17/11/2024

TAHIR BEZHANI I BËNË GRAFI JETËS SË VET

0

(Tahir Bezhani: ‘’Shtegtime të ndrydhura jete’’, jetëshkrim; Blini BK, Gjakovë 2023)

Nga Adil FETAHU

Zakonisht, autobiografitë nisin me të dhënat për datëlindjet, vendlindjet, prindërit dhe familjen, për të identifikuar kryepersonazhin e autobiografisë,  dhe pastaj vazhdohet në mënyrë kronologjike me etapat e tjera të jetës, punës, ngjarjeve: shkollimi, punësimi, martesa, angazhimi dhe ngjarje tjera.

Në këtë kuptim, nuk bënë përjashtim as autobiografia e poetit e shkrimtarit Tahir Bezhani, nga Gjakova.  Bile, autori konsideron se këtë jetëshkrim e ka vonuar, gjë që unë nuk pajtohem me këtë konstatim, sepse konsideroj se akoma ka kohë, energji dhe potencial për jetë dhe për punë në krijimtari, edhepse autobiografinë e shkroi në moshën 76-vjeçare, që thotë se u lind në kohën e urisë së shekullit (viti 1947), në fshatin Smolicë, komuna e Gjakovës. Ishte djalë hasreti i Abdullah Bezhanit, ndonëse nga nëna (Raza) kishte edhe dy vëllezër e një motër, nga burri i parë (Zeqiri) i cili    ka qenë axha i autorit. Pas  vrasjes së Zeqirit nga italianët në vitin 1941,  Abdullahu e kishte marrë Razen për grua, e për t’i rritë tre fëmijët (Zadja, Idrizi e Muharremi) nga  martesa e parë. Me fotografitë e tyre, autori i bashkon dy prindët e vet, Abdullah Bezhanin e Razë Hajdarmataj-Bezhani, pas aq shumë kohe që ishin ndarë nga kjo botë dhe nga njeni-tjetri. Dhe gjatë tërë kohës shprehë dhembje, dashuri e respekt të pakufi ndaj tyre.

E ëma e Tahirit ishte e familjes Hajdarmataj, nga Zogaj. Në kry të vitit pasi ishte lindur Tahiri, nëna e tij me foshnjën në lulak, prirë nga vjehrri, Sylë Bezhani, kishin shkuar në gjini, në Zogaj (1948). Natën e fundit të qëndrimit në Zogaj, ishte mbyllur kufiri midis Shqipërisë e Jugosllavisë, dhe kështu u ndërprenë lidhjet familjare e miqësore midis shqiptarëve në dy anët e kufirit, ashtu që nëna e Bezhanit nuk i pa më kurrë familjarët e gjinisë së saj. Tahiri thotë se një ditë, kur ky ishte në moshën 8-vjeçare, e kishte parë nënën e tij në dritare të kullës, duke shikuar kah Shqipëria e duke qarë e vajtuar: ‘’Kurrë më, kurrë, as në dasmë, as në vdekje, as në gëzim as hidhërim në truallin tim, në gjininë time, e mjera unë e mjera…’’. Autori thotë se edhe sot kur e mendon atë skenë, nuk mund t’i ndalë lotët. Dhe vërtetë, ajo kurrë më nuk u pa me familjarët e gjinisë së vet. Me atë mallë e dhembje vdiq në vitin 1959.

Si për ta ngushëlluar,  kujtuar e respektuar nënën e tij, Bezhani pas më se 40 vjetëve, kishte shkuar në gjininë e nënës së tij, te dajtë në Zogaj dhe kishte vizituar edhe tezet e martuara në  Padesh e në Dojan, njerëz krejtësisht të panjohur, por të afërt e të dashur, të cilët e pritën me  shumë emocione, me përzemërsi e dashuri.

Në rininë e tij, pas mbarimit me vështirësi të shumta skamnore, të shkollës së mesme profesionale të nxënësve në ekonomi, në Gjakovë, u punësua në Fabrikën e Tekstilit ‘’Emin Duraku’’, për të cilën kishte marrë kualifikimin shkollor,  ku edhe e kishte kryer praktikën gjatë shkollimit. Në vitin 1967 shkon në shërbim ushtarak (fillimisht në Sombor, e pastaj në Shkup), ku përjetoi sprova e peripeti, përcjellje nga sigurimi,  po  edhe për shkak se nuk e dinte gjuhën serbe. Qysh atëherë kishte nisur të botojë ndonjë poezi në revistën ‘’Zëri i Rinisë’’ dhe dëshira për të shkruar iu ngjit për tërë jetën.

Pas kthimit nga ushtria, pasi nuk u pranua në fabrikën ku kishte punuar më parë, u punësua, pothuajse krejt rastësisht, në shërbimin policor, gjë që ndikoi në përmirësimin e gjendjes materiale të familjes. Në polici punoi më se 18 vjet, para dhe pas luftës, natyrisht me ndërprerje dhjetëvjeçare (1991-2000).

Kur pushteti i Serbisë e rrënoi autonominë e Kosovës dhe e okupoi këtë tërësisht me të gjitha organet dhe shërbimet, policia e Kosovës nuk pranoi të mbetet në shërbim të okupatorit, prandaj e braktisi atë shërbim dhe formoi Sindikatën e pavarur të policisë së Kosovës. Kështu, edhe policët shqiptarë të Gjakovës e braktisën atë shërbim. Pushteti okupues i ndiqte këmba-këmbës aktivistët e asaj sindikate, i arrestonte, maltretonte fizikisht e psiqikisht, i gjykonte me shumë vjet burgim. Kësi trajtimi pati edhe Tahir Bezhani, i gjykuar me dy vjet burgim, në gjykimin e grupit prej 72 aktivistëve e anëtarëve të Sindikatës së Pavarur të Policisë së Kosovës (1995).

Është interesant edhe segmenti që bënë fjalë për kohën sa ishte refugjat në Shqipëri (prill – qershor 1999), në kohën e luftës në Kosovë, përpjekjet për të dalë në Itali dhe mashtrimi nga skafistët.

Pas çlirimit të Kosovës (1999), Bezhani u aktivizua në policinë e Kosovës, të formuar nga UNMIK-u, dhe shërbeu në atë dikaster deri sa u pensionua, në vitin 2012.

Kështu, vit pas viti e ngjarje pas ngjarje të jetës së ndrydhur e shtrydhur, pas pensionimit iu kushtua krijimtarisë letrare dhe deri më tash ka botuar 26 vepra letrare: poezi, prozë, monografi.  Dhe jo vetëm se ka shkrua e botua vet, por është ‘’kumbara’’ i komunikimit dhe bashkëpunimit letrar të krijuesve të Malësisë së Gjakovës, në të dy anët e Drinave.

***

Jeta shkruan romane, thonë. Librin e  jetëshkrimit të Tahir Bezhanit, në daçi quajeni roman, në daçi autobiografi, në të pasqyrohet jeta e autorit, si në një roman artistik, me personazhe e ngjarje të vërteta. Aty Bezhani e ka depozituar jetën e tij të deritashme. Duke përshkruar, në formë rrëfimesh në veten e parë,  të kaluarën  e tij, nga pozicioni  i tashëm; aty  shihet identiteti i tij i vërtetë, cili ishte dhe cili është sot.

Në përshkrimin e ngjarjeve dhe situatave, shpërfaqë mbamendje të admirueshme të ngjarjeve, personazheve, vendeve, datave. Në rrëfimet e tij përputhen rrëfimi dhe besueshmëria, në mënyrë të ndershme,  pa ‘’konflikt interesi’’, ndonëse është vështirë të ruhet baraspesha subjektive kur njeriu flet e  shkruan për veten e tij. Përmes rrëfimeve me fjalë lapidare  tregon edukatën, dashurinë dhe respektin që ka pasur ndaj  prindërve dhe që ka sot ndaj bashkëshortes, fëmijëve dhe nipërve e mbesave.

Autobiografitë e njerëzve të njohur gjithnjë janë interesante të lexohen. Unë edhepse e kam mik Tahir Bezhanin, nuk i kam ditur më shumë se një për qind të jetës së tij. Me këtë libër autori i ka plotësuar kuadrat e panjohura të jetës së tij nga lexuesit.  E Tahiri si poet e shkrimtar që është,  me potencialin krijues,  me fuqinë shprehëse, me fjalorin e tij të pasur dhe me gjuhën e poetit, me plot figura e metafora, ka ditur t’i bëjë rrëfimet edhe më interesante.

Dhe për fund të këtij vështrimi, Tahirit i uroj shëndet e jetë të lumtur familjare dhe vepra të reja letrare, tash që është ‘’pjekë’’ në këtë fushë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok