16/11/2024

TAKIMI I KËSHILLIT KOMBËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN (NAAC) ME ZEVËNDËS PRESIDENTIN E SHBA-ave, RICHARD CHENEY, Korrik, 2005

0

(Në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA)

Nga Frank Shkreli

Me të drejtë flitet dhe është shkruar mjaft gjatë viteve për rolin që ka luajtur dhe që luan gjithnjë komuniteti shqiptaro-amerikan në ruajtjen si sytë e ballit të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar si dhe për zhvillimin e tyre të mëtejshëm.

Një nga takimet e shumta të poërfaqsuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me udhëheqsit e lartë të Shteteve të Bashkuara gjatë dekadave të kaluara ishte edhe pjesëmarrja në një tryezë të rrumbullakët me Zëvëndës Presidentin Riçard Cheney.  Ishte Korriku i vitit 2005.  Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) ishte ftuar në një takim – tryezë të rrumbullakët të disa grupeve të caktuara etnike në Amerikë — me Zëvëndës Presidentin e SHBA-ave në atë kohë, Z. Riçard Cheney. Secilit përfaqsues të grupeve iu rezervuan 5-minuta për të folur mbi shqetësimet e mbrendshme dhe të jashtme të grupit që përfaqësonte dhe politikës amerikane ndaj atyre problemeve.   Ishte kjo një mundësi e rrallë për të shkëmbyer pikëpamjet tona mbi çeshtjet aktuale me interes për shqiptarët me numrin dy të Administratës së Presidentit George W. Bush.

Si Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në atë takim me njeriun e dytë më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara, theksova lidhjet e ngushta historike midis popullit amerikan dhe Kombit shqiptar.  Paraqitja ime vazhdoi mbi gjëndjen në Kosovë në atë kohë duke nënvijuar se nuk ka alternativë përveç pavarësisë dhe se njohja e pavarësisë së Kosovës shtet i pavarur e sovran të deklarohet, botërisht, sa më parë që të jetë e mundur nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe aleatët perëndimorë, si e vetmja zgjidhje e pranueshme nga populli i Kosovës dhe si një zgjidhje afatgjatë për interesat amerikane në Ballkanin Perëndimor edhe për sigurinë dhe paqën në rajon dhe në Evropë. Fola, shkurtimisht, edhe mbi gjëndjen paszgjedhore politike (të 3 Korrikut, 20025) në Shqipëri.

Tryeza e rrumbullakët me Zëvëndës -Presidentin e Amerikës, Riçard Cheney u pasua nga një darkë për kongresistin e atëhershëm republikan të Nju Jorkut, Z. Vito Fossella, në të cilën morën qindra të ftuar.

Takime si ky me Zëvëndës Presidentin Cheney, komuniteti shqiptaro-amerikan ka patur, gjatë dekadave, me dyzina të tilla, me përfaqësuesit më të lartë të politikës amerikane – republikanë e demokratë — të dy partive kryesore të Shteteve të Bashkuara – duke përfaqësuar me dinjitet dhe atdhedashuri komunitetitn shqiptaro-amerikan si dhe interesat e shqiptarëve në përgjithësi. Siç është shprehur me një rast, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në një takim të tijin me grupet e ndryshme etnike në Amerikë, përfaqsuesit e këtyre grupeve etnike, “janë ndër ambasadorët më të mirë që mund të kemi”.

Ashtu edhe komuniteti shqiptaro-amerikan me përfaqsuesit e tij, si gjithmonë, në të kaluarën ashtu edhe sot — në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane — me dinjitet, respekt dhe me dashuri për dy vendet tona, ka lujtur dhe vazhdon të ushtrojë rolin e “ambasadorit” të denjë të Kombit shqiptar në Washington dhe kudo në Amerikë ku jetojnë shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok