TA KAM LAKMI QË NUK I NJEH KËTA HORRA
(Letër imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili)
Nga Hamza Halabaku
I dashuri Zejnullah,
Shpesh po të vizitoj atje, në Gurinën tënde, në Kokaj të Karadakut, ku trupi yt prehet i qetë, sipas amanetit tënd, që t’i kthehesh vendlindjes për të pushuar përmotshëm në amshim. Por, një dorë e ligë, një dorë horri e shkuar horrit, që dora iu thaftë atij xhahili, tentoi t’ia prishte madhështinë varrit tënd, duke e thyer gurin e varrit, atë pllakë ku ishte i skalitur emri yt dhe ditëlindja e ditëvdekja.
Po Ti nuk i bëre dot gjë të keqe askujt në këtë botë, o miku im i urtë. Ti ishe i mirë, i sjellshëm, i ndershëm, gojëmbël, i dashur, i ngrohtë! Kur na e jepje dorën, ishe aq miqësor e i ngrohtë, sa zor të të gjendet çifti! Nuk e ke merituar atë vandalizëm, siç nuk i meritojmë as ne të gjallët shumë e shumë vandalë, të cilët po na sulen për çdo ditë.
Herën e fundit te varri yt, për ta vënë një buqetë me lule, qeshë bashkë me mikun tim, Sinanin, dhe me mikun tonë të përbashkët, Ganiun. Duke e soditur atë pllakë të gurit të varrit tënd, ashtu të copëtuar tash e sa kohë, nuk ke si të mos përfundosh se ajo paraqet realitetin tonë të hidhur, që po e jetojmë nga veprimet e horrave tanë. Por, kjo skenë e shëmtuar ka të bëjë me ne të gjallët, sepse shpirti yt jeton në mrekulli. E them ketë, jo vetëm duke u bazuar në librat e shenjtë, por edhe në mirësinë Tënde dhe besimin e patundur që e kishe për të ardhmen e ndritur të Kosovës dhe popullit të saj.
U larguam nga vendi ku ti prehesh i qetë me lutjen: “Zot, bekoje këtë shpirt njeriu! Zot, fali dritë Zejnës tonë të mirë!”
Unë e di se mbi tokë ecin shumë njerëz, por shumë pak prej tyre lënë gjurmë të ndritshme, siç ka lënë shkrimtari Zejnullah Halili (1945 – 2004).
*
Zejnullah i dashur, ne që mbetëm ende në pritje për të ardhur te Ti në botën e amshueshme, po shohim se në mesin tonë ka shumë horra e xhahilë. O Zot, sa shumë kanë dalë tani në sipërfaqe. Auuuuuu, ka shumë dhe, vërtet, duket sikur të dilnin nga nëntoka. Jo rrallë ta kam lakmi që nuk po i sheh e nuk po i dëgjon këta horra që kanë shpirt egoisti e vandali. Jam i bindur se xhahilët do të dënohen nga i madhi Zot!
Kur unë do të vijë në botën e amshueshme, do të të tregoj shumëçka për kohën sa Ti fizikisht nuk ishe në mesin tonë. Jam i bindur që nuk do të më dëgjosh me ëndje, sepse më shumë do të të tregoj gjëra të këqija, jo pse dua, por realiteti po e imponon kështu. Mua nuk po më pritet për të të treguar disa gjëra, ndaj po të shkruaj Ty, miku im i mirë, këtë letër, sepse Ti kurrë nuk qe vetëm shikues dhe vëzhgues, por gjithnjë qe krijues dhe pjesëmarrës i qenies njeri, që ofron, nderon e lumturon. Po të shkruaj dhe po të njoftoj për ato që po ndodhin në Kosovën tonë. Mos ma shih për të madhe që renditjen e kam bërë ashtu siç po më vijnë në mendje bëmat dhe të pabërat tona.
*
Një ditë në qytet hyja nëpër dyqane, kërkoja diçka që më duhej dhe, kur hyja, përshëndetja, si zakonisht, me “mirë dita”! Natyrisht, sikur jemi përshëndetur përherë! Askush nuk ma kthente përshëndetjen. Ata pritnin që unë t’i përshëndesja në një gjuhë të huaj. Jo, nuk i përshëndes në gjuhë të huaj, se Naimi ynë i madh për gjuhën shqipe ka thënë se është “Gjuh’ që flisnin Perënditë”…
*
Të kujtohet kur u takuam njëherë, aty ku takoheshim, në Kodrën e Diellit, pas luftës së fundit dhe binim teposhtë për në qytet e bisedonim për punët e Kosovës tonë.
Të dy e donim presidentin Ibrahim Rugova, se vërtet e kishte me zemër punën e lirisë e të pavarësisë sonë. Po jo vetëm ne, e donin pjesa dërrmuese e shqiptarëve, hiq ata që ia kishin shitur shpirtin djallit. Bile, kur votoi populli, më shumë se nëntëdhjetë për qind e votuan për të parin e vendit. Atë e kishim më të mirin! Se, pa asnjë interes, doli i pari që të mbronte popullin shqiptar dhe Kosovën tonë. Të tjerëve nuk ua mbante! Tani ka të atillë që hedhin gurë e dru mbi emrin e tij.
Ruana Zot nga të paditurit!
Bile, bile, kur të pata treguar se e kisha dëgjuar një plak të urtë duke thënë se ai, Ibrahim Rugova pra, akademik Mark Krasniqi dhe profesor Fehmi Agani, e kishin me zemër punën e pavarësisë dhe të lirisë së Kosovës, edhe Ti e pohove se vërtet presidenti Rugova ishte i pahile.
Të tjerët, pati thënë plaku, e kanë me hile…!
Tani, atje, në botën e amshuar, Ti ndoshta je takuar me presidentin Rugova, akademikun Mark Krasniqi e profesor Aganin. Vetëm këta, si duket, vërtet e kishin pasur pa hile…
Mos u thuaj gjë për këto punët tona të liga për të cilat po të tregoj, se, pale, u vjen keq, sa shumë janë përpjekur për ne e, si po të tregoj, puna është jo edhe aq mirë…
Uroj që atyre të mos u shkojë puna huq. Ama, puna nuk është edhe aq mirë!
Tani hiletë kanë dalë për fushe…
*
Kur arritëm afër Sallës “Një Tetori”, për të njëjtën ditë të takimit tonë e kam fjalën kur lëshoheshim teposhtë për të rënë në qytet, të pata treguar se isha takuar me një të sapoliruar nga burgu. Është nga ana jonë ai. Të pata thënë se “më ka lënë pa mend” në një takim në Shoqatën e Pavarur të Juristëve të Kosovës. Kur më pate pyetur – pse të paska lënë pa mend, të pata thënë se ishte shumë i informuar, ishte shumë i ditur, i priste gjuha, ishte i arsyeshëm e të tjera e të tjera… Të pata folur shumë për aftësitë e tij. Ti, i dashuri mik, më pate thënë se ai nuk ka asnjë rreth të diturisë më shumë se ne të tjerët! Atëherë thoshim se dituria është rrathë-rrathë, dikush e ka rrethin më të vogël ose më të ngushtë, e dikush më të gjerë ose më të madh! Si ne të tjerët, më pate thënë!
U habita me Ty! Dyshova, mos e kishe nga xhelozia.
Të kërkoj falje, miku im. Ti nuk kishe qenë fare xheloz. Kishe pasur shumë të drejtë!
Më pas e kam kuptuar se Ti nuk kishe qenë fare xheloz, por kishe qenë më i ditur se unë! Unë tani po e kuptoj se ai nuk kishte qenë as më i ditur se Ti e se shokët e tjerë të brezit tonë! Të kërkoj falje për sa të pata thënë atëherë, për të sapoliruarin nga burgu.
*
Miku im i dashur, shumë njerëz e kishin pasur me hile. Këtu, kohët e fundit, po ndodhin gjëra të tmerrshme.
Po ia nis nga fillimi.
Nga klasa e parë e shkollës fillore është tmerr! Në kushtet tona ballkanike, Ministria e Arsimit propagandon një sistem arsimimi si për fëmijët e Parisit a të Vjenës. Në anën tjetër, politika është futur me të dy këmbët në shkollat tona. Edhe nxënësit e klasave të treta ose të katërta janë mësuar që të protestojnë. Për çfarëdo qoftë, dalin në rrugë e protestojnë. Vetëm ua bën dikush me sy, e ata dalin nga dhomat e mësimit dhe thonë se janë në protestë!
Arsimi ka degraduar shumë, që nga klasa e parë e deri tek ai universitar. Ata që janë në pushtet mund të marrin diploma çfarë të duan. Bëhen magjistra e doktorë shkencash, në daç në Universitetin e Prishtinës, në daç në atë të Tiranës, se për universitetet private as të mos flasim. Uh, uh, kemi bërë universitete e universitete. Në çdo 30 kilometra e kemi nga një, qoftë publik, qoftë privat. Për sa u përket diplomave, kurrë nuk kemi pasur më shumë njerëz me diploma, ndërsa për sa i përket dijes – është pikëpyetje e madhe. Njerëz me diploma kemi mjaft, edhe për eksport, ama këto shtetet e Evropës nuk na i pranojnë bash lehtë diplomat. Bëhen mësues, drejtorë shkollash, profesorë të të mesmeve dhe të fakulteteve ditën e s`ditën. Pra, për të ditur e të paditur e kam fjalën. Po pate të holla, ose po dite dallavere, mund të bëhesh asamblistë në kuvendin komunal, po edhe kryetar komune, pastaj edhe deputet. Mund të bëhesh ministër a zëvendësministër. Po pate përkrahjen e partisë, mund të bëhesh çka të duash! Nuk ka rëndësi fare dija…
O Zejna im i mirë, janë kacafytur edhe profesorët e fakultetit para studentëve! Po, po, janë rrahur me grushte! Janë grushtuar, pra!… Dhe ti mos mendo se mospajtimi ishte për ndonjë çështje parimore, jo, jo, ishte për interesa të tyre individuale.
Tani edhe presidenti i Republikës sonë, në mëngjes thotë diçka, që askujt nuk ia merr mendja se e ka mirë, e pasdite e ndryshon qëndrimin. Me gjasë i thotë dikush se e ke bërë bërllok! E pastaj ose thotë se nuk e kanë kuptuar gazetarët fjalimin e tij ose nuk ka thënë ashtu si e kanë kuptuar ata!
Pastaj, ka gjëra që të lënë edhe më shumë pa mend. Deputetët, të cilët rrahin gjoks se erdhën aty me votën e popullit, në mbledhjet e tyre përmendin edhe fjalë të ndyta. Para kolegëve deputetë e deputete, para kamerave televizive, që përcjellin sinjalin te populli, nuk kursehen fare nga fjalët banale. Unë nga Gjermania e kam parë dhe e kam dëgjuar kur njëri nga deputetët ka thënë: “Nëse ne e kemi kthyer kryet nga Beogradi, ju ia keni kthyer b…”. Pra, ai deputet fjalën e kishte për opozitën dhe për prapanicën e tyre. Po mua më vjen turp ta them si e ka thënë ai, madje më vjen turp edhe t’ia përmend emrin atij deputeti, sepse nuk e vlen as t’i përmendet emri.
Eh, more miku im, nganjëherë bëhet rrëmujë para foltores, sepse nuk mjafton që deputetët dinë të shahen, por edhe gjuhen me ujë, gjuhen me shishe të plastikës, po përdorin edhe gaz lotsjellës, qe besa. Sikur ta dije Ti kush është bërë deputet a deputete, habitesh…
Të kujtohet, në fillim të vitit 1990, ata muajt e parë të atij viti, kur delegatët serbë të Kuvendit të Kosovës e bllokonin foltoren e Kuvendit e nuk i linin delegatët shqiptarë të flisnin!? Ata e kishin edhe policinë edhe ushtrinë e Serbisë, e cila u dilte zot. Jo vetëm që e bllokonin foltoren, po nganjëherë i fiknin edhe dritat, ulërinin në sallë e çfarë nuk bënin.
Tani kjo po ndodh në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deputetët shqiptarë zihen mes vete. Aty ka edhe deputetë serbë, shumica janë me vendet e garantuara që i kanë, e jo me votën e popullit. Tani deputetët serbë bëjnë sehir duke i shikuar deputetët shqiptarë si zihen mes vete.
Edhe në atë të Republikës së Shqipërisë, njësoj si këta në Prishtinë!
E çuditshme, apo jo!
Më vjen keq që ndoshta po të dëshpëroj, po vërtet kështu është puna.
Një ditë, dy deputetë, derisa ishin duke debatuar me njëri-tjetrin në njërin nga televizionet tona (uuuuu, sa shumë televizione kemi tani, është për t’u habitur), nisën ta shanin njëri-tjetrin. U shanë shumë keq. I pashë në reprizë! Kur qe drejtpërsëdrejti, qeshë i shtrirë në spital, por më tregoi bija ime. Kur e pyeta se si janë sharë, cili e ka sharë i pari, e pyetje të tjera, ajo më tha: Jo, babi, unë nuk mund të të tregoj, si janë sharë ata, se më vjen turp. Mund t’i shohësh në “You Tube”, më tha ajo. E pyeta pastaj bashkëshorten time, se edhe ajo i kishte parë “live”. U habita, edhe ajo më tha se i vinte turp të tregonte se si e kishin sharë njëri-tjetrin. Shikoje në “You Tube”, si të tha Vatra. Më tha edhe bashkëshortja ime! Kur i pashë në këtë “You Tube”, para kamerave televizive, vërtet ishin sharë e përsharë, tani edhe mua më vjen turp të tregoj në origjinal dhe në fund shkëmbyen grushte!
Kjo më kujtoi kohën e artë të boksit kosovar, kur në sallën “Një Tetori” Mehmet Bogujevci e grushtonte Ace Rusevskin, nga klubi i boksit të “Kumanovës”.
Të kujtohet çfarë ekipi kishte Klubi i boksit “Prishtina”? I patën mundur të gjitha klubet e boksit në tërë Jugosllavinë. Më shumë se pesë vjet qenë të parët në tërë Jugosllavinë! Lah Nimani i përgatiste me zemër boksierët e Prishtinës!
Na marruan krejt këta udhëheqësit tanë. Nga baza e deri në nivelin më të lartë! Këto gjëra po i shohin edhe fëmijët, vajza e djem, gra e burra, pleq e plaka.
*
Nuk do të më besosh, nëse të tregoj se tani nxënësi nuk e do mësuesin, studenti nuk e respekton profesorin, ministrit nuk ia ndien për kryeministrin, deputeti i parlamentit nuk e dëgjon kryetarin e parlamentit. Presidenti thotë diçka, e kryeministri diçka tjetër! Mos pyet, mos pyet!…
Për këto do të të shkruaj njëherë tjetër.
Paç dritë, miku im! Kërkoj ndjesë se e stërzgjata këtë herë!
(Nuremberg, 13 korrik 2019)