqur mes tyre në lojë e jashtë saj. Mes këtij entuziazmi, atyre ngjyrave të mahnitshme për çdo shqiptar, me atë qeleshe të unifikuar, ndonëse e modifikuar, me këngën e bukur të heroit Adem Hashari etj, kishim arësye të ndieheshim më shumë shqiptarë! Do kasha dëshirë të rrokja Asanin dhe t’a përqafoja si bir, me gjithë ekranin e tekevizorit, ashtu si Bajramin, Asllanin, Gjimshitin, Berishën, Seferin, Cikalleshin, Mujën, Muçin e secilin, në fushë dhe në stolin e rezervave…

E solla këtë shembull, jo thjesht për kënaqësinë e kësaj fitoreje, por për të vazhduar pak më tej. Mua, si shumëkënd, më shqetëson fakti se shqiptarët historikisht nuk janë treguar të bashkuar e të gatshëm për të reaguar si Një, në fazat e ndryshme të historisë edhe atëhere kur kjo ka qenë jetike për të. Janë të shumta rastet që e mbështesin sa më sipër, e të rralla rastet që flasin të kundërtën. Fatkeqësisht, kjo e vërtetueshme lehtësisht prej kujtdo. Edhe momenti aktual ku ndodhemi, një moment thuajse i artë për të treguar veten në lartësinë e kërkesave të kombit dhe për të zhbërë sadopak padrejtësitë historike ndaj këtij kombi të lashtë e me histori, falë mbështetjes së miqve tanë të mëdhenj, SHBA dhe BE, nuk po shfrytëzohet në favorin tone.

– Pse?

Fatkeqësisht politika jonë, në vend që të ishte pararoja e zhvillimeve pozitive, përbashkuese e integruese, vazhdon të mbetet provinciale e me mendësi feudale, që e tërheq popullin drejt frymës përçarëse e jo në rrugën e duhur. Është e patolerueshme sjellja e qeverive të dy shteteve shqiptare fqinje, Shqipëri e Kosovë, ashtu siç është i pamjaftueshëm reagimi i përbashkët institucional ndaj gjendjes së faktorit shqiptar në Ballkan e të Diasporës kudo në botë. Madje edhe në ndeshjen e bukur të futbollit mes përfaqësueses së Shqipërisë e asaj të Republikës Çeke, të vetmit që “s’ishin bashkë” edhe pse në një tribunë e me një dëshirë, për fitoren e përaqësueses shqiptare, ishin Rama dhe Kurti. Futbollistët përqafoheshin si vllazën, tifizët po e po, të gjithë pa dallim nga ishin, ç’dialekt flitnin apo ç’ngjyrë kishin. Edhe ata çekë i pane, e u panë me simpati…

Rastet, ndoshta të vetmet, kur edhe politikisht gjymtyrët e një trupi ishin të bashkuara janë shpallja e Pavarësisë, çlirimi nga okupatorët nazi – fashistë e lufta çlirimtare e Kosovës, pjesa tjetër e tregon hapur ndarjen politike dhe e diferencon atë dukshëm edhe nga të qënit Një në popull. Unifikimi i popullit tonë drejt të qënit Një, është domosdoshmëri e një çeshtje urgjente, për të patur një zë e një qëndrim të përbashkët drejt integrimeve rajonale e globale, pse jo edhe për t’u bashkuar në trojet tona natyrore kombëtare. Por ky unifikim, fatkeqësisht e jo vetëm si element specifik shqiptar, nuk mund të nisë nga politika. Arti, kultura, muzika, tradita e përbashkët, hyrje – daljet, sipërmarrjet e përbashkëta ekonomike, sporti etj, janë ato element të domosdoshëm që i bëjnë të padukshme diferencat dhe i bashkojnë njerëzit, duke bërë që politika të jetë dytësore në raport me marrëdhënjet njerëzore, emocionet e saj të çlirohen nga negativiteti e të përthithen nga emocionet pozitive vllazërore e kombëtare. Edhe krushqitë, marredhëniet martesore mes zonave etnike shqipfolëse duhet të zhvillohen e ndikojnë në këtë unifikim. Nuk paragjykoj asgjë, por vajzat tona martohen më parë me serbë e maqedonas, se me djem kosovarë, djemtë tanë emigrantë martohen më parë me rumune, ukrainase, kineze, braziliane e marokene se sa me një shqiptare kosovare, dibrane, ulqinake, çame etj. Ndërsa në politikë qëndrojmë në pozita të palëkundura, ku e pranojmë gjithë botën por jo njëri – tjetrin, megjithse ne flasim një gjuhë, pavarësisht diferencave dialektore, kemi zakone e tradita të njëjta.

– Çfarë na pengon që të unifikojmë programet shkollore në lëndët bazë e në arsimin bazë në të dy shtetet shqiptare e të ndihmojmë për këtë edhe në Luginë, shkollat shqipe në Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi? Kemi para plot, e në vend që t’i japim ato pa hesap nē PPP – ra le t’i investojmë këtu ku është e ardhmja, apo në rrugë lidhëse, në zhbërjen e kufive, në ndërtime e investime  të “përbashkëta” e panshqiptare të porteve, aeroporteve etj. Të gjithë kënaqemi me muzikën shqiptare, qoftë kosovare, të shqiptarëve nën sundimin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, me këngën labe, çame, popullore të Elbasanit, Shkodrës e Kavajës e të çdo treve tjetër, por sa koncerte të përbashkëta zhvillojmë në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ohër e Ulqin? – Pse nuk punojmë që Instituti i Kulturës Popullore të marrë përmasa mbarëkombëtare? – Pse nuk punojmë të kemi institute si ai i historisë, apo akademi shkencash të përbashkëta kombëtare? Serbia ngre akademi shkencash për t’a zhbërë historinë tonë, kryesisht atë dardane, kurse ne e ndajmë historinë tonë kombëtare në parcela, që ajo të “gëlltitet” më lehtë e më shpejt nga sllavët, grekët, maqedonët, bullgarët… Nuk është rastësi që Lahuta, ajo vegël muzikore që ka ekzistuar që nga fiset ilire, na la shëndenë, qeleshja e stilizuar sipas orekseve, ndoshta shpejt s’do quhet më e jona, polifoninë e bukur mund t’a “kërkojnë” kombësi të tjera. Një ditë e copëtuar dhe e pa unifikuar mes veti edhe gjuha shqipe ndoshta do konsiderohet e huaja, e kjo jo vetëm në diasporë ku shtetet shqiptare nuk marrin asnjë masë për t’a ruajtur e kultivuar atë ndër emigrantët e breznisë së dytë e të tretë, por edhe në Kosovë e Shqipëri, ku shqiptarët preferojnë të flasin një gjuhë përtace me fjalë të tilla si klm – ra, flm – ra, daku e baku, që një Zot e di nga kanë mbirë, deri edhe kinezçe. Zhvillimi sjell me vete pashmangshmërisht edhe ndikime reciproke gjuhësore, kulturore, por kjo nuk duhet të jetë justifikim për gjendjen e krijuar. Përkundrazi, kjo duhet të bëhet këmbanë alarmi për qeveritë, partitë politike, institutet e institucionet kulturore, gjuhësore e shkencore, për nevojën e një reagimi përmes një programi kombëtar unifikimi e konservimi të atyre që e bëjnë shqiptarin shqiptar, sa të njejtë po aq edhe të ndryshëm me popujt e kombet e tjera.

Le të nis ky unifikim me futbollin, një kampionat superior e një kombëtare, me arsimin bazë (jo vetëm abetaren), me institutet e historisë, folklorit e shkencave, me Ansamble Kombëtare të këngës e valles shqiptare, me… Oh sa shumë gjëra të përbashkëta kemi! Por fatkeqësisht politika, që më së shumti na ndanë, ka pushtuar mendjet tona e hapësirat mediatike në të gjithë anët e kufirit absurd shqiptaro – shqiptar!

LLESH NDOJ

13 tetor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok