22/12/2024
Sami-Islami

Nga Sami Islami

Viti 1987 ishte viti kur për herë të fundit anë e kënd Kosovës u bart, e ashtuquajtura, „stafeta e rinisë“. Kështu quhej atëherë kjo stafetë që lidhej me ditëlindjen e presidentit dinak të Jugosllavisë së atëhershme, Titos. Është e çuditshme të theksohet se kjo stafetë , edhe pas 7 vjetësh, që kur kishte vdekur presidenti, vazhdonte të festohej në Jugosllavi, pra edhe në Kosovë.

Si zakonisht, edhe këtë vit, pra, të rinj e të reja në tërë Kosovën po  e prisnin dhe e përcillnin me këngë e valle stafetën. Mirëpo kjo qe stafeta e fundit , e cila do të mbahet mend edhe për faktin se në këtë vit, në Prishtinë, një grup studentësh për pak sa nuk arritën ta rrëmbenin këtë stafetë, me qëllim që ta hedhnin në kanalizim! Por shpëtoi! Dhe si duket ky qe ndoshta edhe „mësimi“ që kurrë më nuk u prit as nuk u përcoll stafeta!

Megjithatë, edhe këtë vit, partiakët, të përkushtuarit e regjimit, bënin ç’mos, që kjo pritje e përcjellje e stafetës të shkonte si është më së miri. Bile po të ishte puna që ata të pyeteshin për stafetën, zoti e di se edhe sa vite do të zgjaste kjo.

Në televizionin e atëhershëm, disa partiakë, komunistë të devotshëm, frymën e „vëllazërim-bashkimit“ donin ta zgjatnin edhe me tej! Edhe pse dukej qartë se Serbia po bënte plane ndër më ogurzezat për shqiptarët, kjo nuk u bënte përshtypje partiakëve! Duke qenë se punonin në media, ku kjo punë do të dukej më së shumti, përpiqeshin të jepnin maksimumin, për ta ruajtur sistemin që i kishte ditët e numëruara.

Unë punoja atëherë në këtë medium, pra në televizion. Një ditë kisha  punë në montazhë (Montazhë quhej vendi ku bëhej montimi i filmave). Aty do ta përgatisja  një emision dhe,  derisa po prisja  të vinte montazheri, ndërkohë, kishin ardhur disa kolegë të mi të programit dokumentar, bashkë me redaktorin e tyre. Redaktori  ishte njeri i pushtetit. Kishte një pamja trashalluke, me kokë të vogël. Dukej sikur nuk kishte qafë fare, sepse koka e vogël dukej sikur ishte futur në krahëror! Kishte një bark sa gati nuk ia prekte gjunjët! Zakonisht veshte këmishë, të cilën e hedhte mbi pantollona. Nuk mbate rrip të brezit,  po as nuk do t’i hynte në punë, se zor se do ta përthekonte barkun e tij sa një kosh! Pantollonat i mbante me rripa mbi supe! Mbante syze të rrumbullakta, sa të lente përshtypjen e një udbashi të regjur. Ata e kishin sjellë edhe montazherin e tyre me vete. U ulën rreth tavolinës së montazhës dhe ishin gati për ta shikuar emisionin, që paraprakisht e kishte përgatitur kolegu im i programit dokumentar. Fundja kjo kontrollë kishte të bënte drejtpërdrejt me syçeltësinë e autorit, se a mos kishte ndonjë gjë politike në emisionin e tij. Prandaj ai edhe dukej pak si i merakosur. Personi tjetër që ishte me ta, me gjasë, ishte në shoqërim të redaktorit.

Në makinën e vjetëruar, montazheri e vendosi shiritin  filmik. E startoi filmin dhe në ekran filloi të shfaqej rrugëtimi i stafetës nga një vend në tjetrin. Atmosfera e hareshme e të rinjve i jepte gjallëri emisionit. Këtë atmosferë e plotësonte natyra e bukur pranverore e Kosovës, me gjelbërimin e pafund, me  lulet e freskëta të kësaj stine. Në disa sheshe ishin ngritur edhe tribuna, ku dukeshin partiakët duke mbajtur fjalime! Tribunat ishin poashtu të rregulluara bukur me flamuj shtetëror dhe kombëtarë. Dukeshin djem e vajza shqiptare, të veshura me kostume kombëtare…

Të gjithë që ishin aty po e ndiqnin stafetën (filmin) me interes. Unë,  duke mos pasur se çfarë të bëja, fillova edhe unë ta shikoja  sa për ta kaluar kohën! Në këtë mes dallohej sidomos udbashi (redaktori) , i cili i kishte bërë sytë katër,  sa kishe bindjen se edhe pak e do të futej brenda në ekranin e vogël! Nuk di se sa minuta kaluan duke e ndjekur filmin dhe për një çast, qetësinë e theu e zëri i udbashit , i cili në mënyrë autoritative i tha montazherit:

“ Stop!” Ndale filmin këtu! Afroje pakëz! Përqëndrohu në këtë skenë! Pak më majtas! Pak më djathtas! Stop! Dhe në ekran tani dukej vetëm një fotografi filmike e ngrirë! Në këtë moment ai  u mbështet në karrige ( se deri atëherë kishte pasur qëndrimin të kërrusur), duke e zgjatur kokën në drejtim të ekranit. Mori pozicionin vertikal, u shlirua pakëz dhe duke mos i hequr sytë edhe më nga ekrani, sikur të kishte zbuluar ku ta dish se çfarë, iu drejtua atij mikut që kishte ardhur me të, me fjalët:

– A po e sheh?

– Po, tha miku i tij mjaft serioz (ashtu siç ishte vazhdimisht).

– Ti , a po e sheh?- i tha edhe autorit.

– Po, tha edhe  autori i emisionit , me një lloj pendimi, sikur të kishte bërë ku ta dish se çfarë faji.

Kur e dëgjova  këtë bisedë, e sidomos fjalët e redaktorit  “a po e sheh” u bëra kurreshtar, u afrova më afër të shihja se çfarë do të jetë kjo, vallë, që të tretë po e “shihin”. Për çudi  unë   nuk po shihja  asgjë! Nuk u durova më gjatë dhe e pyeti  redaktorin:

-A po më tregoni, çfarë po shihni, se unë vërtetë s’po shoh asgjë!?

-Nuk po ta zë për të madhe, se ti nuk je për këtë punë! – më tha ai si me ironi! Më erdhi   inat , po insistova  me ngulm ta mësoja  këtë „zbulim“ të tyre!

-Mirë.- tha redaktori, a  po e sheh këtë vajzën këtu me qifteli në dorë?

-Po, e shoh, i thashë , por çfarë të keqe paska këtu!?

-A po e sheh se në qifteli po shkruan “Shqipëria”?!

-Edhe …?!

– Si edhe….?! A e di ti që, po të dali nesër kështu në TV çfarë skandali do të bëhej?! Unë do të fluturoja nga vendi im i punës! Se puna ime është kjo, të mos lëshojmë asnjë gjë që del ndesh me politikën programore! Ne e ndjekim rrugën e partisë…

-Aha, tani  e mora vesh  se ku po qëndruaka puna! Tani m’u  kujtua se ai  ishte edhe sekretar partie!

– A di çfarë shoku redaktor , se atëherë me “shok” i drejtoheshim njëri-tjetrit,  e mira do të kishte qenë që emrin “Shqipëri” ta heqim fare! Ta shlyjmë fare ! E, si thua ti?- i thashë edhe unë pak me ironi.

I lashë  duke “punuar, se në atë kohë i erdhi edhe montazheri im.  Por, në të njejtën kohë, po medoja: “Si qe e mundur që redaktori  ta “vërente” një gjë të tillë, që për mendimin tim as antishqiptari  më i rryer, nuk besoj se do ta kishte “vërejtur” një gjë aq të parëndësishme.

Dhe ironia e kohës nuk përfundon këtu. Ky redaktori atëhershëm  edhe sot në demokraci “udhëheq” një television privat në Kosovë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok