30/12/2024

Te kulla e Ali Fazlisë

0
Kulla-Ali-Prekazit

Nga Prof. Blerim Latifi

Dola në katund me shiju qetësinë dhe ngjyrat e vjeshtës, ngjyrat të cilat, siç thotë Kamy tek drama e tij “Mosmarrëveshja”, çdo gjethe e bëjnë të duket si një lule. Dikush e kishte vendosur këtë pllakë orientuese buzë rrugës. Në të tregohej rruga që shpie tek kulla e Ali Fazlisë.

Kur kryengritja antikomuniste e Shaban Polluzhës ishte shuar, shumë bashkëluftëtarë të tij kishin mbetur maleve. Ata shpresonin në vazhdimin e rezistencës së armatosur kundër regjimit jugosllav. Në mesin e tyre ishte edhe Ali Fazlia.

Ata jetonin në kushte tmerrësisht të vështira, ngase OZNA i përndiqte vazhdimisht dhe popullatën e terrorizonte duke e kërcënuar me dënime të ashpra nëse i strehonte kaçakët.

Dhjetëra përpjekje për ta kapur ose vrarë Ali Fazlinë, kishin dështuar. Në disa prej këtyre përpjekjeve ai kishte humbur disa nga shokët e tij më të afërt. Në mesin e tyre edhe Imer Fazlinë nga Radisheva.

Dimri i vitit 1946 kishte ardhur shumë i egër. Strehimi tek njerëzit ishte po ashtu tepër i vështirë. Duhej të bënin diçka. Në Shqipëri nuk shkonin dot, ngase atje tanimë në pushtet ishin komunistët, të cilët po jetonin ditët më të mira të miqësisë me Titon. Dikush kishte marrë vesh se kishte një rrugë tjetër arratisje, rruga për në Greqi. Atje kishte shpërthyer lufta civile midis komunistëve dhe nacionalistëve. Këta të fundit mbështeteshin nga aleatët perëndimorë, të cilët mirëprisnin çdo të arratisur antikomunist.

Por Greqia ishte tepër larg dhe Aliut s’i bënin dot këmbët, e as zemra, të nisej në atë rrugë. Kishte vendosur të qëndronte edhe më tutje maleve të Kosovës. Strehohej aty ku askujt nuk i shkonte mendja. Në shpella të panjohura dhe në varreza të braktisura. Ata pak njerëz që i siguronin ushqim, lëviznin si hije netëve të acarta të dimirit, drejt këtyre vendeve të harruara nga bota.

Ndërkaq, miti për pakapshmërinë e Ali Fazlisë kishte marrë udhë. Dhe bashkë me të edhe frika e autoriteteve të regjimit prej tij. Një ditë bashkëpunëtorët i propozuan diçka kryetarit serb të Skënderajt, Millan Borsaçit: Të dilte nëpër katunde për t’u takuar më popullin. Përgjigjja e tij ishte e shpejtë dhe e prerë: Për sa kohë që Ali Fazlia asht n’mal, unë nuk luej prej ktij vendi.

Kështu kaluan plot katër vite. Më në fund regjimi jugosllav vendosi të bënte goditjen fatale: arrestoi 25 anëtarët e familjes së Aliut dhe nxorri lajmin se nëse Aliu nuk dorëzohet, e gjithë familja e tij do të pushkatohet. Kur Aliu e mori vesh lajmin, u trondit shumë. Edhe ai ishte njeri, si gjithë të tjerët. Çfarë të bënte? Ai e dinte se OZNA nuk po tallej. Nuk ishte hera e parë që serbët po kërcënonin me masakrimin e familjeve të kaçakëve. Në kush e di sa raste këto kërcënime ishin përmbushur. A duhej të vriste veten, për të shpëtuar familjen? Nuk ishte i sigurtë se ky akt do ta shpëtonte atë. Edhe më e pasigurtë ishte nëse vendoste të vritej në përpjekje të armatosur me xhandarët. OZNA e kishte mbështetur për muri. E kishte goditur në pikën më të dobët. Nuk kishte rrugë tjetër: duhej të dorëzohej që të shpëtonte familjen nga pushkatimi. Shokët që ishin me të, shpërthyen në vaj. Ai u dha zemër: T’fala shokëve, dhe mos harroni, nji Ali bahet batare, por gruni ka me u ba prapë n’fushat e Kosovës.

Kështu kaçaku i pakapshëm zbriti nga malet dhe i ra në dorë pushtetit jugosllav. Nisën torturat e pafundme mbi të, por ai nuk po jepej. Më në fund gjyqi i dha dënimin kapital: me vdekje. Ditë më pas Apeli ia zbriti dënimin në burg të përjetshëm. Pas rënies së Rankoviqit, një amnisti e përgjithshme ia zbriti në 20 vite. Doli nga burgu i plakur e i rrënuar. Fuqitë e kishin lënë, por prapë se prapë nuk rrinte dot brenda. Nuk e zinte vendi vend. Merrte shkopin dhe ngjitej maleve, hynte përrojeve dhe shtigjeve të dikurshme. Sikur donte të gjente fillin e këputur ditën që u dorëzua. Sikur donte të gjente gjurmët e shokëve që më nuk ishin në jetë. Dhe një ditë, disa kalimtarë të rastit, e gjetën të vdekur, poshtë një përroi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok