23/12/2024

TË VËRTETAT E PA THËNA NGA ELEFTHERIA MANDA NË: ÇAMËT MYSLIMANË TË EPIRIT (3-4)

0
u6_Fahri-Dahri

Nga Fahri Dahri

PJESA E III

– Shpifja, ashtu si edhe fyerja, janë vepra penale, pasi kanë të bëjnë me aspekte nga më delikatet e jetës së përditshme, siç janë nderi, dinjiteti dhe reputacioni si për persona të ndryshëm dhe për komunitetet e popujt, prandaj janë të aplikueshme edhe në përvojat juridike, në doktrinën botërore. Shteti grek, në realizimin e strategjisë së cituar më lart, kundër çamëve myslimanë, ka përdorur me sukses edhe shpifjen. E faktojmë:

  1. a) Nga viti 1913 deri para kryerjes së gjenocidit, e gjithë propaganda greke i përmbahesh teorisë se çamët myslimanë nuk ishin autoktonë, por të ardhur gjatë periudhës së sundimit otoman, nuk kishin ndërgjegje kombëtare dhe se gjuhën shqipe ua mësuan bejlerët, spahinjtë, dhe u mbështetën në një komb alien në sekond etj.
  2. b) Ndërsa pas genocidit, po teoritë greke në shpifje marrin trajta të tjera, si çamët myslimanë ishin fise të lashta greke, por duke ndërruar besimin fetar, ata tradhëtuan kombin dhe, si jogrekë nuk mund të jetonin në vendin e grekëve, pra, në sekondë u trajtuan si komunitet i padëshiruar në Greqi.

Nuk besoj se ka qendrime më të qarta për tu njohur me racizmin e pastërt fetar. Megjithatë racizmi grek ka mbetur i pandëshkuar, sepse është brenda strategjive të ndarjeve të popujve në dy fronte,me kriterin sipas besimeve fetare. Dy qëndrimet e mësipërme greke ndaj çamëve myslimanë, tregojnë qartë synimet duke përdorur taktikat shpifëse të shkrimtarëve, shkencëtarëve, historianëve dhe shtetarëve grekë. Mjerisht z. Manda nuk arrin t’i kuptojë kolegët e saj, sidomos ata të djeshmit, të cilët hodhën trasetë e vazhdimit të shumë shpifjeve dhe gënjeshtrave ndaj çamëve, por, për fat të mirë, çdo lexues i vëmëndshëm, me leximin e librit të E. Mandas arrin t’i kuptojë ato me lehtësi.

* Gënjeshtra dihet, është mashtrim në trajtën e një të pavërtete të shprehur me qëllim mashtrimin, ose ndryshe është shprehja e diçkaje kur njeriu e di se është e tilllë, por bëhet e qëllimtë që të tjerët ta pranojnë si të vërtetë. Gënjeshtra e mashtrimi, ku përfshihen maskimi, falsifikimi, fshehja e fshirja, janë veprime të qëllimta tek pala greke për të krijuar përfytyrim të gënjeshtërt për çamët myslimanë, me synim plotësimin e betimit në asamblenë megalloideiste.

Në kohën kur rajoni ishte nën sundimin italo-gjerman, pala greke i kallzonte çamët si mbështetës të partizanëve; ndërsa anglo-amerikanëve, u a kallzonte si mbështetës të gjermanëve. Kështu i njëjti komunitet, sipas palës shpifëse greke, luante me dy porta gjë që është e pamundur, sidomos në kohë luftërash botërore, por ja që shpifjet dhe mashtrimi grek kolisi (ngjiti) tek të dyja palët (gjermanët dhe anglo-amerikanët)!!.

Një vend tepër të veçantë studimi i kushton periudhës së luftës italo- greke, ku përqëndrohet tek elementi çam, i cili nga ndonjëherë na paraqitet me një autoritet më të fuqishëm se ai i pushtuesve italianë dhe gjermanë. Por, autorja “harron” dhe u a heq ato mbivlerësime të forcës së imagjimuar ushtarake çame, me deklarimet se prefektura e Thesprotisë drejtohej nga prefektët, nënprefektët dhe gjithë nëpunësit e administratave të rajonit, vetëm me persona të kombësisë greke. Ndërsa pretendimi se në kohën e pushtimit italian dhe gjerman meshkujt çamë, nga mosha 14 vjeç e sipër, ishin veshur me uniformat e atyre ushtrive kundër palës greke, kemi të bëjmë vetëm me mashtrime dhe gënjeshtra. E vërteta është krejt ndryshe. Para ardhjes së dytë të ushtrisë italiane, autoritetet greke i grumbulluan 6.000 meshkujt çamë, nga mosha 16 vjeç e lart dhe i internoi në ishujt e Detit Egje (një fakt tepër i njohur dhe i vërtetë). Kur ushtria gjermane hyri në Selanik dhe pushtoi Greqinë, meshkujt çamë i gjeti në kampet greke të përqëndrimit. Historiania nuk e trajton veprimin e shtetit grek, ku gjashtë mijë djem dhe burrat çamë qëndruan gjashtë muaj në ksori (internim), larg familjeve, pa asnjë arsye apo gjyq dhe se nga keqtrajtimet në ato kampe vdiqën nga torturat 500 çamë. As faktin që gjatë asaj periudhe, nëpër qytetet dhe fshatrat e Çamërisë, ku kishin mbetur vetëm gra dhe fëmijë, vërshuan vjedhësit, bandat vrasëse, kriminelët grekë të rajonit dhe kretezët duke plaçkitur dhe shkatërruar gjithçka.

Autorja trajton edhe çështje të tjera në studim. Në shtjellimin e shkollimit, ajo përpiqet me shumë vështirësi të justifikojë mos hapjen e shkollave shqipe. Lidhjet bëhen edhe me minoritetin grek në Shqipëri, i cili na u paska përdorur si kundërpeshë nga shteti shqiptar. Me pak mend ky shtjellim duhej evituar, për arsyen se shteti shqiptar i kohës nuk mund të trajtonte territorin ku banonte minoriteti grek, tokë shqiptare, për ta këmbyer me territorin e Çamërisë që ishte po tokë etnike shqiptare!.

I dhimshëm dhe i sikletshëm është niveli i paaftësisë për mos dallimin e pasojës, të cilën e përdor në vend të shkakut. Në librin e saj popullsinë myslimane, e bazuar në përshkrimet e autoriteteve lokale të kohës, e cilëson se ishin njerëz të thjeshtë, me nivel të ulët kulturor, të pashkolluar, kur ajo e din fare mirë se shkollat shqipe nuk lejoheshin nga shteti grek, gjithashtu nuk shkruhet asgjë për mos hapjen e shkollave shqipe, për çamët ortodoksë (të cilët autorja nuk arrin t’i kuptojë që edhe ata janë të etnisë shqiptare) dhe akoma më shumë shteti grek ende nuk i njeh si pakicë kombëtare shqiptare. Nuk ndalet as tek qellimet e veprimeve të moshapjes së shkollave shqipe, por ishin hapur vetëm shkolla greke në rajon, që këto shkolla shteti grek i përdorte për asimilimin e dhunshëm të çamëve. Autorja vazhdon trajtimin e rasteve të veçanta si të përgjithshme, ku çamët dalin përherë protagonistë të së keqes, periudhën e luftës e paraqet shpresë dhënëse të çamëve. Aspekte të tjera krijojnë idenë sikur gjatë asaj periudhe çamët paskan shkuar në fshatrat e Greqisë, ku kanë vrarë, djegur fshatra, dëmtuar pronat e grekëve etj, kur dihet fare mirë se ishin banditët e Napoleon Zervën, që shkuan në Çamëri dhe kryen masakrat e tmerrshme.

Nëpërmjet zj. E. Manda, pretendimeve greke se çamët paskan qenë më të këqinjtë e asaj kohe dhe që i trashëgojnë edhe bijtë e tyre, sipas udhëheqësve të sotëm grekë, po i vë përballë thëniet e studiuesit grek të asaj kohe, z. Niko Zhangu: “Në zonën e Gumenicës dhe të Filatit ishte bërë rregull që asnjë grup i rezistencës greke nuk dilte në zonat e lira pa qenë i shoqëruar nga një shqiptar çam.

Pikërisht për këtë veprimtari e sakrificë, jo pak çamë dolën para gjykatave të pushtuesit gjerman dhe u burgosën”. Më tej studiuesi grek, z. Niko Zhangu deklaron: “Sikur shqiptarët çamë të ishin kriminelë, do të zhdukeshin të gjitha fshatrat e krishterë të Thesprotisë rreth fshatrave shqiptaro-çamë”.

Qarqet shoviniste greke për të nxitur përçarjen midis dy komuniteteve, ndihmuan në vrasjen e çamëve me influencë si: Tefik Qemalin, Jahja Kasemin, vrasjet e shqiptarëve të tjerë nga çeta e Koçnikollës. Të revoltuar nga këto akte, një grup çamësh shkuan për të djegur fshatin Rahul (me banorë të krishterë), por u doli përpara popullsia e Karbunarit, një fshat i madh i përbërë prej çamësh myslimanë, dhe i ndaloi. Edhe pse Rahuli shpëtoi nga një katastrofë e sigurtë, “më pas bandat e Zervës therën edhe gratë dhe fëmijmët e atyre që shpëtuan Rahulin (Rackouli)”, pra, vranë banorët e Karbunarit. Në këto rrethana, për mbrojtjen e banorëve të Çamërisë, u formua një batalion i cili kishte afro 300 veta. Në të vërtetë batalioni nuk veproi brënda kufirit shtetëror grek, por ai vepronte brenda kufijve të shtetit shqiptar. Duhet theksuar se arsyeja që këto forca vepruan jashtë kufirit grek ishte, pasi gjermanët nuk donin të prishin marrëdhëniet me qeverinë kuislinge të Ralisit (Ralis, dihej ishte nazist, pro gjerman).Këto të vërteta, duheshin shkruar në librin “Çamët myslimanë të Epirit”. Mirëpo, nëse do shkruheshin të vërtetat, do binin gënjeshtrat, do pohohej bashkëpunimi i qeverive greke me okupatorin, do rrëzoheshin shpifjet për bashkëpunim të çamëve myslimanë me okupatorin. Më shqip, rrëzohet strategjia 200 vjeçare e “Megalloidesë”. Gënjeshtrat dhe mashtrimet e palës greke ndaj komunitetit çam, kanë qenë të pandërprera, janë evidente, të qarta, të shkruara dhe të njohura. Është për të ardhur keq, por ndaj komunitetit çam që u shpërngulën dhe erdhën në Shqipëri, edhe rregjimi monist shqiptar përdori forma denigruese, si heshtjen, censurën e egër nëpërkëmbjen etj. Nuk është vendi për t’i shtjelluar këto fakte të turpshme, pasi janë trajtuar me hollësi, sidomos në literaturat pas viteve dymijë nga autorë shqiptarë, grekë, dhe të huaj, si dhe nga bijtë e Çamërisë që janë rritur e shkolluar jashtë vendlindjes së prindërve, por me mbartjen në ndjenjat e zemrat e tyre dashurinë, dhimbjet e të parëve.

* Narcizmi. Nuk mund të lihet mënjanë narcizmi i shtetit grek, i cili idealizon në mënyrë të tepruar besimin e tij fetar, e fetishizon atë, i thurr lëvdata të pa fund derisa kalohet në egocentrizëm dhe aspak ndjeshmëri (empatikë). Është e drejtë e tij, askush nuk ndërhyn, ndërsa diktati për ta shtrirë forcërisht tek popujt dhe shtetet e tjerë, është e papranueshme, agresive, acaruese, shkaktare e trazirave të pandërprera mes fqinjëve. Ky narcizëm, i lindur që prej shekullit XIX në Greqi, krijoi vendosjen e racizmit etnik dhe fetar, që u vërsul gjatë dy Luftërave Botërore dhe atyre Ballkanike ndaj popujve, komuniteteve etnike jogreke si brenda dhe jashtë teritorit të tij.

Në përfundim, arrim në konkluzionin se çështja për të cilën trajton autorja, do të ishte e plotë dhe do t’u jepte mundesi lexuesave për të gjykuar me drejtësi dhe paanësi po të ishte shtrirë në kohë dhe hapësirë, si dhe përfshirja në ‘të e politikave social-kulturore, ekonomike dhe etnike të ndjekura nga shteti grek ndaj shtetasve të saj, çamëve ortodoksë me etni shqiptare dhe me banim në trojet e tyre autoktone.

Në normalitet vlerësimi për një sipërmarrje arrihet kur gjithçka niset nga fillimi dhe çohet deri në fund, ndryshe duhet pranuar anësia në gjykimin e tyre, mungesa e dëshirës për pasqyrimin e të vërtetave të fshehura e të fshira nga propaganda shumëvjeçare të cilat nuk njiheshin dhe kur zbulohen gjatë hulumtimeve se nuk janë ato që priteshin, detyrojnë shkruesit të bëjnë spostime në kohë dhe në hapësirë, pa përjashtuar edhe censura të caktuara.

E ndodhur para këtyre fakteve

historike, të cilat përgënjeshtrojnë shpifjet, gënjeshtrat dhe mashtrimet greke, autorja modestisht dhe me sinqeritet, pranon ekzistencën e gabimeve brenda në tekstin e librit të saj dhe i gjykon si të paevitueshme me shpresë se me botimin e librit, do të kontribuohet për korigjimin e tyre.

Bazuar në këtë dëshirë-kërkesë të autores, u përpoqa të sjell disa prej të vërtetave që nuk thuhen në librin e z. Manda. Njëkohësisht për këtë ndjenjë përgjegjshmërie të autores, sinqerisht e falenderoj dhe i uroj punë të mbarë e të pavarur në jetën e saj studimore.

Pjesa e IV

Konkluzion tjetër që nxjerrim nga leximi i librit të E. Manda, është se vërtet studiuesit tanë duhet të njihen me botimet e ndryshme, pavarësisht nga kornizat e standardeve shkencore të botimeve. Kjo na siguron informime për çështje të ndryshme, na ndihmon në përpunimin e qëndrimeve, na jepet mundësia e përgënjeshtrimeve të shpifjeve, gënjeshtrave, mashtrimeve etj. të cilat e kanë mbushur tregun social, duke bërë propagandë gjoja në emër të shkencës.

Konkluzion tjetër me rëndësi në gjykimin tim, është përgjegjësia dhe kujdesi që kanë përkthyesit, parathëniet qoftë ato që bëhen nga përkthyesit, shtëpitë botuese apo institucioneve përkatëse.

Kam lexuar shrime të shumta për çamët myslimanë të Thesproti/ Çamërisë, prej autorëve të huaj dhe grekë, të cilët e kanë trajtuar çështjen periodikisht por të shkëputur, të njëanshme, të shtjelluar me metodat e njohura, ku e veçanta trajtohet si e përgjithshme. Ajo që më ka lënë mbresa të thella, deri diku edhe keqardhje, janë konkluzionet e nxjerra, të cilat janë thellësisht dhe forcërisht të bazuara tek kriteret fetare, ku rezulton qartë diktati i besimit ortodoks, i cili çvlerëson besimet dhe besimtarët jo-ortodoksë, i quan tradhëtarë të kombit grek dhe si të tillë duhen poshtëruar, vrarë, shpërngulur nga atdheu i tyre. Të infektuar nga kjo ideologji, si taktikë për zbatimin e strategjisë famëkeqe të “Megalloidesë”, të gjithë autorët, sidomos ata grekë, në trajtimin e problemit të çamëve myslimanë të Çamërisë, mbeten skllevër të njëri- tjetrit, përsërisin sloganet e vjetra ku fajësohen si shkaktarë të atyre ngjarjeve banorët myslimanë, ndërsa kisha dhe shteti grek paskan bërë “përpjekje maksimale për t’i ndihmuar”.

Ngjarjet e vrasjeve të banorëve të Paramithisë të qershorit 1944 dhe vrasjet e kryera në Filat gjatë fundvitit 1944 dhe fillim vitit 1945, autorja do bënte mirë të mos i shkruante, për arsye se trajtimi i atyre masakrave nga historiania, gjoja si veprime të dala jashtë kontrollit të urdhërave, apo se forcat e Zervës na paskan çliruar qytetin, janë qartazi mashtrime dhe të pavërteta. Ato çvlerësojnë tërësisht studimin e saj, kjo sepse në qytetin e Paramithisë nuk u zhvillua luftë (ushtria gjermane ishte larguar nga qyteti kur bandat terroriste greke u vërsulën mbi popullsinë e pa mbrojtur dhe e shqyen atë); gjithashtu dihet fare mirë dinakëria greke e përdorur me parinë dhe banorët e qytetit të cilët u prenë në besë nga kasapi Zerva dhe kriminelët e “pabindur” të tij.

Taktikën e premtimeve u përpoqën ta ushtronin edhe në Pargë, Margëllëç dhe Gumenicë, por nuk arritën dot t’i mashtronin të deleguarit dhe, afati për dorëzimin, u kërkua jo për arsyet që jepen në libër, por për të fituar kohë për të larguar familjet që ti shpëtonin nga masakrat. Krejt ndryshe janë zhvilluar ngjarjet e masakrave të Filatit, edhe ata u mashtruan nga premtimet e marra për tu rikthyer, por u gjendën para masakrave të llahtarshme dhe me dijeni të plotë të qeverisë greke dhe misionarëve anglezë. Gratë dhe fëmijët e Parammëthisë, të internuara në vendqëndrimet e Filatit, të cilat u mbajtën mbi tre muaj, autorja vetëm sa na i përmend, por nuk ndalet tek torturat e ushtruara ndaj tyre, as nuk e nxjerr shkaktarin, po ashtu dhe për gratë dhe vajzat pargaljote që u rrëmbyen dhe nuk dihej se ku i çuan, ata, “të pabindurit” e z. Historiane.

Absurditet qesharak, naiv e tepër mashtrues.

Megjithatë, gjatë leximit të këtij libri, arrihet të kuptohen të vërtetat dhe kjo falë paaftësisë profesionale të autores, e cila në përpjekjet e bëra për ti treguar ngjarjet në favor të palës greke, zbulon mashtrimet, shpifjet dhe egërsinë e ortodoksisë së tyre.

Për marrëdhëniet e shtetit grek me komunitetin e atij rajoni, gjatë periudhës 1913 deri në vitin 1945, për disa arsye kanë munguar shkrimet nga pala e çamëve myslimanë, edhe kur ndonjë autor i zonës (çam ortodoks) bënte përpjekje për tregimin e së vërtetës, izolohej dhe shkrimet e tyre nuk arritën të qarkullonin. Në kushtet e boshllëkut ë krijuar dhe në mungesë të shkrimeve opozitare, përfituan gramatikonjtë grekë dhe në revan me njëri-tjetrin shpifën, mashtruan, gënjyen, duke akuzuar viktimën fajtor, ndërsa ofiqet ishin për fajtorin e viktimës. Në këtë rrugë ka ecur edhe autorja, e cila nuk ka sjellë të reja historike apo shkencore, por shtjellon thëniet e vjetra në një kohë të re.

Çamët myslimanë ishin viktimë e dy realiteteve të rëndësishme:

* Së pari, u bënë viktimë nga mospranimi i besimit ortodoks, gjë e cila po të ndodhte, do të ndërronte etnitetin nga shqiptar në grek, siç ndodhi me ndërrimin e besimit nga banorëtt e dy fshatrave të vegjël të rajonit, që u kthyen nga myslimanë në ortodoksë, apo dhe disa individë, të cilët shpëtuan nga masakrat e dëbimi dhe hapësira territoriale e rajonit do të përjetësohej si tokë greke;

* Së dyti, u viktimizuan pasi ishin etni shqiptare dhe territori i banimit ishte vazhdimi jugor i shtetit shqiptar, gjë që sillte siklet tepër shqetësues për Greqinë dhe ortodoksinë.

Përfundimisht “çamët myslimanë të Çamërisë”, në pamundësi për t’u përballur me egërsinë shtetërore dhe kishtare greke, armatë mbi 300 herë më e madhe, me pseudo shkrimtarët, shkencëtarët, historianët dhe strategët ushtarakë (fatëkeqësisht i mungonin krejtësisht palës çame), në përdorim të suksesëshëm të taktikave shpifëse, mashtrimeve, gënjeshtrave, grabitjeve, vrasjeve, përdhunimeve, dëbimeve, të hartuara dhe të urdhëruara nga kisha dhe shteti ortodoksgrek, mbetën “Fajtorë” pa faj. Ndërsa fajtori, si thotë Volteri, mbajti një fjalim prekës. “Në varrimin e së vërtetës, gënjeshtra mbajti një fjalim prekës!”

Me përgjënjeshtrimin e thënieve jo të sakta, të shtrëmbëruara në librin e E. Manda, në fund del qartë se “si ata që i fabrikojnë shipjet, mashtrimet dhe gënjeshtrat, apo ata që i përsërisin, bëjnë sikur i besojnë, por i përdorin për të mashtruar të tjerët, atyre që u pëlqejnë këto vese neveritëse.

Studjues i trevës së Çamërisë

Fahri Dahri.  më 17/04/2021.-

Shënim(1): Artikulli postohet për botim për dy arësye:

  1. a) Me rastin e 77 vjetorit të gjenocidit grek ndaj çamëve, me dëshirën për t’ju ardhur në ndihmë gjithë dashamirësve të Atdheut, në njohjen e historisë dhe të banorëve të Çamërisë.
  2. b) Për të plotësuar kërkesën e disa miqve dhe shokëve, të cilët kanë shfaqur interes të veçantë për tu njohur me të vërtetat e “Çështjes Çame” dhe me qendrimet e shtetit grek ndaj pakicave etno-fetare.

Fund

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok