22/12/2024

TË KUJTOJMË PËRJETËSISHT, PRESIDENT IBRAHIM RUGOVA!

0
Shkreli-Rugova1

Me rastin e 17-vjetorit të kalimit në amshim

Nga Frank Shkreli

“Sot bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë, e kujtuam me respekt Presidentin historik, dr. Ibrahim Rugova, njeriun i cili krijoi miqësi, ndërtoi aleanca dhe la trashëgimi të begatshme për brezat dhe Republikën tonë.  Presidenti Rugova është vizionari i lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës, i cili mbetet udhërrëfyes i yni për një Kosovë të fortë në rrugën euroatlantike. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!” (Nga portali zyrtar i Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, 21 Janar, 2023

—————————————————————————-

Kur fliste e shkruante për Shqipëri, Ernest Koliqi nuk kishte në mend vetëm Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që përfshinte shqiptarët e të gjitha trojeve autoktone në Ballkan.  Nepërmjet tre poetënve imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai ka shprehur besimin e tij në një Shqipëri e cila megjithë — “errësitë e natës”, gjatë historisë së saj – Koliqi, prapseprap, shpreson dhe beson se virtytet e mëdha tradicionale  të Kombit shqiptar, do t’i mbeten trashëgimi brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ai ka shprehur besimin e tij së bashku me tre poetët e “Symfonisë së Shqipevet” — në një Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të reja dhe më të drejta të barabarta për të gjithë shqiptarët.

“BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të saj.

BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në botë, i shënoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot, në vallen e shekujve të palindun.

BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t’onë agime ma të drejta.

BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t’i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.

BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.

BESOJMË në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e gjakut që për Të u derdh.

BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sigurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e kand n’atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbënore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun.”

Ky është Besimi në Atdhe i Ernest Koliqit, i shprehur nepërmjet poemthit “Symfonija e Shqipevet”. Unë besoj se ky ishte edhe besimi dhe kredoja filozofike e Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës. Prandaj po e sjell në përkujtim të Dr. Ibrahim Rugovës, në këtë përvjetor të kalimit të tij në amshim.

Ky është edhe Besimi në virtytet e mëdha tradaicionale të Kombit, që duhet të ketë çdo shqiptar kudo, por sidomos elita aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë.

Qoftë i përjetëshëm kujtimi i Ibrahim Rugovës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok