22/12/2024

Ta paskan marrë mendjen lejlekët…!

0
u1_Viron-Kona

-tregim për një tregim-

Nga Viron KONA

Kur dikush më tha se mund të çoja ndonjë tregim për botim te gazeta “Drita”, më shkoi mendja tek tufa e tregimeve që kisha shkruar muajt e fundit dhe thashë se mes tyre kishte ndonjë që ishte i përshtatshëm për atë gazetë. Ishte gazeta më e rëndësishme letrare në vend dhe asokohe ishte privilegj të botoje atje. Një copë herë vrava mendjen se cilin tregim të çoja. “Po sikur,-thashë me vete, – të këshillohesha me ndonjërin nga të njohurit në Vlorë, për shembull me Lamen (Harallamb Fandin), i cili, vërtet që punonte farmacist në spital, por ai ishte plotë dije dhe kulturë, i talentuar dhe krijimet e tij binin në sy. Unë lexoja atëherë me ëndje, veçanërisht artikujt e tij kritikë e studimorë për pikturën. Ndonëse pak njihesha me Lamen, ”me të thënë e me të bërë”, vendosa ta marrë në telefon:

-Lame,-i thashë, -mundesh ta pimë një kafe sot?

-Me kënaqësi,-mu përgjigj ai,-në çfarë ore?

-Po ja, nëse mundesh nga ora 11.00, tek “Turizmi i Skelës”.1) Po të jesh i zënë me ndonjë  punë, më thuaj ti një orë që e ke të përshtatshme.

-E kam të lirë, në orën 11.00 do të jem aty.

Lamja erdhi fiks në orën 11.00.

Shkuam te kafja. Në tavolinë, unë i afrova një dosje ku kisha futur tregimet.

-Këtu, kam tre tregime të shkurtra. Njërin prej tyre dëshiroj ta çojë për botim te “Drita”, por, se cilin prej tyre, këtë do ta vendosim bashkë, si thua?

E ndërsa Lamja i mirë dhe i ditur nisi leximin, unë shihja detin dhe molin që shfaqej nga jashtë dritares së lokalit. Deti dukej shumë i qetë. Anijet hynin e dilnin nga moli butësisht. Herë-herë vinte deri tek ne buria e zgjatur e ndonjë vapori, që qëndronte në radë dhe priste t`i hapej një vend në mol. Mbi det fluturonin pulëbardha, që ngriheshin lart e pastaj zhyteshin pingul në ujë për të  kapur peshk.

Herë-herë pulëbardhat lëshonin ca klithma të mprehta dhe grindeshin mes tyre. Ndërsa njëra e mbante fort peshkun në sqep, të tjerat përpiqeshin t`ia rrëmbenin. ”Luftë për ekzistencë, edhe në ajër”, thosha me vete, por ama mendjen e mbaja nga Lamja që vijonte leximin.

Pas rreth 15 minutash, Lamja ngriti sytë nga unë.

-Cili të pëlqeu? – e pyeta pa e fshehur ankthin.

-Më pëlqeu më shumë ky, “Lejlekët”, ky më bëri më shumë përshtypje.

-Po më çudit, – i thashë, – unë e mendoja si një tregim kot. Një ditë sesi më erdhi në mendje shqetësimi i banorëve të Llakatundit2) se, çifti i lejlekëve që shkonin  atje çdo pranverë, atë vit s`po dukeshin. Nuk e di pse më rrihte mendjen herë pas here  ai shqetësim dhe, një ditë, si pa kuptuar u ula dhe e shkrova. Në fakt e shkrova me një frymë, rrallë më ka qëlluar ashtu me tregimet e  tjera.

-Po,- tha Lamja,-ai përjetim që të kishte mbetur në mendje ishte  vet tregimi. Si pa kuptuar, u ule dhe e shkrove? Dhe, ja, “lejlekët po nisin fluturimin”, -tha ai figurshëm, duke ngritur lart fletët e bardha të daktilografuara.

-Ti mendon se “Drita” mund ta botojë?

-“Dritën” e drejton një shkrimtar, Zija Çela. Kam bindjen se ai do ta vlerësoj tregimin dhe do ta botojë.

-Faleminderit Lame! – i thashë me sinqeritet dhe i gëzuar.

-Nuk e di si mendon për një ilustrim, -tha ai, – por, unë do të rekomandoja Sabaudinin (Xhaferrin), piktorin dhe skenografin e teatrit. Ai, krahas pikturave dhe skenografive, bën edhe ilustrime të bukura. Te “Hosteni” i firmos shkurt: “Sabka”.

U ndava me Lamen, duke i shtrënguar dorën fort, shkova në zyrë dhe mora në telefon Sabaudinin. Pasi e pyeta për shëndetin e ftova për një kafe në mbrëmje.

-Si mendon, ta pimë te “Kapelja”? -Kështu quanim ne një lokal në qendër të qytetit, ku mblidheshin shpesh krijuesit.3)

-Po, te “Kapelja”, me kënaqësi,- tha Sabaudini si gjithnjë i mirësjellshëm.

Sa u ulëm në kafe, i afrova tregimin.

Sabaudini qeshi me padurimin tim.

-Kështu jemi ne krijuesit,-tha duke marrë nga unë tregimin.

-Është i shkurtër, – i thashë.

-E shohë, mund ta lexoj edhe tani.

E lexoi shpejt dhe më tha:

-Po më shijon shumë kjo kafe, do ta bëj me kënaqësi ilustrimin, – dhe, duke më thënë këto fjalë, shtoi: – Mund të ta ofrojë edhe unë një kafe nesër në mëngjes para se të fillojmë punë, si thua?

Të nesërmen në mëngjes, u takuam me Sabaudinin te lokali pranë stadiumit “Flamurtari” në Skelë. Porositëm kafe dhe unë pashë një copë herë ilustrimin. U mrekullova dhe shpejt kuptova se atij tregimi i rriteshin shumë vlerat me atë ilustrim.

-S`di sesi të falënderoj për këtë ilustrim kaq të bukur!-i thashë.

Sabaudini bëri buzën në gaz:

-Dërgoje, që sot, dorazi, nuk e mendoja se do ta shkruaje ti atë tregim!

-Pse e mendove kështu?

-Ngaqë bën punë …zyre, dhe … Ç`të të them! Edhe nuk të kam njohur…

-Tani kam ankthin e botimit,-i thashë me sinqeritet.

-Është ankth i çdo krijuesi,-tha ai.

E dërgova tregimin dorazi po atë ditë, me dikë që shkonte me shërbim në Tiranë.

Ora 14.00 të asaj dite, mendova t`i telefonoja Zijait, shkrimtarit të mirënjohur dhe kryeredaktor i  gazetës “Drita”. Njihesha me Zijain. Fillimisht ma kishte prezantuar tregimtari i njohur, Shefqet Tigani, kurse më pas e kishim vazhduar natyrshëm miqësinë.

-Zija,-i thashë,- të kam dërguar një tregim, po munde…

-Në dorë e kam, – më ndërpreu ai me një zë ku shprehej kënaqësia, – Po më pëlqen dhe do të bëj çmos të botohet këtë të diel.

Mezi e prita të dielën. Dola vrap te kioska e pallatit tonë, ku vinte gazeta “Drita”. Me duart që më dridheshin  shfletova faqet e gazetës. U emocionova dhe ndjeva një gëzim të pa rrëfyer kur pashë tek shkruhej: “Lejlekët”, tregim nga …Mes tregimit, edhe ai ilustrim plot dritë i Sabaudinit.

Me gazetën e hapur në dorë mbërrita në shtëpi. Sa s`po fluturoja nga gëzimi.

-Kujdes se do të fluturosh edhe ti me lejlekët, -bëri humor ime shoqe…

Falënderova nga zemra Lamen, se ai ma përzgjodhi atë tregim, përndryshe unë s`isha i sigurt se do ta çoja për botim. Me mendje, falënderova shumë edhe Sabaudinin për atë ilustrim aq mbresëlënës, por edhe të gjithë ata lexues, që më uruan atë ditë dhe ditë të tjera. Se, ja, sa dola në rrugën përpara shtëpisë, më ndali Nevzati (Seferi), dramaturg dhe mik i mirë imi. Edhe baballarët tanë kishin qenë shumë miq.

-Urime, urime!- foli ai duke ardhur drejt meje dhe më shtrëngoi dorën.

-Faleminderit!-i thashë.

-Më pëlqeu,-tha ai,-dhe, jo vetëm mua, por edhe shumë të tjerëve që e kanë lexuar, veçse…

Nevzati heshti një hop. Meraku i një miku, i lexohej në sy.

-Çfarë, ka ndonjë gjë që nuk shkon tek ai tregim?

-Jo, tregimi është më shumë se i bukur, edhe mesazhi, edhe ilustrimi i Sabaudinit, por, druaj se atje tek zyrat ku punon ti, do të thonë: “Po ky shoku Viron, s`paska punë, me lejlekë merret?”

Qesha. Qeshi edhe ai dhe shtoi plot siguri:

-Kështu shkruaj, le të thonë ç`të duan!

Shtrënguam duart dhe e falënderova për sinqeritetin, por fjalët miqësore që më tha Nevzati, kushedi pse më shkaktuan një turbullim të lehtë. Dhe, kushedi pse s`po ndihesha aq entuziast sa në fillim. Kur po i afrohesha zyrës takova një kolegun tim, i cili sesi më shihte ndonjëherë. Ai, sapo më pa, më tha duke nënqeshur: ” Kishe shkruar sot një artikull në gazetën “Drita”. E lexova, por s`mund të rri pa të thënë se ti do të kishe më shumë rezultate në sektorin që drejton,  nëse nuk do të merreshe me artikuj si ky që ke shkruar sot. Duket se ta paskan marrë mendjen lejlekët…

-Ai është tregim artistik,-i thashë dhe jo artikull,-por unë i shkruaj ato pas pune, janë pasioni im, i shkruaj edhe natën, edhe…

-E di, e di, por ato ta largojnë vëmendjen nga punët që ne kryejmë. Veç kësaj, të kam vënë re edhe nëpër mbledhje. Ti qëndron një copë herë si i menduar dhe pastaj “frap”, nis e shkruan pa e ngritur kokën..! Çfarë shkruan ashtu, aman, ma thuaj?”

-Përgatitem për diskutim,-iu përgjigja, por pas fjalëve të tij nuk u ndjeva mirë.

Kolegu e nuhati shqetësimin tim.

-Mos u mërzit, ”se të thashë, nuk të rashë!”. Ti e di se vërejtjet dhe sugjerimet na ndihmojnë për të përmirësuar punët, ti e di mirë këtë…-Ai tha ato fjalë dhe u largua duke nënqeshur përsëri.

Qëndrova një copë herë në zyrë i menduar. Kisha dëgjuar se edhe atje në “bllokun e udhëheqjes”4. gazeta e parë që lexohej ditën e diel ishte gazeta “Drita”. -Po sikur, thashë me vete, – edhe atje, dikush duke lexuar tregimin “Lejlekët” të mendojë njëlloj si ky kolegu im? Pra të thotë: “Prandaj s`na venë punët mirë ne, se këta kuadrot tanë në bazë merren me lejlekët? Ky paramendim ma hoqi krejt humorin dhe kënaqësinë që kisha ndjerë deri ato çaste. Thua do të më vinte ndonjë gjë e keqe nga lejlekët? Dola nga zyra dhe mora rrugën për nga teatri i qytetit (sot “Petro Marko”). Si pa kuptuar në dorë mbaja natyrshëm gazetën “Drita”, që ishte palosur në faqen ku dukeshin lejlekët që ilustronin tregimin. Skica e lejlekëve sikur më gjallëroi dhe më krijoi përsëri një gjendje të mirë shpirtërore. Më bëhej se ata lejlekë më thoshin të mos shqetësohesha, se askujt nuk i kishte ardhur e keqja nga lejlekët. Ata, në të gjithë qenien e tyre shprehnin vetëm paqe dhe mirësi…

Pranë hyrjes së teatrit u takova me Lekën (Krutën), mjeshtrin e madh të humorit vlonjat. Ai ishte i shoqëruar me dy-tri aktorë të tjerë të estradës dhe të teatrit. Me humorin e tij brilant, Leka  më tha:

-Shoku Viron, urime, eh, më kënaqe, shumë gjëra mësova nga ai tregim, por më mbeti në mendje se lejlekët ushqehen me zhapinj, hardhuca, bretkosa, karkaleca, brumbuj, minj, nepërka dhe gjarpërinj…Eee, kemi ne të tilla, kemi…”

-Çdo të thuash ti shoku Leka me këto fjalë?-e pyeti serioz një amator i teatrit,  që nuk u ndahej aktorëve më në zë vlonjatë. Ai përmendej midis tyre si ekstremist dhe… Kisha dëgjuar se atij, thuajse të gjithë të tjerët i druheshin, donin ta largonin por ai u ngjitej…

-Po, ja, dua të them ato fjalë që thashë që, lejlekët ushqehen me zhapinj, hardhuca.. brumbuj, minj, nepërka dhe gjarpërinj…, -përsëriti humoristi i shquar duke nënqeshur dhe duke më parë pjerrtësi si pëllumbat.

Ajo ditë u mbyll me një telegram nga Llakatundi, i cili kishte këtë tekst:

“Na pëlqeu fakti që subjektin e tregimit e morët nga Llakatundi. E lexuam dhe na pëlqeu.

Nga një grup lexuesish të Kino-Klubit,

Llakatund

  1. III.1983

Në fund të asaj dite ndihesha përsëri i gëzuar e i emocionuar dhe thuajse e kisha harruar sugjerimin dhe vërejtjen që më kishte bërë kolegu i punës. Edhe ditët e tjera nuk pata ndonjë shqetësim. Nëse dikush nga ata të “bllokut të udhëheqjes” do të kishte pasur vërejtje për tregimin “Lejlekët”, këtë do ta merrja vesh nga Ziaji. Mbaja mend që ai më kishte thënë se, ditët e hëna, redaksitë e gazetave rrinin me ankth dhe në pritje se mos dikush nga “blloku” i telefononte për ndonjë vërejtje. Por asgjë e tillë nuk ndodhi për tregimin tim, ndërkohë që të tjerë njerëz më uronin sapo më takonin.

Më uruan edhe te Lidhja e Shkrimtarëve në Tiranë, kur shkova atje pas një apo dy javësh. Mbaj mend Briseidën (Mema), që shkruante te gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori” e që shquhej si gazetare, por edhe për përkthimet tërheqëse dhe interesante nga frëngjishtja. Ajo më ndali në hyrje të Lidhjes:

-”Më pëlqeu, më pëlqeu ai tregim, një gjetje e bukur, por edhe ilustrimi i Sabaudinit…Tregimi kishte dritë…Urime!” -U ndjeva i vlerësuar nga ai përgëzim i Briseidës.

Kur takova Zijain dhe i shpreha falënderimin tim të veçantë, që e botoi aq shpejt tregimin, shkrimtari i mirënjohur më pa në sy me dashamirësi:

-Merita ishte e lejlekëve, ata fluturuan mbi ne dhe e gjetën vet faqen e gazetës sonë. Lejlekët e kërkojnë dritën…

Ato ditë më takoi edhe Bajrami (Mejdiaj) etnograf, miku im, i cili sapo e takova më tha:

-Më nxore mallin e fshatit dhe të fëmijërisë me ata lejlekët…Bukur, por, unë nuk kuptoj një gjë: Pse janë rralluar lejlekët sot tek ne? Kur ishim të vegjël, ata vinin thuajse fshat më fshat dhe kudo kishin edhe vendbanimet e tyre: te “mullarët”, te “plepat” në qendër të fshatit, te “kambanorja”, te “kodra e xinave”, te “lisat” në anë të lumit…Gjithnjë të  mirëpritur, mbase edhe sepse asgjësojnë shumë dëmtues të prodhimeve bujqësore, deri edhe konsiderohen zogj “të shenjtë”…Tani shumë pak lejlekë vijnë, nuk e kuptoj pse, pse xhanëm, pse  nuk vijnë më si më parë?! – thoshte ai me keqardhje, me ton ankues e me dhembje dhe, pastaj e jepte vet përgjigjen: – E po, po u prishe habitatet5) e nevojshme, doemos që ata do të largohen….

-Kurse, Agim Xheka, poeti dhe gazetari i mirënjohur, e lexoi në radio atë tregim. I dha bukuri me zërin, tonin dhe mjeshtërinë e leximit.  Madje edhe sot, pas më shumë se afro 40 vitesh, kur takohemi,  ai më thotë: “Lejlekët, hë! Tregim i bukur, i bukur!…”.

……….

1.“Turizmi i Skelës”, emër simbol i vendosur nga banorët e  Vlorës. Një godinë njëkatëshe buzë detit.  Dikur quhej ”Dom Marku”( ishte ndërtuar për famulli, famullitar i saj kishte qenë kleriku Dom Mark Vasa nga Shkodra, edhe atdhetar). Godina sot nuk ekziston, u prish pas viteve `90, duke ia lënë vendin një hoteli. Ishte e këndshme, me soletë, me disa dritare të tipit Venecian, e lyer me bojë të bardhë…

  1. Llakatund, fshat në rrethin e Vlorës. Para viteve `90 së bashku edhe me fshatra të tjerë, ka qenë fermë shtetërore (NB). NB Llakatund furnizonte qytetin me prodhime bujqësore e blegtorale, ishte si një qytezë e vogël, e populluar.

3.”Kapelja”, një lokal(kafene) në qendër të qytetit të Vlorës, në katin e parë të një godine, lokal i frekuentuar para viteve `90 nga vlonjatët, të cilët me humorin e  tyre u vinin emra simbolikë mjediseve natyrore apo ndërtimore, lokaleve etj. Në Vlorë ka shumë të tilla, ato i pagëzon vet populli.

  1. Blloku i udhëheqjes, grup ndërtesash në qendër të Tiranës ku banonin familjet e udhëheqësve të vendit. Ai ishte një bllok i siguruar dhe i ruajtur mirë nga ushtarët e gardës.

5.Habitat (Habitate), territore tokësore ose ujore…Të gjitha gjallesat kanë nevojë për një vend ku të rriten, të ushqehen, të jetojnë dhe të shumohen. Disa habitate   mund të jenë malet, pyjet, ujërat, brigjet, lagunat…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok