NJË EMËR i GDHENDUR NË VEPRA!

0

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës

Thuhet saktë, se artisti kur vdes, fillon të lindë. Vdes si e përkohshme jeta biologjike, lind si e përhershme jeta mendore, vepra e tij.  Agim Shehu. (Poet).

Nga Kadri Tarelli

Në ditët e nxehta të mes korriku 2021, një udhëtim krejtësisht i rastësishëm me Petrit Elezin, drejtor në shkollën e Mesme të Bashkuar “Jusuf Hoti”, në Katund të Ri, qendër e komunës me të njëjtin emër në afërsi të Durrësit. U nisëm për tjetër punë, së bashku edhe me n/drejtorin Sokol Kelmendi, por ndaluam në shkollë, pasi janë veprimet e fundit, kur ndahen dëftesat e përfundimit të vitit shkollor.

Drejtori më ftoi të futemi brenda mjediseve të shkollës, dhe po më tregonte disa stenda, ku ishte pasqyruar jeta e shkollës në vite. Ishte një ide e bukur, e dobishme, e menduar gjatë dhe e realizuar pak kohë më parë. E urova për punën e kryer. Unë vetë kam shërbyer rreth njëzet vjet si mësues në atë shkollë dhe ndjesitë janë sikur jam përsëri mes kolegësh të nderuar dhe nxënësish të talentuar, më shumë të dashuruar me etjen për të mësuar.

Si mësues e drejtues i hershëm, e vlerësoj jashtë mase këtë punë, që po e quaj “Kujtesë historike”, pasi ndihmon bindshëm për të njohur veprimtarinë shkollore të viteve të shkuar. Është detyrë e përhershme e shkollës dhe kolektivit të saj, që nxënësit të njohin vendlindjen, të shkuarën dhe njerëzit që i kanë shërbyer arsimimit të brezave, ku nuk mungojnë arritjet e sukseset. Nuk është mburrje të them, se nga kjo shkollë kanë dalë me qindra nxënës që kanë ndjekur studimet e larta, sot kuadro me vlerë në jetën letrare, artistike, ekonomike, mjekësore, ushtarake dhe shkencore, mes tyre edhe tre Prof. Dr shkencash. Besoj nuk është pak, për një shkollë të vogël në periferi të qyteti të Durrësit.

Në muret e korridoreve ndodheshin edhe disa stenda, kryesisht për shkencat, gjuhën, letërsinë dhe historinë. Më tërhoqi më shumë këndi i letërsisë, ku një foto i kushtohej Kongresit të Manastirit, ngjarjes madhore të gjuhës dhe shkrimit shqip. Ishte një foto tepër e njohur për mua. Një punim artistik i artistit Hytbi Tarelli, publikuar në internet, njëkohësisht edhe në librin tim, “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës”. (monografi).

Për ta shtyrë më tej bisedën dhe këtë vizitë të rastësishme, e pyes Drejtor Petritin: – A e di kush është autor i këtij punimi? – Jo! Nuk më ka shkuan në mend ta shikoj nënshkrimin. Thjesht më pëlqen ta kundroj sa herë kaloj këtu, – dhe nxori syzet, të lexojë atë shkrim të imët në fund të fotos. – Nënshkrim lexon “H. Tarelli”, besoj është vëllai juaj!? – Më thotë disi i befasuar. – Po! – I them qetësisht, por i mbushur tej mase me dashuri dhe krenari. Gjykoj se kam të drejtë të besoj në fjalët e krijuesit durrsak Bashkim Kadiu, autor i disa librave kushtuar personaliteteve të jetës qytetare durrsake, kur shkruan: “Jeta nuk është ajo që u jetua, por ajo që kujtohet për ta treguar”.

Mundet që këtë ngjarje rastësore ta kaloja në heshtje, duke i mbajtur ndjesitë vetëm për vete. Por pyes veten dhe të tjerët: – Pse duhet të heshtim për artistët apo krijuesit e çdo fushe, kur veprat e tyre janë bërë pronë e kulturës kombëtare? A janë ata pjesë e elitës së kulturës shqiptare, që na nderojnë nëpër botë dhe ndihmojnë në edukimin atdhetar të rinisë. A duhet t’i shprehim atyre një mirënjohje dhe admirim, qoftë edhe duke i kujtuar emrin?

Të them të drejtën më erdhi mirë kur pashë këtë punim të veçantë, si mjet ilustrimi i stendave për veprimtarinë letrare dhe artistike në një shkollë. Mendoj dhe jam i bindur plotësisht, se është privilegj i artistëve të përjetësojnë emrin, duke lënë gjurmë me veprat e tyre, kur i shërbejnë kulturës sonë dhe aq më shumë kur ato bëhen pronë e publikut, nëpërmjet letrave shqipe.

Ky punim ka mbi dhjetë vjet që është bërë dhe autori Hytbi Tarelli, mërgimtar shqiptar në Kanada, ka katër vjet që nuk është më mes nesh. Ka ndërruar jetë duke na lënë një sërë veprash në pikturë e skulpturë, shumica me karakter shqiptar e atdhetar, siç vërehet edhe në këtë foto ilustrimi (basorelief), kushtuar Kongresit të Manastirit. Një ngjarje e shënuar në historinë tonë të trazuar, mund ta quaj nga më të rëndësishme të kulturës shqiptare, dhe më pas edhe të mëvetësisë kombëtare, kur me “ferman” të Sulltanit, gjuha jonë shqipe ndalohej të shkruhej, aq më pak të kishte edhe alfabetin e saj. Të gjitha datat dhe ngjarjet kanë rëndësinë e tyre, por disa janë gurrë të rëndë në themelet e kombit, siç është edhe Kongresi i Manastirit.

I kam besuar, ndërsa tani jam i bindur në fjalët që artisti ynë Hytbi Tarelli, thoshte shpesh: “S’ besoj se jam unë i vetmi që, duke qenë në dhe të huaj, më rrëmben frymëzimi për t’ju kushtuar figurave kombëtare. Është një ndjenjë e çuditshme, që mban ndezur zjarrin e atdhedashurisë”. Në këtë hulli mendimi në mendje dhe në zemër, ai na la disa vepra pikture dhe skulpture, si trashëgim e përgjithësim në art, të ngjarjeve të mëdha kombëtare, shumica po shërbejnë për ilustrim të shkrimeve e studimeve, sidomos të atyre me karakter historik.

I urova drejtor Petritit suksese, me premtimin se shumë shpejt do të ketë në bibliotekën e shkollës disa libra kushtuar artistit Hytbi Tarelli.

Kadri Tarelli

Durrës. Mes korriku, 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok