21/12/2024

Të respektohen vendimet e partisë!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Nëse kryetari Abdixhiku, e ka me gjithë mendje deklaratën, “Unë nuk e dëmtojë LDK-në, e ruaj si shtëpinë time, atëherë pa humbur kohë duhet të përmbyll zgjedhjet e brendshme në LDK nga baza elektorale, gjegjësisht me mbajtjen e kuvendeve zgjedhore, të lira dhe transparente në secilën degë, nëndegë dhe aktive të LDK-së.

Kryetari me afat të limituar

Pra, zgjedhjet e brendshme janë testi i parë demokratik dhe mbajtja e Kuvendit të rregullt zgjedhor në afatin e paraparë, paraqesin kulmin e testit të demokracisë! Kryetari aktual, z. Lumir Abdixhiku duhet të dëshmohet para elektoratit rugovian të LDK-së se është duke ndjekur frymë tjetër me ajo e Isa Mustafës, ndryshe nuk funksionojnë më maskaradat mashtruese me mbajtjen e kuvendeve zgjedhore të orkestruara nga prapaskena.

Vetëm mbajtja e premtimeve publike pas kuvendit të fundit zgjedhor për respektimin e vendimeve të partisë sa i përket mandatit dyvjeçar të kryetarit në LDK, mund ta rrisin imazhin e kryetarit aktual dhe kthimin e besimit brenda elektoratit të LDK-së.

Vetëm në këtë mënyrë mund të bindet elektorati se LDK-ja është në rrugë të mbarë.

Reformimi i partisë dhe kthimi i besimit në elektorat bëhet duke i ofruar rreth vetës figurat themeltare, aktivistët dhe veprimtarët e devotshëm të LDK-së, duke iu dhënë hapësirë veprimi aktivistëve dhe veprimtarëve që e mbajtën mbi supet e tyre barrën e organizimit të aktiviteteve të LDK-së në këto 3 dekadat e fundit, të cilët edhe në kohët më të vështira i qëndruan besnik amanetit të tri shkronjave të arta LDK. Ndryshe, çdo ikje nga vlerat dhe amaneti i figurave themeltare është ikje nga vizioni rugovian.

Pse nuk mbahet Kuvendi Zgjedhor i LDK-së në Klinë!?

Prandaj, nëse janë të vërteta deklaratat publike të kryetarit Abdixhiku, atëherë ai këtë duhet ta demonstrojë në vepër e jo më fjalë dhe atë jo më largë se brenda këtij muaji me mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të partisë. Për shkak se çdo vonesë në këtë drejtim do të jetë e kushtueshme për LDK-në, për shkak se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare mund ta zënë të papërgatitur LDK-në e fragmentizuar pas 14 shkurtit 2021.

Reflektimi pozitiv i Abdixhikut si kryetar partie, i kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm për reformimin dhe konsolidimin e partisë, gjegjesisht për hapje rrugë të ndryshimeve reale dhe substanciale, do të thotë hapje rrugë atyre që e kanë dijen, vullnetin dhe guximin për ta kthyer besimin e elektoratit në subjektin e traditës demokratike, për ta kthyer LDK-në rugoviane një herë e përgjithmonë kah vlerat e saj themeltare.

Kur jemi tek zgjedhjet, siq shtetas i Kosovës dhe qytetarë i Klinës, e kam të drejtën ta parashtrojë një pyetje publike: Pse nuk po mbahet Kuvendi Zgjedhor në Komunën e Klinës, cilat janë shkaqet dhe pengesat e dhunimit të shprehjes së lirë të vullnetit të elektoratit të LDK-së në këtë komunë!?

LDK-ja e pareformuar, si shtëpia e papërfunduar

Vetëm mundësia e shprehjes së lirë të vullnetit të elektoratit dhe reformimi i thellë nëpër aktive, nëndegë dhe degë do të garantonte kushtet për krijimin e një bazamenti të shëndoshë dhe qëndruseshëm, të pastër dhe prospeures të LDK-së, për të qenë e gatshme të dali në ballafaqim me elektoratin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të rregullta apo të jashtëzakonshme qofshin ato.

Ka ardhur momenti i fundit që LDK-ja të reformohet dhe freskohet me kuadro të reja, të përgaditura dhe të specializuara, me veprimtar të orëve të para të LDK-së si në Kosovë dhe gjithë andej vendeve evro-perëndimore, të cilët janë të gatshëm në mënyrë vullnetare të  kontribuojnë edhe një herë për të mirën e vendit sikur në vitet e ’90-ta, pa asnjë kompensim material, pa asnjë ambicie pushteti apo privilegji shtetëror, për t’ju treguar dezertorëve dhe mercenarëve, mashtruesve dhe matrapazëve, karrieristëve dhe lakmitarëve të pushtetit sesi punohet për shtet dhe atdhe pa llogaritur në poste dhe privilegje personale.

Rjedhjet nga brenda apo “pirja e duhanit” tinëz në LDK

LDK-ja dhe Rugova për shqiptarët janë dy simbole të shenjta të historisë së re të Kosovës, të papërseritshme, të paharruara dhe të pashlyerara në kujtesën historike të brezave.

LDK-ja rugoviane është vlerë dhe pasuri kombëtare, është vetë historia dhe gurthemeli i shtetit të Kosovës. Andaj, mbrojtja e kësaj vlere kombëtare është obligim i secilit prej nesh, qoftë ai anëtarë apo mbështetës i filozofisë politike rugoviane, në veçanti e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Brenda LDK-së edhe në të kaluarën ka pasur të atillë që e kanë “pirë duhanin” tinëz (me libreza të LDK-së kanë votuar për subjektet e tjera), por tani janë të shumtë në numër ata që po e “pijnë duhanin” tinëz, ku gati gjysma e anëtarësisë së mbetur, madje edhe kryetar komunash dhe eksponent të lartë mund të votojnë për partinë “dykrenare” (dykryetarshe) me lidere zonjën mashtruese, të cilës, zoti Abdixhiku i bëri ragatin që ajo të zgjedhet presidente e shtetit.

I premtojë kryetarit aktualë se, për aq sa ai e ndjekë frymën rugoviane në LDK, jo vetëm unë por edhe shumë të tjerë janë të gatshëm që të kontribuojnë për ADN-në politike të shqiptarëve të Kosovës (LDK-në), në të kundërtën, ADN-ja e projektuar nga unë do ta vazhdojë suksesshëm rrugëtimin e saj në unifikimin e elektoratit të pastër rugovian.

Florim Zeqa

18.08.2023

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok