21/12/2024

STEMA DHE FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT NË VEPRËN E HISTORIANIT KARLO PADILIONE – VITI 1879 (2)

0
Stema-Kastrioti1

(PJESA II)

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Kapitulli II me titull: “Dell’arme del Castriota Scanderbeg – Stemat e Kastriotit Skenderbeg”.

Karlo Padilione prezanton përgjithësime të literaturës italiane dedikuar stemave heraldike dhe flamurit të dinastisë Kastrioti. Është kapitull interesant, me të dhëna historike të sakta e të rëndësishme, por përmend dhe autorë me të dhëna jo të sakta, ose ka interpretime të gabuara, ndaj të cilave Padiglione nuk shprehet kundër, por i prezanton si të dhëna për t’u njohur, si janë trajtuar këto aspekte nga historianë të ndryshëm italianë.

  1. Padilione thekson se historianët Kaburaçi, Kapecelatro, Kapobianko, Kreshenci-Romani, De Anna, De Petris, Eskobar, Lukini, Menokio, si dhe shumë shkrimtar të materieve juridike dhe të fisnikërisë, afirmojnë identitetin e familjes fisnike Kastrioti bazuar në stemën e tyre heraldike, sepse asi kohe asnjë familje nuk mund te përvehtësonte stemën e një familje tjetër. Në vazhdim, Padilione thekson se në monumentin funeral të ipeshkëvit Kostantin Kastrioti (dedikuar nga gjyshja Princesha Andronika Kastrioti) dhe ne një libër të vjetër të botuar nga P. Totti, tregohet se pasardhësit e Gjergj Kastriotit në mbretërinë e Napolit, në stemën heraldike dhe në flamurin e tyre, kishin shqiponjë dykrenëshe me kurorat, me krah të shpalosur në sfond të kuq, me yllin e artë gjashtëcepash në trekëndëshin blu mbi kokat e shqiponjës. [Pompilio Totti, Ritrati et elogi di capitani illustri. Roma 1630, 4°, pp. 105 – 107]

Në fakt, me fisnikët arbërorë në mbretërinë e Napolit ndodhi e kundërta, i shkelën rregullat dhe normat e fisnikërisë. I pari filloi Gjon Granai Kastrioti, i cili padrejtësisht përvehtësoi stemën e Gjonit II Kastrioti Skenderbeu, ashtu ndodhi dhe në vitet e më pasëm, kur pjestarët e familjes Granai përvehtësuan stemën e Ferrante Kastrioti Skenderbe. [Carlo Padiglione, pp. 52 – 53] [Andrea Caravita, I codici e le arti a Monteca-ssino, Vol. III, 1870, in 8°, pp 117 -122]

Në vitet 1468 – 1472, Gjoni II Kastrioti e ruajti stemën heraldike të Atit, me mburojën me sfond të kuq, me shqiponjën e zezë dykrenëshe me kurora në qendër. Edhe flamuri i Kastriotëve ishte me cohë të kuqe gjaku, me shqiponjë dykrenëshe të zezë në mes, si e përshkruan Marin Barleci (Rubea vexilla nigris bicitibus distincta aquilis). Flamuri i Kastriotëve ishte me fushë të kuqe dhe shqiponjën të zezë, pra e kuqja dhe e zeza, ngjyra që shprehin qiellin dhe tokën. E kuqja shihej si ngjyrë hyjnore, drita dhe gjaku i jetës, e errëta e tokës shprehej në shqiponjën, që e çon lartësive qiellore purpurinë e agimeve dhe të muzgjeve të atdheut. E kuqia është kozmogonke , “Udhëtimi i së Kuqes” i lidhur me dritën biblike.

Flamuri i Gjergj Kastriotit përmblidhte Veri dhe Jug të trojeve arbërore, mbi dy kokat e shqiponjës kishte yllin e artë me 6 cepa, simbol i diellit, i vendosur në trekëndëshin blu të qiellit të atdheut. Kastriotët përdorën yllin e artë që ishte simbol dhe i stemës heraldike të Muzakajve.

Pas gushtit 1485, me shkëmbimin e pronave, Gjoni II Kastrioti, Duka i San Pietro në Galattina dhe Konit i Soleto dhe Gagliano, e modifikoi stemën heraldike të Kastriotëve, ku krahas shqiponjës të zezë dykrenëshe me kurorat dhe krahapur në sfond të artë, me yllin e artë sipër në trekendësh blu, në gjysmën e djathtë të mburojës, shtoi luanin në pozicion në këmbë, me shpatën në putër drejtuar zambakut mbretëror (Fleur de Lys). Luanin e shtuar në sfond blu, e mori nga stema e familjes të gruas Erina Brankoviĉ, me një modifikim, sipër luanit shtoi zambakun e artë mbretëror. Këto modifikime u pasqyruan dhe në flamurin e Kastriotëve, i përdorur nga repartet stratiote të mobilizuar nga Gjoni II Kastrioti. Në ato vite flamuri ishte me sfond të verdhë (i artë) me shqiponjën dykrenëshe me ngjyre të zezë. Stemën e Gjonit II Kastrioti e përdorën dhe pasardhësit, më saktë fëmijët dhe nipat e Ferrante Kastrioti, si rezulton në varrin e Gjonit III Kastrioti, i cili në vitet 1750 – 1762, shërbeu komandant i kështjellës të Barletta. [Vallone G, Famiglie nobili albanesi nella feudalità meridionale, in QS 31 (2012) pp. 25-79]

Në Itali janë ruajtur shumë stema heraldike të Kastriotëve, si rezulton në një fragment porcelani, i zbuluar në oborrin e pallatit baronal në Gagliano, botuar nga studiuesi Antonio Biasco, stema në portën e shtëpisë të Kastriotëve në lagjen Stella në Napoli, stema në mozaik në rezidencën e markezit Auleta në lagjen Stella në Napoli dhe stema e modifikuar me spostimin e shqiponjës dykrenëshe në të majtë dhe luanin djathtas, në portën e rezidencës të Baldasare Sollazzio Kastriota në Koriliano Kalabro.

Në vitin 1495, Gjoni II Kastrioti u lidh me Karlin VIII të Francës, i cili si shpërblim për pjesëmarrjen në përgatitjet e kryqëzatës kundër turqëve, i njohu Gjonit II Kastrioti të drejtën të vendosi kryqet e Jeruzalemit në stemën e tij familjare dhe i konfirmoi titullin Princi i Arbërisë, titull që Venediku ia kishte hequr pas luftimeve të Gjonit kundër tyre në Pulja. [Carlo De Frede. L’impresa di Napoli di Carlo VIII. Commento ai primi due libri della Storia d’ Italia del Guicciardini, Napoli, De Simone, 1982. p. 132].

Stemën e re të gdhendur në mermer, Gjoni II Kastrioti e vendosi në arkitraun e portës në hyrje të katit të fisnikërisë në kështjellën e Soleto ku banonte me familjen. Këtë stemën e vizatoi piktori Pietro Cavoti (1819 – 1890), i cili në bllokun e tij të pikturave, ka bërë një përshkrim të detajuar, të shoqëruar me skicë me ngjyra dhe me komente. [Giancarlo Vallone. “I volti dei Castriota Scanderbeg, della linea antica nel museo Pietro Cavoti. Ribotim i vitit 2023]

Nga viti 1495, Gjoni II Kastrioti kishte stemën e re heraldike me formë mburoje të ndarë në katër kuadrate, në dy në pozicion diagonale nga e djathta në të majtë, janë shqiponjat dy krenare, me krahet e shpalosura, me kurorat mbretërore mbi kokat e tyre dhe me yllin me gjashtë cepa, ndërsa në dy kuadrate të tjerë, në pozicion diagonal nga e majta në të djathtë kanë kryqet e Jerusalemit. Në një strukturë rombi në qendër të stemës, janë dy luanë në pozicion në këmbë, me shpatat të kryqëzuara dhe mbi kokat e tyre zambaku mbretëror (Fleur de Lys), ndërsa poshtë nën këmbët e tyre është koka e demit. [Marongiu A., Carlo VIII e la sua.crociata, in Ricerche storiche ed economiche in memoria  di C. Barbagallo, vol. II, Napoli, ESI 1970, pp. 237- 258.in Marongiu, Carlo VIII e la sua crociata pp. 241 – 246 nt. 29].

Stemën heraldike të Gjonit II Kastrioti, piktori Cavoti e shoqëroi me një skicë me ngjyra dhe me spjegime të hollësishme: “Në kuadratin e parë dhe të katërt me sfond të artë të mburojës, janë shqiponjat dykrenore me ngjyrë të zezë me krah të shpalosur, me koronat; sipër trekëndëshi ngjyrë të kaltërt, me yllin e artë me gjashtë cepa. Në kuadratin e dytë e të tretë, kanë kryqin e Jerusalemit me ngjyrë të artë. Në rombin qëndror me sfond blu janë dy luanë të artë në këmbë, që mbajnë në putrat shpata të kryqëzuara mes tyre, ndërsa nën këmbët e tyre, koka e demit të artë”. [Lutfi Alia, Dixit. 2, Bot. Streha, Tiranë 2022, faqe 168].

Stemën e modifikuar e përdori i biri Ferrante Kastrioti, Duka II i Galatina, ndërsa vajza e tij, Erina Kastrioti Skenderbeg, Dukesha III e San Pietro në Galatina, kur u martua me Pietro Antonio Sanseverino, princin e Bisignano, e modifikoi stemën e familjes Kastrioti, duke e thjeshtuar në kompozim, por ruajti elementet bazë të stemës të mëparëshme të stemës të gjyshit Gjoni II Kastrioti. Në brendësi të mburojës, në këndin e sipërm djathtas ruajti kryqin e Jerusalemit, majtas mbajti dy luanët në pozicion në këmbë me shpata të kryqzuara, me kokën e demit nën këmbët e tyre, ndërsa në pjesën e poshtëme dy shqiponjat dykrenëshe, me krah të shpalosur, me yllin me gjashtë cepa.

Stemën me sfond të artë dhe me shqiponjën dykrenëshe ngjyrë të zezë e përshkruajnë Padilione (faqe 55); Dufresne, Pompilio Totti [Pompilio Totti, Ritrati et elogi di capitani illustri. Roma 1630, in 4°, p. 215, 271], Mazzella dhe Pietrasanta [Pietrasanta Solvestro. Tesserae Gentilitiae ex legibus Facialium descriptae. Romae, Corbelletti, 1638, p. 401], Biagio Aldimari [Memorie historiche di diversa famiglie, 1691, p. 320 – 322].

Nga ky grup historianësh bëjnë përjashtim Giammaria Biemmi dhe arbëreshi P. P. Rodotà, të cilët thonë se pasardhësit e Gjergj Kastriotit në mbretërinë e Napolit, kishin flamurin e kuq me shqiponjën dykrenëshe të zezë në qendër. [Giammaria Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scanderbeg, Brescia, Bossino, 1742, p. 23] [Rodotà Pietro Pompilio. Dell’origine progresso e stato presente del rito greco in Itali, 1763, p. 28].

Padilione thekson se stemën heraldike të Gjonit II Kastrioti e përvehtësuan Gjon Granai Kastrioti, i biri i Bernard Granai Kastrioti dhe pasardhësit e tij. Kjo stemë e pjestarëve të familjes Granai është në Montekasino në monumentin funeral të Guido Ferramoska, që ia dedikoi bashkëshortja Isabella Granai Kastriota, e bija e Bernard Granai Kastrioti, kontit të Kopertino, ashtu si e përvehtësoi dhe Xhiovana Granai Kastrioti Karafa, bashkëshortja e Antonio Karafa, e cila e kombinoi stemën e familjes Karafa, me mburojën në të djathtë me tre shirita të artë dhe në gjysmën majtas shqiponja dykrenëshe me kurora, me yllin me gjashtëcepa në trekëndëshin mbi kokat e shqiponjës.

Në lapiden e varrit të Guido Ferramoska në Montekasiono ndodhet stema e kombinuar e Ferramoska dhe Granai Kastrioti, të cilën e përshkruan Mikiteli [Michitelli F, Ceni storici di Guido e Cesare Ferramosca. Napoli, 1835, p. 68 – 69], nga i cili e mori Karlo Padilione, të cilën po e përshkruaj në vazhdim: “Stema e Guido Ferramoska dhe Isabella Granai është me mburojën me tetë pjesë, të ndara me tre vija perpendikulare dhe në dy gjysma me një vijë horizontale. Në kuadratet 1 dhe 7 me sfond të argjendët, janë katër flamuj të kuq, që prezantojnë familjen Ferramoska; në kuadratet 2 dhe 8, në sfond të kuq janë tre koka qeni njëra mbi tjetrën, që mendohet se janë të stemës të nënës të Guido Ferramoska; në kuadratet 3 dhe 5 janë stema e Kastriotëve me shqiponjën dy krenëshe me kurorat dhe yllin gjashtëcepash në trekëndësh mbi kokat e shqiponjës, ndërsa në kuadratet 4 dhe 6 në sfond blu, luani në këmbë me shpatë të artë në putër, drejtuar për nga zambaku, që sipas disa autorëve përfaqëson Maria Zardari, gruaja e Bernard Granai Kastrioti. Natyrisht ky është interpretim i gabuar, sepse luani në këmbë i përket stemës të Gjoni II Kastrioti, të cilën e përvetësoi Gjon Granai Kastrioti dhe pasardhësit e tij. [Idem Carlo Padiglione, pp. 52 – 53] [Faraglia: Ettore e la casa Ferramosca, con docu-menti per alcuni cavalieri della disfida di Barletta. Napoli, Giannini 1878, p. 68]

Në volumin XXXV të “Processi dell’Ordine di S. Giovanni di Gerusaleme”, që ndodhen në arkivin e Shtetit të Provincës së Napolit, në kartellën Nr. 79, që i përket Giuseppe Felice Kastrioti Skenderbeg i degës Leçeze, përshkruhet një tjetër stemë e Kastriotëve: “Shqiponja perandorake, dykrenëshe me kurorat, në sfond të artë dhe ylli i artë me gjashtë cepa në trekëndëshin blu dhe në anën tjetër tre zambakë (Fior da liso), me luanin në këmbë më shpatën në putër dhe në sfond të gjelbër”. [Idem Carlo Padiglione, pp. 52 – 60]

Duke komentuar këtë stemë heraldike Padilione thotë se luani në këmbë më shpatë aludon shpatën fitimtare të Gjergj Kastriotit, ndërsa tre zambakët janë të dinastisë Anzhuine, për të cilën luftoi Gjergji, ndërsa në stemën e Isabella Granai Kastrioti dhe Guido Ferramoska është vetëm një zambak. [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli 1879, pp. 55 – 60].

Historiani Menestrier [Archivio Storico Italiano, Firenze 1878, in 8m p. 441], pa prezantuar dokumenta dhe as referenca autorësh shkruan:”Kastriotët Skenderbeg kishin flamur të kuq me tre kulla të arta, me kronizë të zezë”; ndërsa Retestap [Edizione del 1533, p. 34] dhe Jouffroy d’Eschavannes [Edizione del 1729, p. 34]  thonë se Kastrioti Skenderbeg kishte flamurin e kuq me tre kulla dhe me katër kthetra grifoni.

Një ndër stemat heraldike të veçanta dhe pak të njohura është përshkruar nga historiani Dufresne, i cili shkruan: “Giovanni Derbichio Kastrioti (Gjon Derbikio Kastrioti), pjestar i familjeve fisnike veneciane kishte stemën heraldike me mburojën me një krah ngjyrë ari, drejtuar në anën e djathtë të mburojës, me shpatën në dorë, me majën e saj që çpon pjesën e poshtëme të hënës së re me ngjyrë argjendi (Aureum brachium a destra parte proficiens, ensem tenens, cujus capulus aereus, aciex rero lunulam argenteam in inferiori parte trajicit. [Dufrense. Opus cit. Ediz. Del 1680, p. 339 -349; Ediz. Del 1729, pp. 263 e 270] [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli 1879, pp. 59 – 60].

Karlo Padilione duke iu refruar të dhënave të Matteo Kamera në Memorie Storiche Critiche Diplomatiche Città e Ducato di Amalfi. Salerno 1881, p. 626, referon se Kamera shkruante se Kastriotët e Amaalfit kishin “shqiponjë dykrenëshe me kurora, me një mburojë në gjoks me stemën e Kastriotit”. Padilione thotë se Matteo Kamera nuk e specifikon cila ishte kjo stemë, por njohim stemën e Kastriotëve të Amalfit, që ishte e njejtë me atë që përshkruan Aldimari [Biagio Aldimari, Memorie historiche di diversa famiglie, 1691, p. 320 – 322]., ndryshimi qëndron se stema që përshkruan Aldimari ka yllin me pesë cepa, ndërsa ajo e Kastriotëve të Amalfit ka yllin me formën e kometës, mbi kokat e shqiponjës.

Karlo Padilione thekson se në veprën e Araldo [Archivio Storico Italiano. Firenze, 1878, pp. 51 e 607] përshkruhet një tip tjetër steme e Kastriotëve, me mburojën me sfond të argjendët, me shqiponjën dykrenëshe ngjyrë të zezë me kurora të arta, me trekëndëshin blu me yllin ngjyrë të argjendët, mbi kokat e shqiponjës. [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli 1879, p. 59].

Nga kjo panoramë të dhënash historike, Padilione thotë se nga vitit 1468 deri në fund të shekullit XIX, pasardhësit e Gjergj Kastriotit kanë përdorur disa stema heraldike, të cilat janë ndryshuara në vartësi të periudhave historike, nga rrethanat dhe influencat politike dhe në raportet me Mbretërinë e Napolit.

Për stemat dhe flamurin e Kastriotëve kanë shkruar shumë kronistë, historianë dhe shkrimtar italianë, ndër ata shquhet Karlo Padilioni, i cili bëri një përmbledhje dhe pasqyrim kronologjik të stemave dhe të flamurit të Gjergj Kastriotit, flamur që i individualizonte fisnikët e dinastisë të Gjergj Kastriotit në Itali.

Stemën dhe atë flamur të kuq me shqiponjën dykrenëshe të zezë, e morën me vehte Andronika dhe Gjoni II Kastrioti kur erdhën në Napoli në mars të vitit 1468 dhe e përdorën pasardhësit e tyre në mbretërinë e Napolit. Ata e ruajtën, e shpalosën, ai flamur iu printe stratiotëve arbëror në betejat kundër turqëve, kundër venecianëve, kundër kundërshtarëve që cënonin pronat dhe lirinë e arbërorëve në feudet e tyre në mbretërinë e Napolit. Ai flamur i kuq Kastriotian u ruajt i bukur dhe flakërues, i rezistoi shekujve dhe ende ruhet i shpalosur dhe krenar nga arbëreshët kudo në Itali.

Pavarësisht nga kjo shumëllojshmëri stemash dhe të flamurit që mbanin pasardhësit e Gjergj Kastriotit në mbretërinë e Napolit, rëndësi ka fakti se ata ruajtën thelbësoren e stemës dhe të flamurit, i transmetuan brez pas brezi, duke mbajtur lart kujtimin dhe nderimin për veprën heroike të Gjergj Kastriotit në rezistencën dhe luftimet kundër ushtrisë së madhe të barbarëve të Perandorisë Osmane.

Ndryshe ndodhi në Arbërinë e robëruar. Në shekujt e pushtimit nga Perandoria Osmane, Flamuri i Gjergj Kastriotit dhe i Arbërisë, u ndalua, u mallkua, u dogj nga pushtuesit, por flaka e tij mbeti e pashlyer në kujtesën e kombit, ashtu i kuq, i flakët me shqiponjën dykrenëshe dhe frymëzues për arbërorët.

Në vitet e errëta të obskurantizmit otoman, rilindasit tanë e risollën Gjergj Kastriotin Skënderbeun bashkë me flamurin. Në vitin 1896, kur Arbëria vuante ende nën zgjedhën e egër otomane, eruditi Faik Konica, asi kohe djalë 26 vjeçar në mërgim në Bruksel, themeloi dhe botoi gazetën “Albania”, madje në qendër të faqes së parë vendosi mburojën me shqiponjën dykrenëshe Kastriotiane. Më 15 shtator 1901, ne gazetën “Albania”, Faik Konica botoi shkrimin lapidar me titull “A ka Shqipëria një Flamur Kombëtar? Faik Konica i ndershëm, i drejtë, patriot i flakët iu drejtua popullit, atyre që e donin, por dhe atyre që nuk e donin Arbërinë dhe iu tha se ne kishim flamurin tonë të kuq me shqiponjën dykrenëshe në qendër. Faiku shkruante:“Flamuri ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lavdruarit e botës, është pa dyshim edhe një nga më të vjetrit. Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar që munt t’a kuptojnë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjve, nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh. Janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimëri të gjata e të forta … Nga kjo pikëpamje, munt të mburremi se Flamuri ynë është dhe një nga më të drejtët”.

Në vazhdim të shkrimit Faik Konica prezantoi dhe poezinë e parë për flamurin e Gjergj Kastriotit.

Në fillimet e shekullit XX, rilindasit tanë e shpalosën flamurin tonë të kuq me shqiponjën e zezë dykrenëshe në qendër, i dhanë shpirtin Kastriotian, i dhanë forcën, i dhanë identitetin e kombit arbëror e ngritën lart dhe ai flamur iu parapriu luftëtarëve të lirisë në betejat kundër pushtusve osmanë.

Flamurin tonë kuq e zi e shpalosën patriotët në shtator të vitit 1909 në Kongresin e Shkollave Shqipe në Elbasan; e ngriti lart Ded Gjon Luli në vitin 1911, u valvit fitimtar në Mirditë po në vitin 1911, ai flamur i priu luftëtarëve të çetave të lirisë në Kryengritjen e Përgjithshme antiosmane në vitet 1911 – 1912, atë flamur e ngriti patrioti Aqif Pashë Biçaku ditën e çlirimit të Elbasanit më 25 nëntor 1912, e ngriti Murat Toptani në Tiranë më 26 nëntor 1912 etj, etj.

Më 28 nëntor 1912, patrioti Ismail Bej Vlora, bashkë më patriotët delegatë në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë dhe me popullin e Vlorës, ngriti lart flamurin e kuq me shqiponjën dykrenëshe Kastriotiane dhe e shpalli simbol i identitetit dhe e unitetit tonë kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok