23/12/2024

SKËNDERBEU I TRAGJEDISË SË HAXHIADEMIT, NJË TJETËR PAVDEKËSI, POR E PLAGOSUR…

0
Visar-Zhiti

Nga Visar Zhiti

…dua të marr ndër duar tragjedinë “Skënderbeu” të Etëhem Haxhiademit, ta shfletoj sërish e sërish, sidomos sot…

Vit Skënderbejan, 555 vjet pavdekësi… Prisja një si të kremte të madhe, mbarëkombëtare, me pjesëmarrje nga Europa, të cilën e mbrojti heroikisht, nga bota, historisë së cilës i përket… një Krujë tjetër, sheshe e shtatore të tjera, panteon të tij, mesha, ishte dhe Atlet i Krishtit, akademi, teatër, të ngjitje në skenë Skënderbeu i Haxhiademit, opera, ekspozita, konkurse e konferenca, kolanë botimesh skënderbejane, homazhe dhe fishekzjarre në qiellin e tij sot.

555 vjetët pavdekësi e madhërishme si një tronditje në heshtje e tokës, 5-5-5 si një trini heroike përkrenaresh, edhe shenjtë…

Por unë i besoj letërsisë shumë.  Skënderbeun na e lanë plot shkëlqim Barleti dhe Frang Bardhi, etj, e ringjallën De Rada dhe Naimi e At’ Fishta, etj. Është e madhe biblioteka skënderbejane dhe shumë gjuhëshe.

Po unë thashë, do marr një libër në gjuhën e Gjergj Kastriotit, tragjedinë e Etëhem Haxhiademit si për të gjitha këto…

Është një çudi e letrave tona, kam thënë, ka sjellë të paarritshmen nga askush më parë e as më pas. Ka botë she kohë, bashkon antikitetin greko-romak dhe klasiken e Rilindjes Europiane, iluminizmin, shekspirizmin me rilindjen shqiptarë duke ringritur ato që shëmbën shekujt e errësirës, Pallatin Mbretëror Skënderbejan dhe Katedralen e shpirtit të Kombit.

Na ka sjellë një Skënderbe sa kompleks dhe të qartë si statujat e tij, mbret dhe luftëtar, udhëheqës dhe njeri, i mençur, zemërmadh dhe dinak, i pamëshirshëm dhe falës, i kërcënuar nga jashtë nga armiku i madh, por i kërcënuar dhe nga brenda, edhe nga tirania e vet e mundëshme. Në krah ka Donikën mbretëreshë, dinjitoze, mbështetëse, rrezëllitëse si ikonë.

Shpirti i tragjedisë, vetë tragjedia është një grua, Zanfina, bashkëshortja e gjeneralit të Skënderbeut, e Moisi Golemit, që tradhtoi dhe u kthye prapë,  një përzierje e ambicjes shtetërore me qëndresën ndaj sindromave të tiranisë, misionar i detyrës dhe kundërdetyrës dhe detyrës prapë, etj. Po është Zanfina më në qëndër, që frymëzon dhe nxit, që guxon dhe flet. Kur burri i saj tradhton atdheun, ajo guxon dhe zgjedh të mbajë anën e burrit, është e tij, e betuar dhe kur burri kthehet i penduar, ajo e qortim që nuk e çoi deri në fund punën e nisur. Mbase e çon më tej Hamzai, nipi i Skënderbeut… Tragjedia është e gruas, ajo vret veten. Por dhe e kombit… aty është thelbi universal i vetes, i njeriut.

Tragjedia nuk e ka mbushur ende shekullin, që nga kur është shkruar, në 1935, kur autori ishte 33 vjeç, në moshën e Krishtit, në Gjirokastër, ku kishte lindur dhe bridhte antikrishti, djalli i kuq, që do të sundonte Shqipërinë për një gjysmë shekulli. Me të mbaruar Lufta II Botërore, fitimtarët do ta burgosnin tragjedianin e parë, Etëhem Haxhiademin me akuzën se ishte nacionalist, me Ballin e Kombit, pra, skënderbejan. Mbi supe i vunë kryqin e rëndë të dënimit me vdekje. Ai nuk doli gjallë nga burgu…

7 tragjeditë e tij (aq ka dhe Eskili) u ndaluan. Emri i tij u mallkua. U braktis ajo fryma e tij në letrat shqipe, u fut urrejtja dhe përçarja.

Nëse do të ishin lënë, qoftë dhe vetëm vepra “Skënderbeu” e Haxhiademit të lexohej, të njihej nëpër shkolla, edhe At’ Fishta, edhe Konica, edhe Nënë Tereza, më ndryshe do të ishte edukata kombëtare, besoj, duke u rritur do të silleshim më mirë si popull me njeri-tjetrin, do të kuptonin absurdin e luftës së klasave, dhembshurinë, do ta dinim se cili ishte armiku, sundimtarët dhe shtetin, etj.

Tragjedi tjetër është tani dhe mosnjohja e tragjedive të tragjedianit të parë dhe të vetëm shqiptar, Etëhem Haxhiademit, lënia ende në “Burrelin e harresës”, moslejimi i asaj fryme njerëzore deri në shenjteri. Altaret e Kombit po duan t’i mbushin serish me urrejtjen që la trashëgim enveri, me antipsalmet e tij, që i ndjejnë si poezi të djallit, ne bibliotekë pëlqejnë librat me stalin, era e këtij dimri u nëpërmend mjekrrën e Marksit, kjo u duket epos. Asnjë fjalë për Haxhiademin, asnje falje, konvertim i frikshëm për të mbrojtur atë që ishin…

Kur ktheva faqen e fundit të tragjedisë “Skënderbeu”, fjalëve të tij si amanet:

“Barbarit të tërbuëm sa të jem gjallë,

Do t’i vërsulem rreptësisht me pallë

Dhe gjak i im bregoret do t’i lajë,

Që t’rroj Shqipnija dhe flamur’ i sajë!”

U shtova këto dy vargje në stilin haxhiademjan:

Dhe i vdekur armiqtë do t’i luftoj

Dhe me vdekjen time Atdheu do të rrojë.

Chicago, Roselle, 17 janar 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok