22/12/2024

Sociologu Gëzim Tushi dhe “diagnostikimi” problemeve sociale të shoqërisë…

0
Gezim-Tushi-Fran-Gjoka

(Në 70-vjetorin e lindjes së Sociologut dhe “Mjeshtrit të Madh” Gëzim Tushi)

Nga Fran Gjoka

Nëse kërkon të evidentosh tërë korpusin e veprës së Gëzim Tushit, “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, të paktën për periudhën kohore të tre dekadave të fundit, nuk është e thjeshtë. Në personalitetin krijues dhe veprën e tij teorike e mediatike janë shkrirë në një sociologu me politologun, njeriu intensiv i medias me mendimtarin e problemeve sociale dhe njeriun me dimension të njohur publik. Një punë krijuese e kërkimore këmbëngulëse që shprehet në analizat politologjike e diagnostikimet sociale të fenomeneve, sidomos të atyre të tranzicionit. E sintetizuar në 21 libra të shkruara ose më shumë se 10 mijë faqe në periudhën nga 1998 deri sot, shoqëruar nga një sasi e madhe shkrimesh rreth 2 mijë të tilla si dhe me një intensistet të pandërprerë të angazhimeve të tij mediatike, pothuaj në të gjithë teleevizionet shqiptare. Fjala vjen, vetëm në tre vitet e fundit 2020-2022, ka realizuar 620 dalje televizive, në të cilat ka trajtuar probleme politike, kulturore, psikologjike e sociale me tematikë të natyrave të ndryshme. Pjesë e veprimtarisë komplekse të tij kanë qenë ligjëratat dhe mësimdhënia në disa universitete sikurse janë degët e Punës Sociale apo Filozofisë në Fakultetin e Shkencave Sociale apo Universitetin “Marin Barleti”.

Në punën e tij si studiues i sociologjisë dhe shkencave humane në tërësi, qoftë si vëzhgues, analizues apo diagnostikues i fenomeneve sociale të jetës shoqërore, ndihet shqetësimi i sociologut Tushi për të reflektuar në gjerësi e thellësi për efektin ndikues të dy faktorëve madhorë, esencialë e materialë, psikologjik e spiritual mbi tipologjinë dhe karakteristikat e reja të shoqërisë shqiptare gjatë dhe pas tranzicionit në të gjithë komponentët e tij: politik, kulturor, social. E para, autori në shumë intervista të tij ka deklaruar si devizë të punës krijuese, siç thotë ai, “përpjekjen dhe dëshirën intelektuale e profesionale që të pasqyrojë natyrshëm evolucionin e brendshëm, endemik të ndryshimeve që ka sjellë koha në tipologjinë dhe fenomenologjinë e dukurive të reja sociale”.

Por sociologu Tushi përpiqet të jetë koherent me kohën postmoderne dhe të vërtetat e saj, duke i trajtuar fenomenet përmes natyrës së tyre kontradiktore dhe influencave të presioneve të formave të reja të ideve, zakoneve, mënyrave të sjelljes në shoqërinë shqiptare, qoftë në efektin dhe ndikimin e emancipimit social të jetës shoqërore apo të zgjerimit të disa fenomeneve negative e shpesh degraduese. Me fjalë të tjera, në korpusin sociologjik të veprës së autorit, në mënyrë të përgjithësuar, sikurse thotë ai, ”këto janë dy shtyllat e mendimit teorik e sociologjik”. Synimi i autorit ka qenë për të penetruar sa më gjerë të jetë e mundur në “humnerat e njeriut” dhe “labirintet e shoqërisë”, duke ndërmjetësuar teorikisht në shpjegimin dhe interpretimin e turbulencave shpirtërore që përjetojmë dhe që vazhdimisht prishin “ekulibrin” social dhe individual në shoqërinë shqiptare.

Gëzim Tushi, në shumë nga librat e tij, është përpjekur që të bëjë një “skaner social” të natyrës së njeriut, shoqërisë dhe qytetërimit të ditëve tona, të depërtojë në thellësi të tyre me mjetet e sociologjisë, duke bërë analiza dhe deduksione teorike për dukuritë kontroversale sociale, duke treguar iluzionet dhe deziluzionet që shfaqen në natyrën e njeriut modern. Problemet e natyrës së qytetërimit tonë e kanë detyruar autorin të bëjë analiza e observime të thella të “thelbit” dhe “shfaqjes” së tyre sociologjike, morale dhe psikologjike. Në këtë kontekst, librat e tij janë një kontribut që mund ndihmojë shoqërinë, institucionet sociale dhe lexuesin që të ndajë atë pjesë të “anomisë sociale”, që është përgjithësisht shprehje e paqartësive, e moskuptimit kontekstual të karakterit, natyrës, imperativave dhe veçorive emocionale dhe psikologjike të “epokës shpirtërore” në të cilën jetojmë. Studimi i shoqërisë sonë në tërë kompleksitetin sociologjik, është një nga ambicjet profesionale të G. Tushit, një prirje e njohur nga lexuesi. Ndaj, duke qënë koshient si sociolog, ka qenë gjithnjë intensiv në analizën dhe shpjegimin sociologjik të dukurive që ndeshim. Është tipar i tij vështrimi kompleks i problematikës sociale, ndarja e elementëve materiale dhe shpirtërore që ndikojnë në “valët e krizës”, me të cilat po përballet njeriu, shoqëria dhe qytetërimi ynë. Në këtë kontekst, sipas Gëzim Tushit nëse shoqërinë tonë e shikon nga jashtë, duke e vlerësuar nga dukuritë e sipërfaqshme materiale, nga fjalët e njerëzve të mërzitur, duket sikur ajo noton në dallgët e një kaosi social pa rrugëdalje. Dukuritë kontradiktore të qytetërimit tonë nuk mund të perceptohen drejt duke i interpretuar në mënyrë lineare, apo duke patur për bazë arsyetimin e zakonshëm të drejtpërdrejtë dhe semplist të publikut të gjerë. Gjërat, dukuritë sociale, sendet dhe raportet e tyre me njerëzit, sipas autorit, duhen parë më thellë, duhen interpretuar më drejt, sepse pikërisht në thelbin e tyre qëndron karakteri i marrëdhënieve kontradiktore të njeriut me shoqërinë dhe qytetërimin tonë. Por nuk është vetëm ky aspekt që shqetëson autorin. Në jetën morale kanë dalë dukuri të cilat nuk mund të kuptohen pa vlerësuar ndryshimet që ka pësuar shoqëria jonë. Bashkë me faktin që tashmë duke jetuar në liri po përballemi me shpërthimin masiv të “instikteve të lindura” të njeriut, të cilat për një kohë të gjatë kanë jetuar në thellësi të fshehura dhe që koha moderne i nxorri në sipërfaqe.

Për këtë problematikë, autori flet fare hapur. Shumë dukuri të jetës ai i analizon në terrene empirike dhe pastaj i shoqëron me argumentime teorike e sociologjike, shumë gjëra që “shfaqen” ndryshe nga “thelbi” i tyre. Ai realizon analiza, gjykime, deduksione e prognoza sociologjike për dukuritë sociale, të cilat pjesa dërmuese e njerëzve që nuk janë profesionistë të sociologjisë ose nuk kanë kohë dhe mundësi të merret me analizën e hollësishme të tyre, ose janë të pavëmendshëm për të kuptuar dhe interpretuar thelbin, kurbën dhe tendencën e dukurive të jetës shpirtërore, individuale dhe sociale. Sociologu Tushi është i mendimit se në këto momente duhet të bëjmë gjithçka mundemi që të çlirojmë njerëzit nga barrët dhe mentalitetet sociale të tepërta, nga konceptimet e ngushta dhe “pritmëritë sociale” me natyrë parazitare, nga shpresat e kota që i mbajnë njerëzit në gjëndje “pezulli social”, të lidhur iluzionisht me “rotacionet qeveritare”. Sipas tij, “Nuk është morale për klasën politike, filozofët, sociologët, intelektualët e këtij vendi që nuk i thonë të vërtetat ashtu siç ata janë, por krijojnë iluzione paralizuese për njerëzit, sepse shpesh me “mirazhin” social utopik që krijojnë nuk i lejojnë të kuptojnë karakterin e kohës, të shoqërisë dhe qytetërimit që jetojnë”. Ndaj ai e ka konsideruar si pjesë të detyrës intelektuale të ndihmojë për bërjen e analizave të vërteta sociale, duke i thënë gjërat ashtu siç janë në të vërtetë, duke bërë evidentimin e dallimeve dhe nuancave të gjendjës shpirtërore të njeriut, duke u përpjekur për të ndarë se sa prej këtyre shqetësimeve sociale, me të cilat përballemi, janë objektive, të pashmangshme, pjesë e “riskut social” të natyrës së njeriut, shoqërisë dhe qytetërimit modern, që shfaqen universalisht si tipare esenciale të epokës dhe sa janë ato me natyrë subjektive, pjesë e përgjegjësisë së politikës, shoqërisë dhe natyrisht edhe të vetë individit. Pse jo edhe sa janë rezultat i veprimit të “faktorëve të padukshëm”, që në kushtet e jetës sonë kanë ndikim në “proceset kontekstuale” të devijuara dhe që bëhën shkak që sjell mosbesim, dyshim, pesimizëm social. Sipas autorit, duhet punë e gjerë politike, sociale, intelektuale, morale, mediatike për të bërë “sqarimin konceptual” të thelbit dhe natyrës së shoqërisë dhe qytetërimit, duke ndihmuar në procesin e gjerë social të zgjerimit të aftësive perceptive të qytetarëve tanë për të interpretuar drejt dukuritë e shoqërisë, evidentimin e përgjëgjësisë sociale dhe individuale, duke njohur shkaqet reale dhe jo ato të imagjinuara, që determinojnë këtë situatë të gjendjës shpirtërore të shoqërisë tonë. Është koha e ndryshimeve të shpejta të koncepteve të vjetra për martesën, seksin, riprodhimin, lidhjet e gjakut, miqësinë, etj. Kështu që, në këtë kohë të ndryshimeve marramendëse metafizike, morale e sociale, është e natyrshme që gjendja shpirtërore e njeriut dhe shoqërisë shqiptare të jetë tejet e tronditur. Sidomos kur, siç po duket, vështirësitë e jetës materiale po “pleksen” me sindroma sociale që vijnë nga dukuritë e post-modernitetit, nga moskuptimi apo interpretimi i gabuar i tyre.

Autori gjykon se në vend që të shpërndajmë iluzione sociale në shoqërinë tonë dhe të bëjmë kritika moralizuese jashtëkohore dhe në kundërsens me ritmet dhe drejtimet e zhvillimit të qytetërimit modern e paradoksale për kohën, do të ishte më e udhës që sociologët, moralistët, politikanët, analistët e shoqërisë, media, shoqëria civile të tregojnë se kërkesat për “moralitetin social” të së kaluarës në epokën moderne, jo vetëm janë të tepërta dhe të pamundura për t’u realizuar, por ato në të vërtetë përbëjnë rrezik për orientimin e njeriut dhe të shoqërisë shqiptare në sensin e duhur të progresit social. Sepse sikurse mendon Gëzim Tushi, koha moderne nuk lejon askënd në shoqërinë shqiptare që të jetojë me iluzione, aq më pak që të kërkojë “ruajtjen e zakoneve të vjetra në kohë të reja”. Njeriu që jeton jashtë kohës që nuk kupton drejtimin e lëvizjes së shoqërisë, “tingullin” e saj është i destinuar të mbetet i izoluar, i shkëputur nga shoqëria. Njerëzit që nuk kuptojnë kohën e tyre dhe ëndërrojnë të frenojnë zhvillimin me ide utopike dhe egalitariste, janë të destinuar të mbeten anash shoqërisë.

Interesimet e autorit për zhvillimin e shoqërisë civile janë koncentruar në librin “Shoqëria civile”, që është një “manual” me vlera në njohjen e konceptit “shoqëri civile”. Qëllimi i Gëzim Tushit është që sa më thjeshtë dhe sa më kuptueshëm, për lexuesin e zakonshëm, por dhe intelektual, rrugën e lindjes dhe të formimit të saj, si dhe faktin se pse shoqëritë moderne e vlerësojnë kaq shumë atë. Ai i ka vënë vetes disa detyra: Të paraqesë një histori të shkurtër të kontributit filozofik për konceptimin e “shoqërise civile”, historinë e lindjes dhe të formimit, gjerësinë e përmbajtjes dhe strukturën përbërëse të saj, si vlerë sociale, rrënjët shoqërore dhe historike. Në këtë kontekst, shoqëria civile vlerësohet si kusht dhe bazë, për ndërtimin e qytetërimit dhe të demokracisë. Ai sqaron faktin, pse shoqëria civile si koncept dhe praktikë, është bërë vlerë me rëndësi prioritare, për ndërtimin e shoqërisë demokratike, shkaqet politike, ekonomike e historike, pse shoqëria civile u ndërtua në shumicën e vendeve europiano – perëndimore dhe fare pak ose aspak në vendet e Europës Lindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Së fundi, autori thekson rolin e shoqërise civile, në tërësinë e komponentëve përbërës të shoqërisë, mënyrën dhe format për ta mbrojtur atë nga rreziqet e mundshme.

Gëzim Tushi është sociologu, që për një kohë të gjatë është marrë intensivisht me problemet sociale dhe studimin e imtësishëm të fenomeneve të reja, normale dhe eksentrike të shoqërisë moderne në përgjithësi dhe asaj shqiptare veçanërisht gjithnjë e ka shqetësuar dilema teorike dhe ekzistenciale jo vetëm për ndryshimet radikale të natyrës së shoqërisë që jetojmë, por sidomos lidhur me metamorfozën ontologjike dhe fenomenologjike dhe sidomos me ndryshimet e thella të natyrës së njeriut modern. Natyrisht, librat e sociologut Tushi janë njëkohësisht teorikë dhe kontekstual, sepse lënda e tyre është përtej pretendimeve të “kulluara” konceptuale filozofike dhe sociologjike. Kolana e librave me natyrë politike, sociale e psikologjike është pasqyrë e “rolit të dyfishtë” që vetë autori ka luajtur në këto vite, duke qenë në të njëjtën kohë profesionist i politikave të shërbimit social, por edhe studiues, qytetar dhe publicist i problematikës sociale, që shqetëson shoqërinë tonë.

Në shumë nga librat e tij kanë hapësirën e merituar temat e mëdha të decentralizimit, deinsitucionalizimit, shërbimit social komunitar si dhe problemet që lidhen me specifikat e shërbimit social për grupet në nevojë. Sipas autorit, zëvendësimi i shoqërisë barazitariste me identitetin e individit si të tillë solli një ndjenjë pështjelluese të “krizës së identitetit”. Njerëzit tanë, entuziazmin e dikurshëm për vlerat e modelit social të shoqërisë moderne e zëvendësuan me një ndjenjë deziluzioni social, pasi përfytyrimi i tyre “rozë” u përplas shumë shpejt me një realitet të ri social, në të cilin vlera e njeriut matet me kontributin e tij në treg, aftësitë e tij të përditshme për të qenë konkurrues dhe i suksesshëm në përballimin e sfidave të shoqërisë.

Në këtë garë të përditshme, të vazhdueshme, të pandërprerë të njeriut me veten dhe shoqërinë, shkruan autori, një pjesë e njerëzve, duke mos qenë në gjendje për ta përballuar, ndihen të vetmuar, pa përkrahje dhe kanë ndjenjën sociale të humbjes. Sipas sociologut Tushi shkurtimi i “dorës sociale të shtetit”, i rolit dhe përgjegjësisë së tij për “fatin e individit” është një nga kërkesat madhore të shoqërisë moderne, që mbështet lirinë e iniciativës së njeriut për të jetuar i lirë dhe si të dojë. Mirëpo kjo liri ka koston e saj, që nuk përballohet nga shteti, por nga vetë individi me forcat e tij.

Interesimet e tij janë të gjëra edhe për institucionet e autoritetit social dhe të sigurisë morale sikurse janë familja, shkolla, institucionet fetare etj. dhe rolin e tyre të ridimensionuar në kushtet e shoqërisë së sotme. Librat e fundit të sociologut Tushi sikurse janë “Pandemia ose asgjë nuk do jetë si më parë”, në të cilat ai bën analiza e prognoza të ndryshimeve esenciale që ka sjellë pandemia në mënyrat e sjelljes e komportimit social duke sjellë dukuri të reja sikurse janë të “mësuarit në distancë” apo “puna hibride” edhe në vendin e punës, por edhe nga shtëpia, përdorimin e zgjeruar të telemjekësisë, etj. Padyshim niveli i lartë i kriminalitetit në shoqëri e ka preokupuar vazhdimisht autorin, i cili ka qenë i anagazhuar në diagnostikimin e shkaqeve sociale e individuale të kësaj dukurie shqetësuese në familje dhe në shoqëri. Tërë këtë shqetësim të tij e gjejmë të koncentruar në faqet e librit “Pse vriten dhe vetëvriten shqiptarët”. Dhe më ne fund është libri i 21–të i tij i botuar para pak kohësh “Sociologu dhe shoqëria”, në të cilën ai evidenton rolin e sociologjisë në analizat dhe diagnostikimin social të fenomeneve të shoqërisë dhe kontributet e pretenduara për figurën e sociologut për të dhënë përgjigjet e duhura për jetën e sotme, përmirësimin e mënyrave të sjelljes, të menduarit dhe ndërtimit e marrëdhënieve sociale. Ai thotë se koha e sotme është përballë me kërkesën për të formuar sociologët e së ardhmes. Autori mendon se duhet punuar për të formuar “shkollën sociologjike” shqiptare, e cila duhet të jetë e aftë të japë përgjigje dukurive sociale të sotme, që “duken” nga ato që janë duke u zhvilluar brenda kornizave të shoqërisë së rrëshqitshme dhe të paqëndrueshme nga pikëpamja e dinamikës së zhvillimeve të brendshme sociale.

Gëzim Tushi sapo mbushi moshën 70 vjeç. Sikurse ai ka deklaruar, është momenti kur nuk ka kohë për të kthyer kokën pas, por duhet të shikojë përpara dhe të ecë akoma më shpejt në rrugën e përmbushjes së objektivave të “Projektit” të tij personal. Jam i sigurtë që punë dhe libra të tjerë do të kemi nga puna e tij pasionante dhe e pandërprerë.

Jetë të gjatë dhe me plot prodhimtari intelektuale në shërbim të shoqërisë tonë, “Mjeshtrit të Madh”, Gëzim Tushi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok