26/04/2024

NË KUJTIM TË NJERIUT QË FITOI EPITETIN E ARKITEKTIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

0

Dr. Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, tash e 17 vjet shkoi në amshim, por aq sa po kalojnë vitet, aq po hetohet se skenës së gjithmbarshme shtetërore, nacionale, kulturore dhe politike të shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, po i mungon një personalitet siç ishte ai

Nga Hamza HALABAKU

Dr. Ibrahim Rugovën e njoha në gjysmën e dytë të viteve të shtatëdhjeta kur isha punësuar në Sekretariatin e atëhershëm, respektivisht Komitetin Krahinor për Arsim, Shkencë e Kulturë të Kosovës.

Në vitin 1978, isha caktuar në vendin e punës bashkëpunëtor për veprimtarinë botuese në sektorin e kulturës. Në atë sektor të administratës së atëhershme, Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Kosovës kishte formuar Komisionin për Veprimtari Botuese dhe Film. Ky komision lejonte botimet e veprave private të autorëve që kishin vlera të larta artistike dhe i lironte nga tatimi, ndërsa nuk i lejonte për botim veprat që ishin shund dhe kiç. Dr. Ibrahim Rugova asokohe ishte anëtar i atij komisionit, kurse unë kujdesesha për procesverbalin dhe vendimet që i merrte komisioni.

Atëherë kisha filluar që të përcjell shkrimet e dr. Ibrahim Rugovës që shpeshherë botoheshin në faqet e kulturës, në gazetën tonë “Rilindja”, sidomos të shtunave, që ishte e vetmja gazetë informative dhe Abetarja jonë e të gjitha fushave në përgjithësi, e asaj të kulturës në veçanti.

Dr. Ibrahim Rugova ishte shpeshherë në faqet e “Rilindjes” me recensionet e tij për letërsinë që atëbotë krijohej në Kosovë. Shkruante për përmbledhjet me poezi të Esad Mekulit, Azem Shkrelit, Ali Podrimes, Beqir Musliut e të poetëve të tjerë që krijonin në Kosovë, por edhe për ata që krijonin e që kishin krijuar edhe jashtë kufijve të Jugosllavisë së atëhershme.

Emri i dr. Rugovës u lartësua edhe më shumë në vitet e tetëdhjeta, pas një takimi të një grupi të shkrimtarëve të Kosovës me shkrimtarët e Serbisë në Beograd, në “Francuska 7”, më 27 e 28 prill të vitit 1988”. Sipas informatave të shtypit të Prishtinës, në gjuhën shqipe, të asaj kohe (“Rilindja” e “Fjala”) grupi i shkrimtarëve të Kosovës, të cilin e ka kryesuar dr. Ibrahim Rugova kishte dal fitimtar.

Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, në parathënien e librit të Rugovës “Çështja e Kosovës” në fq. 30 mes tjerash shkruan:  “Mjafton të lexosh këtë rrëfim të gjatë të Rugovës, për të kuptuar mirë personazhin e vetë si dhe idetë dhe platformën e tij e të shqiptarëve. Por ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë”.

Në vitet e nëntëdhjeta dr. Ibrahim Rugova, si kryetar i LDK-së i vizitoi dhe i njoftoi kancelaritë kryesore të Perëndimit për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tyre etnike në Jugosllavi. Atë botë ai vizitoi Berlinin e Vjenën, Romën e Parisin, Brukselin e Londrën, Strasburgun e Uashingtonin. Kështu në kohën kur as shumica e banorëve të Lubjanës, kryeqyteti i Republikës së Sllovenisë, që ishim së bashku në të njëjtën federatë, apo që jetonim, si të thuash, në të njëjtin nën qiell, nuk dinin gjë fare për neve shqiptarëve që jetonim në Kosovë, dr. Ibrahim Rugova i njoftoi qendrat kryesore evropiane dhe ato përtej Oqeanit Atlantik se është një vend që quhet Kosovë e që banohet me një shumicë absolute shqiptare, që nuk ka asgjë të përbashkët me sllavët, sepse shqiptarët  janë pasardhës të ilirëve dhe se atyre u pengohet drita, e u është zënë fryma, u mohohen të drejtat elementare njerëzore nga pushteti serbo-sllav në krye të së cilit pushtet ishte kasapi i Ballkanit me emrin Millosheviq.

Kancelaritë evropiane dhe SHBA i besuan dr. Ibrahim Rugovës dhe i ndihmuan djemtë tanë, pjesëtarët e UÇK-së, që ashtu, gati të paarmatosur kishin dalë për të mbrojtur vendin e tyre.

Tani u bënë 17 vite nga shkuarja në amshim e dr. Ibrahim Rugovës, presidentit historik të Kosovës që ishte një intelektual i ditur, i cili në kohën më të vështirë i doli përpara popullit të vetë për ta udhëhequr me mençuri e urtësi, me guxim e dinjitet. Aq sa po kalojnë vitet, aq po hetohet se skenës së gjithmbarshme shtetërore, nacionale, kulturore dhe politike të shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, po i mungon personaliteti intelektual, inteligjent, kulturor e akademik i Dr. Ibrahim Rugovës, e sidomos vlerat, parimet, edukata, kultura, nderi, morali, karakteri, narrativi, vizioni, ideali dhe testamenti i tij intelektual, profesional, politik, shkencor dhe humanist.

Nuk munda të mos e përmend fjalën guxim për arsye se atë kohë i gjithë brezi im e din mirëfilli se nuk ishte lehtë të bëheshe lider i një populli të pa mbrojtur e të pa armatosur, pa pasur as polici e as ushtri, pa pasur as të drejtën që fëmijët tanë të shkonin në shkollat që vetë baballarët e tyre i kishin ndërtuar me djersën e vet në vitet e shtatëdhjeta. Atë botë na mungonin edhe spitalet. Na mungonte edhe informimi, sepse të gjitha dritaret informative, radioja, gazetat e televizioni ishin mbyllur nga regjimi që e përmenda më lartë.

Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova ishte një det i thellë e i qet, i urtë e i ditur, i mençur e këmbëngulës në kërkesat e tija për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit të vet. Edhe pse dinte shumë, asnjëherë nuk thoshte më shumë se Liri, Pavarësi, Demokraci, e më që kancelaritë evropiane nuk pranonin që të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar në një shtet, ai vazhdimisht, sa herë takohej me burrështetasit evropianë, kërkonte që Kosova të njihej si shtet i pavarur dhe sovran në kufijtë që Kosova i kishte me Kushtetutën e vitit 1974.

Dr. Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, nuk ishte vetëm i LDK-së, po ishte i të gjithë shqiptarëve të Kosovës, ngase ai me plot mëritë e fitoi epitetin e arkitektit të pavarësisë së Kosovës.

Dhe krejt në fund, e ndiej veten shumë të vogël të shkruaj apo të flas për një korife të letërsisë e shkencës tonë, për një njeri të dijes dhe një udhëheqës politik të popullit shqiptar, për një burrë shteti siç ishte dr. Ibrahim Rugova, një personaliteti, të cilin do të donte ta kishte në historinë e vet çdo popull e çdo komb në botë.

Nuremberg, 20 Janar 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok