25/05/2024

Ta ruajmë kryeministrin prej opozitës dhe nga vetë Albini!

0

Nga Enver Bytyçi

Padyshim se veprimet e kryeministrit Kurti në veri të Kosovës për të dëshmuar sovranitet në komunat e veriut duhen vlerësuar. Asnjë lider tjetër kosovar para zotit Kurti, pos Ibrahim Rugovës dhe Fatmir Sejdiut, nuk ka qenë kaq i vendosur për mbrojtjen e territorit të vendit. Haradinaj ka meritë të padiskutueshme për vendosjen e taksës dhe rikthimin e Kosovës si e barabartë në dialog me Serbinë. Albin Kurti ka meritën se bëri një ndryshim epokal, duke ndaluar votimet për zgjedhjet dhe referendumet serbe në Kosovë, duke insistuar për të kontrolluar territorin në veri të vendit.

Megjithatë ngjarjet e kohëve të fundit e dobësuan rolin e kryeministrit të Kosovës. Ky rol u dobësua më së shumti për qëndrimet amalgamë e kontradiktore të faktorit perendimor, por edhe për shkak se opozita e Kosovës ende nuk po di të orientohet dhe të dallojë se ku ndahet kryeministri me interesin e Kosovës. Në opozitë shfaqen nga të moderuarit, të cilët përpiqen të mbrojnë interesin e vendit, duke kritikuar veprimet e kryeministrit, deri te sharlatanët, të cilët mbajnë anën e armikut të Kosovës, Serbisë, me dëshirën për ta dëmtuar pozitën e Albin Kurtit. Kur i dëgjon disa opozitarë në ekranet televizive të mbushet mendja se kundër kryeministrit të Kosovës po flet plot mëllef Aleksandër Vuçiç. Madje guxoj të them se edhe Vuçiç do të rezervohej diçka më shumë.

Kjo kategori kritikësh besojnë ndoshta se duke fajësuar Albin Kurtin e dobësojnë atë si politikan. Në fakt ndodh efekti i kundërt. Madje edhe kritikat e tepruara e të njëanshme të ndonjë diplomati apo kryediplomati perëndimor krijon efekt të kundërt. Në vend që të dobësohet autoriteti elektoral i Kurtit, ky autoritet vetëm se forcohet. Por dëmtohet me këto qëndrime Kosova dhe interesi i saj madhor për formësimin përfundimtar të shtetësisë. Dobësohet pozita e Kosovës në dialogun me Serbinë. Dëgjojeni p.sh Fatmir Limën. Thotë se “Kurti ka me ba këtë e atë” dhe nga shkaku i tij parashikon e ndjell kataklizmën e Kosovës. Thotë se Kurti “do ta pranojë anotacionin me kompetenca ekzekutive”. E ndërkohë iu bashkëngjit para pak vitesh grupit të dialogut të Thaçit për ta ndarë Kosovën. Shihni disa analistë gjithashtu opozitarë të qeverisë Kurti. As Vuçiç nuk guxon të flasë me atë gjuhë dhe e gjitha ndodh që të shfajësohen bandat kriminale në veri të vendit, të sponsorizuara nga presidenti i Serbisë e të fajësohet për gjithçka qeveria e zotit Kurti.

Por këtë temë e kemi trajtuar vazhdimisht. Sot më tërheq vëmendjen fakti që në raste të caktuara edhe Albini i kundërvihet kryeministrit Kurti. Eshtë një problem i madh fakti që liderët politikë shqiptarë vuajnë kush më pak e kush më shumë nga kompleksi i “kostumit të ngushtë”! Simptomat e këtij kompleksi në rastin e krizës së fundit i kam vënë re edhe te Albin Kurti. Ishte krejt e panevojshme të etiketohej reagimi p.sh i zotit Blinken si “naivitet”! Sepse kjo nuk ështëe vërtetë. Antony Blinken kritikoi e fajësoi zotin Kurti për ngjarjet në tri komunat e veriut, sepse ka një strategji të tërheqjes së Vuçiç në Perendim. Pra nuk e lëshoi kritikën ndaj Kosovës për naivitet. Ose më tërhoqi vëmendjen një deklaratë tjetër ku thoshte se në veri të Kosovës po veprojnë “organizata ekstremiste të djathta”! Por elaborimi i një teze të tillë shfajëson përgjegjësinë e qeverisë dhe presidentit të Serbisë, ndërkohë që ngjyrat politike nuk janë të rëndësishme për kryeministrin e Kosovës.

Nga ana tjetër nervozizmi i Albinit në reagimet e tij ndaj deklaratave të disa diplomatëve dhe kryediplomatit amerikan duket se janë emocionale e jo racionale. Por kryeministrit të Kosovës nuk i lejohet të jetë emocional, edhe nëse Albinit mund t’i lejohet kjo. Kompleksi i “kostumit të ngushtë” e bën zotin Kurti të dalë jashtë sjelljes protokollare të kryeministrit të Kosovës. Ndaj dhe reagon me emocion dhe nervozizëm ndaj kritikave dhe deklarimeve të përfaqësuesve perëndimorë. Është për t’u përshëndetur qëndrimi i zotit Kurti dhe sjellja e tij ndaj ndërkombëtarëve, kur thotë “JO”, për çështje të caktuara. Ata që marrin përgjegjësi për shtetin duhet t’u thonë “JO” edhe miqve dhe aleatëve në raste të caktuara.

Por Albini rrezikon pozitën e kryeministrit të Kosovës kur e tejkalon të drejtën e vet të gjykojë mendimin dhe vendimet e aleatëve. Rrezikon edhe interesat e Kosovës me këto qëndrime. Ai duhet të kuptojë se në momentin që është ulur në karrigen e kryeministrit nuk është më Albin Kurti i zakonshëm. Nuk është as Albin Kurti politikan në opozitë. Është dhe duhet të jetë kryeministri i Republikës së Kosovës. Parë nga ky këndvështrim sjelljet dhe deklarimet e tij e tejkalojnë protokollin e të qenit kryeministër. Nëse kopjon Edi Ramën, unë besoj se bën gabim. Sjellja e kryeministrit të Shqipërisë jashtë protokollit zyrtar e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë.

Unë jam nga të paktët që mbështes vendimet e zotit Kurti, mbështes qëndrimet e tij edhe kur ato bien në kundërshtim me rekomandimet e ndërkombëtarëve. Por deri në masën kur nuk cenohen interesat e Kosovës. Në atë moment duhet ndërtuar diçka më diplomatike, më e argumentuar, më dobiprurëse e më racionale për Kosovën. Megjithatë në esencë qëndrimet dhe vendimet e Albin Kurtit i shërbejnë interesave të vendit. Thjesht shqetësimi im është ruajtja e një ekuilibri midis ideve dhe mendimeve të Albinit, si dhe vendimeve të kryeministrit e interesave të Kosovës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok