27/04/2024

Të kërkohet anulimi i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Klasa e papërgjegjshme politike me këta liderë të korruptuar dhe të tejinkriminuar për dy dekada rresht e shkatërruan shtetin e Kosovës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë diplomatik. Tre viteve të fundit, nga papjekuria dhe naiviteti i klases aktuale në pushtet është rrezikuar seriozisht ekzistenca e shtetit të fituar me mund të madh dhe sakrifica të panumërta.

Nga krimi i organizuar në rrezikim të shtetit

Përveç përfshirjes së pjesës dërmuese të liderëve partiak në krim të organizuar, politikanët e shkatërruan shtetin në mënyrë sistematike dhe në baza ditore, duke i shkaktuar dëme të pariparueshme.

Klasa e papjekur politike apo më mirë të themi naivët politikë të Kosovës, përveç humbjes së besimit tek qytetarët e vendit, e kanë humbur besimin edhe tek ndërkombëtarët shkaku i gënjeshtrave dhe mashtrimeve që iu bënë në vijimësi qytetarëve, skandaleve dhe abuzimit të pushtetit për interesa personale si dhe lojes më fjalë rreth marrëveshjeve ndërkombëtare.

Edhe pse 15 vjet shtet i pavarur dhe mbi 24 vjet në liri, Kosova është shndërruar në shtet të krimit të organizuar dhe i nëntokës të mafio-oligarkëve, pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim cilësorë dhe me gjysmanalfabetë, pa shëndetësi e me shumë të sëmurë, pa e kontrolluar tërë territorin e vet, pa e njohur Kosovën si shtet të vetin të gjithë qytetarët e saj, pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në Evropë e pa shumçka tjetër bazike për jetë normale të qytetarëve.

Klasa politike e kriminalizuar, pa dallim pozitë dhe opozitë, përveç degradimit dhe humbjes së imazhit të shtetit, e kanë vënë në pikëpyetje edhe ekzistencën e shtetësisë së Kosovës.

Liderët shtetërorë për t’i ikur marrëveshjes për Asociacionin, më shumë e promovojnë luftën sesa paqen, thuajse Kosova është pronë private e tyre!

Kësisoj po rrezikohet ekzistenca e shtetit të Kosovës, pikërisht nga kjo klasë naivësh politikë pa përjashtuar të paren e shtetit dhe as njërin lider apo parti politike aktuale në Kosovë.

Eksperimentet e rrezikshme kriminale në veri

Nga protestat e serbëve të veriut në muajin Maj e deri tek sulmi i 24 shtatorit në veri të vendit, gjithçka ishte një testim dhe eksperiment i rrezikshëm për jetën e qytetarëve, Policisë së Kosovës dhe pjestarëve të KFOR-it.

Dështimi i planit serb në veri më 24 shtator, nuk e nënkupton mposhtjen përfundimtare të Serbisë, e cila do të kërkojë pretekst të ri për invazion në veri të vendit dhe destabilizim të rajonit në përgjithësi.

Edhe më tutje mbetet shqetësues hezitimi i bashkësisë ndërkombëtare për ndëshkimin dhe sanksionimin e Serbisë për sulmin në veri, me justifikimin e “mbledhjes së fakteve” edhe pse ato janë të shumta dhe të pakontestueshme nga askush!

Heshtja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas sulmit terrorist në veri, nënkupton mbrojtjen në heshtje të Serbisë dhe anashkalimin e rrezikut që i kanoset shtetit të Kosovës.

Pas sulmit në Veri, lidershipi ynë pa humbur kohë duhet t’i kërkojë KS të OKB-së heqjen e Rezolutës 1244, e cila e njeh sovranitetin e Serbisë në Kosovë, ku këtë të fundit e trajton si territor të papërcaktuar.

Pra, liderët shtetëror duhet ta lënë gjuhën e patriotizmit në raport me ndërkombëtarët. Në vend të heroizmit dhe trimërisë, duhet të flasin dhe kërkojnë veprime energjike të bashkësisë ndërkombëtare për presion më të madh kundër presidentit Vuqiq, përkatësisht të kushtëzimit me heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, e cila e përcakton Kosovën pjesë integrale të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok