S’pati qiell për dhimbjen teme
Nga Albert Vataj
Elegji për viktimat e tërmetit të 26 nandorit 2019
-I-
U dridhe ligsht toka e amës,
dheu i andrrave t’mija t’molisuna.
Asaj nate 26 nandori 2019,
Tokë e t’parve lërumun n’varre, n’gjak vaditun,
shtërzeve thekshëm si nji shpirt i drobitun hekash,
gjimove trazimshm, e gjama u lshue n’ty me turr.
Shterroi fryma e t’gjallve,
n’ajër u fashit ofshama,
atij agu t’derdhun n’trishtim.
N’kup t’qiellit theri dita…
drita e dishrimeve zafikun mori zjarr.
Trandja e thekun e syve t’eshkun, kujave krisi,
msyni zezona,
me terrin prushi dhimbja, e përpushi vdekja.
U dridhe amësht tokë e ashtit,
truall qi bluen piskama.
Dekiku i oshtimës së dheut,
thirri zezue n’za terri,
n’tmerr shkrepi dita,
n’drita t’fikuna t’sysh që mbeten qiellthyem.
E shndriti hyjshëm n’shpirtna qi u praruen gërmadhave.
-II-
U luta,
e kambanave t’krahnorit u rash me gjëmim.
I’u bana za e zemër dhimbjeve,
krejt statujave qi vërshuen,
kah rrept me lot dihama.
Nata sosi mureve t’shkrehun n’gjunj,
e pragjeve t’thërmuem,
vdekja trokiti me huj.
Hapëm zemrat e ndrymun gjokseve
… t’gjëmimta,
u epëm dorzan ksaj duhije.
S’priti kuja, vikama…
e kalli ditën n’çdo rreze t’atij zgjimi llahtar,
i’u dha piskamës nana, e fmija u la n’lot.
Me sy e me shpirt u shtangëm tekatje,
nan at qiell t’thërmuem nantori,
zezue korbash,
atje ku ethshëm fryma kërkon gji e gjama,
piskamë.
Atje… nan gurë e mure,
thekshëm u përleshëm me vdekjen.
-III-
N’dhimbje,
m’dhimti thellë, e mrazta dhimbje,
e krejt’juaja u derdh n’trishtim,
e plasi n’buz fjala,
n’gji t’nji nane shterri mëkimi.
Rënkuen vorret,
e toka u lëkund me huj e mraz,
bota krejt u dridh,
prej themelesh n’kresht,
e vetmja qi mbeti pa u lëshue n’gjunj,
kje dhimbja.
Qëndroi dhe s’u ep,
zemra qi mëkuam plagëve,
briti sa fuqi i kish mbrue idhnimi,
e fryma shpuzi,
sa e prushi rrahekrah gjithkah.
Krahnorin i’a zateti duhishëm qiellit,
me pezëm e gjëmim e rrëmoi gjoksin,
e bzani zaqiellt…
O Zot ki mëshirë!
U gjegj shpirti, e prajti lëngueshëm idhnimi,
faji e frika…
pendesë patën, shpagës i’u dreshtën.
-IV-
Ah moj zemër e thyeme shpirtnave coptue,
krahnoreve t’thërmuem,
njëjt me muret,
n’se don me gjimue,
gjimo e mos druj se shuhesh.
Ç’ka don tjetër ti re e mrrylun idhnimit,
muranë e duarve e thirrjeve qi zashëm u epen.
N’prehnin e dërmuem t’andrrave mbetun nan rrënoja,
gjej nderun n’kuja,
duart e zgjatuna t’lutjeve,
e ndigjoje pikllimin tem e t’qiellit,
se si i shkimen zoritshëm gacat e grahmave.
N’zemrat t’coptueme,
Jam za i mekun,
thirrje e shterrun frymet.
-V-
Ndijim i epun epshëm gjëmimesh,
shuaje terrin që erri e shterri,
prag e prehën,
përtrije shpirtin qi digjet,
n’dritën që pau syt e përlotun,
e kortezhe t’gjat, ma t’zi se korbat.
Zezon, e zeza ti,
t’eshkun ma le gjinin e mbarue qiellin,
por vetëm s’mujte me m’lan,
se pata shqipen dykrenshe n’krahnor,
fluturova e sosa turr me erën,
e thirrjen e gjakut,
kjava e u përlesha me hekamën,
s’dreshta.
Zemrave u dhash zemër,
diell i shkrepa ditës n’sy e n’ball,
dritës që shkëndiu mes rrënojave t’andjeve për amë.
T’futndmeve dëshira,
ah… njatyne qi u shuan pa mbrri zbardhjen,
… përqafimeve qi fluturuen kah yje pikon nata,
shenjtnin e ngadhënjimit u blatova.
-VI-
Kurmeve t’qiellit,
u thyen zemrave t’coptueme,
gjithëçmos qi mujta e bana,
i dhash fjalë e loçkë,
t’shtrenjtat e shpirtjeve t’mija,
hyjtun, n’dlirsi e besim.
Iku me ikjet e trishta,
terri e tmerri kuisja, u davarit.
Iku kaluar, mbi qiejt e krisun t’dhimbjeve,
dengun n’re, bjerrun fluturimesh.
Përmbas mbeti çdo frymë, zashterrun e lot’tham,
syçjerrun, drobitun hekash e andërrvramë.
-VII-
Pa fole,
pëmëthyem,
pa shteg udhëve ku vërshon baltina,
sosëm.
Ngrysen prej agut në muzg,
ftyrat e vrame e qiejt e vdirun.
Ikja mori qiejt ngarkue me vaj,
e hupi sysh përgjakjes s’perëndimit,
Iku, kah ikjet shkuen vargan, zhagitjeve t’liga.
Ag i 26 nandorit 2019,
përpushje hekamë, zemërate e dheut,
kukja ti…
hala angullin majëpemëve t’zdeshuna picak.
Le pa qiej, zogjtë e dhimbjeve t’mija,
pa fole na nxu dimni e idhnakja kujë,
qi s’shuen mungimi.
-VIII-
Erdh e iku kjo gjam,
mundi e hekat, mure dhe qiej,
përsipër na ranë,
n’shpirt na u thërrmuan ardhmënitë,
n’gjak tuboi gjimueshëm flaka,
e plagët lëngue mbetën,
shtati na dridhet n’çdo prehje.
U ndeshëm me vdekjen e ma fort me frikën,
gërmadhave,
tekatje ku argamedoni la gjurmët, e gjam,
rënkojnë kujtimet e fatet e thyeme,
copë e grimave, qi mbetën shkret e harrue.
Pluhni e shpresa u rrekën zoritshëm, hujas,
tue mbrujt shtatore qëndresës, mosepjes.
-IX-
Erdh kjo zezon e shkoi,
qafën theftë!
Gjithçka mbuloi me hi e ngrysi n’terr,
zemrat kjen ata qi flakën me ndrit,
u dogjën n’syt e nderun britmave, klitha.
S’pati qiell për dhembjen teme,
n’shpirt më mbetën krahëthyem ernat,
fjalët e kangët, jehonat e lehjet e natës.
Pata diell për plagën e shpagën, dritta,
tue harrue zgjimin nan rrënoja,
agun, angullimave.
Iku me ikjet e keqja e la varrë, krrakamë la.,
U rash kambanave t’lutjeve
err e terr,
tue mëkue përshpirtje.
S’pati qiell për dhembjen teme,
gjoksit i’a lshova barrën e gjamës,
e brita thekshëm… heshta pikllue.
Fjalë…
n’se ke za me i dhan zjarm ç’ka kjo zemër dhimti,
gjej yje n’shpirtnat qi u epen ksaj zezone,
n’përjetsi shndriti!