14/12/2024

Kush e vrau Xhemail Mustafën?

0
Rugova-Xhemail-Mustafa

(Kujtime për mikun e kolegun. Të gjithë i dinin vrasësit, ndërsa askush s’guxonte të bënte me gisht. Gjyqi i Hagës pas 21 vjetësh do ta zbardh fshehtësinë)

23 nëntor 2000

Nga Gani Mehmetaj

Vrasja e Xhemail Mustafës, shkrimtar, këshilltari i parë i Ibrahim Rugovës, ishte vrasja më e rëndë e pasluftës në Kosovë. Rugova ishte në një udhëtim zyrtar jashtë vendit. Me gjithë praninë e mbi dyzet mijë trupave ndërkombëtare, pasiguria nuk kishte qenë asnjëherë më e brishtë. Trupat ndërkombëtare na ruanin nga ndërhyrja e Serbisë, por nuk bënin gati asgjë kundër grupeve që donin të merrnin pushtetin me dhunë e të përvetësonin tërë pasurinë kombëtare. Ndërkombëtarët i regjistronin vrasjet, por pak gjë bënin për të kapur vrasësit apo për t’i dënuar.

Xhemail Mustafa shpëtoi nga masakrat në Prishtinë, ku mbeti i ngujuar 78 ditë gjatë bombardimeve, por nuk u shpëtoi plumbave të shqiptarëve të kriminalizuar. “Një lutje për Prishtinën”, që e la si dëshmi të terrorit, mbeti ndër librat më tronditës për fatin e shqiptarëve në kryeqytet.

Atë ditë kur u vra Xhemail Mustafa, rrija në zyrën time në Pallatin e Shtypit, duke redaktuar materialet për revistën “Titanic”, me të cilën nisa të merresha që të mos rrija kot. Hyri papritmas si era e malit, poetja Naime Beqiraj: E vranë Xhemail Mustafën! Më bëhet se ende pa e përfunduar fjalinë, më dolën pyetjet e pathëna: Kush? E shikova, por nuk isha në gjendje t’ia thosha ndonjë fjalë të artikuluar. Lajmi më tronditi. Nuk doja ta besoja, megjithëse e dija që është e vërtetë. Shumë të qeta u zhvilluan zgjedhjet lokale, ndërsa druanim nga vrasjet, shantazhet e vjedhjet masive të votave. Shumë me eufori i morëm rezultatet e para, ndërsa duhej ta dinim se ata që e projektuan veten në majat e pushtetit, nuk do të hiqnin dorë aq lehtë nga pushteti.

Më doli parasysh disa ditë më parë në restorantin e “Grandit”, ku Xhemaili rrinte shpesh. Pimë kafe, megjithëse i thashë se më bezdisin fytyrat e shëmtuara që t’i mbërthejnë sytë me pafytyrësi e kërcënueshëm. Më këshilloi t’i shpërfillja, ilaçi më i mirë kundër tyre. Bisedonim për gjëra nga më të ndryshmet. Vazhdimisht më këshillonte të bëja kujdes, sidomos më thoshte të mos eksponohesha me shkrime. “Askush nuk të mbron”, ma përsëriste shpesh. Disa muaj më herët na sugjeroi të mos vazhdonim botimin e gazetës “Dardania press” – “Sepse jemi në rrezik”.

Ndërsa bluaja këto kujtime, dola nga redaksia i përhumbur. I rashë trup e tërthor qytetit, pa përshëndetur dhe pa takuar asnjeri. Nuk doja të flisja, as të ndalesha me askënd, duket as të tjerët në ato çaste nuk donin të më jepnin të njohur.

M’u kujtua lajmi i vrasjes së Jusuf Gërvallës, në dimrin e acartë të vitit 1982, ndërsa ecja i përhumbur dhe i vetmuar rrugicave me borë të kazermës së ushtrisë jugosllave në Kranj të Sllovenisë, pasi lëshova kufjen e telefonit publik. Atëbotë, askujt s’munda t’i thosha se e vranë Jusuf Gërvallën, me askënd s’mund ta qaja hallin. Ishte kohë tjetër: e tmerrshme dhe e frikshme. Kurrë nuk më kishte shkuar nëpër mend se do ta ndieja veten prapë të braktisur e të pikëlluar gati njëzet vjet më vonë nëpër rrugët e Prishtinës, qytetin tim të dashur. Në kazermë nuk guxoja t’ia thosha askujt se e vranë kolegun e mikun tim në Gjermani, sot s’kisha kujt t’i thosha – ma vranë një shok e koleg, me të cilin punuam në një rubrikë njëzet vjetët më të mira të jetës sonë.

Me Xh. Mustafën u njohëm në fillim të punës sime në gazetën “Rilindja”, më 1978, megjithëse e mbaja mend nga studimet kur ai vazhdonte vitin e dytë, ndërsa unë isha “brucosh”, në vitin e parë. Xhema shkruante për letërsinë, unë për filmin. Tavolinat e punës i patëm përballë njëri-tjetrit. Shquhej për njohuri letrare e teorike, qarqet letrare e intelektuale e çmonin vlerësimin e mendimin e tij. Rrezatonte pjekuri e maturi, për dallim nga ne që përpiqeshim ta gëzonim jetën e moshën. Më vonë u shqua për shkrime analitike e të guximshme, që e pasuronin rubrikën e kulturës dhe gazetën” Rilindja”.

Redaktor e gazetar shumëvjeçar i gazetës, u bë njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke i qëndruar parimor botëkuptimit të tij. Ëndrrës së madhe i ndenji deri në fund, nuk pati luhatje, as atëherë kur miqtë tanë të përbashkët patën mëdyshje, druajtje a presione që të shkëputeshin nga kompozicioni i trenit të LDK-së. Pastaj u bë njëri ndër njerëzit kyç në parti e Presidencë, pavarësisht presioneve e kërcënimeve.

Gjatë 78 ditëve të terrorit serb në Kosovë, kaloi nëpër rrathët e ferrit, por shpëtoi. Po ta kapnin kriminelët e Milosheviçit, sigurisht do ta ekzekutonin, sikurse vranë Fehmi Aganin, nënkryetarin e LDK-së, Latif Berishën, shkrimtar dhe kryetar i LDK-së në Mitrovicë, Agim Hajrizin sindikalist, Bajram Kelmendin, avokat i njohur që mblodhi dëshmi për krimet e Milosheviçit, e të tjerë. Të gjitha këto i mendoja, ndërsa sillesha vërdallë nëpër qytet, ndonjëherë duke u kthyer në të njëjtën rrugë që kisha shkelur një gjysmë ore apo një orë më parë.

Së fundi u futa në restorantin e “Grandit”, më bëhet se i pashë të gjithë ata njerëz që i shihja edhe herë të tjera, më panë me të njëjtin shikim bezdisës. Një përftim mashtrues më kaloi nëpër tru, por e shmanga, sepse e dija që nuk është e vërtetë. U kalova pranë, duke i shpërfillur. Dikur nisa të hamendësoja, cili nga këto fytyra urdhëroi vrasjen? Me celular thirra në Qendrën Informative të Kosovës, ku ma konfirmuan vërtetësinë e lajmit. Kot që shpresoja ndryshe.

Xhemail Mustafa ishte këshilltar i presidentit Rugova, punonte në Qendrën Informative të Kosovës (QIK), shkruante për dy gazeta ditore, kishte një erudicion që pakkush e pati në Kosovë. E karakterizonte mençuria e maturia, që nuk i shquante të tjerët. Por ajo që ishte me rëndësi, Xhemaili ishte njeriu më me ndikim te Rugova, mbase i vetmi nga themeluesit e LDK-së, që mbeti pranë tij.

Vrasjen e tij, në mbrëmje e dhanë të gjitha mediet elektronike me paraqitjen e ngjarjes me të gjitha detajet. Të vinte plasja kur dëgjoje sesi vrasësit u larguan të qetë në drejtim të panjohur, pa i penguar askush dhe pa hasur në asnjë polic ndërkombëtar. Besohej se duhet të kenë rënë në sytë e dikujt, por cili qe ai që do të denonconte? Askush nuk arriti t’i identifikonte, askush nuk ishte dëshmitar, askush nuk i kapi, askush nuk guxoi të dëshmonte. Policia e UNMIK-ut, e rekrutuar nga Britania e Madhe deri në Somali e Indi, nuk garantonin siguri po dole dëshmitar.

Kështu, në orën 15.00, kur ende ishte ditë, u vra njëra ndër personalitetet më të rëndësishme të politikës shqiptare, një intelektual i majave, i cili u qëndroi besnik parimeve të veta, duke mos kalkuluar në asnjë çast. Themelues të tjerë, pos Rugovës, nuk mbetën në Kryesinë e LDK-së, e as në Presidencë.

E vranë kohën e idealeve, po vinte koha e intrigave dhe likuidimeve.

Disa muaj më herët u bë bestseller libri i Xhemail Mustafës: “Një lutje për Prishtinën”, rrëfim tronditës për tmerret e qytetarëve të kryeqytetit ato ditë lemerie, kur mbetën peng në banesat e tyre duke pritur me ankth a do t’i vrasin e torturojnë tash a më vonë. Xhemailin e zgjodhi fati të ishte dëshmitar në rrethimin e hekurt të kryeqytetit tonë. Jetoi për të na rrëfyer, por nuk arriti ta gëzonte lirinë e shumëpritur. Përjetoi situata të rënda, por i shpëtoi policisë serbe që ndiqnin intelektualë shqiptarë dhe kur i zinin, i vrisnin pa gjyq. Ra nga plumbat e grupeve kriminale shqiptare, që nuk ia falën pse u qëndroi besnik parimeve të veta dhe pse nuk u largua nga Rugova, sikurse bënë shumë nga shokët e tij.

Më vonë nisën spekulimet: pse u vra, kush e vrau, cili qe shkasi etj. U tha se Xhema paska shkruar një shkrim kritik në gazetën “Bota sot”, për opozitarët e UÇK-së. Sërish, më kujtoi kërcënimin e Adem Demaçit për ngrënien e gazetave. A thua të buronte prej këtu, apo vrasja qe planifikuar shumë kohë më parë? (Në fillim të verës 1999, shtypi perëndimor shkruante se KFOR-i u paska gjetur grupeve të UÇK-së një listë prej 2000 intelektualësh shqiptarë, që duhej të likuidoheshin).

Xh. Mustafa kohë më parë shkroi tekstin “Mallkimi i popullit nga “të mallkuarit e popullit”, ku u referohej atyre që hidhnin gur e dru mbi shqiptarët pse nuk ua dhanë votat. Jakup Krasniqi, i deprimuar që nuk mori vota ai e partia e tij, fyente shqiptarët: “LDK-në e votuan ata që e ndiejnë më afër Beogradin se Tiranën”, shkruante në kolumnën e rregullt të “Zërit” ditor. Krasniqi mallkonte e fyente popullin, pse nuk e votuan.

Grupet kriminale të së kaluarës e të së tashmes, janë bërë njësh. Titistë e enveristë, UDB-ashë e SHIK-istë, në dukje të parë të papajtueshëm, krijuan aleancë të fuqishme kundër demokracisë së brishtë.

Për vrasjen e Xh. Mustafës, nuk u dha asnjë fjalë nga shteti shqiptar. Nuk e tha asnjë fjalë as Kryeministri i Shqipërisë, as ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Disa rreshta tekst u dhanë nga Shoqata e Shkrimtarëve e Kosovës. Shkroi “Bota sot”, aty ku Xhemaili shkruante kolumnen javore. “Rilindja” e uzurpuar nga grupet marksiste po ashtu gati heshti, ndërsa Xhemaili punoi në të mbi njëzet vjet. Vrasja e Xhemail Mustafës qe porosi e qartë për shumicën e intelektualëve shqiptarë..

Mbi varrin e Xhemail Mustafës foli presidenti Ibrahim Rugova. Ai foli me pikëllim dhe i deprimuar. Në një çast, Rugova i mallkoi vrasësit. Mbi varrin e Xhemës foli edhe Adem Demaçi, ai kishte një lidhje familjare me të ndjerin. Edhe ai tha se Xhemën e vranë ata që duan ta marrin pushtetin me dhunë. A thua e dinte kush janë vrasësit?

Nderime te varri i Xhemës bënë me mijëra shqiptarë. Më dhimbseshin gruaja e fëmijët. Fëmijët do të rriteshin pa baba, kurse gruaja që i përkushtohej aq shumë, do të mbetej e vetmuar. Babai i Xhemail Mustafës shikonte i përhumbur.

Atë ditë pikëllimi më ra në sy se shumë nga miqtë e përbashkët nuk erdhën në varrim. Më shtrëngoi diçka në gjoks nga dhimbja. M’u bë se bota u zvogëlua e u tëhuajësua sa s’ka ku shkonte më shumë. E dija se kishin frikë, por nuk i përligjja dot. Dikur ne shkonim në varrimet e viktimave të policisë serbe, dhe nuk ua kishim frikën policëve serbë. Na kërcënonin me vdekje, por ne ua bënim nderimet e fundit të njohurve tanë. Ne dikur nuk i frikësoheshim regjimit mizor të Milosheviçit, sepse e patëm vrarë frikën. Sot ua kishim frikën hijeve të natës.

Ëndrra jonë po përgjakej. Ne u përpoqëm për një shtet human, të dashur për të gjithë. Kurrë s’më shkonte nëpër mend se një grup shqiptarësh do të vriste miqtë e mi, madje s’mendoja fare se do të vriteshin shqiptarët nga shqiptarët. Mendoja se jemi populli më i shëndetshëm e më human në botë. Isha idealist naiv, si Kandidi i Zhan-Zhak Rusosë.

Nga libri “Rugovën, si e kam njohur’’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok