21/12/2024

TE VARRI I LAL AVDIUT NË ZAJS TË SELITËS

0
Lal Avdiu 2

Nga Nikollë Loka

Jeta njerëzore rrjedh midis të zakonëshmes dhe të jashtëzakonshmes,…dhe kujtesa përzgjedh gjithmonë të jashtëzakonshmen, ndërsa e zakonëshmja mbetet për pak kohë, mbi të vjen e ardhmja që e shlyen shpejt. Ngjarjet që përsëriten ia zënë vendin njëra-tjetrës, siç bëjnë dhe ditët, javët, muajt e vitet. Jeta kalon në mes të monotonisë dhe ngjarjeve që mbeten, ndërsa beteja e njeriut nuk është vetëm për jetën, por edhe për trashëgiminë e pas vdekjes. Edhe Avdi Cara do t’i ishte nënshtruar procesit të harresës, sikur mos të kishte zgjedhur një mënyrë krejt origjinale për të jetuar gjatë në kujtesën e njerëzve të tij. Në prag të vdekjes, ai la amanetin e pazakontë që mos të varrosej në varrezat e fisit, por në mal, atje ku e kishte kaluar jetën, lartësive të bjeshkëve. Asnjë arsyetim nuk dha për këtë vendim të tij, të cilin fillimisht ia komunikoj fisit Cara, pastaj vllaznisë së vet dhe në fund djemëve. Me këtë veprim, Avdiu ka dashur ta lërë emrin e tij dhe të fisit Cara në bjeshkë, t’u tërhiqte vëmendje Carajve që ta kthenin kryet nga Valmori dhe ta shihnin atë mal si mirëbërës. Ndërsa varri i tij midis burrave të tjerë të Carajve nuk do të përcillte asnjë mesazh, do të ishte një banesë e përjetëshme mbi të cilën do të vepronte logjika e harresës prej kohës.

Avdiu kishte kaluar një pjesë të kohës në male, me të tjerë dhe në vetminë e tij. Kishte komunikuar me malin përmes kodeve të fshehta të komunikimit, ndoshta dhe e kishte tërhequr shumë ai vend, prandaj kishte vendosur që ta ketë varrin atje. A nuk thotë populli “ishte një vend shumë i bukur, me t’u kandë me vdek”. Nuk ka vlerësim më të madh se aq. Kalimi pranë një varri në bjeshkë, për udhëtarin e panjohur do të shoqërohej me një sërë pyetjesh: Si, qysh dhe përse? Ai mezi do të priste që të informohej më gjatë, kështu emri i të varrosurit në mal dhe i fisit të tij do të qarkullonte në një hapësirë të madhe gjeografike, e do të përmendej më shumë. Por varri, si çdo bujtinë e përjetëshme e një njeriu, i identifikuar përjetësisht, do të fitonte dhe disa atribute të shenjta, ndër to dhe adhurimin prej njerëzve. E filluan Carajt para disa vjetësh dhe tani po i bashkohen të afërm, bashkëfshatarë, shokë dhe miq të tyre. Pas kësaj që po ndodh, mund të flasim më qartë për ndikimin e atij varri të njeriut të mirë me emrin Avdi Cara në jetën e komunitetit të banorëve të Zajsit dhe të krejt Selitës. Kështu, në Zajs, gradualisht, po futet një festë e re, dita e varrit të shenjtë të Lal Avdiut. Kjo festë është kujtim për të vdekurin, por edhe të vdekur të tjerë të asaj ane, është një nderim për fisin Caraj, por edhe një krenari për të gjallët e këtij fisi.

Carajt e Selitës

Vendi i parë i banimit të Carajve është Zajsi i Selitës. I vendosur në dy anët e lumit të Urakës, Zajsi është ndër vendbanimet më të hershme të Selitës, pasi është e natyrëshme që jetesa të ketë filluar në brigje të lumenjve. Emrin e Zajsit, studiuesi Preng Gjika e arsyeton si të ardhur nga fjala “zajë” që do të thotë: kokrriza rëre, zalli. Sipas këtij autori, që në studimin e tij rreth formimit të fiseve të Mirditës, ka grumbulluar dhe sistemuar shumë gojëdhëna të prejardhjes në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar “në Pandrra qenë trojet e herëshme të fisit Kokaj”.  I pari i fisit paraqitet njeri i zakonshëm, që kujtohet me nderim nga paraardhësit. “Kolë Gjin Koka i këtij fisi kishte dy djem: Prengën dhe Gjonin. Prenga pati tre djem: Nokun, Burakun e Caranin. Gjoni pati dy djem: Gjoçin dhe Daçin”. Kur Cara u nda, i takoi kazani i rakisë, që në atë kohë çmohej si shumë me vlerë për një konak. Cara (Carani), i tabanit, ishte djali i vogël dhe i takoi të trashëgonte trojet e vjetra. Gojëdhanat, na bëjnë me dije se fillimisht Carajt i kishin trojet në Pandrra, por në rrjedhën e viteve ato u zgjeruan në lagje të reja si: Çetë e Gurrë si fillim, pastaj Sarakol, Lgjatëdushk e Tharri, ku kanë troje edhe fiset: Buraku, Ndoku e Arapi. Toponimia përbën një lëndë të vlefshme që mund të plotësojë në një masë të mirë mungesën e dokumenteve të shkruara. Ajo mbetet “arkivi gojor” i historisë dhe lashtësisë.

Nga pikëpamja fetare Zajsi, si pak fshatra në Mirditë, ka popullsi të përzierë fetarisht,  pa asnjë paragjykim ndaj tjetrit, me shpirt të hapur dhe tolerant që e sheh ndryshimin si vlerë dhe pasuri. Nga të pesë fiset: Cara, Buraku, Arapi, Noku, Beci, fisi Caraj është i besimit mysliman, por, edhe te vëllai i Carës, Buraku, ka emra e mbiemra myslimanë si: Pjetër Osmani, Sali Buraku.

Zajsi përmendet së pari në relacionet kishtare të vitit 1703 dhe përbëhej nga 8 shtëpi, të gjithë  banorë katolikë. Në vitin 1802, rreth tetë breza më parë, pra në fillim të shekullit XIX, në relacionet kishtare dalin katër shtëpitë e para të islamizuara të Selitës, që ishin nga Gjoçajt. Ndoshta ende në Zajs nuk kishte filluar konvertimi fetar. Por procesi i islamizimit kishte ecur shpejt, pasi në vitin 1848, në Selitë shënohen 40 familje katolike me 450 banorë dhe 27 familje myslimane me 200 banorë. Është afërsisht përqindja në mes të dy besimeve fetare që ekziston edhe sot, prandaj mund të themi se gjatë kësaj periudhe kishte përfunduar dhe procesi i islamizimit në Zajs, që e la përqindjen fetare. Si kudo në Selitë, edhe në Zajs, festimi i përbashkët i të gjitha festave fetare ka qenë dukuri e pashmangshme. Fisi Cara, pas kthimit në fenë islame, shërbimin shpirtëror e ka kryer në xhaminë e fshatit Gjoçaj, ndërsa varrezat i ka pasur veç fshatit, te lisat, sipër kullave të Gjon Llesh Daliut. Për shkak të martesave, kryesisht me Matin, veshja e grave dhe vajzave të këtij fisi, ndryshoi duke anuar nga veshja e grave të Matit.

Carajt ishin shumë mikpritës, me pritjen protokollare, muhabetin e zgjedhur, drekën e darkën me sofrën plot, shumë herë bukën me vete dhe kryesorja sigurinë deri sa miku të hynte në një shtëpi tjetër ose të arrinte në shtëpinë e tij.

I pari i fisit Cara del se ka pasur në zotërim dhe një mal që sot njihet me emrin Shquti i Podranës, të cilën e përdorte për kullota bagëtish; Pusin e Ndre Menës, të ndërtuar në shekullin XVI; arët në Buzë Shkalle, shtrungat me emërtime e Dodës dhe e Kokës, kuptimplote për të treguar trojet dhe vendbanimet e fisit Cara në bjeshkë. Shtrunga e Kokës ka pasur 12 gurë shtrunge për mjeljen e deleve. Në këto gurë uleshin mjelësit. Nga përllogaritjet e përafërta del që në atë vend të jenë mjelë çdo ditë mbi 1200 krerë bagëti të imta, kryesisht dele, pa llogaritur dhitë, lopët etj. Kuptohet, me bulmetin që mblidhnin dhe mishin që prodhonin gjatë vitit, Carajt kanë arritur të mbijetonin në trojet e veta.

Disa emërtime në bjeshkën e Valmorit dhe në një pjesë të livadheve të sotëm njihen si “ara”. Po kështu përmendet emri “lamë”.  Duke lidhur bashkë emërtimet “ara” dhe “lami” del se këto ara të dikurshme kanë qenë mbjellë me kultura bujqësore dhe kryesisht me grurë, thekër, urov etj, që do të thotë se në stan dilte një pjesë e familjes, e cila përpiqej që të siguronte sa më shumë të ardhura, duke zhvilluar edhe bujqësinë, për aq sa kjo mund të realizohej. Ndërsa pjesa tjetër jetonte në katund për tu marr vetëm me bujqësi, ngase bujqësia dhe blegtoria ishin të lidhura ngushtë njëra me tjetrën.

Carajt u dalluan për trimëri dhe burrëri. Djemtë e këtij fisi kanë qenë pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet e mëdha të historisë kombëtare, duke iu përgjigjur të gjitha detyrimeve që kishin ndaj Atdheut. Dali Cara u dallua në luftë kundër pushtuesve austro-hungarezë. Kurt Ahmet Cara ka punuar në administratën e shtetit gjatë periudhës së Monarkisë, ndërsa dymbëdhjetë burra të tjerë të fisit kishin shërbyer xhandarë. Vlen për tu përmendur se Adem Ibrahim Cara nuk kishte pranuar  që të vihet në shërbim të pushtuesve italianë dhe nuk i kishte pranuar shpërblimet prej tyre, ndërsa Adem Dik Cara dhe Haziz Sali Cara ishin internuar në Itali si antifashistë, prej nga u liruan pas kapitullimit të Italisë. Pesë vetë nga Carajt u angazhuan në Luftën Nacionalçlirimtare.

Çlirimi i vendit e ndryshoi krej veprimtarinë shoqërore. Në skenë dolën veprimtarë, të rinj dhe të reja me pak shkollë që po përpiqeshin të ecnin përpara. Emër të madh krijoi Shkurte Cara, Heroinë e Popullit, e cila u vra nga grupet e armatosura të Komitetit të Maleve. Të tjerë Caraj sakrifikuan në frontet e reja të punës: Sahit Zenel Cara vdiq aksidentalisht në minierën e Kurbneshit dhe Mustafa Nezir Cara u plagos në minierën e Rubikut dhe mbeti përjetësisht invalid. Vdekjet akidentale nuk mbarojnë këtu. Nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, u shua gati krejt familja e Albert Hasan Carës, ku shpëtoi vetëm ai. Vdiqën bashkëshortja, dy djemtë, vajza dhe e fejuara e djalit. Ndërsa në familjen e Metë Sadik Carës vdiqën bashkëshortja e Metës dhe mbesa (vajza e vajzës). Me këto vdekje aksidentale, fisi Cara u ngushëllua nga i gjithë kombi shqiptar dhe drejtuesit politikë të tij.

Ruajtja dhe pasurimi i traditës familjare është një projekt i madh jetësor. Ajo që i dallon familjet e traditës me të tjerat është orientimi në jetë dhe ndjenja e thellë e përkatësisë. Mjedisi familjar te Carajt u dha të rinjëve edukatën më të mirë të mundëshme për jetën në komunitet. Me ndryshimet shoqërore, krijimin e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve ekonomike, djemtë dhe vajzat e Carajve u orientuan drejt shkollës dhe dijes dhe kanë dhënë ndihmesën e tyre si kuadro të rëndësishëm në dikastere qendrore dhe institucione të ndryshme dhe si drejtues në organet lokale, pushtetin lokal dhe në ekonomi.

 

Urtësitë e Avdi Carës

Avdi Cara, apo Lal Avdiu siç i thonë zakonisht, lindi në Zajs në vitin 1867. Të  gjithë jetën kishte qenë bari dhe kishte punuar e jetuar në ato male të larta e të ftohta, por të mrekullueshme, ku falë Zotit pati shëndet shumë të mirë dhe qe jetëgjatë. Ai për nga natyra ka qenë një tip i qetë dhe fjalë pak. Duhej që fjalët për ngjarje dhe histori të ndryshme për familjen, vëllazërinë, fshatin e krahinën t’ ia nxirrje me marifet. Por ama ishte shumë i saktë për gjërat që thoshte. Edhe për faktin që gjatë gjithë jetës ishte marrë me blegtori. Lal Avdiu ishte në kullë vetëm mëngjeseve dhe në darkë. Herë të tjera, vetëm kur ishte e domosdoshme prania e tij.

Urtësia është dhunti e natyrës, por që kjo dhunti të zhvillohet në shkallë të lartë, duhet të ndikojnë dhe faktorë të tjerë: mjedisi familjar, mjedisi shoqëror angazhimi në punë etj. Profesioni nuk e favorizonte Lal Avdiun dhe në përgjithësi çobanët njihen si njerëz hokatarë, të shkathët, të guximshëm, por jo aq të zgjuar edhe për shkak të jetës së izoluar që bëjnë në mes të maleve. E kanë pyetur dikur një burrë të zgjuar: Më mirë një i kërkueshëm apo i këndueshëm? Sido që e ka dhënë përgjigjen ai, del se mençuria lidhej me dijen dhe mësimin me jetën  në mjedise të ndryshme shoqërore, duke u takuar me burra të zgjuar dhe përfituar prej përvojës së tyre në jetë. Avdiu ishte në shtëpinë e tij zevendësi i vëllait të vet, Bajram Selman Cara, që do të thotë se i takoi të shkonte shpesh në dasma dhe morte dhe ndonjëherë, në mungesë të vëllait, edhe në kuvendet burrë për shpi të fisit apo katundit, ku kishte mjaft burra të zgjuar. Nga ana tjetër, ai nuk hoqi asnjëherë dorë nga pasioni i tij i veçantë, për t’u marrë me blegtori, të cilin e pati deri në pleqërinë e thellë. Dimëronte me bagëtitë e tij në luginën e Matit dhe ndonjëherë deri në fushën e Tiranës, duke takuar shumë njerëz, njohur tradita të ndryshme, të cilat kishin bërë që ai ta pasuronte shumë përvojën e tij jetësore. Një shkollë më vete ishte vajtja e tij në pazaret e Dibrës dhe të Prizrenit për të marr misër për familjen. Në këto tregje takoheshin njerëz nga të gjitha anët e vendit në kafenetë e bujtinat e këtyre qyteteve të përmendura për zhvillimin e tyre.  Ato kafene frekuentoheshin nga shumë njerëz të shkolluar, por edhe të tjerë që kishin shëtitur botën, prandaj nuk kishte se si mos merreshin dije prej tyre.

Si rezultat i një përvoje të gjatë, Avdiu kishte mundur të dallohej në mes të burrave të zgjuar të Zajsit, sa kanë mbetur prej tij fjalë urtësie që ia vlen të njihen. Po japim disa prej tyre:

Kur nuk di me fol, a di me nejt.

Mjerë i vjetri me të ritë, mjerë i miri me të këqinjtë!

Ha ha ha në kodër, buqa llap në vorbët.

Mishi i vjerr e shpirti i gjerr mos të shkelshin kurrë në derë.

Ti nuk ban, veç të laftë Lala mbrapa!

Ka ardh koha me lidh macën e jo me lshue qenin.

Sa qingja kanë me shkue deri kur t’shkojë dashi i kmonës!

Lidhe qenin n’shteg nga vjen ujku!

Mos e lsho gojën se ja ruen ftyrës bojën.

Nuk e due zarmin në llamarinë (sobë), se shpirti (zemra) e ka ngrohtësinë.

Nuk e due bukën të preme me biçak (thikë), por burm e për dore t’plakun.

Zarmin e due në grope (oxhak) dhe bukën nji copë t’plotë (mos me e pre me thikë).

Ma mirë qorr se horr.

Dy olixhe e nji sakat nuk janë për stan, arë e konak.

Burri pa grue si jorgani pa çarçafë.

Me ty po qesh gomari, a thue ke hangër tru gomari!

Pash zotin rrej përtokë, jo hava!

Në mes Çelës e Allamanit nuk cofin dhentë e Avdi Selmanit.

Kush ja ban me hile shoqit, e vraftë buka e tallamoqit!

E ndezi çibukun Plaku i Jallisë (kur pritej të binte shi).

 

Varri i Lalë Avdiut

Bjeshkët e Valmorit, masivët shkëmborë e oazet livadhore të çojnë miliona vjet pas e të kthejnë në historinë e vonë,  të ndezin imagjinatën e zanave dhe të fusin brenda peisazheve që frymëzojnë me rrëfime për heronjtë. Në Valmor gjenden gjurmët fizike të njerëzve, ndoshta tani të vdekur, por ato gjurmë janë dëshmi e jetës dhe përvojave njerëzore. Shumë banorë të dikurshëm jetojnë përmes emrit që kanë lënë në livadhe, gryka, kepa, zabele, etj. Të tjerë e kanë lënë emrin në vendin e vrasjes etj. Në këtë rast, toponimia shërben si burim i dorës së parë për të gjykuar mbi të kaluarën në mungesë të burimeve të tjera historike. Në male ndodhen dhe varre, zakonisht për të panjohur, apo armiq të vrarë si varri i serbit, i turkut etj., por nuk ka një emërtim për vendësit, pasi tradita jonë e nderimit të të vdekurit e kërkon varrosjen e tij me ceremoni në varrezat e vendit ku jeton. Por, si askund në bjeshkët shqiptare, në Valmor të Selitës nuk ndodhet varri i një njeriu që ka jetuar në kohët që s’mbahen mend, as i një të vrari të panjohur, apo të ndonjë ushtari pushtues,por  varri i çobanit të mirë, ndoshta çobanit më jetëgjatë të Selitës, Avdi Carës, apo Lal Avdiut, i cili  e la amanet të varroset në bjeshkë, në Livadhin e Qafës së Ahut, në vendin që mori si toponim emrin vorrit të tij. Tri vjet pas vdekjes, një dele e zezë e tufës së tij shkëputej dhe mrizonte pranë varrit të tij.

Lal Avdiu besonte në jetën e përtejme dhe donte ta zgjidhte një vend të lartë për shpirtin e tij, prej nga do të shihte me një vështrim të gjitha vendet nga kishte kaluar si çoban. Ndoshta besonte se atje lart shpirti i tij do të kishte prehje më të mirë ose se do të ishte ai ëngjëlli mbrojtës i banorëve të bjeshkës. Epitafi mbi varrin e Avdi Carës, shkruar nga poeti Viktor Gjikolaj, e lidh atë varr me mbrojtjen e kalimtarëve, me shërbimin ndaj të vetmuarve, njerëzve që jo pa drojë kalojnë netët pa hënë në atë vend. Ja si shkruhet në epitafin e tij: “Kur t’kaloni në këto anë/, nëse nata nuk ka hanë/nëse dielli nuk ban dritë/ecni n’udhë pa dert e frikë//. Ke murana e bariut/ dritë ban shpirti i Lal Avdiut/ dritë lëshojnë fjalt’ që s’harrohen/ brez mbas brezi do t’kujtohen//.

Lal Avdiu besonte se në mal do të kishte gjithnjë lëvizje dhe jetë. Edhe një i vdekur në varr nuk do të kishte ndarje të plotë nga njerëzit e tjerë, nëse për te varri i tij ka shtigje nga kalojnë njerëz. Këto shtigje do të shërbejnë si lidhje e udhëtarëve me të vdekurin, përtej kohës në të cilin ata udhëtojnë. Varri i të vdekurit do të ishte vendi që bashkon jetën me vdekjen, vorri i mirë mbrojtës, vorri tek i cili ndoshta dhe ia vlen të lutesh.

Kënga “Ç’asht ai vorr me dritë bariu, me tekst të bashkfshatarit të tij, poetit të mirënjohur Gjok Beci, Mjeshtër i Madh shpreh me art krejt jetën e Avdi Carës, prandaj po e japim të plotë.

Amanet la Avdi Selmani/ jetë e vorr ju mos m’i ndani/ prej Valmori e n’Kreshtë t’Kunorës/ ku zbardh lugjesh lulja e borës/ zemërbardhi i Selman Carës/ shumë lezetin ia shtoi fjalës//.

Në supe t’burrit të kësaj ane/ breshën ra e rreze hane/ n’ato gjurmë ku shqipe ulen/ po i thotë bjeshkës: Lirom udhën/ku ta prekin kreshtat qiellin/ due me dal me takue diellin//.

(Refreni). Po ja thom dy fjalë bariu/ njiqind vjet jam Lalë Avdiu/ amanet djelve dhe fisit/ e due vorrin n’hije t’lisit//. Do t’kalojnë dhe njimijë vjet, drita e emnit aty jet/ kush e merr udhn  e njeriut, falet n’gjurmët e Lalë Avdiut//.

Ç’asht ia vorr mbi buzë Valmorit/monument n’kujtim t’blektorit/ në turrë e kurthe nji jetë ra, tufës së vogël kurr s’iu nda/ mik i rrallë me rrunza e desh, kanga n’buzë, cigarja n’vesh//.

Ç’janë këta gurë që s’dinë me dek/ pelegrinë vorri po pret/ vend që ndoshta e bekoi zoti/ me u mbledh burrat mot mbas moti/ me besue se n’vende t’shenjta/ nuk vdes burri, po rron jeta//.

Gjokë Becit, sikurse dhe të tjerëve u ishte imponuar ai vorr për ta parë ndryshe,  si vend pelegrinazhi, kujtese, lutje dhe prehje shpirtërore. Avdi Cara vjen në vargje si njeriu i mirë i Zajsit që bëri një jetë model dhe si i shenjtë ai është i denjë për një vorr të mirë. Vitet do të kalojnë, Zajsi dhe krejt Selita, Valmori dhe krejt bjeshkët e Selitës do të presin shumë turistë. Njëri ndër vendet ku ata do të ndalen do të jetë Vorri i Lal Avdiut. Do të ndezin ndonjë qiri mbi atë vorr dhe do të vazhdojnë me programin e tyre por, me këtë rast, edhe do të meditojnë jo vetëm mbi jetën, por edhe për vdekjen dhe përtej vdekjen…

Për jetën e tij kishte shkruar edhe poeti popullor Jak Tuci, i cili ishte ndalur në mençurinë e bariut Avdi Cara… Një bari që lë urtësi vjen krejt i veçantë ashtu si vorri i tij, tashmë vend pelegrinazhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok