16/11/2024

Sot, 73-vjetori i masakrës së Qafë Valmirit!

0

Nga Sali Berisha

Të dashur miq, më 17 gusht të vitit 1949, me urdhër të xhelatit, vrasësit serial, ministrit të Brendshëm të kohës Mehmet Shehu dhe direkt kryexhelatit Enver Hoxha u ekzekutuan në Qafë Valmir, 14 burra të pafajshëm, si akt hakmarrjeje primitive për vrasjen e sekretarit të parë të Mirditës, Bardhok Biba me të cilin asnjëri prej këtyre martirëve nuk kishte asnjë lidhje. Ata u dënuan pa asnjë provë apo fakt, por vetëm si anti-komunist nga gjykatësi xhelat Bilbil Klosi. Martirët e Qafë Valmirit u detyruan ta hapin vetë varrin, gropën e përbashkët. Dhjetë prej tyre u pushkatuan, kurse katër prej tyre u varën në litar përpara qindra mirditorëve të grumbulluar me detyrim, për të qenë të pranishëm në aktin e masakrës, me qëllimin ogurzi për t’i terrorizuar ata dhe mbarë Mirditën.

Kështu si sot, 73 vite më parë u pushkatuan ose u varën martirët e demokracisë, pasardhës të familjeve më të mira të Mirditës:

  1. Preng Ded Gjomarkaj-Orosh, varet në litar.
  2. Pjetër D. Vila-Kaçinar, varet në litar.
  3. Dodë Mark Biba-Malaj, varet në litar
  4. Pjetër Paloka-Kaçinar, varet në litar
  5. Nikollë Bardhok Bajraktari-Rrëshen, pushkatohet.
  6. Llesh Gjon Melyshi-Malaj, pushkatohet.
  7. Nikoll Llesh Bajraktari-Orosh, pushkatohet.
  8. Ndrecë Mark Ndoj-Kaçinar, pushkatohet.
  9. Bardhok Dodë Gjini-Prosek, pushkatohet.
  10. Gjok Gjin Kaçi-Bukmirë, pushkatohet.
  11. Gjergj Beleshi-Kthellë e Epër, vritet për të vëllanë, Dodën.
  12. Ndoc Gjet Cupi-Blinisht, pushkatohet.
  13. Preng Shkurt Nikolli-Orosh, pushkatohet.
  14. Frrok Mata-Kaçinar, pushkatohet.

Pas kësaj masakre qindra mirditorë, burra, gra, fëmijë dhe të moshuar u burgosën dhe internuan në kampet e përqëndrimit të regjimit.

Të dashur miq!

Masakra e Qafë Valmirit është një nga aktet terroriste më të shëmtuara të krimeve kundër njerëzimit dhe genocidit komunist të regjimit të Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas Luftës së Dyte Botërore, është një nga hakmarrjet më të verbra dhe më primitive, që kishte për qëllim shtypjen e rezistencës së pamposhtur anti-komuniste të Mirditës. Duke u përulur me nderimin më të thellë para kujtimit të ndritur të martirëve mirditorë të Qafë Valmirit, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm nga akt-hakmarrja e egër, dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë krim makabër të kryexhelatëve të popullit shqiptar, Hoxha Shehu, por edhe heshtjen që mbajnë ndaj këtyre krimeve të tmerrshme sot, Edi Rama dhe pasardhësit e tyre në pushtet.

Nderim përjetë martirëve të Qafë Valmirit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok