23/11/2024

TË MBIJETOSH KOHËN NË BEFASINË E HESHTJES

0

(Vështrim kritik mbi librin me poezi të Nue Oroshit “Përshëndetma tokën” Lumbardhi, Prizren, 2023)

Nga Fatmir Minguli

Libri poetik i zotit Nue Oroshi “Përshëndetma tokën” është një prurje e re në letërsinë shqipe si në trojet shqiptare ashtu dhe në poezinë e diasporës, apo autorve emigrantë. Ky përcaktim nuk ka qëllim të lavdojë  e të japë superlativa si bëhen zakonisht nëpër analizat e librave poetikë apo në prozë.

Zotin Nue Oroshi me të cilin bashkëpunoj në fusha të studimeve për Shqipërinë etnike e njoh si një autor të studimeve historike dhe publicistike, si një organizator i përkushtuar i aktiviteteve përvitore të vazhdueshme shkencore në kuadrin e shoqatës “Trojet e Arbërit’,  kryetar i së cilës  është vetë Z. Nue. I lindur në vitin 1970 në fshatin Capare të Prizrenit ai e mbaroi arsimin e mesëm në Prizren e atë të lartin në Prishtinë në fakultetin e historisë në 1995. Më pas përfundoi edhe studimet pasuniversitare për Mesjetën.

Tani që kam në duar këtë vëllim poetik, e ndjej se duhet të shprehem për artin poetik të Nues.

Rrallë herë jam ndeshur me këtë lloj stili poetik. Ka qenë një lloj ngjashmërie me poezinë e të ndjerit poet kosovar me origjinë nga Prizreni, Adem Zaplluzha por thjeshtë një ngjashmëri.

Poezia e Nue Oroshit është thirrje për të mbijetuar kohën e sidomos në befasinë e heshtjes. Për poetin Oroshi kjo nuk do të thotë se duhet ta pranosh kohën që kalon në heshtje por duhet filluar një lëvizje e fortë  e cila nuk duhet të jetë hermetike, e mbyllur por krejt e hapur dhe stoike për t’i rezistuar “heshtjeve”. Pikërisht ky poet është shprehur se “buzë një gremine gjithmonë paraqitet një dritë e cila e ndalon terrin që të mos bjen në heshtjen e kohës satanike.”

Kësisoj Nue Oroshi më vjen si një poet i kahershëm i trojeve shqiptare sic shprehet vetë në poezinë “ Ndjenjat e shpirtit”. Arti poetik i tij është plot figura origjinale ku abstraktja merr forma të konkretes dhe jo vetëm forma por dhe përmbajtje. “Nuk të lemë pa mbishkrim/ koha jonë e dashur…” shkruan në poezinë “Mbishkrimet” apo vargjet lapidare në sensin figurative si në poezinë

“Ekzistenca e kuptimit”:

“Koha po kalon me një të rame,

Dhe kufijtë qëndrojnë si murana

Aty ku kuajt e vorreve flenë duke përtypur

Shkumën e vetevetes pa prekur lartësitë.”

Me të drejtë studjuesja Helena Halilaj në esenë e saj për këtë vëllim poetik të Nue Oroshit shkruan:

“ Ky vëllim poetik  të lëmon ndjesitë më të thella njerëzore për t’i bërë më të shndritshme, për të celur udhë të reja te vlera e dashurisë, tokës, mendjes dhe vyrtutit.”

Nue Oroshi në këtë  vëllim shprehet si romantik i kohëve tona, duke qenë intelektuali që mat kohën që e jeton si sahat me gurë smeraldi dhe si i tillë skanon metafora të realitetit duke e cuar lart në obelisk shqiptarizmin me natyrën shqiptare që e tingëllon në të gjitha format e peisazhet e saj dhe ku…lisi është heroi universal.       Ai, poeti duke përshëndetur tokën i lutet të madhit Zot për bashkim të trojeve shqiptare. Poezia e Nues është poezi e rrafshët në formë por me relief të ndryshueshëm në  stil poetic. Ai nuk është rob i strofës si formë, i rimës si ndihmëse, por poezia e tij lulëzon  përmes mendimit inteligjent dhe ku filozofia e jetës ndërton godina të reja nga poezia në poezi.

E mbi të gjitha celësi i zgjidhjeve të vështira për problemet që shqiptarët përjetojnë ashtu të ndarë, ështe vetdija që aq bukue e përshkruan Carl Gustav  Jung:

“Ligjet në të pavetëdijen. Arketipi është formuar  nga përsëritje e vazhdueshme  e situatave të njejta. Ai (arketipi)  jeton si një skenë formale . Si një skelet i zbrazët, në raport me ndërgjegjen, e cila e mbush  me materialin  e përvojës. Arketipi  është aftësia e paraformimit. Mundësia   apriori për të formuar paragjykimet. Pavetëdija është kolektive.”

Është pikërisht kategoria filozofike e pavetëdijes kolektive që e mobilizon poetin nue që kohën dhe edjen e saj ta kthejë në cështje, problem, shqetësim, pikëpyteje që duhen të zgjidhen në një hapësirë jo vetëm kohore por dhe di troje të Arbërit.Dhe gjithcka drejtohet nga rrymat e shpirtit i cili ka “peisazhet e tij” ku poeti fut botën zakonore shqiptare jo vetëm të vendlindjes, prizrenit por mbarë trojeve shqiptare.

Duke përfunduar këtë analizë modeste kujtoj se Nue Oroshi  nuk harron njerëzit e shquar  të kohëve që kaluan; kështu si shembull, kur i këndon Krujës  i këndon dhe Mustafa Krujës.

Dhe poeti shkruan:

“Për ditën e bardhë,

Koha tash ka ardhë.”

Durrës

Prag Krishtlindjesh

2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok