22/12/2024
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

1-Natasha Lako

I-Ajo që bie në sy te poezia “Dashurinë tënde shkruaj” e Natasha Lakos është fakti se:  kjo poezi, ndërsa  është një shprehje e dashurisë nga ana e heroit poetik, në asnjë fjalë apo varg nuk le të nënkuptojmë se ky është hero apo heroinë. Fakti që poetja nuk specifikon këtë detaj i jep poezisë një dimension të gjerë dhe të përgjithshëm, duke e lejuar lexuesin të identifikohet me ndjenjat dhe emocionet e shprehura në mënyrën universale, pasi e lejon atë të përfytyrojë heroin poetik sipas përvojës apo dëshirës së tij personale duke u ndjerë më i afërt. Specifikisht, kjo mungesë cilësimi e gjinisë së heroit poetik mund të simbolizojë një përjetim të njejtë të dashurisë nga të gjithë, pavarësisht nga gjinia apo orientimi seksual. Përpos kësaj, kjo mungesë mund të paraqesë një shfaqje të barazisë gjinore dhe një synim për të theksuar universalitetin e ndjenjave të dashurisë, duke treguar se ndjenjat dhe emocionet nuk janë të kufizuara dhe as favorizohen nga identiteti gjinor, duke krijuar kështu një përshtypjeje të gjerë për lexuesin, dhe duke e bërë poezinë të përshtatshme për të gjithë ata që e lexojnë atë.

II-Qasja e vargjeve “zogjtë me fluturimin e tyre shkruajnë, fjalë që vetëm ne i dimë”, me vargjet: “pemët, fjalët që i besojmë, vetëm ne të dy, pëshpërisin” si dhe vargjet: “për të shkruar dashurinë tënde”  me vargun : “dhe unë, dashurinë tënde shkruaj”  e cila përsëritet dy herë, sigurisht nuk është rastësore në këtë poezi pasi nga sa kemi lexuar nga Natasha Lako kemi mësuar se ajo është shumë e kursyer në fjalë, të cilën gjithmon e përdor me një synim artristik. Qasja e frazave “fjalë që vetëm ne i dimë” dhe “fjalë që vetëm ne i besojmë”, si dhe përsëritja e frazës “unë dashurinë tënde shkruaj” në këtë poezi të Lakos ka për qëllim të theksojë shkallën e intimitetit dhe  lidhjen e veçantë midis heroit lirik dhe personit që i drejtohet, por dhe indirekt midis dashurisë dhe fjalëve të shkruara që  shfaqin këtë ndjenjë.

Kjo përsëritje krijon efekt të përsosur dhe të qëndrueshëm në poezi, pasi nëpërmjet kësaj  përsëritjeje, poezia krijon një ritëm dhe një melodicitet mahnitës, për lexuesin. Poetja përdor këtë teknikë për të theksuar ndjenjën e thellë të intimitetit midis dy personave në lidhje. Në një kuptim më të thellë, kjo përsëritje mund të paraqesë një përqafimi të fjalëve dhe ndjenjave, të cilat në dashurinë e tyre janë të veçanta dhe të pazëvendësueshme për ata. Përdorimi i fjalëve “vetëm ne” thekson një lidhje sa të thellë dhe intime, aq dhe të fshehtë nga të tjerët, duke bërë kështu paraqitjen e dashurisë dhe fjalëve për atë, më të veçantë, gati të koduara (vetëm ne i dimë). Pasazhi “Vetëm ne i besojmë” shpreh thelbin e besmit të dyanshëm te dashuria, ndërkohë që pasazhi:”vetëm ne i pëshpërisim” shpreh ëmbëlsinë e ndjenjave gjer në atë shkallë, sa që asnjë fjalë tjetër nuk mund ta shprehë këtë ndjenjë me melodicitetin e pëshpërimës. Po ashtu, përsëritja e frazës “unë dashurinë tënde shkruaj” jo vetëm që ndihmon në theksimin e rëndësisë së të shkruarit si mënyrë për të shprehur e përjetuar dashurinë, por në këtë mënyrë e vendos dashurinë në qendër të mendimit dhe ndjenjave . Në aspektin e ritmit, përsëritja e këtyre vargjeve krijon një melodi dhe një ritëm në poezi, duke e bërë atë tërheqëse për lexuesin, pse ky ritëm përcakton një lloj harmonie midis fjalëve dhe ndjenjave të shprehura, e bën atë të qëndrueshme dhe të përshtatshme për të pranuar dhe përjetuar. Gjithashtu, kjo përsëritje paraqet një rritje, shtesë afirmimi për lidhjen emocionale dhe intime midis dy personave. Pra, përmes fjalëve të përsëritura, poezia përforcon lidhjen e tyre dhe e bën atë të ndjehet edhe më e fortë dhe e më e thellë për lexuesin.

III-Poetja shikon natyrën dhe elementët natyrore si një mënyrë për të shprehur dhe për të përjetuar ndjenjat e dashurisë në një mënyrë të lidhur me botën që e rrethon. Në poezinë “Dashurinë tënde shkruaj”, poetja përdor qasje mes elementeve natyrore siç janë qielli, zogjtë, lumi me të dashuruarit për të shprehur ndjenjat e dashurisë. Kjo qasje përcakton një lidhje midis natyrës dhe ndjenjave njerëzore, duke i përzier ato në një mënyrë të harmonizuar dhe të përputhur.

Për shembull, duke përdorur imazhin e fletës së bardhë: “sa pak një fletë e bardhë”, poetja e paraqet dashurinë si diçka të pastër, (bardhësia e virgjërisë) të pazakontë, një hapësirë ku ndjenjat e shprehura mund të shndërrohen në fjalë, por që gjithsesi është një hapësirë e vogël që nuk e nxe dot gjithë dashurinë.

Ajo që ka rëndësi te poetja Natasha Lako është fakti se simbolet dhe metaforat me origjinë nga natyra nuk i “merr hua” për ti vendosur në poezi, por janë ndjenjat e saj që shprehen me imazhin poetik të elementëve të natyrës, një imazh i krijuar nga ndërveprimi i simboleve, metaforave dhe personifikimeve, ndërveprim që gjithsesi ne e shohim. Psh: Vargu “Zogjtë shkruajnë fjalë që vetëm ne i dimë” përdor disa elemente letrare si personifikim, metafora dhe simbol për të krijuar një imazh poetik të pasur. Le të analizojmë këtë: a)-Përdorimi i personifikimit është evident në paraqitjen e zogjve si shkrues fjalësh, figurë e marur nga mënyra e fluturimit të tyre me forma që u ngjajnë gërmave (patat ikin në formë V-je). Duke e atribuar këtë aftësi një krijese të natyrës, si zogjtë, ata bëhen si njerëz që shkruajnë dhe përhapin fjalë. Kjo i jep një cilësi njerëzore një elementi jo-njerëzor. b)-Në këtë kontekst, fraza “zogjtë shkruajnë fjalë” mund të shihet si një metaforë për komunikimin dhe shprehjen e ndjenjave në mënyrë të fshehtë (kush e kupton gjuhën e zogjve veç dashnorëve). c)-Zogjtë shfaqen si një figurë simbolike që komunikojnë mesazhet e fshehta të heroit nëpërmjet simboleve natyrore.ç)-Zogjtë janë simbol i lirisë dhe shpirtit, ndërsa fjalët që ata shkruajnë përfaqësojnë ndjenjat dhe emocionet të pranishme në natyrë, por shpesh  mohohen ose injorohen nga njerëzit. Kjo përbën një simbolizëm të hollë, fin për lidhjen mes natyrës dhe shpirtit njerëzor. Pra ndërveprimi i simboleve, metaforave dhe pesonifikimeve krijojnë imazhin poetik që ne e shohim te vargu”zogjët shkruajnë fjalë që vetëm ne i dimë”, imazh poetik që ndez imagjinatën dhe shfaq një ndjesi të thellë simbolike..

Në këtë imazh, zogjtë përfaqësojnë një element të natyrës që, në këtë poezi janë të cilësuar si shkrues,(duke shkruar fjalë) në mënyrë të padukshme për njerëzit, por të perceptueshme për heroin dhe personin që ai përmend (duhet të jesh poet ose fëmijë që të lexosh fjalë në fluturimin e zogjve, kujtoni fëmininë ju lutem). Kjo ndihmon në krijimin e një atmosfere  misteri dhe  fshehtësie që e bën këtë imazh magjepsës e tërheqëse për lexuesin, pse ato “fjalë që vetëm ne i dime” (pra heroi dhe personi që i drejtohet ai) i shkruajnë dhe zogjtë.Të kuptohemi, fjala “shkruajnë”  në këtë kontekst nuk  përdoret në kuptimin literal të shkrimit me dorë, por më shumë si një simbol i veprimit të zogjve, duke paraqitur mënyrën se si fluturojnë duke formuar figura, gërma e fjalë në natyrë..

Pra, imazhi poetik i zogjve që shkruajnë fjalë përfaqëson një lloj lidhjeje të fshehtë midis natyrës dhe heroit poetik, duke e bërë atë të ndjehet si një pjesë e një bote më të madhe, misterioze dhe të magjishme. Ky imazh jep një ndjenjë të mbushur me mister dhe pasuri simbolike, që përforcon thellësinë dhe kompleksitetin e përvojës së protagonistit.

“Pemët, fjalët që i besojmë, vetëm ne të dy, pëshpërisin” japin një imazh poetik me origjinë një personifikim,pasi i është dhënë pemëve një cilësi njerëzore, aftësia për të pëshpëritur. Përdorimi i fjalës “pëshpërisin” paraqet një veprim që është tipik për njerëzit, por në këtë rast, i jepet edhe pemëve. Ky personifikim shfaq një imazh poetik tërheqës, pse e bërë natyrën të duket sikur ka një lidhje të ngushtë me heroin. Duke e paraqitur natyrën me cilësi të tilla njerëzore, poetja përforcon idenë e një bashkveprimi të thellë dhe intim me natyrën, duke e bërë atë të duket si një pjesë integrale e përvojës, e përjetimit të heroit. Në këtë rast, pemët përfaqësojnë një partner në komunikimin dhe përjetimin e ndjenjave të protagonistit. Sigurisht që “pëshpëritja” e pemëve ka qasje me zhurmën që bëjnë fletët kur i lëviz flladi duke dhënë madje një muzikalitet të këndshëm. Një legjendë e fshatit tim thotë se Zeusi i këndoi Herës me pëshpërimën e gjetheve të lisave të Pilurit dhe e bëri atë për vete, madje dhe në artet orale kjo pëshpërimë gjethesh përdoret si bashkëbisedim të dashuruarish.

Vargu, “kur lumenjtë gërryejnë tokën e lashtë për të gdhendur fjalën time të pafundme për ty”, paraqet një imazh poetik ku lumenjtë personifikohen si një subjekt i gjallë që shfaq aktivitet duke “gdhendur fjalën time të pafundmetë për ty” në token e lashtë.

Personifikimi i lumit është një mjet poetik që i jep një cilësi njerëzore një entitetit jo-jetësor, siç është lumi, duke e bërë lëvizjen dhe veprimin e tij të ndjehet si një veprim që realizohet me qëllim e përkushtim të paracaktuar, si veprim njerëzor. Duke e paraqitur lumit si një forcë krijuese që “gdhend” fjalën në tokë, poezia shpreh një ndjenjë të fuqishme të komunikimit dhe shprehjes së ndjenjave, duke i dhënë një dimension të thellë poezisë. Në këtë kontekst, lumi përfaqëson një forcë të gjallë dhe krijuese, që ka aftësinë për të vepruar dhe për të përshtatur mjedisin,duke formuar diçka të re. Gëryerja e tokës së lashtë për të “gdhendur” fjalën për heroin përforcon idenë e një lidhje mes natyrës dhe emocioneve njerëzore. Kjo pamje e personifikuar e lumit krijon një atmosferë poetike të ngrohtë, pse e bën atë të ndjehet si pjesë e rëndësishme e përjetimit të protagonistit, duke e foruar në këtë mënyrë lidhjen mes natyrës dhe shpirtit njerëzor.

Imazhi i lumit që gërryen paraqet një pamje simbolike, ku lumenjtë janë personifi-kuar si një forcë krijuese që ndryshon tokën ku “gdhend” diçka të përjetëshme, që i kushtohet personit të adresuar në poezi. Në fakt, gërryerja e lumit është një veprim i natyrës që karakterizon një lloj lëvizjeje  të vazhdueshme. Kur lumenjtë gërryejnë tokën, ata formojnë një larmi peizazhi dhe krijojnë shtrat të ri rrjedhjeje. Ky proces shpreh një evolucion dhe rilindje, që interpretohet si një simbol për ndryshimet dhe përparimin në jetë. Për më tepër, përdorimi i fjalës “gdhendur” paraqet një proces të ngjashëm me punën e një skulptori, i cili punon për të krijuar diçka të re dhe të paharrueshme. Në këtë kontekst, “fjala e pafundme për ty” përfaqëson një lloj shprehjeje të thellë të ndjenjave që janë të destinuara për personin që i drejtohet poezia.

Mirëpo ky imazh është krijuar falë ndërveprimit të simboleve të lumenjve, të cilët përfaqësojnë rrjedhën e kohës, rrymën e jetës dhe pasojat që shkaktojnë (Po vjen lumi turbullo/Bjen një bej të mbyturo). Në  kontekstin e poezisë, ata simbolizojnë rrjedhën e dashurisë, e cila është e pafundme dhe e pakontrollueshme.-Simboli i “tokës së lashtë” përfaqësojë thellësinë e ndjenjave dhe historinë e qëndrueshme të dashurisë, pasi ajo është baza mbi të cilën ndërtohet dashuria dhe shprehja e saj. Fjala “gërryejnë” shpreh një veprim të fortë, të ndryshueshëm, të pakontrollueshëm. Ky veprim mund të interpretohet si  metaforë për forcën dhe ndikimin e ndjenjave të forta të dashurisë. Ndërsa fraza “fjalën time të pafundme për ty” shpreh  metafo-rikisht një ndjenjë të pafundme dhe të pamatë, është një përpjekje për të shprehur se sa e madhe është dashuria, e cila përkundet me vargjet e pafundme në këtë poezi.

Simbolet, metaforat dhe personifikimet e kanë bazën te elementët natyrorë, gjë që na shpie në përfundimin se edhe përmes këtij imazhi, (të përfituar nga ndërveprimi i simboleve, metaforave dhe personifikimeve) poetja paraqet një lidhje të ngushtë midis natyrës, veprimtarisë krijuese dhe shprehjes së ndjenjave të dashurisë për një person të dashur. “Unë vërtet besoj se çfarë shkruan natyra është shumë më e fuqishme se çfarë ne, si vazhdues të natyrës shkruajmë, veçanëriht për dashurinë”- është shprehur Natasha Lako në një bashkbisedim, por le të vazhdojmë.

Vargu “Sa pak dinim të thoshnim në një fletë të vogël”paraqet një ndjenjë trishtimi për mosdijen e heroit poetik, ”si mundësi njerëzore e kufizuar, ndoshta në planin shoqëror,dhe për dashurinë” (N.Lako), për mungesën e përvojës për të shprehur gjithë botën e ndjenjave të dashurisë dhe sidomos kur tentohej që kjo të bëhej nëpërmjet një cope letre, e cila gjithsesi nuk mund ti përmbante brenda hapësirës së saj “të vogë” gjithë atë shumësi ndjenjash. Kjo frazë mund të interpretohet edhe si thirrje për më shumë kohë, hapësirë, ose mundësi për të shprehur ndjenjat dhe përvojat në një mënyrë të plotësuar, dhe të gjithë këtë poetja e shpreh nëpërmjet një imazhi të thjeshtë, një “fletë të vogël”, për të shprehur një trishtim të madh shpirtëror.

Pra, në poezinë e Lakos personifikimet, simbolet e metaforat shfaqen si “rastësisht” , tek ato nuk ndalet shikimi dhe mendimi, gjithë vëmëndja jonë përqëndrohet te imazhet, të cilat Lako i ka menduar me shpirt, i ka ndjerë shpirtërisht fillimisht pastaj ka thirrur në “ndihmë” simbolet, metaforat dhe personifikimet që të shprehë poezinë që ka menduar. Kjo mënyrë e të menduarit të imazheve mund të quhet “të menduarit poetik” dhe është niveli më i lartë i përsosjes së talentit te poetët. Është e ngjashme me të mësuarit e një gjuhe të huaj, fillimisht mëson të lexosh, të shkruash e përkthesh, me apo pa ndihmën e fjalorëve, por pas kësaj  duhet të nisësh të “mendosh”në atë gjuhë të huaj, ndryshe e harron shumë shpejt. Lako jo vetëm që nuk ka “harruar” të shkruajë poezi, por na befason me kuotën gjithmon në rritje të poezisë së saj, për këtë  rritje kemi folur dhe më parë.

IV-Poezia “Dashurinë tënde shkruaj” e Natasha Lakos është shembull i një poezie moderne që përfaqëson shumë nga cilësitë e rrymës së modernitetit të një epoke të caktuar. Megjithatë, duke  identifikuar më saktësisht rrymën e modernitetit që kjo poezi  i përqaset më së miri, duke shqyrtuar disa nga cilësitë e poezisë, si faktin që:

Duke marrë parasysh elementët poetikë, krijimi “Dashurinë tënde shkruaj” është një poezi moderne, pasi fokusohet në shprehjen e ndjenjave personale, eksplorimin e thellësisë emocionale dhe përdorimin e imazheve simbolike për të shprehur e shfaqur përjetimet njerëzore. Duke marrë parasysh cilësitë dhe temat e përmendura më lart, mund ta cilësojmë si një poezi moderne e shkruar në mënyrë subjektive me një theks të fortë në emocione dhe përjetime personale..

Poetët modernë shpesh përdorin subjektivizmin si një mënyrë për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet personale në poezinë e tyre. Subjektivizmi në poezi përfshin fokusimin në përjetimin, emocionet dhe ndjenjat e individit, duke i lënë mënjanë normat e përgjithshme të objektivitetit dhe duke e bërë poezinë një shprehje  të drejtpërdrejtë dhe intime të përvojës së poetit.

Në poezinë moderne, subjektivizmi shfaqet nëpërmjet përdorimit të një gjuhe të ndjeshme dhe emocionante, përdorimit të imazheve dhe simboleve që përfaqësojnë përjetimet personale të poetit, dhe fokusimin në temat dhe ndjenjat që janë të veçanta për atë individ. Poetët modernë shpesh përdorin një lloj autorefleksioni dhe introspektivizmi në poezi, duke shprehur ndjenjat dhe mendimet e tyre në mënyrë të hapur dhe të sinqertë. Një shembull i mirë i subjektivizmit në poezinë moderne është poezia “Dashurinë tënde shkruaj”e Natasha Lakos, e cila fokusohet në ndjenjat dhe përjetimet individuale të dashurisë dhe përmbledh një eksplorim të thellë dhe të ndjeshëm të emocioneve të dashurisë nga perspektiva e individit. Kjo poezi shfaq një  intimitet dhe transparencë në shprehjen e ndjenjave individuale, duke forcuar idenë e subjektivizmit në poezinë moderne.

V- Karakteristikë e kësaj poezie është fakti se”megjithëse është një poezi moderne ajo përdor një shumësi elementësh tradicionalë si:  letra, zogjtë, pemët dhe lumenjtë të cilët realisht shërbejnë si një sfond poetik tradicional i kësaj poezie moderne, edhe pse ato përdoren në një kontekst aktual dhe të freskët. Këto elementë tradicionalë japin dimension shtesë në përmbajtjen e poezisë moderne, duke i dhënë asaj një lidhje me trashëgiminë letrare dhe një kuptim të thellë historik.

Për shembull, në poezinë moderne “Dashurinë tënde shkruaj” të Natasha Lakos, zogjtë, pemët dhe lumenjtë shërbejnë si një sfond poetik tradicional që përforcon emocionet dhe ndjenjat e përjetuara në lidhjen e dy personave. Përdorimi i tyre nuk është vetëm një reflektim i një tradite të hershme letrare, por gjithashtu shërben për të thelluar përvojën e dashurisë dhe lidhjes së dy të rinjve në kontekstin e sotëm.

Po ashtu, lumenjtë në poezinë “Dashurinë tënde shkruaj” mund të interpretohen si  simbol i rrjedhës së kohës dhe pafundësisë së ndjenjave të dashurisë, duke u përdorur për të përforcuar përjetësinë e lidhjes së dy personave në një mënyrë të freskët dhe origjinale.

Pra, përdorimi i elementeve tradicionalë si sfond poetik në një poezi moderne mund të kontribuojë në ndjeshmërinë e përmbajtjes së saj, duke i dhënë një lidhje të fortë me traditën letrare dhe një kuptim të gjerë historik dhe kulturor. Mjafton të lexojmë poezinë “Dashurinë tënde shkruaj” të Natasha Lakos për ta ndjerë dhe kuptuar këtë.

Sarandë, prill 2024

Natasha Lako

DASHURINË TËNDE SHKRUAJ

Sa pak, sa pak një fletë e bardhë

për të shkruar dashurinë tënde,

kur në qiellin e hapur, parreshtur

zogjtë me fluturimin e tyre shkruajnë,

fjalë që vetëm ne i dimë,

dhe unë, dashurinë tënde shkruaj

kur pemët, fjalët që i besojmë,

vetëm ne të dy, pëshpërisin

dhe unë dashurinë tënde shkruaj,

kur lumenjtë gërtyejnë tokën e lashtë

për të gdhendur fjalën time të pafundme për ty.

Sa pak dinim të thoshnim në një fletë të vogël.

“Natyrë e qetë”. f.55

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok