25/12/2024
Xhelal-Zejneli

Nga Xhelal Zejneli

Surrealizmi (fr, surréalisme – mbirealizëm; mbirealitet) është lëvizje letrare dhe artistike që u paraqit në Francë pas Luftës së Parë Botërore. Termin e vuri në përdorim në vitin 1918 poeti francez Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire). Surrealizmi e vazhdon dadaizmin dhe frymën rebeluese të tij, revoltën kundër traditës dhe shprehive e zakoneve të ngulitura, urrejtjen ndaj normave shoqërore. Por, për dallim nga fryma mohuese kategorike e dadaizmit, e ka edhe anën e tij pozitive dhe konstruktive. Ka edhe program të caktuar. Mendimet themelore dhe më të rëndësishme të surrealizmit i përmban “Manifesti i surrealizmit” që e botoi më 1924 poeti, tregimtari dhe teoricieni francez Andre Breton.

Surrealistët synojnë të mposhtin logjiken dhe racionalen si dhe imagjinatën tradicionale. E përjashtojnë kontrollin e intelektit dhe nxjerrin në plan të parë vizionet, asociacionet e instinkteve, halucinacionet dhe elementet e ëndrrave. Krijimtari artistike lihet  të udhëhiqet prej nënvetëdijes, e vetmja që mund të depërtojë në thellësinë e realitetit.

Bazat teorike të pikëpamjeve të veta surrealistët i arsyetuan më së shumti me psikanalizën e Zigmund Frojdit (Freud). Prerazi i kundërvihen çdo realizmi dhe racionalizmi. Janë lejojnë që  veçantitë e aktit krijues të kontrollohen nga arsyeja. Sipas tyre intelekti i deformon përmbajtjet e thella të shpirtit. Krijimtaria buron prej thellësive të nënvetëdijes, prej vizioneve dhe ëndrrave alogjike për botën dhe jetën. Zbulimet më të mëdha mund të bëhen me gjurmimin e nënvetëdijshëm instinktiv dhe të kontrolluar, ngase vetëm kështu mund të arrijmë në thellësitë misterioze të shpirtit. Surrealistët duan diktatin e mendimeve në mungesë të çdo kontrolli të arsyes. Theksojnë veprimin e automatizmit shpirtëror. Përdorin atë që e quajnë  të shkruarit automatik. I flakin të gjitha preokupimet estetike dhe morale. Atyre më shumë u interesojnë psihogramet lirike, e për këtë arsye me të madhe janë orientuar kah psikanaliza dhe nga jeta e nënvetëdijshme e njeriut.

Me disa pikëpamje të tyre dhe me tendencën për t’u bërë shprehje artistike e botës surreale, e botës të fshehur thellë nën faktet e jetës së dukshme dhe të matshme, surrealizmi është i afërt dhe i ngjashëm me ekspresionizmin, me simbolizmin, e sidomos me dadaizmin.

Surrealistët shtruan shumë çështje që më parë nuk kanë qenë të njohura. Gjetën motive dhe tema të rëndësishme, duke zgjeruar kësisoj lëmin tematik të letërsisë dhe të artit. Surrealistët nuk nxorën emra të mëdhenj krijuesish. Nuk nxorën as vepra të mëdha poetike. Ndihmesë më të madhe dhanë në planin teorik.

*   *   *

Ndonëse një prej veçorive themelore të kësaj lëvizjeje është ndërprerja me artin dhe letërsinë tradicionale, megjithëkëtë surrealizmi i ka edhe pararendësit e vet. Këtë s’e mohojnë dot as vetë surrealistët.

Këta janë shkrimtarë që mbjellin atmosferë frike dhe tmerri, që e përshkruajnë anën misterioze të natyrës njerëzore apo që synojnë t’i evokojnë mbresat dhe përjetimet e veta duke mos i lidhur me ndonjë lidhje logjike. Këtu bëjnë pjesë: shkrimtari gjerman Markiz dë Sad (Marquis de Sade), shkrimtarët e romanit të tmerrit*, romantikët gjermanë, poeti dhe tregimtari francez Zherar dë Nerval (Gérard de Nerval), poeti francez Petrus Borel, poeti francez Alojziys Bertran (Aloysius Bertrand), poeti francez Artyr Rembo (Rimbaud), poeti francez Lotreamon (Comte de Lautréamont), poeti francez Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire).

Bazën filozofike të vet surrealizmi e kërkoi së pari në frojdizëm, e pastaj në marksizëm. Fillim i surrealizmit konsiderohet viti 1924 kur poeti francez Andre Breton e botoi të parin “Manifest të surrealizmit” (Manifest du surréalisme). Rreth Bretonit tubohen edhe shkrimtarë të tjerë: Lui Aragoni, Pol Elyari (Paul Éluard), Benjamin Pere (Peret), Filip Supo (Soupault). Kësaj lëvizjeje i takonin edhe artistë të tjerë, si p. sh. piktori surrealist spanjoll Salvador Dali. Organ i surrealistëve ishte revista “Littérature” (Letërsi) që e themeluan në vitin 1919 Andre Bretoni, Lui Aragoni dhe Filip Supo. Në fillim kjo ishte revistë dadaiste, por prej vitit 1922, pas ndarjes së Bretonit dhe të grupit të tij nga poeti francez me prejardhje rumune Tristan Cara (Tzara) – u bë revistë e surrealistëve. Revistë e surrealistëve ishte edhe “La Révolution surréaliste” (Revolucioni surrealist) që e botonte Bretoni në vitet 1924-1929.

Shefi dhe doktrinari i surrealistëve, Andre Bretoni botoi tre manifeste dhe disa artikuj e shkrime në të cilët i paraqiti konceptet kryesore të lëvizjes: “Manifesti i surrealizmit” (Manifeste du surréalisme) më 1924; “Manifesti i dytë i surrealizmit” (Second manifeste du surréalisme) më 1930; “Pozita politike e surrealizmit” (Position politique du surréalisme), më 1935; “Fillimet e një manifesti të tretë të surrealizmit apo jo” (Prolégomènes à un troisième manifeste du surréalisme ou non) më 1942/43.

Pikëpamjet e veta i zbatoi praktikisht në veprat: “Hapa të humbur” (Les Pas perdus, 1924), romani poetik “Nadia” (1928), “Enë komunikuese” (Les Vases communicants, 1932), “Fshehtësia 17” (Arcane 17, 1947).

Programi i surrealistëve është revolucionar. Duan ta ndryshojnë pamjen e botës dhe ta çlirojnë njeriun nga të gjitha prangat e arsyes dhe të moralit. Duke depërtuar në shtresat më të fshehta të vetëdijes së njeriut, synojnë ta zbulojnë personalitetin autentik të tij. Në këtë mes ndihet ndikimi i psikanalizës Frojdit. Duan të zbulojnë një realitet më të lartë, por të fshehur, surrealen (mbirealen) në të cilën sundon kaosi fillestar, i paçrregulluar nga mendimi racional i njeriut. Në këtë surrealitet nuk mund të depërtohet nëpërmjet gjykimit logjik, por me ndihmën  “e automatizmit psikik”, përkatësisht duke iu lëshuar funksionimit spontan të shpirtit pa kurrfarë kontrolli të arsyes, duke nxjerrë në sipërfaqe atë që fshihet në nënvetëdije, me ndihmën e metodës të cilën Artyr Rembo e kishte quajtur “çrregullim të shqisave”.

Për këtë arsye, në radhë të parë atyre u intereson gjendjet shpirtërore në të cilat aktiviteti i vetëdijes është reduktuar në minimum apo plotësisht mungon: dehja, gjumi, çmenduria.

“Surrealizmi bazohet në besimin se forma të caktuara të asociacioneve janë me realitet më të lartë, gjë që dikur nuk është marrë parasysh apo është shpërfillur. Surrealizmi bazohet edhe në plotfuqinë e ëndrrës, të lojës së painteresuar të mendimeve”. (Andre Breton, Manifesti i surrealizmit).

Vepra artistike duhet të shprehë vizione dhe përjetime halucinante që paraqiten në gjendje të funksionimit spontan të shpirtit, pra kur shpirti funksionon spontanisht. Për t’u mos u çrregulluar autenticiteti i tyre, shkrimtari duhet të shënojë çdo gjë që i vjen ndërmend, duke iu lëshuar lojës së lirë të asociacioneve.

Të shkruarit automatik* bëhet mjet teknik kryesor i surrealistëve. Në saje të kësaj loje të lirë asociacionesh zbulojmë lidhshmërinë e gjërave. Por, kur shpirti ndodhet në gjendje normale, midis gjërave nuk mund të zbulohet kurrfarë lidhjeje.

“Shumëçka na shtyjnë të besojmë se ekziston një gjendje e caktuar e shpirtit në të cilën jeta dhe vdekja, realja dhe imagjinarja, e kaluara dhe e ardhmja, e thëna dhe e pathëna, e lartësuara dhe e ulëta, tanimë nuk perceptohen ndaras” – thotë Bretoni. Në këtë mënyrë lindin lidhjet më të pazakonshme të fjalëve, figurat më të çuditshme të cilat duhet të shkaktojnë befasi te lexuesi.

“Manifestin” e parë Bretoni e merr përkufizimin e figurës të poetit francez Pjer Reverdi (Pierre Reverdy), si “ndërlidhje e dy realiteteve që pak apo shumë qëndrojnë larg njëri-tjetrit”. Salvador Dali zhvillon teorinë e ashtuquajtur “delirium paranojak-kritik”, d.m.th. e metodës që bën të mundur që me “ultravetëdije” të zbulohet nënvetëdija, pa e privuar nga forca irracionale e saj.

Nga fundi i vitit 1925, në zhvillimin e surrealizmit lind një etapë e re. Për ta çliruar  personalitetin e njeriut dhe për ta transformuar jetën e tij, surrealizmi i afrohet marksizmit. Disa pjesëtarë të tij si Lui Aragoni, Pol Elyari, Andre Bretoni bëhen anëtarë të Partisë Komuniste të Francës dhe kërkojnë angazhimin e artit në ngjarjet politiko-shoqërore. Në një rast Bretoni deklaron: “Arti autentik i sotëm është i ndërlidhur me veprimtarinë shoqërore revolucionare: bashkë me të, ai synon rrënimin e shoqërisë kapitaliste”.

Duke qenë se disa anëtarë qëndrojnë në pozicionet e vjetra, në lëvizjen surrealiste shkaktohet ndarja. Pas shumë polemikave dhe diskutimeve, e sidomos pas dëbimit të Bretonit nga Partia Komuniste e Francës në vitin 1933, autori i “Manifestit” heq dorë nga ndërlidhja e artit me luftën politike dhe pohon se surrealizmi, forcën e vet revolucionare e ka në vetvete. Pra, forca revolucionare e surrealizmit ndodhet te vetë ai.

Lidhur me surrealizmin, Bretoni ka shkruar edhe shumë studime, si: “Surrealizmi dhe arti figurativ” (Le Surréalisme et la Peinture, 1928), “Ç’është surrealizmi?” (Qu’est-ce que le surréalisme?, 1934).

Duke synuar ta paraqesë në mënyrë sa më autentike “diktatin e mendimeve në mungesë të çfarëdo kontrolli të arsyes”, Bretoni dhe bashkëmendimtarët e tij i lëkundën themelet e letërsisë franceze, duke fituar ithtarë edhe në letërsitë e tjera. Përkundër lajthitjeve të caktuara dhe mungesës së arritjeve të dukshme, ndikimi surrealist ndihmoi në largimin nga përsosmëria e imponuar e artizmit formal dhe përmbajtësor.

Pas luftës, Bretoni më në fund i kthehet misticizmit* dhe okultizmit*“Fshehtësia 17” (Arcane 17; 1947) gjë që e shkëput plotësisht prej bashkëpunëtorëve të dikurshëm, por i sjell edhe ithtarë të rinj. Në vitin 1947 dhe 1959 ata organizojnë ekspozita ndërkombëtare. Por, këto nuk janë veçse mbetje të surrealizmit.

Ndonëse lindi në Francë, surrealizmi nuk u përket vetëm francezëve. Në vitin 1933 grupe surrealiste tanimë kemi në Angli dhe gjetkë. Në vitin 1938 u mbajt në Paris një ekspozitë ndërkombëtare e surrealistëve. Morën pjesë përfaqësues të katërmbëdhjetë vendeve. Ky është manifestimi i fundit i rëndësishëm para Luftës së Dytë Botërore, i cili shënon, në mos fundin e surrealizmit, atëherë mbarimin e periudhës ngadhënjyese të tij.

Nëse nuk ia doli ta ndërronte pamjen e botës, surrealizmi arriti ta ndërrojë pamjen e poezisë. Shumë vepra surrealiste, përpos renditjes së thjeshtë të figurave, s’bëjnë gjë tjetër.  Midis tyre ndërkaq, nuk zbulohet kurrfarë lidhjeje, ndonëse në to shpesh ka mistifikim dhe pozë. Megjithëkëtë, duke u interesuar për nënvetëdijen dhe irracionalen dhe duke synuar t’i tejkalojë kornizat tradicionale të letërsisë, surrealizmi  vuri në dukje se ekzistojnë rrugë të reja për të kërkuar shprehje poetike dhe përmbajtje poetike. Me këtë ushtroi ndikim në poezinë moderne.

*   *   *

Shënim: Shkrimi automatik (fr. écriture automatique) është të shkruarit pa kontrollin e vetëdijes, në bazë të asociacioneve, ngjashëm me metodën psikanalitike të mjekimit, me ç’rast pacienti e thotë atë që i bie ndërmend. Është një nga karakteristikat kryesore të surrealizmit. Shkrimin automatik Andre Bretoni e përkufizon si shprehje “të funksionimit të vërtetë të mendimeve, në mungesë të çfarëdo kontrolli të arsyes, jashtë çdo preokupimi estetik apo moral”. Sipas mendimit të surrealistëve, ky shpërthim “i produkteve të jetës psikike” lind në gjendje të funksionimit spontan të shpirtit, të çliruar nga të gjitha frenat e arsyes dhe të të menduarit logjik (automatizmi psikik) – në ëndërr, nën ndikimin e alkoolit apo të drogës, në çmenduri – dhe bën të mundur të zbulohet një realitet më i lartë, absolut, një mbirealitet, të zbardhen zonat e fshehta të psikes së njeriut dhe të njihet personaliteti autentik. Në kuptim të ngushtë, shkrimi automatik mund të konsiderohet teori surrealiste e procesit krijues të surrealistëve. Në kuptim të gjerë, shkrimi automatik është prosede themelore stili i surrealistëve dhe i shkrimtarëve të tjerë modernë, sidomos i romancierëve (romani i përroit të ndërgjegjes) të cilët synojnë që pa ndërmjetësimin e strukturës racionale, ta shprehin në art jetën e nënvetëdijshme të njeriut. Ky prosede bazohet në radhë të parë në asociacionin e lirë të ideve. Por, sipas mendimit të disa kritikëve (Dejçis), mbetet e hapur çështja: Sa është e mundur shprehja e drejtpërdrejtë e nënvetëdijes në art? Sa vetëdija dhe “e pavetëdijshmja” ndërmjetësojnë në të shprehurit e nënvetëdijes? Sa është përzgjedhja premisë e pashmangshme e çdo komunikimi?

Shënim: Misticizëm (gr. mystikos) besim në fshehtësi, në mister, në diçka të mbinatyrshme; prirje ndaj të mistershmes; mistik – që ka të bëjë me misticizmin apo me mistikën; misterioz, enigmatik; misticitet – mister, enigmë;

Shënim: okultizëm – term i përgjithshëm për trillimet mistike antishkencore (magjia, astrologjia, spiritizmi) për “forcat misterioze” të natyrës, për “vetitë e pakapshme të gjërave” që janë të kapshëm vetëm për kuptimin e “të zgjedhurve”, “e të shenjtëruarve”.

Shënim: Artizëm – tendencë në letërsi dhe në përgjithësi në art, që vepra të shprehet në shprehjen e jashtme, formale në mënyrë sa më të përkryer dhe sa më të përsosur. Artizmi u paraqit për ta kundërshtua natyralizmin dhe është karakteristikë e modernes dhe e drejtimeve letrare të mëvonshme. Ky term përdoret edhe për theksimin e tepërt të formave të jashtme, formale në dëm të përmbajtjes, gjë që e ul vlerën artistike të veprës. Me artizmin ndërlidhet edhe dekadenca, arti për art (l’art pour l’art), moderna, simbolizmi.

Shënim: Romani i tmerrit është lloj romani në të cilin shkaktohet ndjenja e frikës apo e lemerisë me veprimin me shumë kthesa misterioze, me personazhe të mbinatyrshme, me vrasje dhe me mjete vrasëse. Struktura e romanit të tmerrit realizohet me shkaktimin e tensioneve te lexuesit me një mori faktorësh të lemerishëm dhe me ndryshime befasuese të situatave. Romani i tmerrit paraqitet në Angli në shekullin XVIII në formë romani gotik në veprat e prozatorit dhe poetit anglez Horis Velpëll (Horace Walpole) siç është “Kështjella e Otrantos” (The Castle of Otranto, 1765), në romanin e prozatores angleze En Redklif (Ann Radcliffe) “Misteret e Udolfit” (The Mysteries of Udolpho, 1794). Romane tmerri  më të njohura të shekullit XIX janë “Frankenshtain” (Frankenstein, 1818) i prozatores angleze Meri  Sheli (Mary Wollstonecraft Shelley) dhe “Drakula” (Dracula, 1897) i prozatorit irlandez Bram Stoker (Bram Stoker). Në kohën moderne gjithnjë më tepër humb interesimi për këtë lloj literature e cila në të vërtetë ishte produkt i interesimit amator për mesjetën. Tani publiku i saj parapëlqen romanin kriminalistik apo romanin shkencor-fantastik.

 

Të dhëna themelore për poetët

 

Apoliner, Gijom (Guillaume Apollinaire), emri i vërtetë Wilhelm Apollinaris de Kostrowitzky, Romë, 1880 – Paris, 1918) poet francez; ishte djalë i papranuar i një oficeri dhe i një fisnikeje polake; vdiq si pasojë e plagosjes në Luftën e Parë Botërore; është më i madhi poet francez i fillimit të shekullit XX; vizionar, vepra e të cilit bazohet në ideale humaniste, në ekzaltimin e lirisë krijuese dhe në estetikën e befasisë që e mbrojti në vitin 1917 në konferencën “Fryma e re dhe poetët” Esprit nouveau et les poètes). Është tejet i merituar për shkëputjen nga trashëgimia simboliste. Rreth vetes i tuboi poetët Andre Breton, Lui Aragon dhe Filip Supo (Soupault) të cilët më pas e nisën lëvizjen surrealiste. Apolineri e quajti Faik Konicën “enciklopedia që ecën”.

Aragon, Lui (Louis Aragon, 1897-1982) poet, romancier dhe eseist francez; ishte fëmijë jashtëmartesor, i edukzar në një familje qytetare të varfëruar; mori pjesë në krijimin e lëvizjes surrealiste; në kongresin e shkrimtarëve revolucionarë të mbajtur në harkove më 1930 i shkëputi lidhjet me surrealistët dhe iu bashkua realizmit socialist. Përmbledhja poetike “Hura Uralit” (Hourra l’Oural, 1934) është himn për BRSS-në; gjatë Luftës II Botërore ishte poet në zë i lëvizjes së rezistencës. Tanimë ishte një prej mendimtarëve kryesorë që iu kundërvunë ekzistencialistëve. Pas luftës, në romanin “Komunistët” (Les Communistes, 1949-1951) i mbrojti tezat e Zhdanovit mbi romanin. Në romanet e mëvonshme i shmanget marksizmit. Në poemën “Elsa” (1959) iu kthye preokupimit të përhershëm me gruan e vet, shkrimtaren ruso-franceze Elsa Triolet, së cilës i dedikoi cikël të tërë.

Bertran, Alojziys (Aloysius Bertrand, emri i vërtetë Louis Jacques Napoléon B., 1807-1841) poeti francez; ithtar i Viktor Hygosë (Hugo); romantik i entuziazmuar;

Borel, Petrus (Pétrus Borel, 1809-1859) poet, përkthyes dhe prozator francez;

Breton, Andre (André Breton, 1896-1966) poet, tregimtar dhe eseist francez; gjatë studimeve të mjekësisë shfaqi interesim për psikopatologjinë; pas kësaj, për idenë e Frojdit mbi nënvetëdijen dhe për interpretimin e tij të psikologjisë së ëndrrës; më 1919 iu bashkua dadaistëve; me Lui Aragonin dhe me poetin dhe romancierin francez Filip Supo (Philippe Soupault) themeloi revistën dadaiste “Littérature”. Bashkë me Filip Suponë boton aty  tekstin e njohur “Fushat magnetike” (Les Champs magnétiques, 1920) që përbën realizimin e parë të teknikës surrealiste “shkrim automatik”. Më 1924 botoi të parin “Manifest të surrealizmit” (Manifeste du surréalisme). I dyti doli më 1930, ndërsa i treti më 1942/43. Më 1930 aderoi në Partinë Komuniste të Francës, por shpejt u largua. Më 1941 vajti në ShBA për t’u kthyer në Paris më 1946;

Cara, Tristan (Tristan Tzara, emri i vërtetë Samuel Rosenstock, Moinesti/Rumani, 1896 – Paris, 1963) poet dhe eseist francez me prejardhje rumune; në vitin 1916 mori pjesë në krijimin e lëvizjes Dadanë Cyrih (Zürich);

Dajçis – kritik letrar artistik;

Dali, Salvador (Salvador Domingo felipe Jacinto dali e Domènech, 1904-1989) piktor spanjoll i periudhës së surrealizmit, ekspresionizmit dhe postimpresionizmit.

Elyar, Pol (Paul Éluard, emri i vërtetë Eugène Grindel, 1895-1952) poet francez; si luftëtar i Luftës I Botërore, nën ndikimin e unanimizmit e shkroi vëllimin e parë poetik “Detyra dhe shqetësimi” (Le Devoir et l’inquiétude, 1917). Poezinë e vet shpejt e liroi prej kufizimeve tradicionale dhe u përfshi në aksionet dadaiste në Paris. Më 1919 u njoh me Andre Bretonin, me Filip Suponë dhe me Lui Aragonin me të cilët themeloi lëvizjen surrealiste.

Frojd, Zigmund (Freude Sigmund, 1856-1939) dijetar, psikiatër dhe eseist austriak, me prejardhje çifute; themelues i psikanalizës;

Hygo, Viktor (Victor Marie Hugo, 1802-1885) poet, romancier dhe dramaturg francez; Bir oficeri të lartë të Napoleonit dhe i ruajalistes fanatike;

Konica, Faik (1875-1942) shkrimtar dhe publicist;

Lotreamon (Comte de Lautréamont, emri i vërtetë Isidore Ducasse, Montevideo, 1846  – Paris, 1870) poet francez; bir i nëpunësit konsullor francez; u rrit në Uruguai; më 1859 vjen në Francë;

Nerval, Zherar dë (Gérard de Nerval, mbiemri i vërtetë Labrunie, 1808-1855) poet dhe tregimtar francez; më 1828 e përktheu në frëngjisht “Faustin” e Gëtes.

Pere, Benjamin (Victor Maurice Paul Benjamin Péret, i njohur si Satyremont, Peralda, Peralta, 1899-1959) prozator dhe poet francez;

Redklif, En (Ann Radcliffe, 1764-1823) prozatore angleze; romani i saj “Misteret e Udolfit” (The Mysteries of Udolpho, 1794) është shkruar sipas konvencioneve të romanit gotik, me një inventar të zakonshëm: është një ngjarje nga e kaluara e largët e vendosur në një kështjellë mesjetar (me korridore nëntokësore misterioze, me dyer të padukshme etj.

Rembo, Artyr (Arthur Jean Nicolas Rimbaud, 1854-1891) poet francez;

Reverdi, Pjer (Pierre Reverdy, 1889-1960) poet francez; në vitin 1916 themeloi në Paris revistën “Nord-Sud” në të cilën propagandoi kubizmin; e quajtën poet kubist; ushtroi ndikim mbi poetët francezë të pas Luftës II Botërore;

Sad, Makiz de (Donatien Alphonse François, Marquis de Sade, 1740-1814) shkrimtar francez; pjesëtar i aristokracisë së lartë provansale; për shkak të egocentrizmit, libertinizmit dhe ateizmit të hapur, 30 vjet i kaloi në internim. Vdiq në çmendinë.

Stoker, Bram (Bram Stoker, Dublin, 1847 – Londër, 1912) prozator irlandez; si fëmijë ishte i palëvizshëm; gjatë studimeve në Dublin, me ushtrime të vazhdueshme, ia doli të bëhet madje edhe sportist;

Supo, Filip (Philippe Soupault, 1897-1990) poet dhe romancier francez;

Shelli, Meri (Mary Wollstonecraft Shelley, 1797-1851) prozatore angleze; bijë e filozofit social V. Goduin (W. Godwin) dhe e sufrazhistes, përkatësisht e luftëtares për barazinë e femrave me meshkujt M. Wollstonecraft. Ishte 16-vjeçe kur me Persi Bish Shellin (Percy Bysshe Shelley) iku në Itali. Më 1816, pas vetëvrasjes së gruas së parë të tij, u martua me të. Në Itali jetoi në vitet 1818-1822. Kur më 1822 Persi Bish Shelli u mbyt në stuhi, Meri Shelli me të birin u kthye në Angli. Është autore e romanit  “Frankenshtain” (Frankenstein, 1818);

Shelli, Persi Bish (Percy Bysshe Shelley, 1792-1822) poet anglez; Më 1811, për shkak të ateizmit dhe radikalizmit politik u dëbua nga Universiteti i Oksfordit (Oxford). Më 1814, ndonëse i martuar, iku në Itali me 16-vjeçaren Meri Uollstonkaft (Mary Wollstonecraft, përkatësisht Meri Shelli, me të cilën u martua pas vetëvrasjes së gruas së vet të parë). Persi Bish Shelli është përfaqësues i brezit të dytë të romantikëve anglezë.

Triolet, Elsa (Ella Yurievna Kagan; Moskë, 1896 – Saint-Arnoult-en Yvelines, Francë, 1970) shkrimtare ruso-franceze; grua e Lui Aragonit;

Velpëll, Horis  (Horace Walpole, 1717-1797) prozator dhe poet anglez; studioi në Kembrixh (Cambridge);

Zhdanov, Andrej Aleksandroviç (1896-1948) ideolog sovjetik i kulturës pas Luftës II Botërore; zhdanovizmi ishte doktrinë letrare e formuluar prej tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok